Zgjidhjet novatore, fermerët e Oblikës zbusin varësinë nga thatësira me teknologji smart  

Intervista
Zgjidhjet novatore janë urgjentisht të nevojshme për të zbutur ndikimet që sjellin ndryshimet klimatike në sektorin bujqësor, teksa për herë të parë një teknologji “e zgjuar” e pompimit të ujit me energji diellore është aplikuar nga një grup fermerësh në Oblikë të Shkodrës.

Zgjidhjet novatore janë urgjentisht të nevojshme për të zbutur ndikimet që sjellin ndryshimet klimatike në sektorin bujqësor, teksa për herë të parë një teknologji “e zgjuar” e pompimit të ujit me energji diellore është aplikuar nga një grup fermerësh në Oblikë të Shkodrës. Mihallaq Qirjo, profesor pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës dhe drejtues i Qendrës Burimore të Mjedisit, që mundësoi aplikimin, flet për avantazhet e kësaj teknologjie, që zbut problemet që sjellin thatësirat në prodhimin bujqësor. Ai shton se kostot e investimit rekuperohen në një kohë të shkurtër, si pasojë e kursimit të energjisë apo garantimit të prodhimit bujqësor. Megjithatë, ai kërkon mbështetjen nga shteti për ta shtrirë këtë model edhe te fermerë të tjerë, pasi për shumë prej tyre kostot janë të papërballueshme.

Prof. Qirjo, ndryshimet klimatike kanë një efekt të ndjeshëm tek sektori bujqësor, duke prekur prodhimin. Përballë nevojës së shtuar për ujë për vaditje, sa e rëndësishme është futja e teknologjive të reja, që do të ndikonin në ruajtjen e prodhimit dhe të të ardhurave të fermerëve?

Bujqësia po përballet gjithmonë e më shumë me probleme të ndryshimeve klimatike, kryesisht në periudhën e verës. Rritja e temperaturave dhe zgjatja e periudhave të thatësirave krijon një stres të shtuar për prodhimin bujqësor, sidomos për shumë nga fermerët që e kanë të lidhur mirëqenien e tyre, jetën e tyre, punën e tyre të përditshme me prodhimin bujqësor. Në këto kushte, zgjidhjet që duhen bërë për bujqësinë, duhet të jenë zgjidhje që marrin në konsideratë ndryshimet klimatike. Zgjidhjet novatore janë urgjentisht të nevojshme për të zbutur këto ndikime. Një rrugë premtuese është përshtatja me teknologji të reja në bujqësi, që jo vetëm rrisin produktivitetin, por gjithashtu reduktojnë ndjeshëm shkarkimet e CO2.

Në këtë kontekst një shembull nga vjen nga fermerët e Oblikës. Çfarë është kjo teknologji e re që është implementuar dhe cilat janë disa nga avantazhet?

Një grup fermerësh në Oblikë të Shkodrës janë mbështetur me një teknologji smart për ujitjen e serrave të tyre me anë të energjisë diellore. Përmes instalimit të disa paneleve diellore me një sipërfaqe 20 m² dhe fuqi të instaluar 10 kW, një pompë smart e lidhur edhe me telefonat e fermerëve funksionon për të ujitur një sipërfaqe prej 4 ha të tokave të tyre përgjatë periudhës së thatë të vitit. Kjo teknologji smart është e pavarur nga sistemi i furnizimit me energji elektrike, që bën të mundur ujitjen edhe në zona që janë larg rrjetit të energjisë apo larg kanaleve ujësjellës. Në këtë mënyrë, fermerët e Oblikës në Shkodër, të cilët janë shumë të ekspozuar ndaj përmbytjeve në periudhën tjetër të vitit, zgjidhin një problem të kahershëm, pasi në periudhën e verës prodhimi bujqësor i tyre shpesh herë është i cenuar nga periudhat e gjata të thatësirës.

Cilat janë kostot e implementimit të këtij sistemi dhe a mund të jetë kjo kosto e përballueshme edhe nga fermerë të tjerë?

Kostot e implementimti të këtij sistemi janë në varësi të pompës dhe sasisë së ujit që furnizon. Për një sipërfaqe 4 ha, është vlerësuar se sasia e ujit të nevojshëm për to është 5 litra në sekondë, e vlefshme me një fuqi të instaluar prej 10 kW. Në kosto të tilla që shkojnë në rreth 1 mln lekë të reja, të financuar për fermerët nga një program i Kombeve të Bashkuar, vlerësojmë se janë kosto të përballueshme në një periudhë afatgjatë. Megjithatë, teknologji të tilla të reja të instaluara në vendin tonë kërkojnë një mbështetje edhe nga iniciativa shtetërore apo të agjencive të ndryshme sepse fermerët, shpesh herë e kanë të vështirë për të investuar paraprakisht në një kosto të tillë, pavarësisht se të ardhurat nga kursimi i energjisë apo dhe nga prodhimi bujqësor mund të vilen brenda një kohe relativisht të shkurtër. Duke përllogaritur edhe kostot mjedisore, që vijnë nga mos harxhimi i naftës për të vendosur motorrin në punë, që të punojë pompa, vlerësimi ekonomik bëhet edhe më i përshtatshëm.

Si duhet të jenë të orientuara format e mbështetjes, që ato të jenë efektive?

Forma të tilla të mbështetjes janë shumë të rëndësishme për fermerët në Shqipëri sepse fermat në Shqipëri kanë përmasa të vogla dhe zgjidhjet duhet të jenë përgjithësisht zgjidhje që i takojnë një grupi fermerësh, sikurse në Oblikë që është një grup prej 4 fermerësh të cilët kanë bashkuar forcat e tyre dhe burimet e tyre për ta instaluar dhe për ta operuar këtë teknologji. Gjykoj se zhvillime të tilla janë shumë të shpejta dhe dinamike edhe në tregun evropian. Kjo teknologji, është teknologji gjermane e sjellë në Shqipëri prej disa partnerëve nga vendet fqinje dhe është mundësuar edhe falë kontakteve dhe shkëmbimit të informacionit me aktorë të ndryshëm. Megjithatë, duhet theksuar se shpërndarja e njohurive për teknologji të tilla është shumë e rëndësishme që të prekë edhe fermerë të tjerë, në zona të tjera të vendit.