Vjosa drejt degradimit, organizatat mjedisore: Rrezikon të mbrohet vetëm në letër

Ngjarje
Dy vite pas shpalljes si Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë, lumi Vjosa po përballet me kërcënime serioze që rrezikojnë integritetin e tij ekologjik.

Dy vite pas shpalljes si Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë, lumi Vjosa po përballet me kërcënime serioze që rrezikojnë integritetin e tij ekologjik. Organizatat mjedisore EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur paralajmërojnë se industritë nxjerrëse, zhvillimi i pakontrolluar dhe mungesa e zbatimit të ligjit mund ta kthejnë Vjosën në një “park letre”.

Një raport i ri, i dorëzuar pranë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, dokumenton pesë kërcënimet kryesore: rrjedhjet e naftës, hedhja e mbetjeve të bitumit, shfrytëzimi i pakontrolluar i ujit, nxjerrja e zhavorrit dhe ndotja nga mbetjet urbane. Shtuar kësaj është edhe zgjerimi i pakontrolluar i turizmit, që po ndikon negativisht në habitatet natyrore.

Në kushte të tilla, edhe përpjekja për të shpallur luginën e Vjosës si Rezervë të Biosferës UNESCO rrezikon të jetë simbolike, pa mbështetje reale në terren.
“Pa vullnet politik urgjent, Vjosa rrezikon të mbrohet vetëm në letër,” – paralajmëron drejtori i EcoAlbania, Olsi Nika.

Organizatat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria, ndalim të aktiviteteve ndotëse, rehabilitim të zonave të dëmtuara dhe menaxhim të kontrolluar të turizmit.