Një stuhi breshëri e pazakontë përfshiu Ersekën të dielën e 23 qershorit, duke shkaktuar dëme te drurët frutorë. Stuhia zgjati rreth 20 minuta, ndërsa zonat që u prekën më së shumti janë ato rrëzë malit të Gramozit: në Rehovë, Starje dhe Prodan. Dëmet e shkaktuara nuk janë vlerësuar ende, por të dhënat paraprake tregojnë se janë të konsiderueshme. Kjo nuk është hera e parë, që sektori i pemtarisë preket nga fenomenet e pazakonta natyrore në Qarkun e Korçës, por Ministria e Bujqësisë nuk ka ndërmarrë politika për të mbrojtur fermerët. Të dhënat nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë në Korçë tregojnë se vetëm 4% e pemtoreve kanë rrjeta antibreshër, ndërsa në kushtet e mungesës së skemave mbështetëse, fermerët e kanë të vështirë të bëjnë investime. Ndryshimet e temperaturave dhe breshëri nuk kanë lënë pa prekur edhe kulturat e tjera si gruri, misri apo perimet, për të cilat fermerët pasi kanë punuar gjithë verën dhe janë përballur me thatësirën, kanë mbetur duarbosh në periudhën e vjeljes së prodhimit. Vullnet Gjolla, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Korçë flet për problemet që ka shkaktuar ndryshimi i klimës në këtë zonë, duke evidentuar se në kushtet aktuale specialistët arrijnë të kryejnë vetëm këshillim.
Z. Gjolla, cilat janë disa nga problemet kryesore të shkaktuara nga ndryshimi i klimës, te fermerët e rajonit të Korçës?
Prej vitesh kushtet klimatike kanë pësuar një ndryshim të madh dhe konkretisht kemi pasur jo vetëm rritje të temperaturave, por edhe luhatje të vazhdueshme gjatë gjithë sezonit pranveror, veror apo edhe të vjeshtës. Me aq sa specialistët kanë parë në terren kemi një ndryshim në 10 ditë deri në 2 javë për mbjelljet e reja apo në gjthë kulturat e tjera që kanë të bëjnë më bujqësinë, siç janë mbjelljet pranverore. Konkretisht, nëse kulturat pranverore do të mbilleshin nga marsi dhe prilli tashmë ato janë shtyrë 10 ditë me dy javë më përpara. Kjo nuk përbën ndonjë shqetësim të madh, por shqetësim përbën tejzgjatja e thatësirës që vendos fermerët në vështirësi për vaditjet e kulturave bujqësore. Edhe pse janë marrë masa nga bashkitë për kanalet kulluese apo vaditëse, përsëri vazhdon të jetë problem për shkak të zgjatjes së thatësirës apo edhe problematika të tjera siç janë reshjet e dendura për një kohë shumë të shkurtër. Po ashtu, problemet kanë të bëjnë edhe me dëmtimin e fermerëve në sezone të ndryshme kur kemi reshje të rrëmbyera apo edhe breshër. Njëkohësisht në pjesën e pemtores sjell një rrezik shumë të madh, sidomos në kohën e lulëzimit të tyre, ku sivjet lulëzimi ka qenë 2 javë para edhe për shkak të temperaturave të larta krahasuar me vitet e rregullta.
Si janë reflektuar këto probleme në prodhimin bujqësor, që mesa duket iu kushton shtrenjtë fermerëve?
Normalisht, kur kemi ndryshim të kushteve klimatike në varësi të kohës kur ato ndodhin, shpesh kanë krijuar edhe ulje të rendimentit të produkteve bujqësore. Nëse do të kemi tejzgjatje të thatësirës normal që bima s’do të ketë ujin e duhur dhe do të ulë rendimentin apo produktin e saj prodhues do ta ketë në madhësinë jo të duhur. Jo vetëm pemtaria por edhe gruri, misri, perimet kanë të njëjtin problem. Pavarësisht ndryshimeve, fermerët tanë dhe specialistët tanë duhet t’ju përshtaten ndryshimeve klimatike qoftë në thatësirën e tejzgjatur dhe përdorimin e ujit në mënyrë efektive, vaditjen me pika, qoftë edhe në lagështi të tepërta, shira të rrëmbyer, rrjetat antibreshër do të bëjnë të mundur që t’i ruajmë. Pavarësisht se çfarë ndodh me klimën ne duhet t’ju përshtatemi duke krijuar kushte në favor të rritjes së rendimentit. Ka vështirësi sektori i bujqësisë padiskutim, fermerët është e vështirë që të përshtaten në kohë shumë të shkurtër për të pasur rendimente të larta apo përshtatje me ndryshimet klimatike. Fermerët potencialë shpeshherë janë përshtatur, megjithatë kemi ndikime të vazhdueshme nga ndryshimet klimatike.
Fermerët që merren me pemëtari, një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të vitit paraardhës e dedikojnë kryesisht për kostot e prodhimit që përfshijnë spërkatjen, vaditjen apo proceset e tjera të nevojshme deri në vjeljen e prodhimit. Ndaj, shumë pak kanë mundësi për të investuar në mbrojtjen e pemtoreve të tyre. Si e gjykoni këtë situatë, përballë nevojës akute për të shmangur përballjen me breshërin?
Normalisht që ka vështirësi dhe buxheti i fermerëve tanë nuk është në ato nivele të kënaqshme sa të përballojnë vetë situatën, por ne këshillojmë që të mos rrisin sipërfaqet me pemtore, por të përdorin ato financa për të siguruar ato sipërfaqe që kanë me rrjetat antibreshër. Po ashtu, të jenë pjesë në skemat subvencionuese siç janë ato të IPARD, skema me donacione të BE apo edhe skemat kombëtare. Në skemat direkte po bëjmë përpjekje maksimale mbase në muajt në vazhdim apo në vitet në vazhdim, të futim edhe rrjetat antibreshër, pasi ne nga fermerët kemi marrë atë çfarë duan ata të bëjnë, por edhe me bisedat në ministri do të bëjmë përpjekje për të sjellë skemat më frytdhënëse që ndihmojnë fermerët për ndryshimet e kushteve klimatike. Këtë do ta shohim në vijim dhe mendoj se do të jetë prioritet nga ministria. Ashtu, siç kemi parë skemat me rezultat të lartë: si skema e naftës apo blegtorisë dhe bletarisë që kemi pasur aplikime në rritje. Të shohim nëse do të bëjmë të mundur të fusim dhe një skemë të tillë që do të mundësojë të ruajmë prodhimet tona bujqësore, për të cilat fermerët kanë bërë përpjekje të mëdha për të arritur këto sipërfaqe.
Cila është situata aktuale me rrjetat antibreshër, që do të mbronin prodhimin në pemtore?
Ne, në Qarkun e Korçës kemi një sipërfaqe prej 4200 ha me pemtore dhe vetëm në mollë kemi rreth 3600 ha. Kemi një sipërfaqe të vogël të mbuluar me rrjeta antibreshër. Duhet të rriten sipërfaqet e mbuluara me rrjeta antibreshër, pasi 3-4 % është e mbuluar me rrjetat antibreshër.
Përballë kësaj situate, cilat janë disa nga hapat e ndërmarë nga institucionet për të lehtësuar fermerët?
Institucionet vazhdimisht kanë pasur jo vetëm skema, por edhe këshillime të ndryshme. Pjesa e këshillimit vazhdon edhe tek mundësia që ata të krijojnë diçka sa i takon mosdëmtimit nga ngricat. Pra ne i këshillojmë edhe me metodat tradicionale, përshembull nëse paralajmërohen ngrica të ndezin një zjarr për të stabilizuar sadopak temperaturën në pemtore. Me sa kemi parë në terren sivjet nuk kemi pasur temperatura të tilla, kanë qenë deri në -1 gradë, ndërsa duhet të jenë mbi -3 gradë që të dëmtojnë pemtoret. Të shpresojmë mos kemi të tilla. Metodat tradicionale apo edhe mënyret e reja do të jenë disa këshillat që fermerët duhet të kenë kujdes për të ruajtur produktet tona. Qarku i Korçës është një nga qarqet me prodhimtari të lartë dhe lartësia mbi nivelin e detit bën që të kemi prodhime me cilësi të lartë, por edhe të jemi të riskuar nga luhatjet e motit.
Është e qartë që ndryshimet klimatike, kërcënojnë vazhdimisht fermerët e Qarkut të Korçës. Cilat janë disa nga sugjerimet tuaja, për të zbutur efektet negative në të ardhmen?
Lehtësim do të ishte bashkimi, që do t’ju jepte fermerëve forcë më të madhe finaciare sesa çdo individ në veçanti, që e ka më të vështirë për të bërë aplikime. Normalisht kur fermerët janë të bashkuar do ta kenë më të lehtë aplikimin apo financimin dhe mbrojtjen nga ndryshimet klimatike për çdo produkt bujqësor. Një fermer i vetëm do ta ketë të vështirë të marrë informacionet dhe për të krijuar mbrojtjen e nevojshme, por nëse do të jenë të bashkuar, krijimi i grupeve, krijimi i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, organizimi i tryezave të rrumbullakta për t’i këshilluar drejt këtyre ndryshimeve do të bëjë të mundur që fermerët të përshtaten sa më mirë dhe sa më parë me ndryshimet klimatike. Po ashtu, ne këshillojmë fermerët të marrin masa në futjen e teknologjive të reja sa i takon ujitjes së kulturave bujqësore, që sjellin një kursim më të mirë të ujit, ujitjen me pika doja të thoja, apo në kohën e lagështirës së tepërt për hapjen e kanaleve të dyta dhe të treta përveç punës që bëjnë bashkitë apo bordet për hapjen e kanaleve të para. Po ashtu, fermerët këshillohen të mbjellin kultura të reja bujqësore, por edhe në realizimin e mbrojtjes nga stuhitë, siç janë rrjetat antibreshër. Pra, të mos rrisim sipërfaqet, por të hedhim hapa më të ngadaltë për rritjen e sipërfaqeve dhe të shohin si do t’i mbrojnë.