Teksa qeveria zotohet në ulë me 11.5% emetimet e gazeve me efekt serrë, të dhënat tregojnë se politikat e deritanishme në drejtim të eficiencës së energjisë dhe veprimit klimatik nuk janë në përputhje me angazhimet e ndërmarra në kuadër të Axhendës së Gjelbër, si dhe me objektivat e vendosura nga Komuniteti i Energjisë.
Nga Ervin Postoli
Teksa prej disa muajsh ishte shpallur gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, përmes një Akti Normativ të miratuar në 5 tetor 2022, qeveria iu kërkonte institucioneve shtetërore të reduktonin me 15% faturat e energjisë elektrike. Për të arritur objektivin urdhërohej përdorimi i ajrit të kondicionuar në temperaturë më të ulët se 27 gradë gjatë verës dhe më të lartë se 21 gradë gjatë dimrit. Në rast të mosarritjes së objektivit të kursimit prej 15% parashikohej vendosja e gjobave.
Ekspertët i konsiderojnë si të pëlqyeshme këto masa për të nxitur reduktimin e kërkesës për energji. Megjithatë ato janë shumë larg detyrimeve ligjore dhe programeve që duhet të ndërmerren nga qeveria në drejtim të masave të eficiencës së energjisë në ndërtesa, që konsiderohet si një nga format më të mira në drejtim të mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.
Të dhënat tregojnë se vendi ynë nuk ka bërë shumë progres në këtë drejtim, në shkelje të ligjeve, angazhimeve të ndërmarra në kuadër të Axhendës së Gjelbër, dhe si anëtare e Komunitetit të Energjisë.
Ndryshimet e klimës dhe eficienca e energjisë
Shkaku kryesor i ndryshimeve klimatike mbetet shtimi i sasisë së gazeve me efekt serrë (GES) në atmosferë. Vendet e industrializuara janë kontribuesit kryesorë dhe ato me ekonomi jo shumë të industrializuar, si Shqipëria, njihen si pësuese të ndikimeve negative.
“Megjithatë, në shkallë të vogël, Shqipëria ka një kontribut në shtimin e gazeve serrë në atmosferë”, – thotë Kristi Bashmili, ekspert mjedisi.
“Raportimet e Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri për Konventën Kombëtare për Ndryshimet Klimatike tregojnë se sektorë të ndryshëm të ekonomisë kontribuojnë në çlirimin e GES”, – shton ai.
Sektori i ndërtimit është një prej tyre. Ky sektor, ku përfshihen edhe ndërtesat e banimit, mbetet një prej kontribuuesve kryesorë të dëmtimit të mjedisit dhe varfërimit të burimeve natyrore në shkallë globale. Sipas Raportit të Statusit Global për Ndërtesat dhe Ndërtimet, i Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin për vitin 2019, sektori i ndërtimit përbën përdorimin më të lartë të energjisë, me mbi 36% të konsumit, si dhe është përgjegjës për emetimet e rreth 40% të CO2 dhe sasi të konsiderueshme të gazeve të tjera me efekt serrë.
“Sipas Direktivës së Eficiencës së Energjisë, shtëpitë tona, zyrat, shkollat, dyqanet dhe ndërtesat e tjera janë përdorues të mëdhenj të energjisë dhe shkaktarë të gazeve me efekt serrë”, – thotë Etleva Dobjani, pedagoge dhe eksperte e eficiencës së energjisë.
“Edhe në Shqipëri, bazuar në statistikat e vitit 2012 nga INSTAT, pothuajse 40% e energjisë vjetore në nivel kombëtar harxhohet nga ndërtesat rezidenciale dhe industriale”, – shton ajo.
Sipas, Bashmilit, “me vëmendjen gjithnjë e në rritje që po merr çështja e ndotjes së ajrit dhe e ndryshimeve klimatike, ky sektor është nën presion për të reduktuar ndikimin mjedisor, përballë një kërkese në rritje të vazhdueshme për energji”.
“Ndaj vitet e fundit kryefjala është në eficiencën e energjisë, sidomos në vende të zhvilluara, sepse shikohet si zgjidhje që do të reduktojë shkarkimet në atmosferë”, – thotë ai.
Masat e eficiencës së energjisë në ndërtesa përfshijnë disa elemente, sikurse është ndriçimi eficient, përdorimi i pajisjeve me klas energjie A+++, kontrolli i ngrohjes apo ftohjes, por më kryesori mbetet termoizolimi.
“Në dallim nga strukturat e tjera, te strukturat e termoizoluara kemi përmirësim të ndjeshëm të transmetimit të nxehtësisë. Koeficienti i transmetimit për rastin me termoizolim e ka vlerën pothuajse dy herë më të vogël se ai pa termoizolim. Në këtë rast, sasia e nxehtësisë që humbet nga muret ulet me rreth 50%”, – thotë Dobjani.
“Ulja e humbjeve të nxehtësisë përkthehet direkt në reduktim të konsumit të energjisë për ngrohje, duke ruajtur kështu burimet e energjisë dhe duke ulur presionin mjedisor, kryesisht uljen e shkarkimeve në ajër të elementëve ndotës dhe gazeve serrë”, – shton ajo.
Studime të ndryshme tregojnë se përfitimet që vijnë nga eficienca e energjisë janë të mëdha. Në një raport të hartuar nga organizata mjedisore All Green Centre, ku merrej në studim një apartament në qytetin e Korçës, arrihej në konkluzionin se pas ndërhyrjeve termoizoluese, në dimër banesa do të ulte ndjeshëm sasinë e lëndës drusore për ngrohje. “Pas termoizolimit, ngrohja e ambientit do të kërkojë rreth 67% më pak lëndë drusore. Pra, nga inkapsulimi do të ulim në rreth 67% emetimet në atmosferë dhe po me të njëjtën shifër, përdorimin e pyjeve për lëndë drusore”, – thuhet ndër të tjera në raport. “Sasia e ulët e energjisë së nevojshme për ngrohje mund të përballohet edhe me mënyra alternative të energjisë së rinovueshme, duke e kthyer këtë banesë me karbon zero. Pra, një banesë komode në aspektin e temperaturës, pa shkaktuar ndikime negative në mjedis”, – shtohet më tej.
Detyrimet dhe përfitimet
Qeveria shqiptare është angazhuar që të reduktojë shkarkimet e CO2 me 11,5% brenda vitit 2030 dhe sektori rezidencial, përmes masave të eficiencës së energjisë është një prej politikave që duhet të ndërmerren. Për të përmbushur këtë angazhim, skenari i eficiencës së energjisë kërkon që Shqipëria të përmbushë angazhimet e saj në Traktatin e Komunitetit të Energjisë, përmes zbatimit të Planit të Dytë Kombëtar të Veprimit për Eficiencën e Energjisë, të ligjit “Për eficiencën e energjisë” dhe të ligjit “Për performancën e energjisë në ndërtesa”.
Por, sipas Komunitetit të Energjisë, “masat e ndërmarra nga vendi ynë në drejtim të eficiencës së energjisë dhe veprimit klimatik nuk janë në përputhje me objektivat e vitit 2030 të vendosura nga Komuniteti i Energjisë”. Në raportin vjetor të publikuar nga Sekretariati i Komuniteti të Energjisë evidentohen një sërë problemesh që mbeten shqetësuese, duke nisur që nga hartimi i akteve nën ligjore, strategjive afatgjata për rinovimin e ndërtesave apo mekanizmave për financimin e investimeve në eficiencë energjie.
Paralelisht, Shqipëria është firmëtare e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, që është strategji zhvillimi afatgjatë e vendeve të BE-së, e cila synon parandalimin e ndryshimeve klimatike, me qëllimin kryesor arritjen e neutralitetit të karbonit deri në vitin 2050.
Për arritjen e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, vendet e rajonit përfshirë edhe Shqipërinë nënshkruan Deklaratën e Sofjes mbi Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor më 10 nëntor 2020. Përmes saj ata u angazhuan për zbatimin e Axhendës së Gjelbër si një “udhërrëfyes” për një sërë veprimesh dhe masash konkrete për të çuar në një zhvillim me karbon të ulët dhe rritje ekonomike në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm. Në këtë marrëveshje theksohet se prioritet për eficiencën e energjisë dhe përmirësimin e saj në të gjithë sektorët do të jetë mbështetja e skemave të rinovimit të ndërtesave private dhe publike, sigurimi i financimit të duhur dhe zbatimi i plotë i Direktivës së Performancës Energjetike të Ndërtesave (përshtatur sipas kornizës së Komunitetit të Energjisë).
Por, edhe këto angazhime duket se janë larg përmbushjes.
“Nuk është miratuar ende një strategji afatgjatë për rinovimin e ndërtesave. Për sa i përket mekanizmave të financimit për eficiencën e energjisë, nuk është krijuar asnjë fond i dedikuar”, – konstaton Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.
Kjo, në ndryshim nga shumë vende të Evropës, që kanë aktivizuar një sërë politikash me vëmendje të veçantë ndaj mjedisit dhe kursimit të energjisë, duke kryer programe të shumta ristrukturimi, rijetësimi dhe rinovimi në mënyrë që të rrisin cilësinë e hapësirave të brendshme të banesave, si dhe cilësinë e hapësirave ndërmjet ndërtesave.
“Koncepti i rigjenerimit është përdorur gjerësisht në dy shekujt e fundit në Evropë, ai është ende i paeksploruar dhe jo shumë aktual në Shqipëri”, – thotë Dobjani, duke shpjeguar rëndësinë që do të kishte ky proces për vendin tonë.
Sipas saj, ndërtimi masiv i objekteve të banimit me karakteristika të standardizuara dhe me cilësi të ulët teknologjike paraqet aktualisht nevojën më të madhe për t’iu përgjigjur ndërhyrjeve në drejtim të mirëmbajtjes dhe të zhvillimit cilësor të kushteve të jetesës.
“Jo vetëm ndërtesat e ndërtuara para vitit 1990, por edhe ato të mëvonshme, të cilat kanë probleme të mëdha në lidhje me cilësinë e elementëve arkitektonikë të mbështjellëseve, si: prania e urave termike, lagështia, mungesa e izolimit akustik dhe termik, kanë nevojë emergjente për ndërhyrje përmirësuese në cilësinë e ndërtimit”, – thotë ekspertja.
“Kjo, pasi mungesa e termoizolimit në elementë të jashtëm arkitektonikë, vertikalë dhe horizontalë, cilësia e dobët teknologjike e elementëve arkitektonikë në zbatim dhe ndërtimi masiv me cilësi të ulët, lidhet ngushtësisht me humbjen e energjisë termike të brendshme, duke rritur nevojën për ngrohje të brendshme dhe, si pasojë, duke rritur edhe ndikimin negativ në kostot e energjisë apo të ndotjes së ajrit”, – thotë ajo.
Në të njëjtën linjë është edhe Bashmili.
“Termoziolimi apo rritja e performancës së banesave do të ulë ndjeshëm shkarkimet e gazeve me efekt serrë, që ne si vend zotohemi që t’i ulim deri në 11.5% deri në vitin 2030. Pra, është një zotim dhe sektori i banesave, sektori rezidencial është i treti në radhë i cili do të kontribuojë në rritjen e këtij qëllimi”, – thotë ai.
Këto politika do të ndihmojnë jo vetëm në uljen e shkarkimeve, por edhe në një sërë përfitimesh të tjera mjedisore. “Kursimi i energjisë sjell mbrojtjen e burimeve energjitike në vend. Energjia elektrike është kryesisht nga burimet e rinovueshme, por ka pasoja të tjera në mjedis. Energjitë e tjera të rinovueshme siç është ajo e diellit apo erës gjithashtu janë të rinovueshme, por do të kenë gjurmë ndikimi në mjedis, që janë: Zënia e tokës, probleme me biodiversitetin apo ndikime të tjera që vijnë si rrjedhojë e ndërtimit apo operimit të tyre”, – shpjegon eksperti.
“Kursimi i energjisë na çon në reduktimin e nevojës për shfytëzimin e këtyre burimeve e si pasojë ne marrim një reduktim më të ulët në biodiversitet apo në kushte natyrore që ne kemi”, – shton më tej ai.
Për këto arsye ekspertët kërkojnë që politikave të eficiencës së energjisë në ndërtesa t’iu kushtohet më tepër vëmendje.
“Në këto rrethana është mjaft e rëndësishme që të punohet në drejtim të vlerësimit të performancës së energjisë dhe në termoizolimin e godinave ekzistuese”, – thotë Dobjani.
“Krahas komoditetit të krijuar në banesë, do të përfitojmë ulje të konsumit të energjisë, reduktim të presionit mjedisor nga shfrytëzimi i burimeve energjetike, përmirësim të cilësisë së ajrit urban dhe një sërë përfitimesh ekonomike”, – përfundon ajo.
Ky artikull u botua me mbështetjen e “SMART BALKANS: Shoqëria civile për vlera të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor,” një projekt rajonal zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Studime dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e artikullit është përgjegjësia e vetme e zbatuesve të projektit dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).