Tranzicioni i gjelbër, shkollat profesionale nuk i përgjigjen nevojave të tregut të punës

Analiza
Përballë kërkesës në rritje për profesionistë në sektorin e energjisë fotovoltaike, shkollat profesionale nuk i janë përshtatur nevojave të tregut përmes ofrimimit të kaulifikimeve të nevojshme.

Anduel Çekrezi është një sipërmarrës në sektorin e paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë nga dielli. Kompania e tij operon në treg prej shumë vitesh, ndërsa interesi për instalimin e këtyre impianteve u shtua ndjeshëm gjatë krizës së energjisë. Kjo tendencë në rritje parashikohet të vijojë edhe në vitet në vijim, si pasojë e tranzicionit të gjelbër dhe kërkesës për investime në energji të rinovueshme, çka do të sjellë edhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Por, Çekrezi thotë se biznesi që ai drejton përballet me mungesën e krahut të punës.

“Absolutisht që kemi vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar“, – thotë ai.

Përballë kërkesës në rritje për këta profesionistë, shkollat profesionale nuk i janë përshtatur nevojave të tregut. Aktualisht, asnjë prej këtyre institucioneve arsimore nuk e ka të përfshirë drejtimin për instalimin e e paneleve fotovoltaike, teksa vetëm disa gjimnaze kanë drejtimin “Termohidraulikë“ që ofron aftësi profesionale për panelet e ngrohjes së ujit.

Mungesa e programeve për zhvillimin e aftësive kritikohet nga ekspertët, të cilët thonë se kjo situatë ka rënduar mbi bizneset, që detyrohen t’i trajnojnë vetë punonjësit. Ata shtojnë se shkollat profesionale duhet të ofrojnë drejtime që përshtaten me nevojat e tregut të punës, duke bërë që ky hendek të mos thellohet në të ardhmen.

Nevojat për profesionistë

Me heqjen graduale të qymyrit dhe tranzicionin e vazhdueshëm drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë, vendosja e teknologjive të energjisë së pastër parashikohet të krijojë deri në 460,000 vende pune, deri në vitin 2050 në shtetet e Bashkimit Evropian. Po ashtu, Organizata Botërore e Punës, ILO ka parashikuar krijimin e deri në 24 milionë vende pune të reja, deri në vitin 2030 në sektorin e energjisë së rinovueshme. Përballë kësaj mundësie që ofron tranzicioni i gjelbër, pak javë më parë, Komisioni Europian bëri me dije se deri në vitin 2030 nevojiten në mënyrë urgjente rreth 66 mijë punëtorë vetëm në sektorin e fotovoltaikëve dhe për këtë arsye njoftoi nisjen e trajnimit të 100 mijë punjonjësve për këto sisteme, nëpërmjet “Europian Solar Academy”.

Edhe në vendin tonë shifrat flasin për një trend të rritje të këtij sektori, ku brenda 2-3 viteve të fundit, numri total i konsumatorëve që mbajnë statusin e vetëprodhuesit të energjisë elektrike përmes paneleve fotovoltaike arriti në 1,249. Paralelisht, janë dhënë dhjetra licenca për ndërtimin e parqeve diellore dhe mbi 15 mln metra katrorë pyje dhe tokë bujqësore ka dalë në ankand. Kjo sipërfaqe do të vihet në dispozicion të kësaj industrie të re, duke bërë që kërkesa për punonjës të kualifikuar të rritet.

Por, aktualisht nevojat për punonjës në këtë industri janë plotësuar nga trajnimet që ofrojnë vetë bizneset.

“I marrim pa kualifikimin e duhur dhe më pas i kualifikojmë, duke i trajnuar vetë dhe duke i mësuar“, – thotë Çekrezi.

Kjo situatë konfirmohet edhe nga ekspertët e tregut të punës.

“Në fillimet e aktiviteteve të para, specialistët vijnë nga profile inxhinierike dhe elektrike, të cilët janë trajnuar dhe kanë marrë përvoja nga kompani të mëdha ku edhe blejnë panelet diellore. Më pas këtë përvojë e kanë transferuar edhe këtu”, – thotë eksperti i punësimit dhe pedagogu pranë universitetit “Marin Barleti”, Erion Muça.

“Një pjesë janë trajnuar dhe orientuar edhe nga inxhinierë të digave dhe hidrocentraleve të dikurshme, duke marrë disa baza të rëndësishme të përditësimit dhe zhvillimit”, – shton ai.

Mungesa e programeve të kualifikimit profesional

Aktualisht asnjë nga 14 shkollat e mesme profesionale nuk ofron mundësinë për t’u kualifikuar në sektorin e energjisë fotovoltaike. Ndërkohë që, duke bërë një analizë të një perspektivë të afërt, ekpertët parashikojnë se do të gjendemi përballë masivizimit të ndërtimit të sistemeve fotovoltaike për prodhim energjie, që do të kërkojë krahë pune të shtuar.

“Duhen më shumë specialistë të mesëm apo zanatçinj që prodhojnë shkollat profesionale në Shqipëri. Jo vetëm të drejtimit në mënyrë të drejtpërdrejtë, pra montues të paneleve diellore, por edhe drejtime të lidhura me të. Për shembull specialistë të automekanikës, që mund të jetë në funksion të ndërtimit të impianteve, elektricistin e mesëm apo atë specialist të elektronikës që mund të shërbejë dhe të jetë në funksion të mirëmbajtjes së sistemeve të inverterave që kërkon ndërtimi dhe mirëmbajtja e një fotovoltaiku”, – thotë Muça.

Në këto kushte, ekspertët edhe sipërmarrësit kërkojnë integrimin e programeve profesionale, me nevojat e tregut të punës.

“Do ishte shumë mirë sikur shkollat profesionale të shtonin programe për të nxjerrë instalues apo montues të panele fotovoltaike”, – thotë Anduel Çekrezi.

“Ky është një treg që ofron shumë mundësi punësimi, por duhet parë me seriozitet”, – thotë Muça.

Situata nuk pranohet nga Ejvis Gishti, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare së Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, që është institucioni publik përgjegjës për krijimin e sistemit të unifikuar të kualifikimeve profesionale në nivel kombëtar. Sipas saj, tendenca drejt një ekonomie më të gjelbër prej vitesh është në korelacion me zotërimin e aftësive të nevojshme për të lejuar zhvillimin e teknologjive të reja.

“Strategjia Kombëtare për Punësimin dhe Aftësitë 2030 ka prioritizuar rëndësinë e ofrimit të Aaftësimit profesional në përputhje me atë që nevojitet në tregun e punës për të mbështetur rritjen ekonomike dhe tranzicionin binjak”, – thotë Gishti.

Megjithatë, ajo pranon se kurrikula për formimin profesional në këtë drejtim është ende në hartim.

“Me mbështetjen e GIZ (ProSEED 2.0) ka startuar procesi i tranzicionit binjak – digjital dhe të gjelbër për 10 kualifikime profesionale në katër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në Shqipëri: Bujqësi, Ndërtim, Turizëm dhe Energji”, – thotë Gishti.

“Në këtë kuadër është krijuar një profil i ri në sektorin e energjisë, “Teknik për Energjitë e Rinovueshme”, Niveli 5 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Gjithashtu, janë në proces përditësimi edhe 9 kualifikime te tjera”, – shton ajo, ndërsa saktëson se ndryshimet në kualifikimet/kurrikulat në katër sektorët do të shoqërohen edhe me paketat e materialeve didaktike dhe trajnime për elementet e tranzicionit binjak.