“Transporti i gjelbër”, shkelen afatet për trenin Tiranë – Durrës – Rinas

Analiza
Vënia në funksion e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe degëzimi drejt aeroportit të Rinasit parashikohet të ulë ndjeshëm emetimet e gazeve me efekt serrë, duke ndikuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe angazhimeve të ndërmarra nga qeveria në kuadër të Axhendës së Gjelbër.

Vënia në funksion e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe degëzimi drejt aeroportit të Rinasit parashikohet të ulë ndjeshëm emetimet e gazeve me efekt serrë, duke ndikuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe angazhimeve të ndërmarra nga qeveria në kuadër të Axhendës së Gjelbër. Por, punimet për këtë linjë hekurudhore nuk do të përfundojnë as këtë vit, sikurse ishte parashikuar. Gentian Liko, nga drejtoria e Zhvillimit të Transportit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha gjatë diskutimeve të një kredie për sektorin hekurudhor në Komisionin parlamentar për Çështjet Evropiane, se afati i ri i përfundimit të punimeve është marsi i vitit 2025.

“Sot që flasim jemi rreth 70% realizim dhe përfundon në mars 2025”, – tha Liko.

Gjithsesi, finalizimi i këtij projekti do të kërkojë elemente shtesë, përpara se të vihet në funksion në transportit të udhëtarëve dhe mallrave.

“Te ky projekt vlen të theksohet që do ketë dhe komponentë shtesë, pasi mungojnë godinat e stacioneve, elektrifikimi dhe zgjatimi për në bulevardin e ri, tek stacioni i vjetër i trenit”, – tha Liko.

Për elektrifikimin dhe zgjatimin e linjës financimi nuk është siguruar ende, sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Elektrifikimi është një pjesë tjetër shumë sfiduese e këtij projekti, duke qenë se ne kemi vendosur që i gjithë rrjeti hekurudhor shqiptar do të jetë i elektrifikuar. Tiranë – Durrës nuk e ka patur paketën e elektrifikimit bashkëngjitur, por që ne po ecim përpara dhe besoj që shumë shpejt do të nisim edhe me këtë proces të financimit”, – tha Balluku, teksa inspektoi ecurinë e punimeve në këtë linjë hekurudhore, një ditë më parë.

AFATE TË SHKELURA

Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i një degëzimi të ri drejt aeroportit “Nënë Tereza” e ka zanafillën shumë vite përpara, teksa në 2016-ën u lëshua Deklarata Mjedisore nga Ministria e Mjedisit. Në datën 19 tetor 2020 Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim shpalli fituese për kryerjen e punimeve kompaninë italiane INC S.P.A. Në njoftimin e fituesit BERZH bënte me dije se kohëzgjatja e kontratës do të ishte 30 muaj nga nënshkrimi i saj. Këtyre afateve iu referua edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në ceremoninë e zhvilluar në datën 3 shkurt 2021, ku u nënshkrua zyrtarisht kontrata mes palëve. “Punimet do përmbyllen brenda një afati 30 – mujor, ose në verën e vitit 2023. Ne do të ndjekim me përpikmëri gjithë ecurinë e projektit. Kjo, për të facilituar procesin dhe arsyeja e dytë dhe më e rëndësishme për të ofruar transparencë të plotë të procesit”, – deklaroi Balluku në atë kohë. Ky afat nuk u arrit, teksa Hekurudha Shqiptare pohoi se afati i ri i përfundimit të punimeve do të ishte marsi i vitit 2024. Por, mesa duket edhe ky afat i ri nuk u zbatua, duke bërë që të paktën edhe për 1 vit transporti i udhëtarëve dhe mallrave përmes kësaj linje hekurudhore të jetë i pamundur.

PËRFITIMET PËR MJEDISIN DHE KLIMËN

Linja e rehabilituar Tiranë – Durrës parashikohet të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h dhe ndonëse nuk është përcaktuar ende vlerësohet se çmimi i biletës do të jetë midis 1–1.2 euro. Sipas projektit, do të rehabilitohet 34.7 km linjë ekzistuese hekurudhore ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, si dhe do ndërtohet rreth 5 km linjë e re nga Tirana drejt Rinasit.

Sipas raportit teknik “Një vlerësim i qëndrueshëm i aseteve të hekurudhës Tiranë – Durrës”, i realizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Zhvillim të Qendrueshëm, përfitimet kumulative neto për një periudhë 30- vjeçare nga vënia në funksion e kësaj linje hekurudhore përllogariten në 270.34 mln euro, duke zbritur kostot e investimit. Kjo duke marrë në konsideratë të ardhurat që do të sigurohen nga operimi i hekurudhës, si dhe kostot që shmangen në drejtim të shëndetit, kohës së kursyer, mjedisit, emetimeve të dioksidit të karbonit apo kostove të operimit të automjeteve.

Sipas raportit, vetëm kursimet që do të vijnë nga kostot e funksionimit të automjeteve, që rrjedhin nga shmangia e shpenzimeve të mirëmbajtjes dhe përdorimit të karburantit, për periudhën 2024 -2053 vlerësohen në 96.79 mln euro. Gjithashtu, vënia në operim e kësja linje hekurudhore do të përmirësojë kushtet e trafikut dhe do të rrisë efikasitetin e lëvizjes në Shqipëri, teksa përfitimet në këtë rast përllogariten në 44.39 milionë euro, përgjatë periudhës 30 – vjeçare.

Nga ana tjetër, rezultatet e raportit tregojnë se kursimet kumulative mjedisore arrijnë në vlerën 32.08 milionë euro, ndërsa reduktimi i emetimeve të dioksidit të karbonit, në 19.56 mln euro. Kjo si pasojë e reduktimit të përodrimit të automjeteve, duke zgjedhur trenin si mjet transporti. Ndërkaq, sa i takon përfitimeve shëndetësore, edhe ato janë të lidhura me përmirësimin e cilësisë së ajrit, si pasojë e reduktimit të emetimeve të dioksidit të karbonit, si dhe me reduktimin e aksidenteve në rrugë, duke sjellë dhe ulje të shkallës së vdekshmërisë. Përfitimet neto shëndetësore arrijnë në 44.93 milionë euro, ndërsa kostot e shmangura nga aksidentet përllogariten në shumën 41.61 milionë euro.

“Në total, ky vlerësim ka treguar se hekurudha Tiranë – Durrës çon përpara realizimin e objektivave të lëvizshmërisë së qëndrueshme në Shqipëri. Për më tepër, hekurudha Tiranë -Durrës jep objektivat e politikës së transportit të përcaktuara në Planin e Integruar Ndërsektorial të zonës Tiranë – Durrës dhe objektivat e sektorit të transportit deri në vitin 2030”, – theksohet në raport.