Trafiku dhe zhvillimi urban rrisin ndotjen e ajrit dhe zhurmën në qytetet shqiptare

Ngjarje
Në Tiranë, rreth 66.7 % e pikave të monitorimit tejkalojnë vlerën referencë për dioksidin e azotit (NO₂), një ndotës që lidhet kryesisht me trafikun rrugor. Po ashtu, 98.3 % e pikave të monitorimit rezultojnë mbi pragun referencë për dioksidin e karbonit (CO₂), çka reflekton intensitetin e lartë të aktivitetit urban dhe të trafikut në kryeqytet.
Ndotja nga CO₂ në qytetin e Tiranës

Nga Ola Mitre

Trafiku rrugor dhe zhvillimi urban mbeten ndër burimet kryesore të ndotjes së ajrit dhe zhurmës në qytetet shqiptare. Ky është një nga përfundimet kryesore të raportit të monitorimit alternativ të ajrit, ujit dhe zhurmave për vitin 2025, i prezantuar në Tiranë nga CoPlan, në kuadër të projektit GreenAL.

Raporti ofron një pasqyrë të zgjeruar të gjendjes së mjedisit urban në disa qytete të vendit dhe synon të rrisë transparencën dhe ndërgjegjësimin publik mbi presionet mjedisore që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e komuniteteve.

Trafiku dhe aktiviteti urban ndikojnë në cilësinë e ajrit

Sipas raportit, ndotja e ajrit në qytetet shqiptare paraqet një shpërndarje të pabarabartë, ku zonat me trafik të dendur dhe aktivitet ekonomik më intensiv përballen me përqendrime më të larta ndotjeje.

Në Tiranë, rreth 66.7 % e pikave të monitorimit tejkalojnë vlerën referencë për dioksidin e azotit (NO₂), një ndotës që lidhet kryesisht me trafikun rrugor. Po ashtu, 98.3 % e pikave të monitorimit rezultojnë mbi pragun referencë për dioksidin e karbonit (CO₂), çka reflekton intensitetin e lartë të aktivitetit urban dhe të trafikut në kryeqytet.

Në Durrës, situata paraqitet më problematike për grimcat e imëta në ajër, pasi 100 % e pikave të monitorimit tejkalojnë standardet për PM₂.₅ dhe PM₁₀, ndotës që lidhen me trafikun, aktivitetet ndërtimore dhe ndikimin e zonës portuale.

Në Elbasan, edhe pse nuk janë evidentuar tejkalime për grimcat PM₂.₅ dhe PM₁₀, rreth 91 % e pikave tejkalojnë standardin për NO₂, ndërsa 95 % janë mbi pragun referencë për CO₂.

Ndërkohë në Fier, rreth 73 % e pikave tejkalojnë standardin për PM₂.₅ dhe 79 % për PM₁₀, ndërsa për NO₂ rreth 67 % e pikave të monitorimit rezultojnë mbi standard.

Edhe në qytete të tjera të monitoruara, si Korça dhe Shkodra, më shumë se gjysma e pikave të monitorimit tejkalojnë standardet për grimcat e imëta në ajër.

Zhurma urbane mbi norma, presione mjedisore dhe në ujëra

Raporti evidenton gjithashtu një përhapje të gjerë të ndotjes akustike në qytetet shqiptare. Në shumë nga pikat e monitorimit në Tiranë, nivelet e zhurmës tejkalojnë kufirin orientues prej 55 decibel gjatë ditës, ndërsa në disa raste janë regjistruar nivele mbi 80 decibel.

Zonat më të prekura në kryeqytet janë akset me trafik të dendur, si Unaza e Re, Rruga e Kavajës dhe zona e Sheshit Wilson. Nivele të larta zhurme janë evidentuar gjithashtu në rrugët kryesore dhe zonat qendrore të qyteteve si Durrësi, Elbasani, Fieri, Korça dhe Shkodra.

Raporti analizon edhe cilësinë e ujërave në disa trupa ujorë në vend. Rezultatet tregojnë një situatë të përzier, ku disa zona paraqesin parametra brenda intervaleve të pranueshme, ndërsa në të tjera janë evidentuar shenja të ndotjes nga aktivitetet njerëzore.

Ndër zonat më të prekura përmenden disa segmente të kanaleve kulluese në zonën Fier–Divjakë, ku janë evidentuar rritje të turbiditetit dhe përçueshmërisë elektrike, të lidhura me rrjedhjet nga aktivitetet bujqësore dhe shkarkimet urbane.

Nevoja për ndërhyrje

Në aktivitetin prezantues Anila Bejko, Drejtore Ekzekutive e CoPlan tha se “raporti i këtij viti, shumë më i plotë dhe i gjerë në hapësirë dhe tematikë, ndihmon të marrim vendime më të mira për qytetet tona”.

Ndërkohë që, ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, tha se përmirësimi i cilësisë së ajrit është një prioritet jo vetëm mjedisor, por edhe socio-ekonomik.

“Brenda kapitullit mjedisor në procesin e integrimit në BE, fusha që ka ndikimin më të madh në mirëqenien e përditshme të njerëzve është cilësia e ajrit. Ajri i pastër është thelbësor për shëndetin publik, produktivitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kur ndotja e ajrit nuk trajtohet, kostot, si për sistemin shëndetësor ashtu edhe për konkurrueshmërinë ekonomike, janë të konsiderueshme. Dhe duke qenë se ndotja duhet trajtuar në burim, veçanërisht në sektorët e transportit dhe të ngrohjes, kjo kërkon investime të mëdha afatgjata. Përmirësimi i cilësisë së ajrit është, për këtë arsye, një prioritet si mjedisor ashtu edhe socio-ekonomik”, – tha Ström.

Rekomandimet

Në bazë të gjetjeve të monitorimit, raporti sugjeron disa masa për përmirësimin e cilësisë së mjedisit në qytete. Një ndër rekomandimet kryesore lidhet me reduktimin e ndikimit të trafikut urban, përmes zhvillimit të transportit publik, promovimit të lëvizjes së qëndrueshme dhe kufizimit të trafikut në zonat me ndotje të lartë.

Raporti rekomandon gjithashtu përmirësimin e planifikimit urban, duke rritur hapësirat e gjelbra dhe duke integruar zgjidhje të bazuara në natyrë që ndihmojnë në uljen e ndotjes së ajrit dhe zhurmës.

Një tjetër rekomandim lidhet me forcimin e sistemeve të monitorimit mjedisor, duke zgjeruar rrjetin e monitorimit dhe duke siguruar publikimin e rregullt të të dhënave për qytetarët.

Sipas raportit, zgjerimi i rrjetit të monitorimit dhe përfshirja e komuniteteve lokale në procesin e mbledhjes së të dhënave mund të ndihmojnë institucionet në hartimin e politikave më efektive për reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në qytete.

Publikimi i të dhënave alternative vjen në një kohë kur sistemi i monitorimit të cilësisë së ajrit, që administrohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, paraqet probleme të shumta, sidomos në drejtim të numrit të stacioneve në terren, si dhe raportimit në kohë reale nga kompanitë që konsiderohen ndotës të mëdhenj.