Ndryshimet klimatike do të prekin më shumë grupet e margjinalizuara, çka nënkupton se familjet të cilat janë më të varfra, preken më tepër”. Profesori në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Elvin Toromani thotë se fermat bujqësore në vendin tonë janë kryesisht të orientuara te plotësimi i nevojave të familjeve, por mundësitë e investimit në drejtim të zbutjes së ndikimeve që vijnë nga ndryshimet klimatike janë të pakta. Për këtë arsye, teksa flet për rreziqet në sektorin bujqësor, Toromani kërkon më shumë mbështetje për grupet e margjinalizuara nga ana e institucioneve shtetërore, në drejtim të krijimit të mundësive më të mëdha përsa i përket përmirësimit të infrastrukturës së vaditjes, të teknologjive të përpunimit të tokës, etj.
Profesor, ndryshimet klimatike janë kthyer në një fenomen të ndjeshëm pothuajse nga të gjithë. Sa e rrezikuar është Shqipëria dhe a jemi të përgatitur për të përballuar këto ndryshime?
Ndryshimet klimatike janë një fenomen që po prek të gjithë rruzullin tokësor, por sidomos pellgu i Mesdheut ku bën pjesë dhe Shqipëria, është një nga rajonet më të rrezikuar. Në rastin e Shqipërisë, mund të themi që përgatitjet kanë filluar, por nuk kemi avancuar shumë. Pas firmosjes së Deklaratës së Sofjes, angazhimi i të gjitha qeverive të Ballkanit Perëndimor është që të fokusohen te masat adaptive. Në këtë aspekt besoj që qeveria shqiptare po fillon lidhjen me implementimin e disa masave adaptive, që kanë të bëjnë me aspektin e vaditjes, në aspektin e përmirësimit të teknikave të përpunimit të tokës bujqësore, që kanë të bëjnë njëkohësisht me masa që lidhen me grumbullimin e të dhënave të informacionit në lidhje me variablat, temperaturën apo rreshjet që është shumë e rëndësishme. Pra janë disa masa ku po punohet dhe natyrisht janë në ato fazat e para dhe nuk është se kemi ecur shumë në këtë aspekt.
Bujqësia është një nga sektorët që ndikohet më së shumti nga ndryshimet klimatike. Më konkretisht, si preket ky sektor?
Ndryshimet klimatike, natyrisht do të prekin jo vetëm në sektorin e bujqësisë, por edhe në sektorë të tjerë, por bujqësia është shumë e rëndësishme sepse është një ndër sektorët që kontribuon me rreth 20% në PBB-në e vendit tonë. Ndryshimet klimatike do të pasqyrohen me rritjen e temperaturave, me shtimin e fenomeneve ekstreme, që kanë të bëjnë me thatësirat ose përmbytjet, por edhe me aspektet e rritjes së variabilitetit të ndryshueshmërisë të shpërndarjes së reshjeve. Disa nga pasojat më negative në sektorin e bujqësisë kanë të bëjnë kryesisht me reduktimin e prodhimtarisë së disa kulturave bujqësore dhe me rritjen e avullimit. Kjo do të rrisë kërkesën për ujë dhe natyrisht në këtë aspekt ne do të mendojmë sesi t’i plotësojmë këto kërkesa. Gjithashtu, do ketë probleme në lidhje me shtimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve si rezultat i rritjes së temperaturave dhe kjo natyrisht e përkthyer nënkupton që prodhimtaria e kulturave bujqësore do të preket.
Kur themi që do preken kulturat bujqësore, për çfarë lloje kulturash e keni fjalën?
Studimet e bëra qoftë nga Banka Botërore, qoftë studime të cilat janë bërë nga GIZ por edhe nga Ministria e Bujqësisë, tregojnë që pjesa më e prekur do të jenë kultura bujqësore që rriten gjatë sezonit të verës. Këtu flasim kryesisht për grurin, për misrin, për perimet që janë edhe kontribuesit më kryesorë në sektorin e bujqësisë dhe që zënë një peshë të rëndësishme. Kjo nënkupton që ne duhet të kemi kujdes në zgjedhjen e kulturave bujqësore, duhet të zgjedhim kultura që kanë nevojë për më pak ujë dhe që natyrisht do të preken më pak nga reduktimi i prodhimtarisë si rezultat i ndryshimeve klimatike.
Një tjetër masë përshtatshmërie është dhe përmirësimi i sistemit të vaditjes. Më konkretisht ku duhet të konsistojnë këto ndërhyrje?
Shumë e drejtë! Problematika që lidhet me ndryshimet klimatike nënkupton se kulturat bujqësore do të kenë më shumë nevojë për ujë, çka nënkupton që ne do të duhet të marrim masa në përmirësimin e sistemit të vaditjes dhe për këtë natyrisht që duhet të fokusohemi tek përdorimi racional i burimeve ujore. Ne duhet të tentojmë të zëvendësojmë vaditjen nëpërmjet kanaleve në rastin konkret, ose vaditjen e lirë ta zëvendësojmë me sistemin me pika. Përshembull vende si Izraeli e kanë shumë të përdorur, duke bërë të mundur që jo vetëm të racionalizojnë përdorimin e burimeve ujore, por duke qenë se orientohet direkt te furnizimi i bimës tek sistemi rrënjor, plotëson mirë kërkesat dhe natyrisht ndikon pozitivisht në prodhimtarinë e tyre.
Duke parë ekonominë e fermerëve në Shqipëri, duket një proces i kushtueshëm. A duhet të ndërhyjë qeveria shqiptare përmes skemave të mbështetjes së fermerëve?
Kjo është shumë e vërtetë dhe duhet të theksoj se studimet kanë treguar se ndryshimet klimatike do të prekin më shumë grupet e margjinalizuara. Kjo nënkupton se familjet të cilat janë më të varfra preken më tepër. Fermat bujqësore që janë në vendin tonë janë kryesisht të orientuara te prodhimi ose plotësimi i nevojave të familjeve dhe familjet e varfra janë ato që nuk kanë mundësi të investojnë në drejtim të zbutjes të ndikimeve negative që vijnë nga ndryshimet klimatike. Prandaj, Ministria e Bujqësisë nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural duhet të fokusohet në mbështetje të këtyre grupeve të margjinalizuara, në drejtim të krijimit të mundësive të mëdha përsa i përket aplikimit të teknikave të vaditjes, përmirësimit të kësaj infrastrukture, të teknologjive të përpunimit të tokës dhe kështu me radhë. Ndaj mendoj që është shumë e domosdoshme që politika të tilla të fokusohen pikërisht te mbështetja e këtyre grupeve, që janë dhe më të prekurit nga ndryshimet klimatike.
Ju, si universitet keni një rol lider për të orientuar politikat në këtë drejtim. A keni bërë ju sugjerime?
Natyrisht, Universiteti Bujqësor gjithmonë ka qenë aktiv në këtë aspekt. Bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë dhe AZHBR ka qenë shumë i mirë, në aspektin e adaptimit kundër ndryshimeve klimatike sepse këto janë masa që fokusohen në këtë aspekt. Universiteti ynë përveç rritjes së kapaciteteve, trajnimit, forcimit të shërbimit të ekstensionit që ka qenë detyrë dhe që ne e kemi kryer shumë mirë këto vitet e fundit, nga bashkëpunimi që kemi patur me ministrinë, ka sugjeruar përmirësimin e infrastrukturës së vaditjes, përmirësimin e mbështetjes së vaditjes me pika dhe krijimin e serrave. Pra, një pjesë e masave të cilat janë mbështetur nga AZHBR, kanë qenë të orientuara pikërisht në disa nga këto drejtime, kuptohet te përmirësimi i infrastrukturës të sistemit të vaditjes.
A ka një përllogaritje të kostove, që mund të na vijnë nga ndryshimet klimatike në këtë sektor?
Është pak e vështirë të bëhet llogaritje ekonomike të dëmeve që do të vijnë si rezultat i ndryshimeve klimatike sepse duhet të kemi parasysh se një pasojë e shkaktuar ka dhe një sërë efektesh zinxhir në sektorë të ndryshëm. Nuk ka një përllogaritje të përafërt për këtë gjë, por natyrisht duhet të jetë një pjesë e fokusit të kërkimit shkencor që mund të ketë universiteti në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, pasi është shumë e rëndësishme të dimë sesa mund të jetë një faturë financiare e mirëfilltë, që pritet t’i kushtojë sektorit të bujqësisë si rezultat i këtyre ndryshimeve klimatike. Por nuk ka studime të detajuara për këtë qëllim.
Duke qenë se për ndryshimet klimatike dhe impaktin që kanë në bujqësi, ka disa vite që ka filluar të flitet, e konsideroni të vonuar marrjen e masave dhe mbështetjen nga ana e institucioneve shtetërore kundrejt fermerit dhe sidomos grupeve të margjinalizuara, sikurse dhe ju thatë në mënyrë që dëmet që ata mund të kenë, por edhe pasojat që do vijnë në të ardhmen të jenë më të pakta?
Mund të them me bindje që mbështetja për fermerët sidomos ata të vegjlit, ka qenë relativisht e vogël. Duke qenë se raportet evidentojnë faktin që grupet e margjinalizuara, pra ata fermerët e vegjël, do të jenë më të prekur, duhet që masat të jenë më të mirëmenduara dhe natyrisht mbështetja financiare të ketë fokus edhe këtë kategori të shoqërisë sepse natyrisht, duke qenë që preken më shumë, do të jenë dhe ata më shumë të ndikuar dhe natyrisht duhet të themi që humbjet ekonomike për ta do të jenë shumë më të mëdha krahasuar me pjesën tjetër të industrisë.
A keni një rekomandim të fundit për institucionet?
Duhet të punojnë më shumë në drejtim të masave adaptive sepse ne duhet të fitojmë kohë, që të arrijmë që të reagojmë kundrejt këtyre ndryshimeve, jo të kapemi të papërgatitur.