Temperatura më të larta sesa mesatarja mujore klimatike”. Me termometrin që do të shkojë në 43°C në disa qytete të vendit, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka publikuar parashikimin e motit për këtë javë. Rekordi prej 43 gradë celcius pritet të shënohet ditën e premte në Elbasan, Berat dhe Fier, ndërkohë që Tirana, Lezha e Shkodra pritet të përballen me temperatura që arrijnë deri në 41 gradë celsius.
Me dimër të butë dhe verë të lagësht, temperaturat mesatare në vendin tonë variojnë nga 7 °C në dimër e deri në 24 °C në verë. Por, vitet e fundit vendi po goditet edhe nga temperatura ekstreme, siç do të jenë ato të kësaj jave apo ajo e vitit 2018, kur termometri regjistroi 43.8 °C. Megjithatë, ekspertët parashikojnë se në të ardhmen, ngjarje të tilla do të shpeshtohen dhe ditët e nxehta do të rriten.
Plani Kombëtar i Adaptimit të Ndryshimeve Klimatike për sektorin e bujqësisë, i mbështetur nga PNUD ka hartuar tre skenarë: minimal, mesatar dhe skenari ekstrem dhe shumë ekstrem sesi do të ndryshojnë temperaturat.
Skenari më i mirë parashikon që temperatura mesatare vjetore ka të ngjarë të rritet me 0,8°C (0,5°C – 1,1°C) deri në vitin 2030 dhe me 1,3°C (0,8°C deri në 1,9°C) deri në vitin 2050. Këto ndryshime janë përllogaritur duke i krahasuar me temperaturat referuese nga viti 1996 – 2015.
Skenari mesatar projekton ndryshime që ka të ngjarë të variojnë me një rritje të temperaturave vjetore nga 1.4°C deri në 3.1°C, ndërsa temperaturat gjatë stinës së verës do të rriten nga 1.9°C deri në 3.9°C. Skenarët agresivë dhe shumë agresivë, zbulojnë se ndryshimet e pritshme vjetore dhe verore ka të ngjarë të arrijnë respektivisht deri në 4,6°C (3,2°C deri në 6,8°C temperaturat vjetore) dhe 6,0°C (4,1°C deri në 8,9°C temperaturat gjatë verës) deri në vitin 2100.
Të gjithë skenarët projektojnë një rritje të temperaturës më të ulët në dimër dhe pranverë në krahasim me verën dhe vjeshtën, por dy skenarët agresivë parashikojnë një rritje më të lartë në verë.
Ndryshimet vjetore të parashikuara për temperaturën maksimale nga skenari mesatar ka të ngjarë të arrijnë 1.6°C (1,1°C deri në 2,7°C) deri në vitin 2050 dhe 2,5°C (1,6°C deri në 4,1°C) deri në vitin 2100. Skenari më agresiv projekton ndryshime më të larta të temperaturës maksimale, veçanërisht në verë që mund të arrijë 2.8°C (1,8°C deri në 4,6°C) deri në vitin 2050.
Projeksionet tregojnë se temperaturat me përqindje të lartë (95%) rriten më shpejt se temperaturat mesatare, veçanërisht në verë. Rritja e njëkohshme e temperaturave të ulta sugjerojnë se intensiteti i valëve të të nxehtit, frekuenca dhe kohëzgjatja pritet të rritet në të ardhmen. Numri i ditëve të nxehta, ku temperaturat maksmile do të jetë më shumë se 35°C pritet të rritet dhe numri i ditëve të ftohta dhe shumë të ftohta me temperaturë -5°C do të ulet. Temperaturat maksimale dhe minimale absolute pritet të kenë rritje në të gjithë skenarët e së ardhmes.