Nga Ervin Postoli
Përballë rreziqeve në rritje, shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit dhe përshtatjen nga ndryshimit të klimës nga bashkitë Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas janë modeste“. Një raport monitorimi mbi buxhetin për ndryshimet klimatike në këto bashki në vitet 2022 – 2024 nxjerr në pah se edhe pjesa më e madhe e atyre parave që planifikohen për programe që lidhen me ndryshimin e klimës, sikurse janë investimet në menaxhimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, mbrojtjen nga zjarri, administrimin e pyjeve dhe kullotave, etj. shkojnë për paga dhe shpenzime të tjera korrente. Klodian Muço, ekspert i financave vendore që është edhe një nga autorët e studimit, në këtë intervistë dhënë për “EkoSkaner” tregon disa nga gjetjet kryesore, ndërsa thekson nevojën për rritjen e fondeve në këtë drejtim.
Z. Muço, ku konsiston raporti i monitorimi që ju keni realizuar dhe përse është i rëndësishëm ai?
Skenarët tregojnë se vendi ynë do të përballet me problematika serioze si pasojë e ndryshimit të klimës dhe territoret e bashkive Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas nuk janë të përjashtuar. Mund të thuhet se ndikimet negative përqëndrohen në bujqësi, energji, burime ujore, turizëm, biodiversitet dhe shëndetin e njeriut. Ndërkohë që, përballimi dhe zgjidhja e problematikave, nisur edhe nga kapaciteti aktual i bashkive, mbetet sfidë e jashtëzakonshme për to. Duhet nënvizuar fakti se ndërhyrjet në fazë të hershme janë më efektive dhe të mundshme për t‘u përballuar ekonomikisht nga bashkitë. Ndaj në kuadër të projektit “Budget 4 Balance”, me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian, është bërë një monitorim i buxheteve për periudhën 2022 – 2024 në 3 bashkitë e sipërpërmendura. Rezultatet e monitorimit tregojnë se shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit nga bashkitë përkatëse janë modeste. Ndërkohë që, për të kuptuar më mirë situatën, ne bëmë një krahasim edhe me 2 bashki të Maqedonisë së Veriut, që kanë karakteristika thuajse të njëjta me bashkitë e monitoruaara nga ana jonë.
Nëse do të ndaleshim më konkretisht, si rezulton buxhetimi për programe që lidhen me mjedisin apo përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike?
Po e nis me Bashkinë Elbasan, që është më e madhja për rajonin e monitoruar me një buxhet prej rreth 35 mln euro, në vitin 2024. Një buxhet, që nuk është shumë i madh, nëse do e krahasojmë me atë të Tiranës, që shkon diku te 370 mln euro, por që gjithsesi është një buxhet i rëndësishëm. Rezulton se ka një fond të dedikuar për mbrojtjen e mjedisit edhe pse ky fond është shumë i ulët në raport me buxhetin e bashkisë në kompleks apo me peshën që ka mbrojtja e mjedisit në ekonominë e një zone të caktuar. Megjithatë edhe ato pak para që shpenzohen në Bashkinë Elbasan për mbrojtjen e mjedisit përgjatë periudhës 2022-2024 janë kryesisht për paga. Masat konkrete në reduktimin e ndotjes, rritjen e sipërfaqes së pyjeve në mbrojtjen nga përmbytjet, nga gërryerjet, etj., janë shumë modeste në këtë bashki. Viti 2022 mund të konsiderohet ai me më shumë investime në funksion të mbrojtjes së mjedisit.
Po për Bashkinë Librazhd cilat ishin disa nga gjetjet kryesore?
Bashkia Librazhd ka pasur dhe ka një buxhet modest për periudhën 2022-2024 gati sa një e katërta e asaj të Elbasanit. Në këtë bashki nuk vërehen fonde direkte që shkojnë për mbrojtjen e mjedisit. Kjo bashki ka specifikën që gjeneron një pjesë të konsiderueshme të ardhurash nga shfrytëzimi i pyjeve, megjithatë nga analiza e buxheteve përgjatë përiudhës në fjalë, Bashkia Librazhd harxhon për mbrojtjen e mjedisit shumë më pak sesa gjeneron të ardhura nga shfrytëzimi i tij. Për ta ilustruar mund të përmend se shpenzimet për pyllëzim nga ana e bashkisë për 2024 janë parashikuar të jenë sa rreth 5% e vlerës së tarifës që pritet të arkëtohet nga shfrytëzimi i pyjeve për drurë.
Ju monitoruat edhe buxhetin e Bashkisë Prrenjas. Çfarë rezultoi nga përpunimi i të dhënave?
Bashkia Prrenjas ka një buxhet relativisht shumë të ulët, ku mbi 50% e buxhetit vjen nga transfertat qeveritare. Kjo bashki edhe pse me të ardhura modeste për periudhën e marrë në shqyrtim çon një pjesë të konsiderueshme të investimeve në sektorë të ekonomisë që lidhen direkt apo indirekt me mjedisin apo ndryshimet klimatike edhe pse shpenzimet e Bashkisë në fjalë janë modeste.
Në fillim të intervistës thatë se për të kuptuar edhe më mirë situatën, bëtë edhe një krahasim me 2 bashki të Maqedonisë së Veriut. Çfarë treguan të dhënat e analizuara?
Po është e vërtetë dhe në fakt rezultoi se situata është e ndryshme në bashkitë e vendit fqinj. Bashkitë e Gostivarit dhe Tetovës, 2 bashki të ngjashme përsa i përket nivelit të të ardhurave me bashkitë e përfshira në studimin tonë, akordojnë buxhete të dedikuara për mbrojtjen e mjedisit. Për vitin 2023, buxheti i Bashkisë Gostivar ishte 20.4 mln euro, ndërsa ai i Bashkisë Tetovë, 30 mln euro. Për këtë vit buxhetor, Bashkia Gostivar planifikoi rreth 97 mijë euro për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa Tetova rreth 65 mijë euro, duke i konsideruar si zëra specifikë. Këto janë shuma modeste, por rëndësi ka klasifikimi i tyre si zëra specifikë në buxhet, një model që duhet të ndiqet edhe në Shqipëri.
Çfarë tregon fakti se pjesa më e madhe e buxhetit shpenzohet për paga personeli?
Fillimisht dua të them se bashkitë nuk respektojnë detyrimet ligjore, që kanë të bëjnë me informimin e vazhduar të qytetarëve, ndërgjegjësimin e qytetarëve përsa i përket faktorëve të ndryshimit klimatik dhe të mbrojtjes së mjedisit, si dhe detyrimet ligjore, që kur t’i e shfrytëzon natyrën duhet të japësh diçka mbrapsht. Sa i takon buxhetit, pjesa dërrmuese, edhe kur flitet për shpenzime në mjedis për të rregulluar sado pak këto detyrime ligjore që i përket qeverisjes vendore, në fakt shkojnë kryesisht për paga. Nuk kemi asgjë kundër që qytetarët të punojnë në administratën publike, por që në shumicën e rasteve nuk mjafton të paguash njerëz për të mbrojtur mjedisin. Në radhë të parë nevojitet më tepër ndërgjegjësim i qytetarëve, nevojitet t’u jepet mundësi, t’u bëhet e qartë qytetarëve dhe çfarë do të thotë “ndryshime klimatike”, se çfarë do të thotë “mjedis”, se cilat janë pasojat te mjedisi dhe kam përshtypjen, që nëse kjo ndodh dhe ju kushton shumë pak bashkive, qytetarët do fillonin që t’u kërkonin shumë më tepër llogari Këshillave Bashkiakë, në momentet kur ata hartojnë projektbuxhetet e tyre. Nga ana tjtër është domosdoshmëri të rriten fondet për programe që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, si dhe përcaktimi, që një pjesë e të ardhurave që gjenerohen nga tarifat e shfrytëzimit të natyrës të shkojnë tërësisht në mbrojtje të mjedisit.