“TEC fosil largohu”, aktivistët mjedisorë kërkojnë largimin e 2 TEC-eve lundrues

Ngjarje
Anijet, që do prodhojnë energji elektrike nga djegia e karburantit, sipas aktivistëve do të sjellin dëme të mëdha mjedisore.

Me banderolën “TEC fosil largohu”, një grup aktivistësh mjedisorë kërkojnë largimin e 2 TEC-eve lundrues, që janë pozicionuar në basenin e portit të peshkimit në Vlorë. Anijet, që parashikohet të prodhojnë energji elektrike nga djegia e karburantit, sipas aktivistëve do të sjellin dëme të mëdha mjedisore, ndonëse përdorimi i tyre parashikohet të jetë i përkoshëm.

Këto impiante të prodhimit të energjisë nga karburanti u tenderuan përmes një procedure emergjente në kuadër të krizës energjetike në janar të vitit 2022, por deri më tani ato nuk janë vënë në punë. Pak javë më parë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare përzgjodhi kompaninë që do të kryejë furnizimin me karburant për testimin e këtyre TEC-eve, teksa bleu 4000 ton karburant të llojit HFO.

Me marrjen e sasisë së naftës, do të fillojë dhe testimit i të gjithë agregateve në mënyrë individuale, për të shkuar më pas te testi i besueshmërisë 72 orësh për të gjithë agregatët, por deri më tani nuk ka informacion mbi këtë process. Ndërkohë që, KESH ka deklaruar se pas testimin do të vendoset nëse do të merren në dorëzim dhe do të nisë pagesa e qirasë sipas kontratës.