TEC-et lundrues, të vendosur në basenin e portit të peshkimit në Vlorë do të djegin 21 mijë ton karburant, për prodhimin e një totali prej 91,700 mWh energji. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka bërë gati tenderin për blerjen e sasisë së lëndës djegëse, teksa po kërkon një media ndërkombëtare për publikimin e procedurës prokuruese.
Në dokumentet shoqëruese jepen specifikimet teknike për lëndën djegëse, sasinë e kërkuar dhe afatet për sigurimin e saj. Sipas këtyre specifikimeve, konsumi i parashikuar i lëndës djegëse për 1 mWh është rreth 229 kg, çka do të thotë se sasia e karburantit që synohet të blihet, do të shërbejë për prodhimin e një totali prej 91,700 mWh energji. Kjo sasi energjie do të kontribuojë pak në drejtim të prodhimit total në vend. Nëse marrim në konsideratë energjinë totale të gjeneruar në vitin 2023, atëherë energjia e TEC-eve lundrues do të përbënte vetëm 1% të saj. Ndërkohë që, ekspertët dhe aktivistët e mjedisit mendojnë së vënia e tyre në punë do të sjellë dëme të mëdha mjedisore, ndonëse përdorimi parashikohet të jetë i përkoshëm.
Paralelisht, ndonëse anijet janë pozicionuar në portin e Triportit, që në shtator të vitit 2022, ende nuk dihet sesa do të jetë kosto e prodhimit për 1 mWh, për të kuptuar leverdinë ekonomike nga funksionimi i tyre. Aktualisht është deklaruar se qiraja ditore do të jetë 63,000 USD, ndërsa vlera ditore e Operimit dhe mirëmbajtjes së asetit do jetë 31,500 USD. Ndërkohë që, përgjatë kësaj periudhe janë bërë një sërë tenderësh, që lidhen me përgatitjen e terrenit për pozicionimin e anijeve, lidhjen e tyre me linjat e transmetimit, blerjen e karburantit për testimin e tyre, për venddepozitimin e karburantit që do të përdoret, etj. Gjithashtu, ende nuk dihet sesi do të finalizohet tenderi për blerjen e karbunatit dhe sa do të jetë kosto e kontratës që do të lidhet me KESH.
Korporata synon të nënshkruajë kontratën jo më vonë se data 5 shtator 2024, ndërsa dorëzimi i lëndës djegëse pranë Petroliferës Italo – Shqiptare, që ka fituar tenderin e depozitimit, duhet të përfundojë deri në 5 nëntor 2024. TEC-et lundrues u pozicionuan në Triport të Vlorës, pas një procedure të ndërmarrë në kuadër të krizës energjetike, kur çmimet e energjisë ishin ndjeshëm më të larta se aktualisht.