INVESTIGIMI / “Të rrezikuar e të pambrojtur”, shëndetësia shqiptare kërcënohet nga ndryshimet klimatike

Investigime
Ndryshimet klimatike do rrisnin nevojën për kujdes shëndetësor, por të dhënat e përpunuara nga “EkoSkaner” tregojnë se qeveria po lëviz ngadalë në drejtim të marrjes së masave për zbutjen e efekteve negative, në shkelje të angazhimeve të ndërmarra në strategjitë e miratuara.

Nga Ola Mitre

Me termometrin 43°C, qershori i këtij viti shënoi temperatura të pazakonta në disa qytete të vendit, përfshirë Elbasanin, Beratin apo Fierin. Temperatura ekstreme 41 gradë Celsius u shënuan edhe në Tiranë, Lezhë e Shkodër.

Temperaturat mesatare në vendin tonë variojnë nga 7°C në dimër, në 24 °C në verë, por vitet e fundit vendi po goditet nga valë të nxehti, që sipas shumë studimeve do të jenë më të shpeshta në vitet në vijim. Instituti i Bashkimit Evropian për Klimën “Copernicus” e shpalli vitin 2024, më të ngrohtin të regjistruar globalisht, ndërsa në rritje pritet të jenë dhe fatkeqësitë natyrore, që së bashku me të nxehtin do të rëndojnë mbi shëndetin e popullatës.

Por, teksa nevoja për kujdes shëndetësor do të jetë më e lartë, të dhënat e përpunuara nga “EkoSkaner” tregojnë se qeveria po lëviz ngadalë në drejtim të marrjes së masave për zbutjen e efekteve negative, në shkelje të angazhimeve të ndërmarra në strategjitë e miratuara. Përballë nevojës në rritje për mjekë, Ministria e Shëndetësisë uli kuotat e specializimeve me 18 %, ndërsa investimet shkojnë kryesisht për ndërtime dhe rikonstruksione të godinave shëndetësore dhe jo për blerjen e pajisjeve mjekësore. Tirana merr pjesën dërrmuese të këtyre fondeve, ndërsa pjesa tjetër e qytetarëve përfitojnë në mënyrë sporadike investime publike në shëndetësi.

Ekspertët rendisin një sërë patologjish që do të jenë në rritje, ndërsa shtojnë se pasojat më të shumta do i vujanë shtresat e varfra të popullsisë. Në këto kushte ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme dhe marrjen e masave, për të përballuar pasojat që ndryshimet klimatike do të sjellin mbi shëndetin e popullatës, duke theksuar nevojën për rritjen e numrit të mjekëve, pajisjeve mjekësore dhe aksesit në sistemin shëndetësor.

Ndikimi i ndryshimeve klimatike në shëndet

Me valë të nxehti, përmbytje, zjarre apo thatësira, tashmë ndryshimet klimatike në Shqipëri janë prezente, ndërsa ndikimi në shëndetin e popullatës do të jetë i madh.

“Më të prekura janë sëmundjet e qarkullimit të gjakut, aksidentetet cerebrovaskulare, insufencenca kardiake. Në raportin e fundit të Bashkimit Evropian është deklaruar për rreth 70 mijë vdekje shtesë në vitin 2022 të shkaktura nga valët e të nxehtit. Para se të dilte ky raport, në Shqipëri kemi kalkuluar që valët e të nxehtit kanë aftësi të shkaktojnë disa vdekje shtesë që mund të ekstrapolohen edhe në popullatën e përgjithshme të Shqipërisë në kontekstin e rritjes së valëve të të nxehtit”, – thotë eksperti i shëndetit publik, Alban Ylli.

Alban Ylli, ekspert i shëndetit publik

Si pasojë e valëve të të nxehtit sëmundje të caktuara nuk do të jenë më tipar vetëm i një stine apo grupmoshe, por ato do t’i hasim gjatë gjithë vitit.

“Ndryshe nga më parë ku rreziku i vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare ishte në dimër duhet të përgatitemi që edhe gjatë verës, si pasojë e valëve të të nxehtit të kemi një risk të shtuar. Më të rëndësishmet janë insuficencat kardiake, kryesisht te të moshuarit, goditjet cerebrale për sëmundjet e qarkullimit të gjakut, aksidentet cerebrovaskulare, por edhe sëmundjet ishemike të zemrës. Presim disa qindra raste shtesë në vit, pas 5 viteve si pasojë vetëm e valëve të të nxehtit”, – bën me dije Ylli.

Sëmundjet infektive do të jenë gjithashtu në rritje, duke kërcënuar edhe ato përmirësime që ka pasur Shqipëria vitet e fundit në lidhje me kontrollin e gastroenteriteve apo sëmundjet e tjera që transmetohen nëpërmjet vektorëve.

“Ndërkohë që ne luftojnë me çështjet tradicionale të shëndetit publik siç është higjena, saniteti apo uji do të fillojnë të shfaqen sfida të reja. Mund të jetë një stres shtesë për sistemin shëndetësor shqiptar qarkullimi më i lehtë gjatë verës i agjentëve infektivë. Për arsye të klimës më të ngrohtë mund të qarkullojnë në ujë, ushqime apo në mjedise të tjera”, – thotë eksperti i shëndetit publik.

“Nëse do të ndodhin dhe me shumë gjasë duket se do të ndodhin ato projeksionet e rritjes me 1.5 gradë të temperaturave mesatare të verës, me shumë gjasë do të presim rreth 200 – 250 raste shtesë të gastroenteriteve për 100 mijë banorë, që nënkupton 2 – 5% raste shtesë në krahasim me ato që ndodhin zakonisht në Shqipëri” – shton ai.

Sipas ekspertëve, sëmundja e etheve të Nilit Perëndimor është rasti klasik i ndikimit të ndryshimeve klimatike në shëndet.

“Është një sëmundje që po fillon të bëhet endemike në Evropën jugore, ndërkohë që nuk ka qenë si pasojë e ndryshimit të kontekstit mjedisor”, – thotë Ylli.

“Ngrohja ka bërë që sëmundjet që janë tipike për zonat tropikale të fillojnë të shfaqen edhe në Shqipëri. Përshembull ka rrezik për Ethet e Nilit apo një rishfaqje të malarjes”, – thotë eksperti i politikave shëndetësore, Gazment Koduzi.

Gazment Koduzi, ekspert i politikave shëndetësore

Me një moshë mesatare 42 vjeç, sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë ato që u kushtojnë më së shumti jetën shqiptarëve. Sipas të dhënave të INSTAT gjatë vitit 2023 humbën jetën 21.286 persona, nga të cilët 11 mijë kishin si shkak këto sëmundje.

Vetë qeveria, në një raport të përgatitur mbi sfidat e ndryshimeve klimatike, ka përllogaritur se mijëra të sëmurë dhe qindra vdekje më shumë do të rëndojnë sistemin shëndetësor gjatë dekadës së ardhshme. Po ashtu ata parashikojnë se deri në vitin 2031, vetëm në qarqet që shtrihen në basenin e Vjosës (Vlorë, Fier dhe Gjirokastër) do të vuajnë nga sëmundje vaskulare, përfshirë hipertensionin, 190 000 – 230 000 persona, duke rritur nevojën për kujdes shëndetësor dhe duke rrezikuar efikasitetin e programeve ekzistuese të kontrollit. Gjithashtu, sipas raportit brenda vitit 2031, ndryshimet klimatike do të jenë faktori bazë për pasoja shëndetësore shtesë në pothuajse 2000 persona me sëmundje kronike pulmonare, ndërsa do të ketë një rikthim të sëmundjeve infektive dhe parazitare, pasi ato janë të lidhura ngushtë me klimën.

Me gjithë këtë ndryshime që pritet të prekin shëndetin e popullatës, më të cenueshme janë kategoritë me atë ardhura ekonomike të ulta, që do të kenë akses më të reduktuar në kohë dhe në cilësi.

“Rajoni i Evropës jugore konsiderohet një rajon me risk të lartë si pasojë e ndryshimeve klimatike. Valët e të nxehtit që do të shtohen, ndryshimi i mjedisit për vektorët për sëmundjet infektive, por edhe kastastrofat mjedisore. Katastrofat janë një problem më serioz për një sërë shqetësimesh të tjera me natyrë shëndetësore, por edhe sociale, sidomos për personat me nevoja të veçanta, për të moshuarit, për personat me demenca që vendosen në kushte stresi të menjëhershëm si pasojë e katastrofave natyrore dhe nevoja për kujdes shëndetësor do të jetë më e madhe”, – thotë Ylli.

“Nga një vëzhgim që kemi bërë në Njësitë Administrative të Bashkisë Lezhë sa i takon aksesit në infrastrukturën shëndetësore dhe rrugore vërehet se në njësitë më periferike dhe më të segreguara ky akses ishte dy – tre herë më i lartë se në njësitë qendrore. Kjo do të thotë se duheshin minimumi 2 orë për të aksesuar qendrën shëndetësore më të afërt. Ky padyshim përbën problem në rastet kur ndodh fatkeqësia natyrore, bllokimi nga dëbora apo përmbytja ekstreme kur i gjithë sistemi i infrastrukturës është më i cenuar. Por, nga ana tjetër edhe në kontrollet rutinë, të përditshme që duhet të zhvillojë popullata”, – thotë Kejt Dhrami, eksperte e qeverisjes territoriale dhe klimës.

Kejt Dhrami, eksperte e qeverisjes territoriale dhe klimës

Të rrezikuar, por të pambrojtur!

Përballë shqetësimeve në rritje për rreziqet që vijnë nga ndryshimet klimatike, vendi ynë është më i pambrojturi në Evropë. Sipas Universitetit Notre Damme, i cili ka kryer një prej studimeve më serioze dhe të thelluara, duke renditur 192 shtete të botës për nga gatishmëria dhe rreziku i secilit shtet ndaj ndryshimeve të klimës, Shqipëria renditet e 80-ta në botë në indeksin e përgjithshëm, ndërsa mban vendin e fundit ndër 44 vendet e kontinentit evropian.

Sektori i shëndetësisë nuk bën përjashtim, sipas ekspertëve. Duke iu referuar problemeve të shfaqura gjatë pandemisë së Covid-19, që ishte një sëmundje infektive, eksperti i politikave shëndetësore Gazment Koduzi, thotë se sistemi shëndetësor po përballet me buxhetim të pamjaftushëm, mungesa të mëdha të burimeve njerëzore e infrastrukturore dhe pa një plan konkret.

“Nuk po shikojmë një plan pune për t’i përmirësuar, duke filluar që nga infrastruktura laboratorike, infrastruktura e pajisjve, tek burimet njerëzore, mjekët specialistë apo dhe tek infermierët, që janë të punësuar nëpër pavione”, – thotë ai.

Sipas një raporti të organizatës “Together for Life’ që ka monitoruar investimet publike në sektorin shëndetësor në 10 vitet e fundit, vetëm një pjesë e vogël e buxhetit shkon për blerjen e pajisjeve mjekësore. Monitorimi gjeti se investimet publike, përgjatë periudhës 2014-2024 u fokusuan në masën 60% në ndërtime dhe rikonstruksione objektesh shëndetësore siç janë spitalet apo qendrat shëndetësore, ndërkohë që vetëm 13.7% e fondeve totale përgjatë kësaj periudhe ka shkuar për blerjen e pajisjeve mjekësore.
Në këto 10 vite Tirana ka marrë 82% të fondit total të investimeve.

“Pjesa tjetër e qyteteve përfitojnë në mënyrë sporadike investime publike, të cilat kryesisht janë investime në rikonstruksione ndërtesash”, – thuhet në raport.

“Ka shumë investime që ndodhin në sistemin shëndetësor, por fatkeqësisht ato janë të centralizuara tek qendrat kryesore shëndetësore. Rajonalizimi i këtij sistemi duket se nuk po funksionon si duhet dhe padyshim një komponent i kësaj është mungesa e fondeve, por edhe plani dhe strategjia për decentralizimin dhe “place making” sipas parimeve në Gjermani, ku çdo rajon ka shërbimet e veta bazë, mungojnë”, – thotë Dhrami.

Gjithashtu, një tjetër raport i “Together for Life” vlerëson se buxheti i shëndetësisë për 3 vitet e ardhme parashikohet në ulje.

“Buxheti për shëndetin publik nuk duhet të varet vetëm nga nevojat aktuale, por kryesisht nga nevojat e ardhshme. Duhet bërë një buxhetim i zgjuar që merr parasysh disa skenarë të zhvillimeve dhe një vlerësim kosto – përfitim. Ne duhet të jemi në gjendje nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe alokimit të tij të kuptojmë se ku na çon skenari 1: i investimeve të dobta në shëndetësi, ku na çon skenari 2: i nvestimeve të mesme e kështu me radhë dhe këta skenarë të jenë në paralel me skenarët alternativë: Ivestimin po e çojmë në turizëm apo në sektorin e zhvillimit të teknologjive të informacionit. Pra bëhet një kosto – përftim jo vetëm financiar, por për të mirën e përgjithshme të popullsisë”, – thotë Dhrami.

Ndërkaq, shtimi i sëmundshmërisë do të kërkojë më shumë burime njerëzore, por Ministria e Shëndetësisë nuk ka ende një vlerësim mbi kapacitetet në mjekë që do i duhen sistemit shëndetësor për të përballuar këtë stres.

“Nuk ka një vlerësim specifik për rritjen e nevojave për mjekë apo në përgjithësi për rritjen e nevojave për kujdes shëndetësor të lidhur me ndryshimet klimatike. Ka një sërë vlerësismesh për rritjen e nevojave që janë ekstrapoluar edhe në rritje të kërkesave për personel shëndetësor, teknologji apo edhe preparate. Shqipëria në politikat e veta i ka bërë kalkulimet mbi faktorët bazë që e kërcënojnë atë dhe ndryshimet klimatikë janë një prej tyre”, – thotë Alban Ylli.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria ka nivelin më të ulët të mjekëve me vetëm 18.8 mjekë për 10 mijë banorë, ndërkohë që fqinjët tanë grekë kanë një mesatare prej 63.1 mjekë për 10 mijë banorë. Paralelisht, me gjithë emigracionin e lartë që ka përfshirë këtë profesion, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit, dy institucionet që hartojnë politikat për specializantët e rinj, e kanë ulur numrin e kuotave çdo vit.

Sipas të dhënave të përpunuara nga EkoSkaner, për vitin 2024 u miratuan 272 kuota për specializimin e mjekëve të rinj, ose 18% më pak se viti 2023 kur u miratuan 330 kuota. Kjo shifër është më e ulët edhe se viti 2019, vit pas të cilit filloi një rritje graduale e specializimeve të reja, për të shënuar sërish rënie këtë vit.

 

“Fatkeqësisht, problematikat që ka sistemi shëndetësor nuk po kthehen në një plan pune për t’i përmirësuar gjërat sepse jo të gjitha mund të bëhen brenda një dite apo brenda një viti. Përshembull personeli mjekësor. Një mjek do 6 vjet që të mbarojë shkollën dhe 4 vite specializim, do 10 vjet, por masat duhet marrë!”, – thotë Koduzi.

Ky kthim pas në kuotat e specializimeve për ekspertët është mungesë e strategjive nga Ministra e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë sesi do ta zgjidhin krizën e mungesës së bluzave të bardha në sistemin shëndetësor.

“Faji është i politikbërjes, duke filluar te specializimet që ka të bëjë me Ministrinë e Shëndetësisë. Kërkesa për këto kapacitete njerëzore vjen nga një Strategji Kombëtare e ofrimit të kujdesit shëndetësor dhe një Strategji Kombëtare e Burimeve Njerëzore. Ka një standard që duhet të ketë një Fakultet Mjekësie për 1 mln banorë me qëllim që të nxjerrë numrin e duhur të mjekëve, por edhe me cilësinë e duhur”, – shprehet Koduzi.

Shëndetësia është një nga sektorët më të prekur nga emigracioni vitet e fundit. Një studim i realizuar një vit më parë nga profesorët Ilir Gëdeshi, Rusell King dhe Amarildo Ceka mbi emigracionin tek bluzat e bardha gjeti se 22% e mjekëve kanë emigruar. Nga 4745 mjekë që ka vendi ynë, 1028 e tyre kanë zgjedhur të largohen dhe të ushtrojnë profesionin në një vend tjetër. Ajo që është më shqetësuese sipas studimit, është fakti se 62% e të diplomuarve në mjekësi në vitet 2018-2022 përgatiten që të largohen.

“Qeveria shqiptare ka nevojë të ngrejë mekanizma incentivues dhe jo kufizues për të tërhequr mjekët cilësore në Shqipëri. Këto mekanizma lidhen me mundësitë që kanë në facilitete logjistike, mundësitë që kanë në akses laboratorik, ndoshta dhe në fonde për të ngritur këto laboratore dhe nga ana tjetër pagat, patjetër”, – thotë Dhrami.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në një përgjigje me shkrim tha se ka reflektuar shqetësimin lidhur me ndryshimet klimatike në një sërë strategjish, politikash dhe ndërhyrjesh për forcimin e sistemit shëndetësor, që në vitin 2011. Por, mesa duket ato nuk kanë qenë efektive.

“Nuk është surprizë që strategjia nuk gjen zbatim spese ka nevojë të mbështetet edhe nga instrumente financiarë dhe nga një sistem më i gjerë aktorësh të niveleve të ndryshme, të cilët mundësojnë realizimin e strategjisë”, – thotë Dhrami.

“Strategjia nuk është një dokument që ngel vetëm brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe zbatohet vetëm nga ajo, është një dokument i cili duhet të jetë përfaqësues i interesit, por edhe i vizonit që ka shoqëria e gjerë për shëndetin e vet në periudhën afatmesme. Thënë kjo, ka nevojë urgjente për investime”, – shton ajo.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në vitet e fundit, risku i rritur për shëndetin nga ndryshimet klimatike është trajtuar në kontekstin e emergjencave me natyrë mjedisore, duke fuqizuar shërbimin e urgjencës mjekësore dhe paramjekësore. Ekspertët bien dakord se reformimi i Urgjencës ka qenë një ndërhyrje pozitive, por sipas tyre vetëm kjo nuk mjafton.

“Është një element i rëndësishëm kur ke nevojë: Të merr në telefon qytetari, duhet që brenda 8-10 min të marrë qytetarin, t’i japë ndihëm e parë dhe ta çojë te spitali më i afërt. Po te spitali pastaj çfarë ndodh?! Nëse ti e çon në spital dhe nuk është specialisti i duhur, atëhere do e sjellësh përshembull nga Spitali i Lezhës, në Tiranë. Këto orë, që kalon në trafik nuk janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarit?!”, – thotë Koduzi.

Si përgjigje ndaj ndryshimeve klimatike, Ministria e Shëndetësisë përmendi edhe dezinfektimin e pikave të nxehta, të identifikuara nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Ndërhyrja është duke u zhvilluar dhe po trajton problemin në rritje të mushkonjave apo mizave të rërës, të cilat shërbejnë si vektorë për kushtet shëndetësore kërcënuese për jetën, si Malaria, Chikungunya dhe encefaliti nga virusi i Nilit Perëndimor”, – tha Ministria e Shëndetësisësë.

Por, ekspertët ngrenë pikëpyetje edhe mbi këto ndërhyrje, ndërsa paralelisht kritikojnë mungesën e laboratorëve të nevojshëm.

“Ka vite që ka filluar ISHP të bëjë dezinfektimin e këtyre vatrave, por ka pasur shpeshherë ndërprerje të tyre. Kjo duhet të jetë konsistente dhe në mënyrën e duhur që asnjëherë të mos ketë vatra burim infeksioni. Kjo ka të bëjë me parandalimin”, – thotë Koduzi.

“E dyta ka të bëjë me infrastrukturën e laboratorëve. Fatkeqësisht sot institucionet e shëndetit publik, sidomos në rajone nuk kanë infrastrukturën laboratorike të duhur për të bërë analizën e ujrave të ndotur, për të parë infeksionet që mund të ketë popullata. Gjithashtu, burimet njerëzore në shëndet publik janë të pakta”, – shton ai.

Në këto kushte, ekspertët kërkojnë reagim të menjëhershëm, ndërsa sugjerojnë rishikimin e gjithë strategjisë së shëndetësisë, në mënyrë që ajo t’i shërbejë pacientit.
“Ka nevojë për një rishikim të të gjithë sistemit shëndetësor, të të gjithë elementeve të tij, me qëllim që t’i përballojë me sukses këto problematika që vijnë nga ndryshimi i motit”, – përfundon Koduzi.

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve në kuadër të iniciativës Investigative Network Albania. Përmbajtja e tij është pergjegjesi vetëm e Medias “EkoSkaner” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të partnerëve.