Të rinjtë, zëri i transparencës dhe mbrojtjes së natyrës

Ngjarje
Trajnimi, në gjimnazin “Gjergj Pekmezi” Pogradec

Fuqizimi i të rinjve është në qendër të nismës “Monitorimi për Qëndrueshmëri”, e zbatuar nga All Green Centre me mbështetje nga Bashkimi Evropian. Si pjesë e këtij procesi, gjashtë sesione interaktive trajnimi u zhvilluan në gjimnazet “Raqi Qirinxhi” në Korçë, “Petro Nini Luarasi” në Ersekë, “Fuat Babani” në Bilisht, “Skënderbeu” në Maliq, “Gjergj Pekmezi” në Pogradec dhe në “Shkollën e Mesme të Bashkuar” në Pustec. 214 nxënës morën pjesë drejtpërdrejt në këto trajnime, duke reflektuar mbi ndikimin e korrupsionit në qeverisjen e tokës, rëndësinë e ruajtjes së natyrës dhe rolin që mund të luajnë vetë ata në ndërtimin e një komuniteti më të ndershëm dhe të qëndrueshëm.

“Qarku i Korçës është veçanërisht i prekur nga zhvillimet për ndërtimin e centraleve diellore brenda pyjeve dhe kullotave, sidomos në bashkitë Kolonjë dhe Devoll. Ndaj për ne kjo e bën trajnimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve një domosdoshmëri për të mbrojtur natyrën dhe për të nxitur vendimmarrje më transparente e të qëndrueshme”, – thotë Ola Mitre, drejtore ekzekutive e All Green Centre.

Trajnimi në gjimanzin “Petro Nini Luarasi”, Ersekë

Trajnimet, të zhvilluara nga ekspertë të mjedisit dhe antikorrupsionit, u bazuan në një metodologji praktike e bashkëbiseduese. Nxënësit u përfshinë në simulime të rasteve reale, ku morën role të ndryshme, nga përfaqësues të bashkive dhe bizneseve, deri te aktivistë dhe qytetarë.

“Kjo qasje i ndihmoi ata të kuptojnë më mirë mënyrën si merren vendimet publike dhe si mund të ndikojnë në to përmes pjesëmarrjes qytetare dhe kërkesës për transparencë”, – thotë Mitre.

“Ky ishte një mësim ndryshe nga çdo orë tjetër. Kur mora rolin e një qytatari që pyeste për një ndërtimin e centraleve diellore në një zonë pyjore, kuptova sa shumë rëndësi ka angazhimi ynë për të mbrojtur natyrën”, – tha një nga nxënësit në gjimnazin “Gjergj Pekmezi” në Pogradec.

Ndërsa një nxënës në “Raqi Qirinxhi” të Korçës, shtoi: “Në fillim m’u duk si lojë, por më pas kuptova sesa rëndësi ka zhvillimi i dëgjesave publike ku mund të flasim edhe ne”.

Trajnimi me nxënësit e gjimnazit “Fuat Babani” në Bilisht

Një nga faktorët kyç të suksesit të këtij procesi ishte bashkëpunimi institucional në çdo hap. Ministria e Arsimit dhe Sportit miratoi fillimisht kurrikulën e trajnimit dhe udhëzoi Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar për të lehtësuar zhvillimin e aktiviteteve në shkolla. Po ashtu, Drejtoria Rajonale e Arsimit Korçë dhe zyrat vendore të arsimit bashkërenduan oraret me drejtorët e shkollave dhe mësuesit, duke garantuar një përfshirje të plotë të nxënësve pa cenuar procesin mësimor.

“Për ne, këta të rinj janë partnerë të barabartë në betejën kundër korrupsionit dhe në mbrojtjen e natyrës. Ata nuk janë thjesht përfitues të informacionit, por gjenerata që do të kërkojë llogari, do të monitorojë dhe do të ndryshojë mënyrën si merren vendimet publike”, – thotë Mitre.

“Ky cikël trajnimesh shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një rrjeti të rinjsh ambasadorë për transparencë dhe mjedis të qëndrueshëm, që do shpalosin idetë e tyre për të ardhmen në bashkitë e Qarkut Korçë”, – përfundon ajo.