Studimi / Pa performancë energjetike, shkollat në Shqipëri janë jashtë standardeve

Lajme, Ngjarje

Nga Ola Mitre

Shkolla me probleme në drejtim të perfomancës energjetike dhe cilësisë së mjediseve, si nga pikëpamja e rehatisë ashtu dhe nga pikëpamja e cilësisë së ajrit”. Ky është një prej përfundimeve të raportit “Rindërtim dhe rinovim i godinave ekzistuese të shkollave në Shqipëri për një zhvillim të qëndrueshëm”, i hartuar nga organizata mjedisore All Green Centre, që nxjerr në pah problemet me godinat e që rrjedhimisht ndikojnë në cilësinë e procesit mësimor. Raporti kishte në fokus auditimin energjetik dhe propozimin për përmirësimin e gjendjes për objektet e shkollave në 5 qytete të ndryshme të vendit, ndërsa u realizua në kuadër të projektit “Rini Eficiente”, me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë.

Në studim u përfshinë shkollat “Kolë Idromeno” në Shkodër, “Vasil Kamami”, në Elbasan, “Bajram Curri” në Durrës, “Mustafa Qemal Ataturk” në Vlorë dhe “Arben Broci” në Tiranë.

Foto – Gjendja e shkollave të marra në studim

Pas matjeve të kryera në terren dhe përpunimit të tyre, të dhënat treguan se ndërtesat e këtyre shkollave nuk rezultojnë të jenë eficiente nga pikëpamja energjetike, duke shfaqur probleme të konsiderueshme në humbjen e nxehtësisë. Nga studimi rezultoi se këto institucione arsimore përballen me çështje të humbjes së ngrohtësisë dhe praninë e lagështisë. Gjithashtu, në pjesën e jashtme të tyre, në fasadë, vërehen lehtësisht dëmtimet si pasojë e degradimit nga kushtet atmosferike dhe degradimi i materialeve nga mosha relativisht e lartë.
“Sipas analizës, gjendja aktuale e mureve në pesë shkollat e rikonceptuara ofron një vlerë U (koeficient i konduktivitetit të nxehtësisë) të lartë, jashtë standardeve të komfortit termik sipas legjislacionit në fuqi në Shqipëri dhe në Bashkimin Evropian”, – thuhet në raport.

Pasojat nga degradimi i strukturave të ndërtesave

Shkollat e marra në studim nuk janë të termoizoluara dhe sipas raportit përjetojnë një shkëmbim të vazhdueshëm midis ekstremeve të temperaturave në dimër dhe në verë.

“Në dimër, ato bëhen si një frigorifer i hapur, duke lejuar temperaturat e ftohta të hyjnë brenda dhe lënë ato të pushtojnë çdo hapësirë të saj. Këto ndërtesa harxhojnë një sasi të madhe energjie duke u përpjekur për t’u ngrohur brenda, por kjo energji e akumuluar humbet shumë shpejt dhe ambientet e brendshme nuk arrijnë kurrë komfortin termik. Në verë, godinat e patermizoluara transformohen në një furrë të hapur, ku temperatura e jashtme e ngrohtë e pushton ambientin e brendshëm, duke krijuar një atmosferë të mbingakuar dhe të bezdisshme për nxënësit/përdoruesit. Ato harxhojnë shumë energji për t’u ftohur dhe për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për jetesën e përditshme”, – thuhet në dokument.

“Kjo sjellje e ndërtesës së pa izoluar shkakton jo vetëm shqetësime fizike, por gjithashtu shqetësime të thella për shëndetin emocional, psikologjik dhe të frymëmarrjes për përdoruesit e saj. Në të vërtetë, ajo kthehet në një ambient të vështirë për të jetuar, duke sjellë vështirësi në qëndrim dhe stres për ata që ndajnë hapësirën me të”, – shtohet më tej.

Nevoja për ndërhyrje

Ndërkaq, pas analizës së kryer autorët arrijnë në përfundimin se “përmirësimet në cilësinë e godinave përmes ndërhyrjeve termoizoluese sjellin një sërë avantazhesh të rëndësishme”. “Nëse implementohen me sukses, këto ndërhyrje shpesh rezultojnë në uljen e humbjes së energjisë dhe konsumit të energjisë për ngrohje dhe ftohje”, – thuhet në raport.

Po ashtu, sillet në vëmendje se kostot e investimit për t’i sjellë këto godina në kushtet e nevojshme janë relativisht të larta, por më e rëndësishme është krijimi i kushteve të studimit sipas standardeve të kërkuara dhe me një mjedis të shëndetshëm.

“Ndërhyrjet rigjeneruese në këto ndërtesa ekzistuese, duke përdorur sisteme termoizoluese dhe duke përmirësuar fasadat, tarracat dhe dyshemetë në kontakt me tokën, shpesh paraqesin një investim fillimisht që nuk shpërblehet menjëherë nga pikëpamja ekonomike. Kjo vlen sidomos për godinat e vjetra të shkollave në pesë qytetet e studiuara, disa prej të cilave nuk kanë sisteme ndriçimi artificiale apo sisteme të avancuara për ndriçim, si dhe janë pa instalime për ngrohje, e për pasojë nuk kanë shpenzime të mëdha energjetike”, – thuhet në raport.

“Por, përmirësimet në lidhje me sistemin e ndriçimit, sistemet e ngrohjes, fasadat dhe dyert/dritaret e jashtme rrisin ciklin e jetës së ndërtesave dhe përmirësojnë ndjeshëm godinat e shkollave sipas standardeve bashkëkohore të studimit dhe jetës brenda godinave. Këto përmirësime krijojnë një mjedis më të shëndetshëm për nxënësit, punonjësit dhe përdoruesit e tjerë që kalojnë një pjesë të kohës se tyre ditore në to”, – argumentohet më tej, duke theksuar se duke ecur në këtë drejtim, jo vetëm që i përgjigjemi nevojave të momentit, por gjithashtu kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie të ardhshme që respekton dhe kujdeset për burimet natyrore dhe për mjedisin në tërësi.