Shkeljet në tenderë “ndotin” monitorimin e ajrit

Video hulumtuese
Të paktën 3 nga 4 tenderët e zhvilluar midis viteve 2020 -2023 nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për mirëmbajtjen e stacioneve të monitorimit të ajrit kanë shkelje, duke iu shtuar problemeve të shumta që ka sistemi ekzistues.

Në mesin e verës të vitit 2020, Agjencia Kombëtare e Mjedisit nisi kërkimin e një kompanie që do të mirëmbante stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit urban. Në tenderin e hapur mori pjesë vetëm një operator ekonomik, që u shpall edhe fitues i kontratës me një ofertë sa 99.4% e fondit limit në dispozicion. Në një auditim të këtij tenderi, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti se kriteret e hartuara binin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Si rezultat është kufizuar mundësia potenciale e pjesëmarrjes të operatorëve ekonomikë me kapacitete të ulëta dhe të mesme prodhimi dhe tregtie, duke kufizuar konkurrencën, si dhe duke shkaktuar një trajtim të pabarabartë dhe diskriminues për operatorët ekonomikë”, – konstatoi KLSH.

Por, teksa Shqipëria vuan nga një sistem i dobët për monitorimin e cilësisë së ajrit, të dhënat e përpunuara nga “EkoSkaner” tregojnë se të paktën edhe 2 nga 3 tenderët e tjerë të zhvilluar midis viteve 2020 – 2023 nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për mirëmbajtjen e atyre pak stacioneve ekzistues, kanë shkelje.

Për më tepër ndiqni hulumtimin e realizuar nga gazetarja Ola Mitre.