Sektori bankar, në hapa fillestarë për administrimin e rreziqeve të klimës

Lajme
Ky është një prej konkluzioneve nga Pyetësori për Rreziqet Klimatike dhe Mjedisore, i realizuar nga Banka e Shqipërisë, me institucionet bankare në vend.

Sektori bankar është ende duke hedhur hapat fillestarë në fushën e ndryshimeve klimatike dhe në administrimin e rreziqeve që vijnë prej tyre”. Ky është një prej konkluzioneve nga Pyetësori për Rreziqet Klimatike dhe Mjedisore, i realizuar nga Banka e Shqipërisë në muajin gusht 2022, me 12 institucionet bankare në vend, rezultatet e të cilit janë publikuar vetëm pak kohë më parë.

Analiza evidentoi se praktikat dhe përparimi në administrimin e rreziqeve klimatike tek të gjitha bankat pjesëmarrëse, ishte mjaft i ndryshëm. Sipas të dhënave të dala nga pyetësori, asnjë bankë nuk ka integruar rreziqet klimatike në pasqyrën e tyre të rrezikut. “Në përgjithësi, bankat përpilojnë “listat përjashtuese”, duke renditur aktivitetet ekonomike (ose klientët) që konsiderohen të papërputhshëm me vlerat e bankës, dhe, rrjedhimisht nuk tregojnë vullnet financues ndaj tyre”, – shpjegon Banka e Shqipërisë pas përpunimit të të dhënave.

Ndërkohë, rezulton se vetëm një pakicë bankash (2 nga 12) kanë përfshirë, në mënyrë aktive, në funksionin e administrimit të rrezikut, vlerësimin e rreziqeve klimatike. Dy nga 12 banka i kanë përfshirë edhe në funksionet e njësisë për auditimin e brendshëm, përfshirë rreziqet klimatike, në planin e tyre vjetor. Paralelisht, rezultoi se asnjë bankë nuk ka bërë përparime të qenësishme në integrimin e rreziqeve klimatike në rrezikun e tregut dhe atë të likuiditetit.

Ekspozimi ndaj rreziqeve klimatike

Por, ndonëse bankat shqiptare nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur rreziqeve që vijnë nga ndryshimi i klimës, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekspozimi ndaj tyre është i lartë.

“Bankat ekspozohen ndaj rreziqeve financiare klimatike përmes aktiviteteve dhe operacioneve apo transaksioneve të tyre. Për shembull, këto rreziqe mund të ndikojnë probabilitetin e mospagimit të huave, duke shkaktuar humbje financiare më të larta se pritshmëritë”, – vlerëson BSH.

“Rreziqet klimatike mund të dëmtojnë vlerën e aktiveve financiare dhe, në një skenar ekstrem, të ndikojnë aftësinë paguese të ndërmjetësve financiarë, të cilët janë mbajtësit e këtyre aktiveve”, – shton banka qendrore, duke theksuar se nëse rreziqet që vijnë nga ndryshimet klimatike nuk adresohen mjaftueshëm, vendimet mbi dhënien e kredive dhe ato për investime mund të bazohen në informacione të paplota, duke bërë që kthimi i pritshëm i investimit i përshtatur për rrezikun, të jetë i njëanshëm.

Këto institucione janë të ekspozuara ndaj rreziqeve financiare të lidhura me klimën, nëpërmjet dy kanaleve kryesore, rreziqeve fizike dhe rreziqeve të tranzicionit.

Rreziqet fizike burojnë drejtpërdrejt nga ndryshimet klimatike, ndërsa rreziqet e tranzicionit lindin nga reagimi: nga politikëbërësit, novatorët ose konsumatorët për të parandaluar apo luftuar ndryshimet klimatike.

Rreziqet fizike i referohen efekteve si të rritjes së temperaturave ashtu edhe të ngjarjeve ekstreme të motit, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. “Rreziqet fizike nuk janë vetëm rreziqe të së ardhmes, ato tashmë po ndikojnë në ekonominë dhe sistemin financiar sot dhe Shqipëria tashmë po përjeton ndryshimet klimatike, si një nga vendet më të cenueshme ndaj ngjarjeve akute të motit: përmbytjet, thatësirat, valët e të nxehtit dhe zjarret në Ballkanin Perëndimor”, – thekson BSH duke iu referuar Bankës Botërore dhe Indeksit ND-GAIN.

Për të konkretizuar risqet sjell shembullin e dëmeve që mund të shkaktohen nga përmbytjet. “Nëse aktivet e prekura janë lënë si kolateral për një hua, rreziku i kredisë që lidhet me këto aktivitete do të rritet”, – thotë Banka e Shqipërisë.

Bankat, të vlerësojnë rrezikun!

Përballë ekspozimit të lartë, vlerësimi konkret i rreziqeve klimatike të sektorit financiar është i ndërlikuar prej faktit se institucionet financiare nuk janë mjaftueshëm të përgatitura për të administruar rrezikun klimatik dhe, shpeshherë, dështojnë në raportimin e të dhënave të dobishme rreth këtyre rreziqeve.

“Të dhënat klimatike aktualisht mungojnë jo vetëm për mbikëqyrësit, por edhe për institucionet financiare, për shkak të mungesës së deklarimit nga klientët e tyre. Kjo e ndërlikon vlerësimin e rrezikut klimatik si nga institucionet financiare ashtu edhe nga mbikëqyrësit. Prandaj interesi ynë është të mbështesim institucionet financiare kur ato angazhohen me klientët e tyre dhe palët e tjera në ngritjen e një infrastrukture të dhënash që nevojitet për të matur rrezikun klimatik”, – bën me dije BSH.

Për këtë arsye, bankave do t’u kërkohet, në mënyrë progresive, të vlerësojnë, matin dhe administrojnë si duhet rreziqet e tyre klimatike, veçanërisht mënyrën se si integrohen rreziqet e klimës në kuadrin e administrimit të rrezikut të kredisë së bankës.