Rritja e temperaturës vjetore, reduktimi i reshjeve vjetore, rritja e nivelit të detit dhe rritje e ngjarjeve ekstreme, duke përfshirë reshjet intensive, thatësirën dhe valët e të nxehtit do të jenë disa nga fenomenet klimatike që do të na shoqërojnë përgjatë 70 viteve të ardhshme. Skenarët tregojnë se deri në vitin 2100 temperaturat do të pësojnë një rritje deri në 6.3 gradë celcius, teksa do të përballemi me valë të të nxehtit apo stuhi të papritura shiu. Plani Kombëtar i Adaptimit të Ndryshimeve Klimatike për Sektorin e Bujqësisë, i mbështetur nga PNUD ka hartuar tre skenarë: minimal, mesatar dhe skenari ekstrem dhe shumë ekstrem sesi do të ndryshojnë reshjet apo niveli i detit në vendin tonë, deri në fund të këtij shekulli.
Sipas tij, efektet e ndryshimeve klimatike do të ndihen veçanërisht tek zonat detare, ndërsa deti i Durrësit rrezikon të rritet deri në 65 cm, deri në fund të vitit 2100, krahasuar me 1995 – 2015. Në fakt, të gjithë skenarët e ndryshimeve klimatike të së ardhmes projektojnë ngritjen e nivelit të detit në këtë zonë. Sipas skenarit mesatar niveli i detit në zonën e Durrësit pritet të rritet me 24 cm (6 deri në 30 cm) deri në vitin 2050 dhe 65 cm (17 deri në 83 cm) deri në 2100.
Për të arritur në këto përfundime, skenarët e ndryshimeve klimatike kanë marrë si referencë për simulimet vitin 2005, që ka dalë si mesatare e periudhës 1996 – 2015. Për seritë afatgjata kohore 1951 – 2010 u përdorën të dhënat e përftuara nga stacionet meteorologjike të vendosura në 15 zona të vendit dhe që mbulojnë katër zonat klimatike kombëtare. Analiza e output-eve u fokusua në periudhat 2021 – 2040, që referohen si të dhëna për vitin 2030 dhe në fashën kohore 2041 – 2060 që referohen si të dhëna për vitin 2050.
Ndërkaq, përveç rritjes së nivelit të detit, ky raport identifikon edhe disa tregues të tjerë klimatikë, si valët e nxehtësisë dhe të ftohtit apo sasia e reshjeve. Gjithsesi, në të gjithë skenarët, shkalla e ndryshimit rritet me kalimin e kohës: ndryshimet janë më intensive në vitin 2050 sesa në 2030, dhe në 2100 se në 2050.
Reshjet mund të përgjysmohen
Me një sasi reshjesh që varon nga 600 mm në vit në fushëgropën e Korçës deri në 3 100 mm në vit në Bogë, aktualisht Shqipëria është “përkëdhelur” nga klima. Por, thatësira duket se do të godasë edhe vendin tonë si pasojë e ndryshimeve klimatike. Nivelet maksimale të reshjeve pritet të ulen në të gjithë territorin shqiptar, ndërsa ngajrjet ekstreme të shtohen. Përshembull një ngjarje ekstreme në zonën e Elbasanit me reshje totale rreth 145 mm/ditë që historikisht ka ndodhur një herë në 100 vjet ka të ngjarë të ndodhë një herë në 70 vjet deri në vitin 2050.
Ndërkaq, të gjithë skenarët tregojnë një rënie të mundshme të reshjeve vjetore dhe sezonale deri në vitin 2100 në krahasim me periudhën referuese 1995 – 2015. Skenari agresiv projekton një ulje të reshjeve në një të ardhme të afërt, deri në 50% të reshjeve aktuale gjatë verës. Më konkretisht sipas këtij skenari vlerat vjetore dhe verore të reshjeve ka gjasa të arrijnë deri në -5.8% (-32.7% në +17% reshjet vjetore) dhe -17.6% (-56.2% në +16.9% reshjet gjatë verës) deri në vitin 2050.
Edhe skenari më pozitiv “preket” nga ndryshimet e reshjeve gjatë verës që ka të ngjarë të arrijë deri në -8.1% (-25.7% deri 7.8%) dhe -10.2% (-32.5% në 9.5%). Ky reduktim i reshjeve do të sjellë një rritje të mundshme të thatësirës, që mund të jenë të shoqërura me stuhi. Paralelisht me këto rreziqe, skenarët e hartuar vlerësojnë se frekuenca dhe kohëzgjatja e vlerave të ditëve të ftohta pritet të ulet.