Rënie me 60%, ngrohja globale po ndikon shpendët në Liqenin e Prespës

Lajme
Të dhënat e CENSUS-eve të zhvilluar në 8 vitet e fundit tregojnë rënien drastike të shpendëve të ujit, teksa ndryshimet klimatike janë ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë drejtim.

Bajza, emri shkencor i së cilës është Fulica atra, është shpendi me popullatën më të madhe në Liqenin e Prespës së Madhe. Me ballin e madh me ngjyrë të bardhë, si një nga tiparet më të dallueshme të tij, ai ka dominuar listën e shpendëve dimëronjës të ujit në CENSUS-et e zhvilluar, të paktën nga viti 2016. Por, të dhënat e vitit 2024 tregojnë një rënie drastike të popullatës së Bajzës. Në CENSUS-in e zhvilluar në mesin e janarit të këtij viti u numëruan 3 320 individë të këtij shpendi, apo 74% më pak se CENSUS-i i vitit 2016, që numëroi 12 780 individë.

Megjithatë, Fulica atra nuk është i vetmi shpend që po haset gjithmonë e më pak në Liqenin e Prespës së Madhe. Të dhënat e CENSUS-eve të zhvilluar në vitet 2016, 2018, 2022 dhe 2024 tregojnë rënien drastike të shpendëve të ujit. Në vitin 2024 numri total i tyre u regjistrua në 6,157 individë apo rreth 60% më pak se 8 vjet më parë kur ky numër ishte 15,730.

“Prespa është një urë kalimi për shpendët migratorë që vijnë nga jugu në drejtim të veriut dhe anasjelltas, por tani nuk kemi aq shumë për shkak se temperaturat nuk luhaten më aq shumë sa ata të detyrohen të emigrojnë”, – thotë Vasil Male, përgjegjës i Sektorit të Menaxhimit në Agjencinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Korçë.

“Nëse marrim statistikat nga momenti i krijimit të ADZM e deri në 2019 kanë qenë thuajse të njëjtat, me një luhatje të lehtë në zbritje të numrit të individëve. Ndërsa vitet e fundit numri i individëve është ulur. Tek Bajza e kemi vënë re që numri ka ardhur në ulje, por edhe tek shumë lloje të tjera të shpendëve të ujit”, – shton ai.

Male i konsideron ndryshimet klimatike, si një nga faktorët e rënies së popullatës së shpendëve të ujit në Liqenin e Prespës së Madhe.

“Numri i shpendëve dimëronjës është ulur për shkak të ngrohjes globale sepse nuk kemi më dimra aq të ftohtë, që ata të shtegëtojnë në zonën tonë. Megjithatë, indikatori kryesor nuk është vetëm ky. Tregues tjetër është edhe prishja e habitatit të tyre, që janë kallamishtet sepse me tërheqjen e liqenit për pjesën e Prespës kallamishtet dolën në të thatë”, – thotë ai.

Efektet e ngrohjes globale po ndjehen edhe në rënien e nivelit të liqeneve të Prespës. Male liston disa nga rëniet drastike që ka pësuar Prespa në 100 vitet e fundit. Por, sipas tij vitet e fundit është konstatuar tharrja e Grykës së Zaverit, një Monument Natyre ku ujërat e liqenit të Prespës së Madhe, në rrugë nëntokësore në gjatësinë prej 14 km derdhen në burimet e Tushemishtit në Pogradec, në Shën Naum dhe në burimet në afërsi të qytetit të Ohrit.

 “Nëse kjo grykë deri para 4 – 5 vitesh ishte e mbuluar me ujë, sot është e thatë dhe kullosin bagëtitë aty. Pra, përroi që derdhej në grykën e Zaverit është mbyllur. Nga studimet ka rezultuar se uji për vaditje nuk është ndër ndikuesit kryesorë, por ulja e reshjeve të borës. Nëse më përpara numëroheshin 17 ditë me reshje bore dhe maja e Malit të Thatë deri në fund të korrikut mbante borë, sot nuk ka borë as në dhjetor”, – thotë Male.

“Dihet që në kushtet e ngrohejs globale rritet niveli i avullimit, vjen çorientimi ose degradimi i regjimit të reshjeve dhe në jetën e gjallë të liqeneve ndikon shumë. Liqenet e Prespës furnizohen nga reshjet, kryesisht nga ato të borës”, – thotë përfaqësuesi i ADZM, Korçë.

Ulja e nivelit të liqenit sjell pasoja zinxhir edhe në specie të tjera, siç janë peshqit.

“Sa i takon specieve të rrezikuara mund të themi se pakësohen. Sasia e peshkut që ka qenë në habitatin e kallamishteve, që janë tharë si pasojë e tërheqjes së liqenit, është larguar që aty. Riprodhohej, fshihej aty si nga grabitqarët, ashtu edhe nga njeriu, por ky habitatet u shkatërrua”, – thotë Male.

Nga ana tjetër, skobusi dhe mrena, 2 lloje peshqish, kanë qenë shumë të rrallë në pjesën shqiptare, por prezenca e tyre është shtuar.

“Kjo, pasi tani nuk e kanë më habitatin e tyre dhe janë në kërkim të një habitati të ri. Pra, janë çorientuar. Prezenca e më shumë peshqve na tregon shkatërrim të habitateve që vjen si pasojë e tërheqjes së liqenit, si pasojë e ngrohjes globale dhe mungesës së reshjeve”, – argumenton përfaqësuesi i ADZM, Korçë.