Reduktim i emetimeve të CO2, “harrohet” subvencioni për panelet diellore

Lajme
Skema synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe reduktimin e emetimeve të CO2, si masë veprimi për klimën.

Pas një njoftimi në rrjetet sociale nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku se skema e subvencionimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit do të aplikohej edhe në vitin 2024, një qytetare iu drejtua Agjencisë për Eficiencën e Energjisë.

“Jam e interesuar për të aplikuar për vendosjen e paneleve diellore”, – shkruajti ajo në një kërkesë për informacion nëse procesi ishte hapur apo jo.

Pas saj, edhe shumë qytetarë shprehën interesin për skemën që mundëson subvencionimin në masën 70% të kostove të paneleve diellore për ngrohjen e ujit, sipas regjistrit të kërkesave të publikuar nga vetë, AEE.

“Dëshiroj të aplikoj për panele, por nuk më del në asnjë vend tek website vendi për të aplikuar”, – shkruan një qytetar tjetër.

Në disa dalje publike, kreu i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë Ani Hasa deklaroi se aplikimet do të hapeshin brenda 3 – mujorit të parë të vitit, por kur po shkon drejt mbylljes edhe 3 – mujori i dytë, procesi për skemën e subvencionimit për 2 000 panele diellore nuk ka nisur ende. Agjencia për Eficiencën e Energjisë nuk ka dhënë një arsye se përse nuk ka filluar të pranojë dokumentet e qytetarëve të interesuar, ndërkohë që interesi i qytetarëve mbetet i lartë.

Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga klientët familjarë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe reduktimin e emetimeve të Dyoksidit të Karbonit (CO2). Përmes saj, shteti mundëson subvencionimin në masën 70% të kostove, duke stimuluar instalimin e këtyre impianteve. Përdorimi i paneleve diellore është pjesë e masave të eficiencës së energjisë, teksa nxitja e këtyre masave është një nga objektivat e politikave kryesore të parashikuara në Strategjinë e Ndryshimeve Klimatike dhe Planet e Veprimit, për të ulur shkarkimet dhe për të orinetuar vendin drejt një ekonomie me nivel të ulët të karbonit.

Skema, që mundëson subvencionimin nga shteti në masën 70% u aplikua për herë të parë në nëntor të vitit 2022 dhe në përmbyllje të procesit, sipas Ministrisë së Infrastrukutrës dhe Energjisë rreth 2 000 abonentë mundën të instalonin impiantet në çatitë apo tarracat e tyre. Referuar listës së subjekteve të kualifikuara vitin që shkoi, për ofrimin e shërbimit të shitjes dhe instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit, mesatarisht një panel shkon 130 000 lekë, nga të cilat 70% apo 91 mijë lekë mbulohen nga shteti. Ndërkohë që, pjesa tjetër prej 39 mijë lekë janë kosto që do të duhet të paguhen nga familjet e interesuara. Sipas rregullave të aplikuara vitin që shkoi familjet me konsum nën 250 kWh në muaj nuk mund të ishin përfituese dhe skualifikoheshin nga procesi. Sipas një studimi të realiziuar nga Enti Rregullator i Energjisë kostoja për ngrohjen e ujit zë 19% të faturës së energjisë elektrike.

Kërkesat për informacion nga qytetarët, pranë AEE