Qindra hektarë pyje e kullota jepen për centrale diellore, All Green: Auditoni ankandet

Ngjarje
Një raport i All Green Centre, i bazuar në monitorimin e procedurave të dhënies me qira të tokave pyjore dhe kullosore, për ndërtimin e centraleve diellore sjell për herë të parë një panoramë të plotë të këtij procesi dhe të ndikimit që po shkakton në territor dhe jetën e komuniteteve lokale.
Punimet për central fotovoltaik në Taç, Bashkia Kolonjë

Në vetëm dy vjet, përdorimi i tokës publike në Kolonjë dhe Devoll ka ndryshuar me shpejtësi të pazakontë. Aty ku shtrihet një mozaik pyjesh e kullotash të përdorura nga komunitetet vendase, po ngrihen centrale diellore, pjesë e një vale të re investimesh në energjinë fotovoltaike që po pushton juglindjen e Shqipërisë.

Një raport i All Green Centre, i bazuar në monitorimin e procedurave të dhënies me qira të tokave pyjore dhe kullosore, për ndërtimin e centraleve diellore sjell për herë të parë një panoramë të plotë të këtij procesi dhe të ndikimit që po shkakton në territor dhe jetën e komuniteteve lokale.

Sipas të dhënave të përpunuara, periudha 2022–2024 ka qenë “jashtëzakonisht dinamike” në dhënien me qira të sipërfaqeve për parqe fotovoltaike. Në vitin 2022, Bashkia Kolonjë dha vetëm 25 hektarë tokë për përdorim energjetik, ndërsa Bashkia Devoll asnjë. Në 2 vitet në vijim, ky ritëm ndryshon në mënyrë dramatike: 388 hektarë tokë janë dhënë me qira nga Bashkia Devoll dhe 532 ha, nga Bashkia Kolonjë.

Në total janë gati 920 ha tokë natyrore, që do të kthehet në industriale.

“Viti 2023 përfaqëson shpërthimin real të dhënies së tokave për zhvillime energjetike, ndërsa rritja vjetore nga 2023 në 2024 arrin në gati 46%, çka dëshmon se presioni për shfrytëzimin e territorit nuk është një fenomen i izoluar, por një tendencë në rritje”, – thuhet në raport.

“Një ndryshim i tillë për një periudhë kaq të shkurtër tregon qartë nisjen e një trendi të fuqishëm zhvillimesh, që nuk shoqërohet me instrumente të mjaftueshme planifikuese, dokumente strategjike apo vlerësime të ndikimit rajonal”, – shtohet më tej.

Projektet shtrihen në parcela pyjore apo kullosore të fshatrave Starje, Shtikë – Butkë, Prodan, Rehovë, Agalli (Taç), Qinam, Lëngëz, Qafëzez, Selenicë, Borovë, Kagjinas, Gostivisht, Bejkovë, Vodicë apo disa ngastra në Bilisht, ku tashmë 2 bashkitë e Qarkut Korçë kanë shpallur fitues apo kanë nënshkruar kontratat me kompanitë private.

Ky ritëm i lartë i transformimit të tokës publike, sipas raportit, nuk është shoqëruar nga një analizë e thelluar e nevojave të komuniteteve, as nga studime të ndikimit mjedisor që të pasqyrojnë efektet e kumulative në territor.

Nga mungesa e informacionit, te pakënaqësia e komuniteteve

Në kuadër të raportit, si pjesë e projektit “Moniotirmi për Qëndrueshmëri” i mbështetur nga Bashkimi Evropian, All Green Centre zhvilloi takime me banorë të zonave të prekura dhe me qytetarë të Kolonjës e Devollit, ku u evidentua mungesa e informacionit dhe transparencës nga autoritetet vendore.

Banor, me vështrim nga punimet për ndërtimin e centralit diellor në Taç, Kolonjë. Foto: Kristi Bashmili

“Banorët pohuan se nuk janë ftuar në fazat paraprake të vendimmarrjes, ndërsa shumë prej tyre mësuan për ndërtimin e parqeve vetëm pasi makineritë hynë në terren”, – thotë Ola Mitre, drejtore ekzekutive e All Green Centre.

“Ne i pyetëm bashkitë Kolonjë dhe Devoll nëse kishin organizuar dëgjesa me publikun dhe kërkuam të na vendosnin në dispozion procesverbalet përkatëse. Bashkia Kolonjë nuk ktheu përgjigje, ndërsa procesverbalet e vëna në dispozicion nga Bashkia Devoll, tregojnë se ato janë shumë larg asaj çfarë kërkon një konsultim i mirëfilltë publik”, – shton ajo.

Sipas Mitres, këto gjetje janë një sinjal alarmi për mënyrën se si po trajtohet toka publike në emër të zhvillimit të gjelbër. Ajo shton se, ndonëse energjia e rinovueshme është një drejtim i domosdoshëm, mungesa e integritetit institucional dhe garancive për transparencë mund ta kthejnë tranzicionin e gjelbër në një proces të pabarabartë dhe konfliktual.

“Nuk mund të flasim për zhvillim të qëndrueshëm nëse komunitetet që preken nga këto vendime nuk janë pjesë e tyre”, – thote ajo.

Për të adresuar problemet e evidentuara raporti rendit një sërë rekomandimesh. Ndeër të tjera, për të forcuar transparencën dhe llogaridhënien në vendimmarrje, është thelbësore që komuniteti lokal, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat të përfshihen në proceset e monitorimit të zhvillimeve që prekin fondin pyjor dhe kullosor. “Ngritja e mekanizmave konsultativë dhe publikimi i dokumentacionit rrit besimin e publikut dhe ul rrezikun e vendimmarrjeve të njëanshme”, – thuhet në dokument.

Në përfundim, raporti i All Green Centre i bën thirrje institucioneve vendore dhe qendrore të rishikojnë mënyrën se si po trajtohen pasuritë publike.

Gjithashtu kërkon që, “të gjitha kontratat e qirasë për ndërtimin e parqeve fotovoltaike gjatë periudhës 2022–2024 duhet të rishikohen në tërësi, pasi ligji ‘Për fondin kullosor’ nuk e lejonte përdorimin industrial deri në ndryshimet ligjore të vitit 2024, ndërsa ligji ‘Për pyjet’ ende nuk e parashikon këtë lloj zhvillimi”. “Rishikimi duhet të verifikojë përputhshmërinë me të dy kuadrot ligjorë, të evidentojë devijimet nga procedurat dhe të vlerësojë nëse kontratat kanë cenuar funksionin natyror të sipërfaqeve të prekura”, – thekson raporti i All Green Centre.

Po ashtu, “rekomandohet një auditim i thelluar institucional, që të shqyrtojë dokumentacionin administrativ, procesverbalet e ankandeve, arsyetimet e skualifikimeve, transparencën financiare dhe përputhjen me legjislacionin për pyjet dhe kullotat”. “Auditimi duhet të evidentojë përgjegjësi institucionale dhe individuale, si dhe të sigurojë masa korrigjuese për të shmangur përsëritjen e parregullsive në të ardhmen”, – thuhet më tej.