
Në vitin 2025, në ekonominë pyjore Çlirim, në Kolonjë, u hap një procedurë për dhënien me qira të 67,14 hektarëve fond pyjor për një central fotovoltaik. Një procedurë tjetër për një projekt diellor përfshinte 11,84 hektarë në të njëjtën ekonomi pyjore. Së bashku, dy procedurat përfshijnë afro 79 hektarë.
Raporti “Përdorimi dhe qeverisja e fondit pyjor 2023–2025”, i publikuar nga organizata All Green Centre, evidentoi 198,2 hektarë fond pyjor të dhënë në përdorim ose të përfshirë në procedura për aktivitete ekonomike në bashkitë Korçë, Kolonjë dhe Pogradec. Rreth 69% e sipërfaqes së evidentuar lidhet me projekte energjetike. Në Kolonjë, kjo peshë arrin në 74%.
“Përmes projektit You4est, pjesë e programit BOOST Balkans, të financuar nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD) kemi ndjekur si merren vendimet për përdorimin e fondit pyjor. Donim të kuptonim se çfarë zhvillimesh po lejohen brenda këtyre territoreve natyrore, mbi çfarë kriteresh zgjidhet një parcelë dhe kur komuniteti merr vesh çfarë propozohet në të”, – thotë Ola Mitre, drejtore ekzekutive e All Green Centre.
Gjashtë procedura energjetike në Kolonjë
Pesë procedurat për centrale fotovoltaike përfshijnë 132,28 hektarë fond pyjor. Krahas Çlirimit, sipërfaqet e evidentuara shtrihen në Taç–Agalli, Pepellash dhe Qafëzes.
Paralelisht, moniotrimi evidentoi dhe një projekt për prodhimin e energjisë nga era, në ekonominë pyjore Qarr–Kozel. “Tetë nga dhjetë parcelat e identifikuara për vendosjen e turbinave të erës klasifikohen si pyll trungishte. Projekti parashikon edhe një linjë kabllore nëntokësore prej 2,6 km, që kalon nëpër parcela me përdorime të ndryshme, përfshirë sipërfaqe pyjore”, – thuhet në raport.
“Te një central me erë, duhet parë edhe çfarë ndërtohet mes turbinave. Kur në të njëjtin territor planifikohen centrale diellore, duhen vlerësuar së bashku ndërhyrjet në tokë, në ujëra dhe në lidhjen mes habitateve”, – shpjegon Kristi Bashmili, ekspert mjedisor i angazhuar në monitorim.
Raporti i All Green Centre evidenton se ndërtimi i centraleve diellore dhe atyre me erë në fondin pyjor mund të çojë në humbje dhe fragmentim të habitateve, të ndryshojë peizazhin dhe të ndikojë në tokë e në rrjedhën e ujërave. Hapja e rrugëve të aksesit dhe shtrirja e linjave kabllore mund ta zgjerojnë gjurmën e ndërhyrjes përtej parcelave ku vendosen panelet ose turbinat. Për centralet me erë, raporti veçon edhe rrezikun për shpendët dhe lakuriqët e natës. Në zona si Kolonja, ku disa projekte përqendrohen në të njëjtin territor, ndërhyrjet mund të dobësojnë lidhjen mes habitateve dhe të shtojnë presionin mbi ekosistemet pyjore. Për këtë arsye, raporti rekomandon që ndikimet e projekteve dhe të infrastrukturës shoqëruese të vlerësohen së bashku.
Parcela mund të përcaktohet përpara vlerësimit
Plani i Përgjithshëm Vendor i Kolonjës e orienton zhvillimin drejt bujqësisë, blegtorisë, turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit. Në dokumentet e shqyrtuara, monitorimi nuk identifikoi zona të përcaktuara posaçërisht për projekte energjetike brenda sistemit natyror. Në disa prej rasteve të analizuara, përdorimi i sipërfaqes sigurohej përpara se të zhvilloheshin fazat e mëtejshme të projektit dhe të vlerësimit mjedisor.
“Kur përdorimi i parcelës është siguruar, bëhet më e vështirë të shqyrtohet një vendndodhje tjetër. Pikërisht në fillim mund të shmangen zonat më të ndjeshme dhe të krahasohen ndikimet e alternativave”, – thotë Bashmili.
Raporti evidenton gjithashtu paqartësi në dallimin mes dhënies në përdorim të fondit pyjor dhe ndryshimit të kategorisë së përdorimit. Kjo ka rëndësi sidomos për projektet që zënë sipërfaqe të konsiderueshme, zgjasin disa dekada dhe kërkojnë ndërhyrje fizike në territor.
“Nëse banorët informohen pasi parcela është zgjedhur, ata kanë më pak mundësi të ndikojnë në vendim. Duhet të dinë që në fillim pse është propozuar ajo zonë dhe çfarë alternativash janë shqyrtuar”, – thotë Mitre.
Në Pogradec, tri rastet e evidentuara përfshijnë 14,84 hektarë fond pyjor për agropylltari, fidanishte dhe kërkim-zbulim. Në Bashkinë Korçë, monitorimi evidentoi një kërkesë për heqjen e 800 metrave katrorë nga fondi kullosor për hidrocentralin e Mazrekës. Dokumentet e shqyrtuara nuk konfirmonin përfundimin e procedurës. “Ky rast përbën në vetvete një precedent që mund të ndiqet për zhvillimin e projekteve për centrale energjetike, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm”, – thotë Mitre.
Raporti rekomandon që planet vendore të përcaktojnë paraprakisht zonat e përshtatshme për investime dhe ato që duhen ruajtur për funksionet e tyre pyjore e ekologjike. Në Kolonjë, ku disa projekte përqendrohen në të njëjtat zona, rekomandon që centralet diellore, turbinat dhe infrastruktura shoqëruese të vlerësohen së bashku. Po ashtu, rekomandohet që planet vendore të përcaktojnë paraprakisht zonat e përshtatshme për investime dhe ato që duhen ruajtur për funksionet e tyre pyjore e ekologjike. Nga ana tjetër, duhet të qartësohet se në cilat kushte fondi pyjor mund të jepet në përdorim për një investim dhe kur ndërhyrja kërkon ndryshimin e kategorisë së përdorimit të tokës. Për ta bërë këtë dallim, autorët e raportit propozojnë që institucionet të marrin parasysh sipërfaqen që zë projekti, kohëzgjatjen e tij dhe shkallën e ndërhyrjes në territor, përfshirë infrastrukturën shoqëruese.