Pishë Poro – Narta, faktet që lë jashtë sqarimi i Ramës

Ngjarje
Në aspektin formal, sistemi ligatinor Vjosë-Nartë u shpall në vitin 2004 si peizazh ujor/tokësor i mbrojtur dhe, edhe sot vazhdon të jetë pjesë e kategorisë së peizazheve të mbrojtura. Megjithatë, ky argument lë jashtë shumë elemente kryesore, që nuk lidhen me emërtimin dhe kategorinë e zonës, por me transformimin e aktiviteteve që lejohen të zhvillohen brenda këtij territori me vlera të larta natyrore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Nga Ola Mitre

Në përpjekje për të kundërshtuar kritikat ndaj zhvillimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, kryeministri Edi Rama deklaroi se zona “nuk ka ndryshuar asnjëherë kategorinë si Peizazh i Mbrojtur” që prej vitit 2004 dhe se vendimi i vitit 2024 vetëm ka specifikuar kriteret përcaktuese të saj.

“Pra ajo ka qenë dhe është një zonë e mbrojtur, e klasifikuar si Kategoria V sipas IUCN-së (Peizazh i Mbrojtur)”, – shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale, ku paraqiti ato që i cilësoi si fakte mbi zhvillimet në Sazan dhe Zvërnec.

Në aspektin formal, sistemi ligatinor Vjosë-Nartë u shpall në vitin 2004 si peizazh ujor/tokësor i mbrojtur dhe, edhe sot vazhdon të jetë pjesë e kategorisë së peizazheve të mbrojtura.

Megjithatë, ky argument lë jashtë shumë elemente kryesore, që nuk lidhen me emërtimin dhe kategorinë e zonës, por me transformimin e aktiviteteve që lejohen të zhvillohen brenda këtij territori me vlera të larta natyrore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Nga mbrojtja strikte, te hapja për zhvillim

Vendimi i vitit 2004 krijonte një strukturë të qartë mbrojtjeje, ku pjesët më të ndjeshme ekologjikisht përfshiheshin në zonën qendrore të ruajtjes së biodiversitetit (A), me nënzonat A1 dhe A2. Pikërisht në këto territore përfshiheshin rezervati i Pishë-Poros, laguna, pylli i Poros dhe ishujt e Zvërnecit, zona të cilat gëzonin nivelin më të lartë të mbrojtjes.

“Zonat e nënndarjes A1 ruhen dhe mbrohen në mënyrë strikte. Zonat e nënndarjes A2 ruhen, por edhe përdoren për qëllime ripërtëritje natyrore”, – thuhej ndër të tjera në vendim.

Ndarja zonale e peizazhit ujor/tokësor të mbrojtur Vjosë – Nartë, në vitin 2004

Por ndryshimet e mëvonshme nuk u kufizuan vetëm te terminologjia. Në vitin 2022, me rishpalljen e zonës si Peizazh i Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, sipërfaqja e mbrojtur u reduktua me mijëra hektarë. Po ashtu, ndryshoi edhe vetë logjika e zonimit.

Krahasimi i hartave tregon se territore që në zonimin e vitit 2004 figuronin si A1, pra pjesë e bërthamës së mbrojtjes strikte, në hartën e re rezultojnë të klasifikuara si ZR, ose Zona Rekreacioni.

Ndryshe nga nënzona A1 e vitit 2004, e konceptuar kryesisht për ruajtjen e biodiversitetit, vendimi i vitit 2022 përcaktoi se në Zonën e Rekreacionit mund të zhvillohen aktivitete turistike dhe shërbime rekreative me ndikim të ulët, të mbështetura në studime urbanistike të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, duke e lidhur drejtpërdrejt menaxhimin e territorit me proceset e planifikimit territorial dhe rolin vendimmarrës të KKT-së.

Ndarja zonale e peizazhit të mbrojtur Pishë Poro – Nartë, në vitin 2022
Mbivendosja në hartë e zonimit A1 dhe A2 (2004) me ZR (2022)

Paralelisht, mbivendosja e hartave tregon se territori që kaloi nga A1 në ZR në pjesë të madhe përputhet me zonën ku sot propozohet zhvillimi i projektit turistik në Zvërnec. Vetë dokumentet e projektit identifikojnë këtë segment bregdetar si “Project Site”, duke e vendosur atë në të njëjtën hapësirë ku ka ndodhur ndryshimi i zonifikimit.

Kjo përputhje territoriale tregon se zhvillimi i propozuar sot ndodhet pikërisht në një nga zonat ku niveli i mbrojtjes ka ndryshuar gjatë viteve.

Zona ku propozohet zhvillimi i projektit turistik në Zvërnec, sipas masterplanit

Një tjetër ndryshim me rëndësi i sjellë nga vendimi i vitit 2022 lidhet me statusin e vetë Pishë Poros. Përpara rishpalljes së zonës së mbrojtur, Pishë Poro gëzonte status më të lartë mbrojtjeje si Rezervë Natyrore e Menaxhuar, kategoria IV sipas klasifikimit të IUCN-së. Me miratimin e VKM-së nr. 694, datë 26.10.2022, kjo zonë u përfshi në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, kategoria V, duke humbur statusin e veçantë që kishte më parë.

Në total, sipërfaqja e mbrojtur e Pishë Poro – Nartës u reduktua nga mbi 21 mijë hektarë në 16,124.61 hektarë.

Fuqizimi i rolit të KKTU-së

Dy vite më vonë, në shtator të vitit 2024, qeveria miratoi një vendim të ri për Pishë Poro-Nartën, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të debatueshme në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, që ndër të tjera hoqën sistemin e mëparshëm të nënzonimit.

Në zbatim të këtij kuadri të ri, VKM-ja përcaktoi se në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes dhe specifikoi aktivitetet që mund të zhvillohen brenda tij, përfshirë strukturat turistike dhe agroturistike, infrastrukturën mbështetëse dhe veprimtari të tjera ekonomike. Ndryshimet që iu bënë nenit 20 të ligjit për shkallën e tretë të mbrojtjes, parashikuan gjithashtu lejimin e ndërhyrjeve të lejuara urbane, rekreacioni apo ekonomike brenda zonës.

Njëkohësisht, vendimi e lidh autorizimin e këtyre ndërhyrjeve me procedurat e planifikimit territorial dhe miratimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU), duke i dhënë këtij institucioni një rol qendror në vendimmarrjen për zhvillimet që mund të realizohen brenda zonës së mbrojtur.

Ky rol i zgjeruar i KKTU-së evidentohet edhe në një raport analitik të publikuar së fundmi nga organizata EcoAlbania mbi kuadrin ligjor, rregullator dhe institucional të zonave të mbrojtura në Shqipëri. Sipas raportit, ndryshimet ligjore të viteve të fundit kanë prekur arkitekturën institucionale të menaxhimit të zonave të mbrojtura, duke i dhënë një rol qendror Këshillit Kombëtar të Territorit dhe duke centralizuar vendimmarrjet kyçe që lidhen me zhvillimet e lejuara brenda tyre, veçanërisht ato turistike.

Raporti vëren se KKT-ja, një organ kombëtar i planifikimit territorial i kryesuar nga Kryeministri, tashmë është e përfshirë drejtpërdrejt në pothuajse çdo hallkë të menaxhimit territorial të zonave të mbrojtura. Sipas analizës, kjo lidhet drejtpërdrejt me nevojën për të zbatuar praktikisht zhvillimet e reja të lejuara në këto territore.

 

Ky material është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Facilitetit SMS – projekti Small Media Support in Western Balkans – i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.