“Përmirësim i kushteve dhe mësimnxënies, nëvojë për rinovimin e shkollave”

Ngjarje
Ndërhyrja në godinat e shkollave ekzistuese shërben si një mundësi e rëndësishme për të përmirësuar kushtet e hapësirave mësimore, për të përmirësuar jetën e godinës dhe për të rritur efikasitetin nga pikëpamja energjetike.

Nga Ola Mitre

“Procesi i rijetësimit të godinave duhet të kujdeset për cilësinë e jetës brenda shkollës dhe përreth saj, duke përmirësuar hapësirat e brendshme dhe të jashtme, dhe duke krijuar një mjedis të sigurt për fëmijët”. Etleva Dobjani, pedagoge dhe audituese energjie thekson se ky proces synon të sigurojë një mjedis më të mirë të jetesës sociale, asaj mjedisore dhe ekonomike për të gjithë. Dobjani është ekspertja e All Green Centre që ka hartuar raportin “Rindërtim dhe rinovim i godinave ekzistuese të shkollave në Shqipëri për një zhvillim të qëndrueshëm”. Raporti u hartua me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë, ndërsa sjell auditimin energjetik të 5 shkollave e më konkretisht: “Kolë Idromeno” në Shkodër, “Vasil Kamami”, në Elbasan, “Bajram Curri” në Durrës, “Mustafa Qemal Ataturk” në Vlorë dhe “Arben Broci” në Tiranë, teksa nxjerr në pak problemet e shumta që paraqesin godinat ekzistuese. Në këtë intervistë, dhënë për “EkoSknaer” ekspertja flet për disa nga gjetjet kryesore, duke u ndalur veçanërisht te nevoja dhe format e duhura që duhet të ndiqen për rinovimin e godinave të shkollave.

Znj. Dobjani, përse është e nevojshme, që godinat ekzistuese të shkollave t’i nënshtrohen rinovimit?

Gjatë auditimit energjetik, rilevimit dhe survejimit të godinave të përzgjedhura për studim, vumë re se strukturat pa termoizolim mund të përballen me tipe të ndryshme të degradimit, të cilat ndryshojnë kryesisht nga zonat ku janë ndërtuar, në varësi të kushteve të ndryshueshme klimatike të këtyre zonave. Problemet që shfaqen në godinat pa termoizolim janë të ndryshme. Strukturat pa termoizolim janë të prekshme nga lagështia, mund të përjetojnë dëmtime nga ngrica e akumuluar, humbasin ngrohje në mënyrë të padobishme, kondensim i lagështirës në sipërfaqen e brendshme të mureve, duke çuar në dëmtime strukturore dhe në cilësinë e ajrit të brendshëm apo dëmtime të shtresës së brendshme të sipërfaqes së mureve, suvatimit apo shtresave të tjera: Në përgjithësi, strukturat pa termoizolim janë më të prekshme nga kushtet e ndryshueshme klimatike dhe kanë një shkallë më të lartë të degradimit në krahasim me ato që janë të izoluara termikisht. Këto degradime mund të shkaktojnë dëme serioze në jetën e ndërtesës.

Cilat janë problemet që vijnë si pasojë e këtyre dëmtimeve?

Në dimër, ato bëhen si një frigorifer i hapur, duke lejuar temperaturat e ftohta të hyjnë brenda dhe lënë ato të pushtojnë çdo hapësirë të saj. Në verë, godinat e patermizoluara transformohen në një furrë të hapur, ku temperatura e jashtme e ngrohtë e pushton ambientin e brendshëm, duke krijuar një atmosferë të mbingarkuar dhe të bezdisshme për nxënësit apo përdoruesit e tjerë. Kjo sjellje e ndërtesës së pa izoluar shkakton jo vetëm shqetësime fizike, por gjithashtu shqetësime të thella për shëndetin emocional, psikologjik dhe të frymëmarrjes për përdoruesit e saj. Në të vërtetë, ajo kthehet në një ambient të vështirë për të jetuar, duke sjellë vështirësi në qëndrim dhe stres për ata që ndajnë hapësirën me të. Për të gjitha këto arsye, rinovimi i këtyre godinave, sipas parimeve të eficiencës së energjisë kthehet në domosdoshëmri. Komoditeti lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien fizike të personit në brendësi të godinës. Ky nivel i mirëqenies vjen si rezultat i disa faktorëve të tjerë që lidhen me ndërtesën, si: temperatura në brendësi të ambienteve, temperatura e sipërfaqeve të murit, rrjedhjet e ajrit dhe lagështia brenda saj, nivelet e zhurmës në brendësi të ambienteve, sasia e dritës natyrale, ngjyrat dhe teksturat e mureve, shpërndarja e dritës në hapësirat e studimit dhe të tjera si këto.

Cilat janë disa nga ndërhyrjet kryesore që duhet të kryhen në godinat ekzistuese të shkollave?

Ka disa propozime teknologjike në fushën e arkitekturës që mund të aplikohen për të përmirësuar izolimin e mureve perimetrale të ndërtesave dhe për të zvogëluar vlerën e kufirit termik. Një prej tyre është termoizolimi. Termoizolimi në fasadat e ndërtesave ekzistuese është i rëndësishëm për shkak të disa arsyeve të kryesore: Ndihmon në reduktimin e humbjeve të energjisë, përmirëson komfortin termik brenda ndërtesës duke rritur cilësinë e jetës brenda tyre, ndihmon në mbrojtjen e strukturës së ndërtesës nga kondensimi dhe plasaritja e mureve dhe sjell një reduktim të shpenzimeve energjetike në afat të gjatë. Edhe pse investimi fillimisht mund të jetë i lartë, pagesa më e ulët për ngrohjen dhe ftohjen do të amortizojë këtë shpenzim në kohë. Për këto arsye, përdorimi i termoizolimit në fasadat e ndërtesave ekzistuese siguron një mënyrë të shkëlqyer për të përmirësuar performancën e energjisë, për të rritur komfortin e nxënësit dhe për të ruajtur integritetin e strukturës së ndërtesës në përgjithësi. I rëndësishëm është edhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve. Dritaret ose dyert e jashtme të xhamit me eficiencë të lartë energjie duhet të përfshijnë disa karakteristika dhe teknologji të caktuara për të optimizuar përdorimin e energjisë dhe për të siguruar një performancë të mirë termike. Të tjera ndërhyrje përfshijnë tarracat, dyshemenë e katit përdhes në kontakt me tokën apo sistemi i ndriçimit të brendshëm artificial, por nuk po ndalem gjerësisht pasi çdo propozim është i zgjeruar edhe në raportin që ne kemi hartuar. Në gjuhën teknike të gjitha çka përmenda quhen ndërhyrje pasive. Ndërkohë, kemi edhe ndërhyrjet aktive, që përfshijnë sistemin e ngrohjes dhe të ftohjes, përdorimin e teknologjisë së kontrollit të energjisë, etj.

Përmendët sistemin e ngrohjes dhe ftohjes, për të cilin ka shumë ankesa nga nxënësit, sidomos në ditët e ftohta. Cilat janë sugjerimet tuaja në këtë drejtim?

Konsumi për ngrohje përbën rreth 70-80% të të gjithë konsumit të energjisë primare në shkolla. Sistemet për ngrohje dhe ftohje të ambienteve duhet të zgjidhen me kujdes për të pasuar një konsum të kufizuar të energjisë elektrike. Ka shumë sugjerime teknologjike në këtë drejtim dhe institucionet e interesuara mund të konsultojnë dokumentin e hartuar nga ana jonë, për të marrë të gjitha sugjerimet e nevojshme. Sot, teknologjitë e reja dhe moderne kanë arritur edhe në fushën e ngrohjes elektrike. Këto sisteme ngrohjeje funksionojnë me radiancë elektrike, duke shpërndarë nxehtësi në ajër duke përdorur energjinë elektrike. Ngrohja me radiancë përfshin qilimat ngrohës. Qilimat ngrohës elektrikë përbëhen nga një material i veçantë, letër metalike amorfe me trashësi 1.2 mm, e cila, lidhur në rrjetin elektrik prodhon nga 50 deri në 300 Watt për metër katror nxehtësi. Kjo mund të instalohet kudo, duke mbuluar sipërfaqen e dyshemeve ekzistuese dhe duke u mbuluar me një mbulesë përfundimtare si laminati etj.

Përveç termoizolimit, edhe ndërhyrjet e tjera të propozuara nga ana juaj garantojnë jo vetëm rritjen e cilësisë së jetës brenda shkollës, por edhe kursimin e energjisë. Më konkretisht, si arrihet kjo?

Është e vërtetë që një sistem diellor pasiv nuk ngroh vetëm ndërtesën, por jep siguri se temperatura brenda një ndërtese diellore pasive do të jetë shumë më e lartë se e një ndërtese standarde në rast se ka humbje energjie apo mungesë furnizimi me energji për ngrohje. Për rrjedhojë, edhe energjia që ajo do të përdorë për ngrohje do të jetë shumë më e vogël se një ndërtesë standarde. Përdorimi më i gjerë i sistemeve pasive, si sistemet fotovoltaike dhe veprimet që promovojnë ndriçimin natyral dhe izolimin termik, jo vetëm përmirësojnë cilësinë e jetesës në ndërtesa, por edhe ndihmojnë në reduktimin afatgjatë të kostos së energjisë. Ky përmirësim i qëndrueshmërisë së ndërtesave është një investim për të ardhmen që sjell vlerë afatgjatë, duke kontribuuar në uljen e kosto-efektivitetit të energjisë dhe në përmirësimin e cilësisë së mjedisit të brendshëm të ndërtesave.

Në formë të përmbledhur, cilat janë avantazhet që vijnë nga rinovimi i godinave ekzistuese të shkollave në vend?

Ndërhyrja në godinat e shkollave ekzistuese shërben si një mundësi e rëndësishme për të përmirësuar kushtet e hapësirave mësimore, për të përmirësuar jetën e godinës dhe për të rritur efikasitetin nga pikëpamja energjetike. Duke përdorur teknologjitë dhe materialet inovative, mund të arrihen rezultate të shkëlqyera në termat e kushteve termike, ndriçimit, ngrohjes dhe shumë të tjera. Në veçanti, zgjedhja e pajisjeve me eficiencë të lartë energjetike dhe përdorimi i burimeve të rinovueshme, si panelet diellore, panelet fotovoltaike dhe sistemet gjeotermale, kontribuojnë jo vetëm në përmirësimin e efikasitetit energjetik të godinës, por gjithashtu ndihmojnë për të krijuar një mjedis shkollor të qëndrueshëm dhe miqësor ndaj mjedisit. Këto ndërhyrje jo vetëm që sjellin përfitime konkrete në kushtet e mësimit dhe jetën e përditshme në shkolla, por gjithashtu ndihmojnë në përsosjen e qytetërimit dhe shndërrimin e godinave shkollore në ambiente të qëndrueshme dhe miqësore ndaj mjedisit. Duke ecur në këtë drejtim, jo vetëm që i përgjigjemi nevojave të momentit, por gjithashtu kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie të ardhshme që respekton dhe kujdeset për burimet natyrore dhe për mjedisin në tërësi.