Parlamenti Evropian kërkon pezullimin e menjëhershëm të ndërtimeve në zona të mbrojtura

Ngjarje
Parlamenti Evropian i ka kërkuar Shqipërisë të shfuqizojë ndryshimet e vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura” dhe të pezullojë zhvillimet e reja në këto territore deri në përputhjen e plotë të legjislacionit me standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës.

Nga Ola Mitre

Parlamenti Evropian i ka kërkuar Shqipërisë të shfuqizojë ndryshimet e vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura” dhe të pezullojë zhvillimet e reja në këto territore deri në përputhjen e plotë të legjislacionit me standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës.

Kërkesa është përfshirë në rezolutën e sapomiratuar mbi Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025, në një moment kur debati për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura shqiptare dhe protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove” të nxitura nga zhvillimet në Vjosë – Nartë, vijojnë prej më shumë se dy javësh.

Në një njoftim për shtyp organizata PPNEA e konsideron këtë një mbështetje të rëndësishme për kauzën e mbrojtjes së natyrës në Shqipëri.

“Rezoluta bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin ’Për zonat e mbrojtura’, legjislacion që ka mundësuar shkatërrimin e një prej zonave natyrore më të jashtëzakonshme të Mesdheut dhe ka nxitur protestat më të mëdha qytetare që Shqipëria ka parë në një brez”, – thuhet në njoftim.

Sipas Joni Vorpsit, drejtor i Politikave dhe Advokimit në PPNEA “thirrja e Parlamentit Evropian për një moratorium të menjëhershëm është pikërisht ajo që nevojitet në përpjekjen për të mbrojtur Vjosë–Nartën”.

“Ajo u jep autoriteteve shqiptare kohën dhe qartësinë e nevojshme për t’u përafruar me standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës dhe për të shmangur gabime të pakthyeshme që do të dëmtonin rrugën evropiane të Shqipërisë”, – thotë Vorpsi.

Edhe sipas Anouk Puymartin, drejtuese e Politikave në BirdLife Europe “Parlamenti Evropian u rreshtua përkrah mijëra shqiptarëve që protestojnë në rrugët e Tiranës”.

“Ky votim dërgon një mesazh të qartë: nuk mund t’i bashkohesh Bashkimit Evropian ndërkohë që shkatërron ligatina të mbrojtura me buldozerë dhe anashkalon ligjet e tua. Mbrojtja e Vjosë–Nartës dhe respektimi i Direktivave të Shpendëve dhe Habitateve janë kushte themelore për anëtarësimin në BE”, – thotë Puymartin.

Kontrasti mes Rezolutës dhe Marta Kos

Ndërkaq, PPNEA sjell në vëmendje se “rezultati i votimit të Parlamentit Evropian qëndron në kontrast të fortë me reagimin e Komisionit Evropian ndaj paligjshmërive të konstatuara”.

“Më 15 qershor, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni kishte marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhej një vlerësim i ndikimit në mjedis, duke injoruar faktin se punimet e paligjshme tashmë kishin ndodhur, pa leje, pa transparencë dhe pa një vlerësim të ndikimit në mjedis. Parlamenti Evropian ka treguar më shumë angazhim sesa Komisioni në mbrojtjen e ligjeve të BE-së”, – thuhet në njoftim.

Qëndrimi i Kos nuk është në linjë as me kushtet që Komisioni Evropian i ka vendosur vendit tonë për të mbylljen e Kapitullit 27 – Mjedisi. Kjo pasi në dokumente, KE kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura” dhe t’i jepet fund ligjit “Për investimet strategjike”, dy instrumente ligjore që kanë qenë në qendër të debateve mbi zhvillimet në zona me vlera të larta natyrore.

Përveç ndryshimeve ligjore, Komisioni Evropian kërkon që Shqipëria të paraqesë listën e zonave të propozuara për rrjetin Natura 2000, sistemi kryesor evropian për mbrojtjen e biodiversitetit. Sipas dokumenteve të brendshme të negociatave, vendi duhet të sigurojë mbulim të mjaftueshëm të habitateve dhe specieve sipas Direktivës së Habitateve dhe Direktivës së Shpendëve, si dhe të demonstrojë kapacitetet e nevojshme për menaxhimin dhe monitorimin e këtyre zonave.

Po ashtu, Shqipëria duhet të tregojë se deri në momentin e anëtarësimit do të jetë në gjendje të garantojë ruajtjen dhe përmirësimin e statusit të habitateve dhe specieve me interes evropian.

Peizazhi i Mbrojtur Vjosë–Nartë konsiderohet një nga zonat me vlerat më të larta të biodiversitetit në Shqipëri dhe Mesdhe. Në të janë identifikuar 18 tipe habitatesh sipas rrjetit Natura 2000, 6 prej tyre prioritare për ruajtje në nivel evropian. Zona strehon gjithashtu mbi 200 lloje shpendësh, më shumë se 70 specie të kërcënuara, një specie endemike dhe dy specie të mbrojtura nga Aneksi IVb i Direktivës së Habitateve, duke e bërë atë një territor me rëndësi të veçantë në procesin e integrimit evropian dhe krijimit të rrjetit Natura 2000 në Shqipëri.

Ndërkaq, kërkesa për ndalimin e zhvillimeve të reja brenda zonave të mbrojtura e Parlamentit Evropian është në përputhje me 96 organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, që pak ditë më parë iu drejtuan Kuvendit për vendosjen e një moratoriumi ndaj investimeve në zonat e mbrojtura.

Organizatat kërkuan rishikimin e politikave të qeverisë për këto territore, shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2024 dhe ndalimin e dhënies së lejeve të reja për projekte turistike apo infrastrukturore deri në përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.