“Paketa e Maleve”, marrëveshja 1 euro kërcënon Parqet Kombëtare të Ballkanit

Investigime
Arkitektura ligjore e "Paketës së Maleve" favorizon investime të mëdha turistike dhe energjetike, shumë larg modelit familjar të premtuar, duke mos përjashtuar as Parkun “Alpet e Shqipërisë”, një territor kyç për iniciativat ndërkufitare të mbrojtjes së natyrës, pjesë e Alpeve Dinarike dhe e Brezit të Gjelbër Evropian.
Theth, Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” Foto: ©Kristi Bashmili

Nga Ola Mitre, Aida Ciro, Kristi Bashmili dhe Nemanja Živaljević

Në korrik të vitit 2025, fadromat hynë në Theth dhe brenda pak ditësh, disa ndërtime u shembën në zemër të Alpeve Shqiptare, në një aksion që autoritetet e cilësuan si “rikthim i ligjshmërisë”.

Vetëm 1 vit më parë, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama nxiti banorët të ktheheshin në fshatin e tyre turistik, të investonin dhe t’i kthenin tokat e tyre në mundësi zhvillimi. Premtimi ishte se pronat e brezave do të pajiseshin me dokumente pronësie dhe se “Paketa e Maleve” do ishte mjeti i rikthimit dhe i mirëqenies së zonave alpine.

“Gjobat për ndërtim pa leje, në këtë zonë do t’i fshijmë të gjitha. Ju keni ndërtuar pa leje sepse nuk keni pasur mundësi të merrni certifikatën e tokës që u takon”, – iu përgjigj Rama shqetësimit të banorëve të Thethit, duke njoftuar dhe planet për miratimin e ligjit.

“Na thanë të investonim. Kthehuni, ndërtoni! Dhe ne ndërtuam më lehtë se çdo vit tjetër se ishin votimet”, – thotë Kristian Gurra, 27 vjeç.

Kristian Gurra, banor i fshatit Theth Foto: ©Ola Mitre

Kristiani ka mbi dhjetë vite që zhvillon një biznes familjar në Theth. Filloi me një lokal të vogël, ndërsa tani ka 1 restorant dhe 16 dhoma për turistë, që mbajnë familjen dhe disa punëtorë sezonalë. Investimi i fundit, i menduar për turizëm dimëror, u financua me kredi bankare rreth 100 mijë euro, por u shemb gjatë aksionit të korrikut.

“Sot paguaj kredinë çdo muaj dhe kam edhe gjobë. Shtëpinë në Shkodër e kam lënë kolateral, sepse këtu nuk kam tapi”, – thotë ai.

Rasti i tij është tipik për zonat veriore në Shqipëri, ku tokat trashëgohen brez pas brezi pa dokumente pronësie, një problem historik që institucionet nuk e kanë zgjidhur kurrë. “Paketa e Maleve”, e miratuar në mars 2025, synon të anashkalojë këtë ngërç, duke u dhënë banorëve mundësinë të ndërtojnë dhe të zhvillojnë pronën edhe në mungesë të titullit të qartë pronësor.

Por aksioni i prishjeve, i ndërmarrë menjëherë pas miratimit të ligjit, goditi pikërisht atë që kjo “paketë” pretendon të mbështesë: investimet e banorëve në pronat e tyre të trashëguara.

Ndërkohë, të dhënat tregojnë se arkitektura ligjore favorizon investime të mëdha turistike dhe energjetike, shumë larg modelit familjar të premtuar, duke mos përjashtuar as Parkun “Alpet e Shqipërisë”, një territor kyç për iniciativat ndërkufitare të mbrojtjes së natyrës, pjesë e Alpeve Dinarike dhe e Brezit të Gjelbër Evropian.

Alpet Shqiptare përbëjnë një ekosistem të pandashëm me parkun Prokletije në Malin e Zi, por standardet e mbrojtjes janë ndjeshëm të ndryshme sa i përket aktiviteteve të lejuara brenda tyre. Për më tepër, ligji hap rrugë edhe tjetërsimit të pyjeve, kullotave dhe livadheve, duke lejuar ndryshimin e përdorimit të tokës nga natyrore, në urbane apo industriale, çka jo vetëm dobëson mbrojtjen e burimeve natyrore, por cenon vetë funksionin ekologjik të territorit.

Ekspertët paralajmërojnë se qasja e ligjit shqiptar rrezikon pasoja të pakthyeshme për ekosistemin alpin dhe bie ndesh me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërsa centralizimi i vendimmarrjes në nivel qendror hap shteg që përfitimet të shkojnë te subjekte jorezidente dhe jo te komunitetet vendase.

Paketa e Maleve

Në prezantimin publik, “Paketa e Maleve” u shfaq si një instrument për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave malore, që prej dekadash jetojnë dhe investojnë në toka pa tituj pronësie. Zgjidhja e këtij problemi u lidh me zhvillimin e strukturave agroturistike, që janë miqësore me mjedisin, si dhe mbajtjen e komuniteteve në territor, në një kohë që shumë zona malore në Shqipëri janë zbrazur si pasojë e emigrimit.

Ligji i miratuar parashikon një seri mekanizmash që, në dukje, synojnë t’u japin banorëve të zonave malore siguri juridike dhe mundësi zhvillimi. Ai u lejon individëve të njohur si posedues jopronar që, me përmbushjen e disa kritereve, të blejnë tokën shtetërore me çmimin simbolik prej 1 euro, të përfitojnë përjashtime nga disa taksa për një periudhë 10-vjeçare, si dhe të kenë akses të thjeshtuar në lejet e ndërtimit.

Por ndërkohë ligji ka përfshirë qartazi edhe investitorët, si persona fizikë apo juridikë të regjistruar, të cilëve iu jepet e drejta të realizojnë projekte investimi, në marrëveshje me poseduesin jopronar.

Përveç kësaj, ligji i miratuar ka krijuar çdo hapësirë ligjore për investime të mëdha turistike dhe energjetike, pasi përcakton se autoriteti kompetent për miratimin e lejes së zhvillimit dhe ndërtimit do të jetë vetëm Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU).

Sipas ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, KKTU-ja, një institucion që drejtohet nga kryeministri, është autoritet përgjegjës për vendimmarrjen vetëm për zhvillime komplekse. Ky dikaster, miraton leje zhvillimi për projektet strategjike në territor, nga resorte të mëdha turistike deri te struktura energjetike dhe infrastrukturore. Po ashtu, legjislacioni specifikon se KKTU-ja mund të miratojë leje ndërtimi vetëm për objekte të larta mbi 6 kate.

Këto kompetenca s’kanë asnjë lidhje me natyrën e agroturizmit apo të bujtinave familjare.

“Agroturizmi, sipas përkufizimit, presupozon iniciativa të vogla, që zhvillohen nga familje dhe janë drejtpërdrejt të lidhura me ekonominë rurale. Është një model turizmi rural i lidhur ngushtë me bujqësinë dhe jetën në fshat, ku shërbimet turistike mbështesin dhe plotësojnë aktivitetin bujqësor ekzistues, pa e zëvendësuar ose deformuar funksionin tradicional të territorit”, – thotë Doriana Musai, pedagoge e arkitekturës dhe planifikimit urban.

“Ndërkohë, këto investime që cilësohen strategjike, vijnë me investitorë dhe kompani që favorizojnë investime me kosto të lartë. Me pak fjalë agroturizmi përdoret si narrativë legjitimuese e politikës qëndrore, ndërsa rezultati real është turizëm intensiv, i shkëputur nga struktura sociale dhe ekonomike e zonës”, – shton ajo.

Edhe për ekspertët e turizmit “modeli i resorteve të mëdha nuk është në përputhje me parimet e zhvillimit lokal dhe përfshirjes së komuniteteve”.

“Ai mund të sjellë investime dhe vende pune, por rrezikon që përfitimet të përqendrohen te investitorët dhe jo te banorët vendas”, – thotë Ardiola Alikaj, eksperte e lartë e turizmit në Shqipëri.

Paralelisht, ekspertët kritikojnë anashkalimin e bashkive në vendimmarrjen për zhvillimet në territorin e tyre, kompetenca që i gëzojnë në ligjin aktual për struktuara nën 6 kate, përfshirë agroturizmat.

“Cenohet autonomia e autoriteteve vendore dhe planet e tyre të territorit”, – thotë Erjon Muharremaj, profesor dhe ekspert i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, të Drejtës Mjedisore dhe Proceset e Integrimit në BE.

Ndërsa sipas Musait, “kur miratimi i projekteve bëhet nga lart-poshtë, pra nga niveli qëndror, në formë ekzekutive drejt atij vendor cenohet parimi i zhvillimit lokal dhe i subsidiaritetit”. “Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, si organ qeveritar, duhet të garantojë koherencë kombëtare të planifikimit, dhe jo të zëvendësojë autoritetet vendore në vendime që ndikojnë drejtpërdrejt komunitetet dhe peizazhin lokal”, – argumenton ajo.

Alpet, zonë zhvillimi

“Paketa e Maleve” nuk zbatohet në gjithë territorin malor, por vetëm në ato zona që shpallen “zona prioritare të zhvillimit”, të cilat përzgjidhen përmes një procedure të veçantë që nis në nivel vendor dhe finalizohet në nivel qendror. Bashkia mbledh aplikimet e banorëve ose identifikon territoret me “potencial ekonomik” dhe i propozon ato si zona që duhen zhvilluar. Më pas, relacioni i bashkisë i dërgohet ministrit përgjegjës për pushtetin vendor, i cili vendos nëse propozimi plotëson kriteret për t’u çuar më tej. Vendimi final merret nga Këshilli i Ministrave, i cili shpall zonën zyrtarisht, duke i hapur rrugë më pas miratimit të projekteve.

I gjithë procesi tashmë është finalizuar për Bashkinë Shkodër, në territorin e së cilës janë miratuar 5 zona prioritare të zhvillimit, përfshirë edhe fshatin Theth e Ndërlysaj, që ndodhen brenda parkut kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, në kufi me Malin e Zi.

Ndërlysaj, Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” Foto: ©Ola Mitre

Interesi për të ndërtuar në zonat prioritare ka qenë tejet i lartë, sipas të dhënave të Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Territorial të Bashkisë Shkodër. Pas një kërkese për informacion, kjo drejtori bëri me dije se deri më 9 dhjetor 2025 ishin paraqitur 642 aplikime për 5 tipologjitë që lejonte sistemi i ngritur për këtë qëllim: Agroturizëm, energji e gjelbër, blegtori, projekte sociale dhe tipologjia “tjetër”, që le të hapur çdo lloj kërkese për investime. Pjesa më e madhe lidhej me agroturizimin (434), kategoria “të tjera” kishte 136 aplikime, projektet sociale 35, blegtoria 29 dhe energjia e gjelbër, pra ndërtimi i parqeve diellore dhe eolike, 14 aplikime.

Faximile e përgjigjes së Bashkisë Shkodër

Megjithatë, edhe pse interesi fillestar vjen kryesisht nga banorët e zonës për projekte agroturizmi, vetë arkitektura ligjore e orienton procesin drejt zhvillimeve shumë më të mëdha, që kërkojnë kapital dhe miratim qendror. Ky kontrast bëhet edhe më i mprehtë kur këto zhvillime synohen në zona të mbrojtura, brenda një prej ekosistemeve më të ndjeshme të Ballkanit.

Alpet e Shqipërisë dhe Prokletije në Malin e Zi përbëjnë një prej ekosistemeve më të rëndësishme të rajonit, të njohura për larminë e jashtëzakonshme biologjike dhe habitatet e tyre të brishta. Përveç statusit kombëtar të mbrojtjes, territore të veçanta gëzojnë njohje ndërkombëtare. Alpet janë pjesë e rrjetit EMERALD (Zonat me Interes të Veçantë për Mbrojtje për Europën), Thethi njihet si Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin (IBA) dhe Zonë Kryesore për Biodiversitetin (KBA), ndërsa Lumi i Gashit, rezervë strikte natyrore deri në vitin 2022 e sot pjesë e Parkut të Alpeve, është pjesë e Trashëgimisë Botërore të Natyrës të UNESCO-s.

Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura tregojnë një numër të lartë habitatesh sipas listës së Natura 2000, me rëndësi për ruajtje. Vetëm në Theth dhe zonat përreth janë evidentuar rreth 20 tipe habitatesh, prej të cilave 4 prioritare. Po ashtu, në luginën e Vermoshit dhe Lëpushë – Budaçit janë identifikuar rreth 25 tipe habitatesh, prej të cilave 4 janë prioritare, në Luginën e Valbonës rreth 26 tipe, prej të cilave 4 prioritare, ndërsa në luginën e Lumit të Gashit – Dobërdoll, rreth 14 tipe habitatesh, nga të cilat 2 janë prioritare dhe kërkojnë masa specifike për ruajtje. Parku përfshin edhe një florë të pasur me rreth 1,500 lloje bimësh, 40% e të cilave janë endemike të Shqipërisë, duke i bërë ato veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve dhe zhvillimeve të mundshme. Ahu, rrobulli, bredhi i bardhë dhe arneni janë disa prej llojeve të florës që takohen në zonë.

Po aq e pasur është fauna. Trupat ujorë dhe zonat përreth strehojnë lloje të rralla e të rrezikuara të peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve; rreth 155 lloje shpendësh dhe mbi 60 gjitarë, përfshirë rrëqebullin e Ballkanit, ariun, ujkun, kaprollin, vidrën, shkabën, shqiponjën e maleve dhe gjelin e egër. Një pjesë e madhe e tyre figuron në Shtojcat e Direktivës së Habitateve, Direktivës së Shpendëve, në listat e kuqe të IUCN dhe Shqipërisë, duke e bërë këtë zonë kritike për ruajtjen e biodiversitetit. Edhe në anën malazeze të Prokletijes janë evidentuar mbi 2,000 lloje bimësh, 60 prej të cilave të mbrojtura dhe 161 lloje shpendësh. Ndërkohë që kamerat kurth, vitin e kaluar kanë dokumentuar praninë e rrëqebullit, një prej specieve më të rrezikuara në Ballkan.

Ky masiv malor funksionon si një nyje e vetme ekologjike brenda Alpeve Dinarike dhe Brezit të Gjelbër Evropian, çka e bën mbrojtjen e tij një prioritet rajonal dhe evropian.

“Çdo ndërhyrje në Shqipëri ka ndikim edhe në Mal të Zi dhe anasjelltas”, – thotë biologu dhe aktivisti qytetar Vuk Iković, duke kujtuar se zona përfshin edhe shtegun e njohur ndërkufitar “Majat e Ballkanit”.

Por, megjithëse rëndësia ekologjike e Alpeve të Ballkanit është e dokumentuar gjerësisht në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, kjo nuk e pengoi Bashkinë Shkodër dhe qeverinë shqiptare t’i përfshinin në zonat prioritare të zhvillimit.

Në të njëjtën kohë, ndryshimet në udhëzimin që përcakton procedurën e shpalljes së këtyre zonave tregojnë një largim të qartë nga standardet e mbrojtjes së mjedisit. Udhëzimi i parë, i qershorit 2025, kërkonte mbledhjen dhe analizimin e të dhënave socio-ekonomike, mjedisore dhe gjeografike. Por vetëm katër muaj më vonë, një udhëzim i ri i shfuqizoi të gjitha këto kritere, duke e reduktuar procesin në një procedurë që bazohet vetëm në “potencialin ekonomik, industrial apo turistik të zonës”.

Sipas profesor Erjon Muharremajt, ky ndryshim kaq i shpejtë dhe kalimi nga një dokument 70-paragrafësh në një udhëzim me vetëm 30 paragrafë, ngre pikëpyetje serioze.

“Për të shfuqizuar një akt kaq të rëndësishëm pas vetëm katër muajsh do duhej të kishte pasur ndryshime rrënjësore të rrethanave. Por, edhe nëse do të kishte arsye, duhej bërë amendimi i udhëzimit, jo shfuqizimi i tij i plotë”, – thotë ai.

“Legjislacioni pasues zakonisht bëhet më i hollësishëm. Në fakt, ka ndodhur e kundërta, çka përgjithësisht, nuk është tregues i vullnetit për përmirësimin e legjislacionit, por ka arsye të tjera”, – shton më tej eksperti.

Një tjetër element shqetësues i ligjit lidhet me ndryshimin e statusit të pasurive natyrore. Për herë të parë, “Paketa e Maleve” i hap rrugë tjetërsimit të kategorive që deri më sot kanë qenë të paprekshme: pyjeve, kullotave dhe livadheve. Neni 8 i ligjit përcakton se këto pasuri nuk konsiderohen më pronë publike e patjetërsueshme, duke u lejuar t’u nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë dhe zhvillimit. Kjo do të thotë se sipërfaqet pyjore, kullosore apo livadhe mund të humbin statusin natyror dhe të shndërrohen me lehtësi në zona urbane, turistike ose industriale, duke shmangur dhe çdo dokument planifikimi territoral, që ka kaluar edhe në filtra mjedisore.

“Kur zona apo projekte shpallen si “strategjike” ato shpesh anashkalojnë Planet e Përgjithshme Vendore dhe Planet e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, pasi qëllimi është të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik, duke thjeshtuar procedurat administrative dhe përqendruar vendimmarrjen”, – thotë Musai. “Kjo krijon një sistem paralel vendimmarrjeje, ku planifikimi afatgjatë humbet peshën e tij dhe reduktohet në formalitet, ku nuk është më plani që drejton zhvillimin, por e kundërta”, – shpjegon më tej ajo.

Sipas Muharremajt, këto zhvillime nuk mund të kuptohen pa parë edhe ndryshimet e vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, të cilat dobësojnë në mënyrë të ndjeshme mbrojtjen e kategorive më të larta natyrore. Ndryshimet lejojnë zhvillime urbane dhe struktura turistike me pesë yje brenda parqeve kombëtare, madje edhe në nënzonën qendrore, që teorikisht duhet të jetë zonë me mbrojtje strikte.

“Këto janë pasojat katastrofike të ndryshimeve të vitit 2024”, – thotë ai.

Ai kritikon edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025, e cila rrëzoi kërkesën e organizatave mjedisore për shfuqizim të ndryshimeve.

“Ky vendim regresiv i lejon ekzekutivit dorë të lirë për të miratuar leje zhvillimi apo ndërtimi në zonat e mbrojtura”, – shprehet profesori.

Pasoja serioze

Kombinimi i zonave prioritare të zhvillimit me dobësimin e kuadrit të mbrojtjes së mjedisit e vendos në pikëpyetje të ardhmen ekologjike të Alpeve. Zhvillimet e lejuara brenda parkut, pa konsultime publike, pa Vlerësime Strategjike Mjedisore dhe pa verifikim të përputhshmërisë me dokumentet e planifikimit dhe menaxhimit, krijojnë një rrezik real për fragmentimin e habitateve, ndryshimin e përdorimit të tokës dhe humbjen e vlerave natyrore që e bëjnë këtë territor unik në Ballkan. Situata bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh se rreth 72 % e sipërfaqes së zonës së shpallur për zhvillim mbivendoset me nënzonën Qendrore B të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, duke rrezikuar drejtpërdrejt tërësinë ekologjike të parkut dhe ruajtjen e specieve të florës dhe faunës.

Zonat prioritare të zhvillimit brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” Ilustrim grafik: ©Kristi Bashmili

Ndikimet e mundshme negative nuk kufizohen vetëm brenda kufijve administrativë të parkut, por prekin biodiversitetin, lloje dhe habitate me interes për BE-në, ekosistemet ujore dhe korridoret ekologjike ndërkufitare, si edhe objektivat e iniciativave ndërkombëtare si Alpet Dinarike dhe Brezi i Gjelbër Evropian. Në këtë kontekst, çdo zhvillim i pakontrolluar brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” mund të komprometojë funksionin e tij ekologjik dhe rolin e tij si nyje kyçe e ruajtjes së biodiversitetit në rajon.

Në anën malazeze, Parku Kombëtar Prokletije administrohet me kritere të rrepta: ndërtimet janë të kufizuara dhe çdo projekt i nënshtrohet filtrave të fortë mjedisorë dhe ndërkufitarë. Por në Shqipëri, ligji i ri hap rrugë zhvillimeve të mëdha turistike e energjetike, pa asnjë proces të dukshëm koordinimi me autoritetet e Malit të Zi, pavarësisht se bëhet fjalë për të njëjtin ekosistem.

“Nuk kemi absolutisht asnjë informacion”, – thotë kryetari i Komunës së Gucisë, Sanel Balić.

“Gjithçka që ndodh përgjatë kufirit duhet ta dijë qeveria malazeze dhe komunat që kufizohen me këtë zonë. Çfarëdo që ndërtohet atje mund të ndikojë edhe tek ne”, – theksoi ai.

Edhe Marinela Đuretić, drejtoresha e Ndërmarrjes Publike të Parqeve Kombëtare të Malit të Zi, nuk ishte në dijeni se Prokletije në anën shqiptare mund të jetë nën presion të investitorëve. Ajo beson se kjo është një çështje komplekse që kërkon përfshirje në nivel shtetëror.

Ministria e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut nuk u përgjigj nëse është në dijeni të planeve të Shqipërisë apo nëse planifikon të kontaktojë homologët në Tiranë.

Ndryshe nga autoritetet malazeze, Marija Lekić nga Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) është e informuar për zhvillimet e reja ligjore në vendin fqinj. Edhe pse nuk dihet shkalla e projekteve, Lekić thekson se mund të ketë prerje të pyjeve, ndërtim rrugësh dhe vendosje linjash të transmetimit, aktivitete që bien nën veprimin e Konventës së Espoos.

Ajo shton se Shqipëria, si palë që nga viti 1991 është e detyruar të njoftojë në kohë shtetet fqinje për projekte që mund të kenë ndikime përtej kufirit.

Në Shqipëri, Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nuk kthyen përgjigje ndaj një kërkese për koment, duke lënë pa sqarim se si do të mbrohen parqet kombëtare dhe korridoret ekologjike nga zhvillime intensive.

Ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit konfirmoi se nuk është pjesë e procesit të përcaktimit të zonave prioritare të zhvillimit. Në një përgjigje me shkrim AKM tha se roli i saj nis vetëm më pas, në fazën e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për projektet individuale.

Integrimi dhe projektet ndërkufitare, në pikëpyetje

Standardi i dyfishtë i mbrojtjes për Alpet Dinarike rrezikon jo vetëm natyrën, por edhe bashkëpunimin ndërkufitar dhe aksesin në fondet evropiane për projekte të përbashkëta. Drejtoresha e Parqeve të Malit të Zi thekson se BE-ja nuk mbështet politika që lejojnë ndërtim në zona të mbrojtura.

Edhe Progres-Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë ngriti shqetësime, duke vlerësuar se ligji “Paketa e Maleve” “mund të ketë ndikime të rëndësishme në përdorimin e tokës në nivel lokal dhe në menaxhimin mjedisor”.

Nisur nga përvoja personale dhe nga ky vlerësim i Komisionit Evropian, sipas profesor Muharremaj, “mungesa e vullnetit për zbatimin e standardeve mjedisore do të jetë pengesë serioze në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

Banorët e Thethit, si Kristian Gurra, e shohin këtë realitet me pasiguri.

“Është gjithmonë për t’u pasur frikë… nuk po kuptojmë më se çfarë po ndodh. Banorët janë stepur. Nevojë ka për investime, por jo në një klimë ku çdo gjë është e paparashikueshme”, – thotë ai.

Kjo ndjesi pasigurie në terren përkon me paralajmërimet e ekspertëve në të dy anët e kufirit, të cilët frikësohen për ndikime të mundshme negative në mjedisin e Alpeve të Ballkanit dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm.

“Podgorica zyrtare duhet të reagojë”, – thotë biologu dhe aktivisti qytetar Vuk Iković.

Për eksperten e lartë të turizmit Ardiola Alikaj, “për të shmangur skenarin e pasojave të pakthyeshme nevojitet një qasje e kujdesshme, që vendos në qendër kapacitetin mbajtës të zonës së Alpeve, përfshirjen reale të komuniteteve lokale dhe modele turistike më të shpërndara e të qëndrueshme”.

“Me resortet standarde, traditat dhe kulturat vendase shtypen, zhduken ose deformohen, duke u shndërruar në mjete të turizmit dhe jo në gjenerues të një modeli të qëndrueshëm”, – përfundon Musai.

Ky investigim u realizua me mbështetjen e Journalismfund Europe.