Nga Lezha në Fier, frutat e perimet rrezikojnë “zhdukjen” nga ndryshimet klimatike – Flet Abdulla Diku

Intervista
Domatet, specat apo shalqini, që mbushin tryezat tona, rrezikojnë “të zhduken” si pasojë e ndryshimeve klimatike. Eksperti Abdulla Diku thotë se zona nga Lezha në Fier, që korespondon edhe me zonën më prodhimtare në vendin tonë, është më e rrezikuara.

Domatet, specat apo shalqini, që mbushin tryezat tona, rrezikojnë “të zhduken” si pasojë e ndryshimeve klimatike. Abdulla Diku, një ndër ekspertët që është angazhuar për hartimin e raportit vjetor për mënyrën sesi mund të ndikojnë ndryshimet klimatike në vendin tonë thotë se temperaturat do të rriten, ndërsa reshjet do të pakësohen duke ulur sasinë e cilësinë e produkteve dhe “ndezur” konflikte sociale në mbarë botën. Ai shpjegon se zona nga Lezha në Fier, që korrespondon edhe me zonën më prodhimtare në vendin tonë, është më e rrezikuara.

Në vitin 2022, bujqësia përfaqësonte 18.6% të PBB-së totale të Shqipërisë dhe siguronte të ardhurat bazë për 25% e popullsisë së saj. Blegtoria me qumështin e lopës dhe mishin e gjedhit, të ndjekur nga prodhimi bimor janë zërat kryesor të bujqësisë në vendi tonë. Sipas INSTAT, blegtoria zë mbi 50% të bujqësisë, të mbjellat në arë ose të përkohshme përbëjnë 30% dhe prodhimi i frutave, 20%.

Por, pavarësisht kontributit të madh që ka ky sektor në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ai vijon të jetë i nënfinancuar dhe mbijeton me vështirësi. Eksperti paralajmëron rreziqet me të cilat do të përballet ky sektor dhe tregon rrugët që duhet të ndiqen për të mbrojuur prodhimet.

Diku, i gjithë planeti po përballet me ndryshimet klimatike, por a mund të na shpjegoni si do të ndikojnë këto ndryshime tek bujqësia në vendin tonë?

Rritja e temperaturave dhe ndryshimet e modeleve të motit po çon gjithmonë në rendimente më të ulta të prodhimeve bujqësore, për shkak të mungesës së ujit, thatësirës, prezencës së valëve të të nxehtit dhe përmbytjeve në zonat fushore. Këto ndryshime mundet që të ndikojnë shumë tek rreziku që disa nga zonat tona më prodhimtare të kulturave bujqësore të çojnë në dështime të tyre, duke rrezikuar furnizimin e tregut vendas me produktet bazë ushqimore. Gjithashtu, një element tjetër që po ndikon shumë është prania e shumë sëmundjeve që po përhapen me shpejtësi dhe po shtrihen në zona që nuk kanë ekzistuar më parë. Edhe blegtoria, preket nga stresi i madh i nxehtësisë, nga mungesa e ushqimit për shkak të prodhimit të ulët në bujqësi.

Cili është rreziku që i kanoset bujqësisë nga ndryshimet klimatike dhe cilat janë pasojat?

Disa nga kulturat kryesore do të vuajnë shumë për shkak të mungesës së ujit dhe temperaturave shumë të larta. Bimët do të jenë më pak të afta për të kryer proceset metabolike dhe fotosintetike të tyre dhe kjo do të pengojë të marrim edhe rendimentin e dëshiruar prej tyre. Mund të themi që bujqësia rrezikon seriozisht që të ulë produktet dhe sasinë që do të prodhojë. Kjo ka impakt në sigurinë ushqimore të vendit. Perimet, drithërat veçanërisht, foragjeret që furnizojnë blegtorinë, pemëtoret, vreshtat rrezikohen seriozisht nga temperaturat e larta, ulje e rendimentit, ulje e cilësisë dhe rritje e kostos së prodhimit.

Shqipëria “mbahet në këmbë” nga bujqësa, por a mund të flasim për një zonë të caktuar që është më e rrezikuar nga ndryshimet klimatike dhe përse?

Shqipëria është e ndarë në katër zona agroekologjike dhe pjesa më e rrezikuar është pjesa e ulët agroekologjike, e cila përfshin bashkitë nga Lezha deri në Fier, që janë përgjatë vijës bregdatare. Së pari sepse temperaturat priten të rriten më shumë dhe së dyti, rrezikohen nga përmbytjet e lumenjve. Po ashtu rrezikohen të përmbyten edhe nga rritja e nivelit të detit, nga erozioni. Për fatin tonë të keq kjo zonë korrespondon edhe me zonën më prodhuese që kemi.

A ka një kulturë apo grup kulturasht bujqësore që janë më të rrezikuara si pasojë e këtyre ndryshimeve klimatike?

Të gjitha kulturat bujqësore rrezikohen, por në krye të listës janë ato kultura që kërkojnë shumë ujë dhe njëkohësisht janë më të ekspozuara ndaj thatësirës. Nga drithrat më i rrezikuar është misri, pasi sezoni vegjetativ i bimës përkon edhe me periudhën më të nxehtë, verën, që do të thotë ka më pak reshje. Pothuajse të gjitha perimet që kultivohen në fushë të hapur dhe konsumojnë shumë ujë, siç është domatja, kastraveci, speci, shalqini janë të rrezikuara nga ndryshimet klimatike.

Si do të ndikojnë në jetën tokë të përditshme, por edhe të planetit këto ndryshime që afektojnë bujqësinë?

Do të jetë një kohë dhe periudhë më stresuese për të gjithë konsumatorët, pasi do të përballen me sasi dhe cilësi më të kufizuar të produkteve, pavarësisht sesa do të avancojë teknologjia. Por më të prekurit do të jenë fermerët, të cilët e kanë lidhur jetën e tyre me bujqësinë apo blegtorinë. Fermerët mund të përballen me humbje të mëdha financiare, po edhe konsumatorët, pasi do të rritet kostoja e produkteve. Do të kërkohen më shumë trajtime për t’i mbrojtur nga dëmtuesit, për ti mbrojtur nga ngjarjet ekstreme të motit, siç janë rreshjet e breshërit apo erërat. Afrika pritet të ketë pasojat negative më të mëdha. Kjo do të krijojë konflikte të reja sociale, do të krijojë nivel të lartë emigracioni, pra njerëzit do të duan të ikin nga zona të tilla ku jetesa mund të bëhet e pamundur dhe do të vijnë drejt zonave më të përshtatshme, me kushte më të moderuara klimatike.

Çfarë duhet të bëjnë ata që merren me bujqësi përballë këtyre ndryshimeve që pritet të cenojnë këtë sektor?

Fermerët në këto kushte duhet të këshillohen me ekpertë të fushës, për të gjetur mënyrat se si ti përshtasin më mirë punët dhe aktivitet e tyre ndaj këtyre ndryshimeve klimatike. Pra duhet të vihet shkenca në dispozicion të fermerëve. Shërbimi këshillimor bujqësor dhe ai veterinar duhet të jenë në pararojë dhe në kontakt të vazhdueshëm me fermerët. Nga ana tjetër duhen investime teknologjike për të mbrojtur kulturat bujqësore dhe blegtorinë si dhe mënyra sesi do të ruhen këto produkte me qëllim që të vijnë me cilësi dhe sasinë e duhur. Shërbimi agronomik dhe ai veterinar duhet t’i paraprijë procesit të ndryshimeve klimatike, sigurisht duke u ndihmuar nga pajisjet teknologjike.

A është në rrugën e duhur Shqipëria për t’u përballur me rreziqet që i kanosen bujqësisë?

Shqipëria nga ana e programeve dhe strategjive është në rrugën e duhur për t’u përballuar me rreziqet për ndryshimet klimatike. Por kjo është vetëm në aspektin teorik, pasi në praktikë bujqësia, ashtu si edhe mjedisi janë dy sektorët më të neglizhuar momentalisht. Që do të thotë se pa burime financiare ka pak mundësi përshtatjeje me ndryshimet klimatike. Në praktikë, Shqipëria është shumë e ekspozuar nga ndryshimet klimatike dhe rrezikon seriozisht çdo cm katror të vendit. Zona më e rrezikuar është ajo bregdetare për shkak të erozionit bregdetar, por edhe ajo kontinentale. Erozioni dhe degradimi i tokës bëjnë që rreziku të shtohet më shumë, të pakësohen produktet, po ashtu sipërfaqja kullosore për blegtorinë të jetë më e pakët. Po ashtu, duke qenë se nuk po investohet asgjë në erozionin bregdetar apo mbrojtjen e përmbytjeve që shkaktojnë lumenjtë bëjnë që Shqipëria nuk është aspak në rrugën e duhur për t’u përballur me këto rreziqe.

Cila është pika e dobët e politikave që po ndiqen për këtë sektor?  

Pika e dobët është mungesa e bashkëpunimit ndërsektorial. Nëse shohim strategjinë për zhvillimin e sektorit bujqësor do të shohim se inkurajohet përdorimi i blegtorisë që kullot në pyje, por nëse sheh politikat për pyjet vëren që ka një mbipërdorim të sipërfaqeve pyjore, që ndikohet edhe nga bujqësia apo ndryshimi i sipërfaqes së tokës nga pyje në përdorim bujqësor. Pra, mungesa e bashkëpunimit ndërsektorial është një minus i madh, ndërkohë që politikat sektoriale e kanë të adresuar çështjen e ndryshimeve klimatike si për bujqësinë ashtu edhe për pyjet.