Nga Ola Mitre
Parlamenti Evropian ka publikuar tekstin e plotë të rezolutës mbi Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025, duke konfirmuar shqetësimet për zhvillimet në zonat e mbrojtura dhe përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës.
Dokumenti i miratuar më 17 qershor 2026 bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, si dhe shpreh shqetësim serioz për ligjin “Për investimet strategjike” dhe zhvillimet e fundit në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë–Nartë. Në një nga pikat më të forta të rezolutës, eurodeputetët përveçse kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, bëjnë thirrje për vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi për lejet e reja, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda këtyre territoreve, si dhe respektimin e plotë të Direktivës së Habitateve dhe Direktivës së Shpendëve.
Rezoluta prek gjithashtu edhe çështje të tjera të Kapitullit 27, duke shprehur shqetësim për mungesën e progresit në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike gjatë periudhës së raportimit. Eurodeputetët i bëjnë thirrje Shqipërisë të përshpejtojë zbatimin e strategjive të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe reformimin e sektorit të menaxhimit të mbetjeve, përmes përmirësimit dhe centralizimit të sistemeve të grumbullimit dhe trajtimit të tyre.
Më poshtë janë 4 pikat e rezolutës (pikat 46- 49) që lidhen me mjedisin, zonat e mbrojtura dhe kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë në kuadër të Kapitullit 27 të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Parlamenti Evropian:
- Merr shënim njoftimin e qeverisë shqiptare se do të reformojë sektorin e menaxhimit të mbetjeve në vend, duke centralizuar dhe përmirësuar grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve; vëren me shqetësim, megjithatë, se sipas vlerësimit të Komisionit, gjatë periudhës së raportimit nuk ka pasur përparim në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike; i bën thirrje qeverisë shqiptare të prioritizojë zbatimin e strategjive të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, si dhe të mbështesë rritjen ekonomike të qëndrueshme;
- Shpreh keqardhje të thellë për faktin se ligji shqiptar i vitit 2015 “Për Investimet Strategjike” është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të dhënies së lejeve dhe reduktim të kontrollit mjedisor, gjë që rrezikon të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera mjedisore të ndjeshme; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore;
- Thekson faktin se Komisioni Evropian e ka paralajmëruar Shqipërinë kundër veprimeve që mund të ndikojnë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, në kushtet e protestave të vazhdueshme në nivel kombëtar kundër një projekti zhvillimi luksoz në shkallë të gjerë, i cili kërcënon një zonë të mbrojtur të jetës së egër ku gjenden flamingo, foka dhe zona folezimi të breshkave; në këtë drejtim, i bashkohet kritikave të Komisionit dhe kujton se përafrimi me rregullat mjedisore të Bashkimit Evropian, përfshirë Direktivën e Shpendëve dhe Direktivën e Habitateve, është një parakusht për anëtarësimin në BE;
- Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet që po ndodhin në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë demonstrojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zona me vlera të njohura ekologjike; ndjek nga afër protestat masive dhe paqësore që po zhvillohen në lidhje me këtë çështje; i bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa dispozitat e papajtueshme të ligjit të ndryshuar “Për Zonat e Mbrojtura” të jenë shfuqizuar, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian dhe në përputhje me kushtet për mbylljen e Kapitullit 27; si dhe derisa të garantohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.