Shqiptarët duket të jenë më të shqetësuarit në rajon sa i përket ndryshimeve klimatike, sipas gjetjeve të Barometrit të Ballkanit për vitin 2023, të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Të pyetur sesa problematik e vlerësojnë ndryshimin klimatik për shëndetin e tyre dhe të familjeve të tyre, 65% e shqiptarëve të anketuar përgjigjen si shumë problematik ose disi problematik, dhe vetëm 34% përgjigjen si problematikë jo serioze. 1% e të anketuarve ndërkohë nuk kanë një përgjigje në lidhje me këtë pyetje.
Norma prej 65% e vendos Shqipërinë në vend të parë në rajon në mënyrë të padiskutueshme. Pas nesh në renditje pozicionohet Maqedonia e Veriut, me 56% të qytetarëve që i shohin me shqetësim ndryshimet klimatike. Më pas vjen Serbia me 51%, Bosnje Hercegovina me 45%, Kosova me 40% dhe Mali i Zi me vetëm 33%. Mesatarja e rajonit ndërkohë fiksohet pranë 49%.
Sipas Barometrit, norma prej 65% e atyre që janë të shqetësuar për ndryshimin klimatik si fenomen kërcënues për shëndetin e tyre dhe të familjes së tyre ndahet në: 24 pikë përqindje ata që e mendojnë si “shumë serioz” dhe 41 pikë përqindje ata që e mendojnë si “disi serioz”. Të pyetur ndërkohë për rreziqet dhe problematikat kryesore mjedisore, 38% e shqiptarëve vendosin theksin te fenomemet ekstreme të motit, si përmbytjet apo thatësirat, duke na vendosur sërish të parët në rajon në këtë drejtim.
Kur pyeten për shqetësimet konkrete, shqiptarët ndalen tre pika kryesore. E para lidhet me ndotjen e ajrit dhe ujit, ndërkohë që dy të tjerat lidhen me kushtet e motit dhe menaxhimin e dobët të mbetjeve. Sa i përket kushteve të motit, frika më e madhe vjen edhe nga ngjarjet që kanë prekur vitet e fundit vendin tonë, si zjarret apo përmbytjet, duke marrë shkas nga fakti që kemi qenë të papërgatiur. Nga ana tjetër, po në të njëjtin kapitull të Barometrit të Ballkanit, kur flitet për Tranzicionin e Gjelbër, shqiptarët shprehen se pengesa më e madhe për vendin është mungesa e vullnetit nga ana e qeverisë, por edhe nga vetë qytetarët.
Edhe në gjetjet e Barometrit të vitit të kaluar, Shqipëria ishte në vend të parë për shqetësimin ndaj ndryshimeve të klimës, por asokohe përqindja e atyre që i vlerësonin si problematike për shëndetin e tyre dhe të familjeve të tyre fiksohej pranë plot 76%.