“Ndotje ajri”, shkollat pa perfomancë energjie ndikojnë mjedisin e shëndetin

Intervista, Ngjarje
Mungesa e performancës energjetike në shkolla ndikon ndjeshëm dhe drejtpërdrejt në receptorët e mjedisit, teksa më të prekshëm janë ajri i brendshëm dhe ai i jashtëm”.
Kristi Bashmili, ekspert i mjedisit dhe klimës

Nga Ola Mitre

Mungesa e performancës energjetike në shkolla ndikon ndjeshëm dhe drejtpërdrejt në receptorët e mjedisit, teksa më të prekshëm janë ajri i brendshëm dhe ai i jashtëm”. Deklarata vjen nga eksperti i mjedisit dhe klimës Kristi Bashmili, i cili është një nga autorët e studimit “Rindërtim dhe rinovim i godinave ekzistuese të shkollave në Shqipëri për një zhvillim të qëndrueshëm”, që u fokusua te auditimi energjetik i shkollave, në 5 qytete të ndryshme. Në këtë intervistë, dhënë për “EkoSkaner” Bashmili flet për analizën e kryer që nxorri në pah se ndërtesat e shkollave të marra në studim nuk rezultojnë të jenë eficiente nga pikëpamja energjetike dhe paraqesin një sërë problemesh në drejtim të kushteve ku zhvillohet procesi mësimor. Po ashtu, analiza tregon ndikimin negativ që sjell kjo situatë në mjedis e shëndet, duke thekusar nevojën për ndërhyrje.

Z. Bashmili, ku konsistoi studimi i ndërmarrë dhe përse janë zgjedhur 5 qytete të ndryshme në vend?

Studimi është realizuar në kuadër të projektit “Rini eficiente”, zbatuar nga organizata All Green Centre, me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Pjesë e tij janë 5 shkolla në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës dhe Elbasanit. Për të qenë më konkret, në studim u përfshinë shkollat “Mustafa Qemal Ataturk” në Vlorë , “Bajram Curri” në Durrës, “Kolë Idromeno” në Shkodër, “Vasil Kamami”, në Elbasan, , dhe “Arben Broci” në Tiranë. Pozicioni gjeografik dhe klima e çdo qyteti kanë një ndikim të thellë në projektimin dhe zhvillimin e godinave, gjë që kërkon qasje dhe kujdes të veçantë në përshtatjen e tyre me mjedisin dhe nevojat lokale. Ndaj, studimi i godinave në pesë qytetet e Shqipërisë është zgjedhur me kujdes në bazë të pozicionit gjeografik të secilit prej tyre. Kjo përzgjedhje kishte për qëllim të analizonte ndryshimet në kërkesat dhe nevojat e ndërtesave në funksion të klimës dhe lokalizimit të tyre. Sa i takon ndërlidhjes me mjedisin, normalisht performanca energjetike e një ndërtese ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në receptorët mjedisorë, ndaj analiza e kryer identifikon ndikimin në receptorët e mjedisit, duke pasur parasysh diversitetin gjeografik të vendndodhjeve, kushtet klimatike të ndryshme, gjendjen e ndërtesave në vetvete, si dhe ndikimet kumulative që mund të ndodhin në secilën zonë.

Të ndalemi fillimisht te gjetjet kryesore në drejtim të performancës energjetike. Çfarë rezultoi nga analiza e kryer?

Nga vëzhgimet në terren, matjet dhe nga analiza e kryer rezultoi se shkollat e përfshira në studim përballen me çështje të humbjes së ngrohtësisë dhe praninë e lagështisë. Gjithashtu, në fasadat e tyre vëreheshin lehtësisht dëmtimet si pasojë e degradimit nga kushtet atmosferike dhe mosha relativisht e lartë, pasi duhet thënë se këto shkolla janë të ndërtuar shumë vite përpara. Në këtë situatë, është e rëndësishme të theksohet se këto shkolla nuk ofrojnë kushte optimale për zhvillimin me standard të funksionit të tyre primar. Problematikë kryesore mbetet temperatura jo konstante (ftohtë në dimër dhe nxehtë në verë) dhe optimale për një klasë mësimdhënie, lagështia në mure, prania e mykut në ambientet e mësimdhënies etj. Normalisht, si pasojë e kushteve jo të favorshme, nxënësit dhe mësuesit mund të përballen me mungesën e komoditetit në klasa dhe zyra, probleme shëndetësore, kryesisht të aparatit respirator dhe alergjive, humbje të vëmendjes në mësim, si dhe vështirësi në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Ju thatë që performanca energjetike e një ndërtese ndikon te receptorët mjedisorë. Më konkretisht si “preket” mjedisi në rastin e godinave joeficience nga pikëpamja energjetike?

Është e vërtetë që performanca energjetike, shkalla e konsumit të energjisë, performanca termike e godinave, si dhe shkalla e amortizimit të tyre, ndikon ndjeshëm dhe drejtpërdrejt në receptorët e mjedisit. Më të prekshëm mund të jenë ajri i brendshëm dhe ai i jashtëm. Gjithashtu, më të prekshëm janë edhe kontributi në ndryshimet klimatike dhe shfrytëzimi i shtuar i burimeve natyrore për prodhimin e energjisë së kërkuar.

Më konkretisht, cili është ndikimi në cilësinë e ajrit, qoftë të brendshëm ashtu edhe në ajrin e jashtëm?

Për një numër të madh nxënësish dhe mësuesish që kalojnë ditët e tyre brenda shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, problemet e cilësisë së ajrit të brendshëm mund të jenë një shqetësim i rëndësishëm për shëndetin e tyre. Të gjitha llojet e shkollave, të vjetra apo të reja, të vogla apo të mëdha, mund të përjetojnë probleme me cilësinë e ajrit të brendshëm. Megjithatë, te godinat, në të cilat shfaqen problematika të theksuara në ruajtjen e temperaturës, apo lagështisë, si dhe pamundësinë për të siguruar higjienë, problemet me cilësinë e ajrit dhe shëndetin, mund të kthehen vërtet në çështje serioze. Ndotësit kryesorë të ajrit të brendshëm përfshijnë NOx, komponimet organike të paqëndrueshme (VOC), SO2, O3, CO, PM, myku dhe mikroorganizma, si dhe kimikate të çliruara në varësi të aktiviteteve të ndryshme (përdorimi i ngjitësve në shkollë, ngjyrave etj.) Varësisht kushteve të godinave, burimit të energjisë për ngrohje dhe aktiviteteve të ndryshme në shkolla, përqendrimi dhe lloji i ndotësit, mund të ndryshojë.

Në disa prej shkollave të marra në studim, evidentohet lehtësisht lagështia dhe myku në muret e klasave. Cilat janë problemet që shkaktohen nga kjo situatë?

Lagështia në ajër ka efekt të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në mjedisin e brendshëm dhe cilësinë e godinës. Po kështu, lagështia ka efekte direkte dhe indirekte në shëndetin e njeriut. Efektet e drejtpërdrejta të niveleve të lagështisë së godinës janë të dukshme: kjo ndikon në komoditetin e përdoruesve. Ndërkohë që, efektet indirekte të niveleve të lagështisë në godinë nuk janë aq të dukshme. Këto efekte indirekte rrjedhin nga ndërveprimet e lagështisë me ndotësit e ajrit të brendshëm. Një nga mënyrat kryesore sesi lagështia ndikon në cilësinë e ajrit të brendshëm është duke ndikuar drejtpërdrejt në ndotësit e ajrit të brendshëm. Sasia e avullit të ujit në ajër mund të rrisë ose të zvogëlojë përqendrimin e ndotësve. Nëse një ndotës i ajrit është një problem në shtëpi apo shkollë, pjesërisht varet nga niveli i lagështisë së ambientit. Gjithashtu, lagështia e tepërt e ambienteve të brendshme degradon materialet me kalimin e kohës, duke përkeqësuar ndotjen e ajrit të brendshëm. Po ashtu, hulumtimet kanë treguar se nivelet më të larta të lagështisë çojnë në erëra, grimca dhe avuj gjithnjë e më irrituese në ambiente të mbyllura. Me fjalë të tjera, lagështia e tepërt e brendshme zvogëlon komoditetin e përdoruesve duke përkeqësuar cilësinë e ajrit të brendshëm. Nivelet e larta të lagështisë së brendshme ndikojnë në rritjen e mundshme të mikroorganizmave në sipërfaqet e ndërtesave, potencialin e bioaerosoleve, aftësinë e dëmtuesve për të mbijetuar dhe për t’u përhapur, rritjen e mykut, si dhe qarkullimin e patogjenëve infektivë në ambiente të mbyllura. Pra, lagështia luan një rol të madh në këtë kategori të ndotësve. Mbijetesa e organizmave dhe shkalla e rritjes dhe riprodhimit përcaktohen nga niveli i lagështisë së brendshme. Prandaj, lagështia është një faktor kyç në praninë ose mungesën e ndotësve biologjikë në ambiente të mbyllura. Ndotësit e ajrit të brendshëm ndikojnë në cilësinë e jetës së përdoruesve të këtyre ndërtesave. Ata ndikojnë në komoditetin, shëndetin (rrugët respiratore, astma, alergjitë) dhe mirëqenien e njeriut, në periudhën aktuale dhe afatgjatë. Ndotësit e ajrit të brendshëm ndikojnë gjithashtu në uljen e produktivitetit, shëndetin mendor dhe ulin përqendrimin. Për këtë arsye, çdo gjë që ndikon në nivelin e përqendrimit të ndotësve dhe rrjedhimisht në nivelin e ekspozimit ndaj tyre, ka rëndësi. Ndaj gjej rastin të theksoj se kujdesi për parandalimin e ndotësve të ajrit të brendshëm në ambientet e shkollave, mbetet një sfidë që kërkon zgjidhje të shpejta në kohë dhe sa më të qëndrueshme.

Po në drejtim të ajrit të jashtëm?

Performanca energjetike e një godine, e shkollave në këtë rast, lidhet ngushtë me ndikimin që mund të ketë në prishjen e cilësisë së ajrit. Në varësi të burimit të energjisë për ngrohjen dhe ftohjen e ambienteve në shkolla, si dhe proceseve të ndryshme përgjatë aktiviteteve, varet edhe shkalla e ndotjes dhe llojet e elementeve të shkarkuar në ajër. Veçanërisht çlirohen grimca të imta PM, së bashku me monoksid karboni (CO), komponimet organike të paqëndrueshme (VOC), dyoksidi i karbonit (CO2), oksidet e squfurit (SOx) dhe oksidet e azotit (NOx). Ekspozimi në kohë të gjatë ndaj këtyre ndotësve paraqet shqetësim serioz për shëndetin e njerëzve, pasi shton riskun për probleme kardiovaskulare, probleme me rrugët e frymëmarrjes e deri në humbje jete. Më të rrezikuar janë individët e moshës së tretë, fëmijët dhe personat që vuajnë nga probleme të zemrës apo mushkërive. Gjithsesi, duhet theksuar se shkollat janë kontribues relativisht të vegjël të ndotjes së ajrit, përveç rasteve kur ngrohja realizohet me soba apo kaldaja që përdorin lëndë djegëse të ngurtë (dru, pellet, qymyr etj.), apo hidrokarbure.

Cili është ndikimi në shfrytëzimin e burimeve natyrore, si pasojë e performancës së ulët energjetike në shkolla?

Analiza e kryer na tregoi se godinat e shkollave të studiuara kanë përformancë të ulët energjetike, kryesisht në humbjet termike të mureve perimetrale dhe çarjeve të dyerve dhe dritareve. Si rrjedhojë, konsumi i energjisë për sigurimin e temperaturës optimale në ambientin e shkollës, kërkon të konsumojë sasi relativisht të lartë energjie. Në këtë situatë, garantimi i komoditetit në kushtet aktuale, shton ndjeshëm presionin në shfrytëzimin e burimeve natyrore, varësisht burimit të energjisë së përzgjedhur për ngrohje dhe ftohje të ambienteve të shkollës. Në aspektin teorik, ndikimi negativ mund të jetë në sajë të Shtimit të nevojës për energji elektrike, pasi godinat me performancë të ulët kanë nevojë për më tepër energji. Si pasojë, shpesh sjellin nevojë për rritjen e kapacitetit të infrastrukturës së energjisë elektrike dhe shfrytëzimit të burimeve të reja të prodhimit të saj. Konkretisht, shtimin e hidrocentraleve, shtimin e sipërfaqeve me parqe fotovoltaike dhe eolike, shfrytëzimin e lëndës djegëse për prodhim energjie etj. Të gjitha këto zhvillime, kanë apo mund të ndikojnë negativisht në receptorët natyrorë, të tillë si: dëmtimi i ekosistemeve lumore, tjetërsim i habitatit, ndotja e ajrit etj. Gjithashtu, kemi ndikim në drejtim të shfrytëzimit të pyjeve. Në rastet kur si burim nxehtësie përdoren sobat me dru zjarri, presioni bie direkt në shfrytëzimin e pyjeve. Nëse shfrytëzimi i drurit për prodhimin e energjisë ndodh pa praktika të qëndrueshme, ai mund të çojë në shkatërrim të pyjeve dhe humbje të biodiversitetit. Ndikimi i shfrytëzimit të lartë të pyjeve përfshin humbjen e habitateve natyrore, ndotjen e ajrit dhe në përkeqësimin e ndryshimit të klimës. Një tjetër ndikim lidhet me konsumin e hidrokarbureve. Në rastet kur aplikohet, përdorimi i lartë i energjisë nga burimet e hidrokarbureve, siç janë gazi natyror dhe nafta, ka ndikim të lartë negativ në mjedis. Djegia e tyre shkakton emetime të gazrave me efekt serrë dhe ndotës në atmosferë.

Çfarë duhet bërë për të ndryshuar këtë situatë?

Për të zvogëluar ndikimin negativ të konsumit të lartë të energjisë në shfrytëzimin e burimeve natyrore, është e rëndësishme të merren masa për rritjen e përformancës energjetike të godinave, si dhe të aplikohen burime të energjisë së rinovueshme, me gjurmë sa më të vogël në mjedis. Studimi i kryer nga ana jonë është publik dhe gjithashtu iu është dërguar bashkive përkatëse. Në këtë dokument trajtohen gjerësisht rekomandime konkrete dhe masa që mund të aplikohen. Kjo duke marrë në konsideratë ndikimin pozitiv që sjellin këto ndërhyrje në receptorët mjedisorë dhe shëndetin e njeriut, veçanërisht të përdoruesve të shkollave.