Nga Ola Mitre
Gjatë një tryeze mbi reformën territoriale dhe decentralizimin fiskal, të zhvilluar në shtator të vitit 2014 ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani njoftoi ndryshime ligjore për të rritur përfitimet e pushtetit vendor nga taksa e rentës minerare. Ligji i asaj kohe kërkonte që 25% e të ardhurave të rentës t’iu jepej bashkive ku ushtrohej aktiviteti i industrisë nxjerrëse, por shumat nuk transferoheshin për shkak të kufizimeve të tjera ligjore.
“Realisht ka qenë 25%, por ky 25% nuk është se kalonte”, – thotë Adelina Farrici, drejtore e Shoqatës për Autonominë Vendore.Amendimet synonin që situata të ndryshonte në favor të bashkive që janë të pasura me minerale apo naftë e që pësojnë dëmet më të mëdha në mjedis e infrastrukturë si pasojë e aktivitetit nga kjo industri.
“Ky është një shans, që ne të rilindim financat e pushtetit vendor mbi rrënojat e modelit të vjetër, duke i bërë gjërat ndryshe”, – tha Cani në atë kohë.
Ligji i ri përcaktoi se 5% e të ardhurave nga renta minerare do i takonte pushtetit vendor ku zhvillohet veprimtaria.
“Në momentin e kësaj vendimmarrjeje ka qenë më mirë më pak dhe renta të kalojë te pushteti lokal që nuk është në fakt e mirë. Do të ishte mirë të mbetej e njëjta fashë dhe të kalonte renta te pushteti lokal”, – kujton Farrici.
Megjithatë, 10 vjet më pas të dhënat e përpunuara nga “EkoSkaner” tregojnë se bashkitë nuk e marrin ende të plotë vlerën që iu takon. Vetë bashkitë ankohen për procedura rakorduese që vështirësojnë përfitimin e parave, ndërsa shtojnë se kërkesat shumëvjeçare për rritjen e pjesës takuese për pushtetin vendor kanë rënë në vesh të shurdhër.
Sipas ekspertëve të ardhurat nga renta nuk mund të krahasohen me impaktin negativ që kanë në infrastrukturë dhe mjedis industritë nxjerrëse, duke kërkuar rritjen e përfitimeve për këto bashki që kanë nivel të lartë varfërie, pavarësisht pasurive natyrore të tyre. Ata kritikojnë mungesën e reagimit nga qeveria qendrore, ndërsa kërkojnë jo vetëm rritjen e përfitimeve, por edhe kushtëzimin e fondeve për përmirësimin e gjendjes në mjedis, që pasohet me përmirësimin e jetesës dhe shëndetit të qytetarëve.
Pak përfitime, shumë dëme!
Renta minerare është një taksë që paguhet nga kompanitë që operojnë në industrinë nxjerrëse në momentin e shitjes së produktit. Për hidrokarburet, renta llogaritet duke aplikuar një normë prej 10%, për kromin, bakrin dhe hekur-nikelin, ajo është në masën 6%, ndërsa për mineralet e tjerë varion nga 4%-10%. Nga viti 2018 deri në korrik 2024, sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga Ministria e Financave buxheti i shtetit ka arkëtuar rreth 23 mld lekë, ndërkohë që bashkive iu është transferuar rreth 1 mld lekë apo vetëm 4.5% e shumës. Vlera e munguar në buxhetet bashkiake si pasojë e këtij mosrealizimi është mbi 151 mln lekë. Më keq rezulton viti 2024, me vetëm 1% të rentës së transferuar pranë bashkive.
Për të përfituar, njësitë e vetëqeverisjes vendore, çdo muaj duhet të kryejnë rakordimin me Degët e Tatimeve dhe Doganave, për rentën minerare të mbledhur nga subjektet taksapaguese, ndërsa këto të fundit dërgojnë në Ministrinë e Financave buxhetin që duhet t’iu transferohet bashkive. Kjo procedurë cilësohet burokratike nga shumë bashki, teksa fajësojnë Ministrinë e Financave për mosreagim.
“Hasim vështirësi për arsye se nga institucionet tatimore dhe doganore nuk vjen informacioni i detajuar”, – tha në përgjigjen me shkrim Bashkia Mallakastër. Edhe Bashkia Selenicë pohoi se has vështrësi për përfitimin e rentës, ndërsa Bashkia Prrenjas e konsideroi sfidë procesin e rakordimeve mujore, për shkak të vonesave në marrjen e informacionit të detajuar nga institucionet përkatëse. Bashkia Kuçovë tha se nuk bën fare rakordime mujore, pasi asnjëherë nuk iu është dhënë informacion për numrin e subjekteve në doganë dhe në Ministrinë e Financave. “Kjo, edhe pse është kërkuar disa herë nga ana jonë me shkresa zyrtare”, – tha kjo bashki, ndonëse sipas Ministrisë së Financave në 7 vitet e fundit kjo njësi e qeverisjes vendore ka përfituar rreth 9.7 mln lekë.
“Ka disa variabla në përllogaritjen e kësaj rente dhe duke patur disa variabla, patjetër që ka disa institucione që duhet të bashkëpunojnë me njëri – tjetrin, që janë tatimet, janë doganat, është Ministria e Financës dhe të gjitha këto të dhëna duhet të kalojnë tek pushteti lokal. Ne nga komunikimet që kemi patur me bashkitë, disa prej bashkive paraqesin edhe problematikën e mungesës së të dhënave, kërkesën që bëjnë pranë këtyre institucioneve dhe jo një koordinim i saktë dhe jo një klimë e mirë bashkëpunimi midis institucioneve”, – thotë Farrici.
“Kemi propozuar që të shkurtohen procedurat burokratike dhe bashkitë ta kenë në kohë reale, të përllogarisin masën e përfitimit nga renta minerare, pasi do iu duhet edhe për parashikimin e buxheteve të tyre”, – shton ajo.
Sipas një vlerësimi të kryer nga Shoqata për Autonomi Vendore dhe Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, 25% e bashkive zotërojnë në territorin e tyre pasuri të mëdha natyrore dhe në to ndodhen 40 – 48% e licencave aktive. Ndër më kryesoret janë Bulqiza, Patosi, Kukësi, Roskoveci, Selenica, Dimali, Skrapari, Fushë-Arrëzi, Mati, Mallakastra, etj.
“Fatkeqësisht, të gjitha bashkitë ku zhvillohet pjesa më e madhe e aktivitetit minerar janë shumë të varfra. Janë bashki shumë të vogal në përmasa, si nga numri i popullsisë, ashtu edhe nga numri i biznesvee që operojnë në territor, por janë edhe bashki që kanë mundësi financiare shumë të kufizuara”, – thotë Merita Toska, eksperte e financave vendore.
“Kemi Kukësin, Hasin, Bulqizën që janë bashki që nuk kanë mundësi. Çfarë do t’i thuash Bashkisë Bulqizë që në territorin e saj ka vetëm 100 biznese?! Popullsi nuk ka. Burimi i të ardhurave të asaj bashkie biznesi dhe popullsia janë”, – shton ajo.
“Janë kryesisht bashki që kanë një nivel ekonomik jo të kënaqshëm dhe me probleme të mprehta sociale”, – thotë Farrici.
Përveç varfërisë, komunitetet që jetojnë në këto zona vuajnë pasojat negative që vijnë nga aktivitetet e industrisë nxjerrëse. Sipas ekspertit, Abdulla Diku ushtrimi i këtyre aktiviteteve prek të 3 komponentët e mjedisit, që janë uji, toka dhe ajri.
“Sigurisht që ka ndikim negativ të drejtëpërdrejtë në mjedis, por edhe të mëpasshëm në të tre komponentët. Në mendimin tim industria më ndikuese është ajo e nxjerrjes së mineralit të bakrit. Cilësia e ujërave ndikohet më shumë nga kjo industri.Po ashtu, minierat e kromit kanë impakt mjaft të madh negativ në mjedis, si nga përmbajtja e lëndëve shpërthyese që përdorin në sistemin minerar, ashtu edhe në cilësinë e ujërave, që pastaj shoqërojnë këto galeri, deri në lumenjtë kryesorë”, – thotë Diku.
“E njëjta gjë është edhe me industrinë e nxjerrjes apo përpunimit të naftës, që ndikimin më të madh e ka fillimisht në ajër për shkak të avullimit të hidrokarbureve që e shoqërojnë, por ndikimi akumulues është si në tokë dhe ujë. Veçanërisht janë të pashpërbëshëm materialet që derivojnë nga industria e naftës. Ngjajnë pak a shumë me plastikën, pra duhen dekada, shekuj që të shpërbëhen”, – shton ai.
Për të zbutur këto efekte pjesën më të madhe të barrës e kanë kompanitë që ushtrojnë aktivitetin, por edhe bashkitë kanë detyrime në drejtim të përmirësimit të gjendjes në mjedis.
“Secili nga këta sektorë ka masa që nuk është se e zhbëjnë totalisht impaktin negativ tek njeriu apo në ekosistem, por e minimizojë atë, e sjellin të paktën në parametra minimalë që duhet të ketë”, – thotë Diku.
Megjithatë, në mungesë të të ardhurave ndërhyrjet nga ana e bashkive duken të pamundura. Unanimisht, 14 bashki të pyetura nga “EkoSkaner” pohuan se transferta në masën 5% për pushtetin vendor është shumë e vogël dhe e pamjaftueshme për mbulimin e nevojave të komunitetit.
“Jo vetëm me të ardhurat nga renta që nuk arrjnë të rehabilitojnë ato territore ku shkaktohet dëmi, por edhe me të ardhurat nga burime të tjera bashkitë e kanë të pamundur t’i rehabilitojnë këto mjedise. Rikthimi i vlerave të ekosistemit pas shkatërrimit që i bëhet është tepër i kushtueshëm dhe buxhetet vendore nuk kanë burime të mjaftueshme financimi që të arrijnë ta ripërtërijnë mjedisin ku shkaktohet dëmi”, – thotë Toska.
Paralelisht, edhe investimet në infrastrukturë, që do të rrisnin cilësinë e jetës së komuniteteve që jetojnë në këto zona duken të vështira.
“E para, nëse do jenë projekte mjedisore direkt kalon te shëndeti i komuniteti dhe kjo është numri 1. Ndërkohë përmirësimi i infrastrukturës patjetër që është edhe në funksion të zhvillimit ekonomik të komunitetit, është në funksion të një standardi dhe të një cilësie më të mirë jetese. Pra, gjithçka shkon në shërbim të komunitetit”, – thotë Farrici.
Renta për bashkitë duhet të rritet!
Disktutimi për ndarjen e rentës mes pushtetit qendror dhe atij vendor nuk është i ri. Bashkitë e pasura me burime natyrore i thanë “EkoSkaner” se thuajse në çdo takim të zhvilluar me Ministrinë e Financave kanë kërkuar rritjen e pjesës takuese në favor të tyre. Por, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme, deri më tani nuk ka asnjë ndryshim. Edhe një vendim i vitit 2018, i Grupit Ndërministror të Punës për Hartimin e një Platforme Afatgjatë për Zhvillimin e Zonave me Aktivitet në Industrinë Nxjerrëse dhe Përpunuese, që kërkonte rritjen e transfertës deri në 50%, ka mbetur në letër. Grupi i punës ishte në varësi të kryeministrisë, ndërsa vendimi i kërkonte Ministrisë së Financave të propozonte ndryshimet ligjore, duke theksuar se paratë do të duhej të përdoreshin për projekte me vlerë sociale, siç janë spitalet, qendrat shëndetësore, shkolla, çerdhe, qendra sporti, rrugë, etj, si dhe për përmirësimin e mjedisit.
“Është krejt normale të themi që këto pasuri janë kombëtare, nuk janë pasuri locale. Por patjetër që ne nuk themi që kjo taskë të jetë totalisht lokale, por përqindja e kalimit për pushtetin lokal të jetë pak më e madhe sesa 5%”, – thotë Farrici.
“Niveli 5% i të ardhurave nga renta minerare që përfitojnë bashkitë është jashtëzakonisht shumë i ulët, në qoftë se ne e krahasojmë me vlerën e lëndëve të para që merren nga këto bashki dhe dëmet që shkaktohen në mjedisin e këtyre bashkive”, – thotë Toska.
Në të njëjtën linjë është edhe eksperti, Abdulla Diku.
“Mendoj që duhet të ketë një ndarje më të drejtë dhe më të ndershme të përfitimeve që vijnë nga zhvillimi i aktiviteteve, pra renta minerare, qiradhënia, çdo lloj aktiviteti që ndodh në territorin e bashkive. Pjesa më e madhe e financimeve duhet të shkojë aty ku ndodh impakti, ku ndodh ndikimi që do të thotë sa më afër zonës së ndikuar. Minimalisht në territorin e bashkisë ku ndodh ky impakt’, – thotë Diku.
“Kjo duhet për qëllimin se vetë qeveria, që merr pjesën më të madhe të këtyre përftimeve, të rentës minerare, nuk shkon dhe e riinveston në këtë bashki, por e përdor këtë fond për të fituar, për qëllime të tjera që s’kanë lidhje fare”, – shton ai.
Në vesh të shurdhër kanë rënë edhe disa nisma ligjore të ndërmarra nga Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse apo shoqatat e bashkive. Në vitin 2021 Shoqata për Autonomi Vendore dhe Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian hartuan edhe një projektligj, duke analizuar impaktin që do të kishte rritja e transfertës minerare në favor të bashkive, për buxhetin qendror dhe buxhetet lokale. Ata propozuan 3 opsione, ndërsa varianti minimal kërkonte rritjen e masës së rentës që i kalon pushtetit lokal në 25%.
“Impakti që jep ky variant te buxheti i shtetit është 0.25% në gjithë të ardhurat, ndërsa impakti që jep te bashkitë shkon në 2, 3 apo 4%. Kështu që ne e shikojmë që te bashkitë është një e ardhur e konsiderueshme, ndërsa për buxhetin e shtetin nuk është aq e përfillshme kjo masë e munguar. Për pushtetitn lokal është e dukshme dhe jep efekte të menjëhershme”, – thotë Farrici.
“Kjo do të ndikonte shumë në përmirësimin e jetesës së komuniteteve, do t’i riangazhonte ata, por edhe do të zbuste të gjitha kategoritë e impakteve të drejtpërdrejta apo jo të drejtpërdrejta që ndodhin në këto zona”, – thotë Diku.
Rritja e autonomisë financiare vendore është një nga objektivat kryesorë të parashikuar në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2030. Në dokument qeveria pranon se renta minerare është një formë për rritjen e autonomisë fiskale, por nuk merr asnjë angazhim për të transferuar më shumë të ardhura nga kjo taksë te buxhetet bashkiake.
“Nuk është e thjeshtë që qeveria qendore të heqë dorë nga një sasi parash dhe t’ia japë bashkive. Kështu që këtu është lobimi dhe presioni që ushtrojnë shoqatat e bashkive dhe duhet thënë që ka qenë i fortë, por duhet të jetë edhe presioni i vetë bashkive, sidomos ato bashki që preken shumë nga ky lloj aktiviteti”, -thotë Toska.
Përveç kësaj, sipas ekspertëve një pjesë e të ardhurave që vijnë nga renta duhet të kushtëzohen për t’u shpenzuar në projekte mjedisore.
“Patjetër që ne duhet të kudjesemi për ambientin dhe një pjesë e përfitimit nga renta minerare duhet të shkojë të drejtim të ambientit, në drejtim të përmirësimit të ndotjes së mjedisit, në drejtim të rritjes së sipërfaqes së gjelbër. Pra, propozimet tona janë që një pjesë e rentës të shkojë në këtë drejtim”, – thotë Farrici.
“Do të ishte ideale sikur këto të ardhura që vijnë nga renta minerare të investoheshin për rehabilitimin e pasojave negative që vijnë nga ky aktivitet, paralelisht me ato detyrime që ka zhvilluesi. Por, kjo vjen si një përngjasje tek qeveria qendrore. Pra, bashkia mundohet të imitojë me sjelljen e saj apo me orientimin e saj zhvillues pikërisht atë që bën qeveria qendrore”, – shprehet Diku.
“Ka hapësirë që bashkitë të fillojnë të përmirësohen së brendshmi, por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që qeveria qendrore të fillojë të rimendojë pak modelin e financimit të tyre. Nuk është asgjë e shkruar në gur”, – përfundon Toska.
Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve në kuadër të iniciativës Investigative Network Albania. Përmbajtja e tij është pergjegjesi vetëm e Medias “EkoSkaner” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të partnerëve.