Masakra urbane e prerja e pyjeve, Shqipëria ndër më të rrezikuarat nga fatkeqësitë natyrore – Flet Miranda Deda

Intervista
Teksa fatkeqësitë natyrore janë bërë më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike, masakra urbane e 30 viteve të fundit, si dhe prerja e djegia e pyjeve janë disa nga faktorët që e rendisin Shqipërinë, si një ndër vendet më të rrezikuar në Ballkan dhe botë nga përmbytjet, erozioni, rrëshqitjet e dherave, etj.

Teksa fatkeqësitë natyrore janë bërë më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike, masakra urbane e 30 viteve të fundit, si dhe prerja e djegia e pyjeve janë disa nga faktorët që e rendisin Shqipërinë, si një ndër vendet më të rrezikuar në Ballkan dhe botë nga përmbytjet, erozioni, rrëshqitjet e dherave, etj. Dr. Miranda Deda, eksperte ndërkombëtare e Menaxhimit të Rrezikut nga Fatkeqesitë dhe eksperte e ndryshimeve klimatike, në këtë intervistë dhënë për “EkoSkaner”, shpjegon sesi ndikojnë ndryshimet klimatike në jetën tonë të përditshme, parë nën lenten e fatkeqësive natyrore, ndërsa kërkon ndërmarrjen e një sërë masash, me qëllim reduktimin e rrezikut apo zvogëlimin e dëmeve.

Znj. Deda, cilat janë rreziqet për vendin tonë si pasojë e ndryshimeve klimatike?

Shqipëria është vendi me rrezikshmërinë më të lartë në rajonin e Ballkanit, por njëkohësisht edhe një prej vendeve me rrezikshmërinë më të lartë në botë. Kjo e vërtetuar shkencërisht nga Kombet e Bashkuara, Zyra për Reduktimin e Rrezikut (UNDRR) si edhe nga Banka Botërore në studimin e fundit në lidhje me këtë çështje. Rritja e rrezikut në vendin tonë vjen si pasojë e shumë faktorëve. Masakra urbane, që ka më shumë se 30 vite që vazhdon pa kursyer asnjë lloj sipërfaqeje toke dhe pa u marrë parasysh asnjë lloj rreziku nëpër të gjithë territorin e vendit është një prej këtyre faktorëve. Po ashtu, prerja dhe djegja e pyjeve po sjell një tjetër efekt të menjëhershëm në rritjen eksponenciale të përmbytjeve, erozionit, rrëshqitjeve të dherave, etj. Ndërkohë, institucionet tona janë totalisht të papërgatitura për t’i bërë ballë kësaj rritje ekstreme të fatkeqësive natyrore në vendin tonë. Ndryshimet klimatike janë një koncept shumë kompleks dhe që të dalim në përfundim duhet të kemi të dhëna cilësore dhe të shtrira në kohë, që në vendin tonë mungojnë. Por, duke u nisur nga ajo çfarë po ndodh në vendin tonë, por edhe në vendet e tjera përreth, indikacionet që po na japin, na bëjnë të mendojmë që tashmë jemi duke përjetuar një valë të nxehtë të ndryshimeve klimatike: rritje të temperaturave, duke ndryshuar edhe frekuencen e stinëve, me të cilat ishim mësuar ne si vend mesdhetar, me ditë shumë të nxehta edhe shumë të ftohta njëkohëshisht, me periudha të gjata thatësire dhe pastaj me sasi ekstreme reshjesh duke shkaktuar përmbytje të mëdha.

Ju përmendi disa fatkeqësi natyrore, por cilat janë ato që kërcënojnë më shumë vendin tonë?

Për të kuptuar se cilat janë fatkeqësitë natyrore që kërcënojnë më shpesh vendin tonë do t’i referohem databazës së vetme zyrtare “DesInventar Albania”, me anë të të cilës vendi ynë raporton në Kombet e Bashkuara. Fatkeqësitë kryesore në vendin tonë janë: përmbytjet, zjarret në pyje dhe kullota, tërmetet, rrëshqitjet e dherave, stuhitë e shiut, etj. Implementimi i “DesInventar Albania” është financuar nga Kombet e Bashkuara në 2013 – 2014 për mbledhjen dhe sistemimin e të gjitha të dhënave nga fatkeqësitë natyrore në Shqipëri, duke u bërë vendi i parë në Evrope që ka implementuar këtë sistem inventarizimi dhe raportimi, por që është ndjekur dhe po vazhdon të ndiqet nga të gjitha vendet e Ballkanit edhe Evropës.

A mund të flasim për një zonë më të rrezikuar në vendin tonë dhe nga cilat risqet konkrete?

Natyrisht që po! Po të shohim shtrirjen gjeografike të fatkeqësive të ndryshme natryrore vihet re që hotspoti për përmbytjet është Shkodra – Lezha (baseni i Drin – Bunë). Për zjarret në pyje dhe kullota vazhdon të jetë Qarku i Vlorës, por natyrisht edhe Qarku i Lezhës, Dibrës dhe disa qarqe të tjerë më pak, por që kanë një numër të madh zjarresh për çdo vit.

Si do të ndikojnë në jetën tonë të përditshme, por edhe të planetit ndryshimet e klimës, parë nën lenten e fatkeqësive natyrore?

Ndikimi i parë është i drejtpërdrejtë në dëmet materiale të panumërta që kanë shkaktuar dhe shkaktojnë. Si pasojë, qytetarët mund të humbasin pronat dhe ekonominë e tyre në një ditë të vetme. Dëmet afatgjata shfaqen në shumë askpekte. Ndryshimi i regjimit të reshjeve, bën që prodhimi të ulet në mënyrë të shpejtë dhe çmimet e të gjitha kulturave bujqësore në treg të rriten. Rreziku i humbjes së shtëpisë apo pronës, sidomos ato të cilat kanë ndërtuar në zona me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje apo rrëshkitjesh është një tjetër dëm. Nga ana tjetër, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral. Gjithashtu, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndryshimin e ciklit jetësor të bimëve dhe kafshëve, duke ndryshur habitatin e tyre.

Flasim gjithmonë për reduktimin e e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore. Por çfarë nënkupton ai specifikisht?

Reduktim i rrezikut nga fatkeqësitë do të thotë të arrijmë që me masat dhe aktivitetet e ndërmarra të zvogëlojmë nivelin e rrezikut natyror që na paraqitet. Në mënyrë më specifike, reduktimi i rrezikut nga fatkeqësitë synon të zvogëlojë dëmet e shkaktuara nga rreziqet natyrore në një zonë të caktuar si përshembull: tërmetet, zjarret, përmbytjet, thatësirat dhe stuhitë, përmes një sërë masash parandaluese. E thënë shkurt: reduktimi i rrezikut nga fatkeqësitë është koncepti dhe praktika e reduktimit të rreziqeve nga fatkeqësitë, përmes përpjekjeve sistematike për të analizuar dhe reduktuar faktorët shkaktarë të fatkeqësive.

Përballë nevojës për uljen e rrezikut, a është i përgatitur vendi ynë për t’i njohur dhe reaguar si duhet ndaj këtyre fatkeqësive?

Shqipëria, vitet e fundit ka bërë një progres të madh, por natyrisht ka shumë për t’u arritur për t’u bërë efektive në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve të saj. Veçanërisht, duhet një punë e jashtëzakonshme në parapërgatitje dhe parandalim. Duhet një qasje pozitive ndaj pjesëmarrjes në projektet e ndryshme evropiane, në të cilat ka një vullnet shumë të pakët për të punuar dhe bërë pjesë e tyre. Ka nevojë të përmirësohet bashkëpunimi ndërinstitucional si dhe duhet të përfshihen edhe bashkitë në politikat vendimmarrëse qendrore, pasi janë ato të cilat përplasen me efektet e fatkeqësive natyrore si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Çfarë duhet të bëjnë institucionet, për të reaguar në kohe, duke qenë se emergjencat kërkojnë reagim të menjëhershëm?

Institucionet duhet të rrisin kapacitetet e tyre në disa drejtime: Ndërmarrja e politikave të mirëfillta të kërkimit të synuar dhe përcaktuar efektin e ndryshimeve klimatike në ekonomi dhe mjedis, për të hartuar politika për një zhvillim të qëndrueshëm për vendin edhe qytetarët. Gjithashtu, nevojiten investime të drejtpërdrejta në shkencë dhe teknologji për të rritur instrumentat si dhe kapacitetet parashikuese apo parandaluese të këtyre fatkeqësive në vend.

Sipas jush, cila është pika e dobët e politikave që po ndiqen në drejtim të fatkeqësive natyrore?

Pika e dobët sipas meje është fakti që politikat që ndërmerren nuk konsultohen me ekspertët më të mirë të fushave respektive. Mundohen të aplikohen politika shabllon, pa bërë studime dhe përshtatje të mirëfillta për vendin tonë. Nuk ka dëshirë për të marrë pjesë në projekte edhe iniciativa evropiane, në të cilat takohen dhe zhvillohen procedurat apo zhvillimet shkencore më të mira. Po ashtu ka një moskoordinim ndërinstitucional, pasi kjo është një çështje që ndërthur shumë fusha dhe përgjegjësi. Rekomandimet, se cila është rruga në të cilën duhet të ecë vendi ynë në këtë drejtim, janë studiuar nga ekspertët dhe koordinuar me institucionet përgjegjëse, si dhe janë paraqituar edhe në Raportet e Ndryshimeve Klimatike që vendi ynë raporton në Kombet e Bashkuara.