Marrëveshjet / Të rinjtë, ndikim mbi politikat mjedisore në nivel vendor

Ngjarje
Fokusi i marrëveshjeve është fuqizimi i të rinjve për të ndikuar në zbatimin e politikave të eficiencës së energjisë, për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm në nivel vendor.

Fuqizimi i të rinjve për të ndikuar në zbatimin e politikave të eficiencës së energjisë, për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm në nivel vendor”. Ky është fokusi i marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara nga organizata All Green Centre me Këshillat Rinorë Vendorë të 4 bashkive të ndryshme në vend. Marrëveshjet janë nënshkruar me KVR-të në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër, teksa përmes tyre palët kanë ndërmarrë një sërë angazhimesh në drejtim të krijimit të kushteve të favorshme për aktivizimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të rinjve në mënyrë që ata të vendosin për çështje të rëndësishme që lidhen me mjedisin në komunitetet e tyre. Drejtorja ekzekutive e All Green Centre, Ola Mitre tregon arsyet e përzgjedhjes së këtij mekanizimi, si një nga format për fuqizimin e të rinjve për të qenë aktivë në drejtim të politikave për mbrojtjen e mjedisit.

“Bashkëpunimi me Këshillat Vendorë Rinorë është një nga prioritetet e punës tonë si një qendër që ndër të tjera ka në fokus rritjen e ndërgjegjësimit të rinjve për çështjet e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Dihet qw KVR shërben si mekanizëm ndërlidhës ndërmjet bashkisë dhe komunitetit rinor, për të evidentuar problematikat dhe sfidat që hasen nga të rinjtë në territorin ku jetojnë, si dhe për rritjen e përfshirjes së tyre në politikëbërje. Duke marrë në konsideratë se në krye të KVR-ve janë kryetarët e bashkive, mendojmë se fuqizimi i të rinjve që janë pjesë e tyre ndikon drejtpërdrejt në aktivizimin dhe pjesëmarrjen e tyre në politikat që lidhen me mjedisit në nivel vendor”, – thotë Mitre.

“Ne do të ndërmarrim një sërë trajnimesh me të rinjtë mbi çështje që lidhen me eficiencën e energjisë, ndërsa ata do të kenë mundësi të bëjnë rekomandime për këto çështje pranë Këshillit Vendor të Rinisë, duke u dëgjuar drejtpërdrejt nga kryebashkiaku”, – shton ajo, duke theksuar se politikat e eficiencës së energjisë sjellin përfitime të drejtpërdrejta në mjedis e shëndet dhe janë tejet të rëndësishme për frenimin e ndryshimeve klimatike.

Referuar marrëveshjeve të bashkëpunimit, palët janë angazhuar për zbatimin e programeve dhe projekteve që synojnë të përfshijnë komunitetin e të rinjve në aktivitete të ndryshme për ruajtjen e mjedisit dhe për zhvillimin e qytetit. Në këtë mënyrë, synohet të krijohet një mjedis bashkëpunues dhe mbështetës, duke përdorur resurse të përbashkëta për të arritur qëllimet e përbashkëta të zhvillimit dhe të mirëqenies së komunitetit lokal.

“Marrëveshjet u nënshkruan në kuadër të projektit “Rini eficiente”, që mbështetet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Gjithsesi, këto dokumente do të jenë të vlefshme edhe pas përfundimit të këtij projekti, duke garantuar qëndrueshmërinë e tyre. Ne, si organizatë do të jemi gjithmonë të gatshëm të ofrojmë mbështetjen dhe ekspertizën tonë për çdo nismë që lidhet me të rinjtë dhe mjedisin”, – thotë Mitre.

“Jemi vërtet të lumtur për interesin që kanë treguar bashkitë e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës për të nënshkruar marrëveshjet e propozuara nga ana jonë dhe jemi të bindur në bashkëpunimin e frytshëm”, – shton ajo.

Megjithatë, ndryshe nga 4 bashkitë e sipërpërmendura, Bashkia Vlorë refuzoi të nënshkruajë këtë dokument që do të institucionalizonte bashkëpunimin.

“Ne ndoqëm të njëjtin proces me të gjitha bashkitë, duke përfshirë edhe Vlorën. Sigurisht që ne propozuam një dokument fillestar dhe të gjitha bashkitë bënë propozimet e tyre për t’i përmirësuar edhe më tej. Në rastin e Vlorës, kemi zhvilluar edhe takime me përfaqësues të bashkisë, përfshirë 2 nënkryetarët e këtij institucioni, me dëshirën për t’i njohur më nga afër me synimet e marrëveshjes. Por, megjithëse gjatë takimeve pati një angazhim verbal duke vlerësuar nismën, nuk pati një finalizim përmes nënshkrimit të dokumentit”, – bën me dije drejtorja ekzekutive e All Green Centre.

“Sigurisht që, jemi të keqardhur që pas shumë komunikimesh, korrespondencash apo takimesh fizike, Bashkia Vlorë nuk u dakordësua për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit e ku gjej rastin të theksoj se nuk krijon asnjë angazhim financiar për buxhetet e institucioneve vendore”, – përfundon ajo.