Lumi i Shalës kërcënohet nga ndërtimi i hidrocentraleve

Investigime

Nga Ola Mitre

Mbrëmjen e 6 majit, përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama lartësoi vlerat natyrore të lumit Shalë dhe potencialin turistik të zonës. “Lumi i Shalës është një tjetër magji e parajsës së veriut tonë, me natyrën e pashkelur me shekuj dhe të kthyer së fundmi në destinacion të preferuar, që thith çdo vit e më shmë vizitorë”, – shkruajti Rama, duke shoqëruar komentin me një foto të lumit.

Postimi u bë në vazhdën e një “fushate” online të ndërmarrë nga kryeministri për promovimin e potencialit të turizmit natyror që ka vendi ynë, por të dhënat e përpunuara nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se lumi i Shalës kërcënohet nga ndërtimi i hidrocentraleve, përmes një koncesioni të firmosur nga qeveria Rama. Ndërkohë që, pavarësisht se kompania mbajtëse e koncesionit rezulton në shkelje të kontratës koncesionare, autoritetet bënë një sy qorr e një vesh shurdh, duke e lënë në fuqi.

Sipas ekspertëve dëmet në mjedis nga ndërtimi i HEC-eve janë të pashmangshme, ndërsa shtojnë se qeveria duhet të përcaktojë orientimin që do i japë zonës, duke zgjedhur midis turizmit dhe prodhimit të energjisë elektrike.

KONCESIONI

Kontrata e koncesionit për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Shalë u firmos në datën 4 prill 2018, pas një gare të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Dokumenti parashikon ndërtimin e 3 veprave hidroenergjetike, 2 prej të cilave me derivacion dhe 1 me digë. Fuqia totale e instaluar do të jetë 83.45 MW, ndërsa mbajtëse e koncesionit është kompania “3 Power Shala”, e krijuar nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret LTD.STI”, “Shala Energy PLC” dhe “Falak Properties LLC”.

Gara koncesionare për Kaskadën e lumit Shalë u hap pas zgjidhjes së një kontrate të mëparshme, të firmosur në vitin 2008, teksa në atë kohë ministria argumentoi se shkak u bë shkelja e disa aspekteve proceduriale, të konstatuara nga auditimi që kryhet për kontratat koncesionare.

“Nisur nga potenciali hidroenergjetik që paraqet ky pellg ujëmbledhës, MIE vendosi ta rihapë procedurën për shfrytëzimin e tij, tashmë me propozim të kërkuar”, – sqaroi ministria në atë kohë.

Ndërkaq, 4 vjet nga firmosja e kontratës, koncesionari i ri ndodhet përballë shkeljeve të kushteve të kontratës, por ndryshe nga praktika e mëparshme, marrëveshja nuk është shfuqizuar. Ndërkohë që, referuar parashikimeve kontraktuale, në rast të revokimit të saj, shteti shqiptar nuk do të kishte asnjë penalitet financiar.

”Që një kontratë koncesionare të mos ketë pasoja financiare mbi buxhetin e shtetit, pra mos ketë penalitete, e rëndësishme është që prishja e kësaj kontrate të bëhet brenda atyre parashikimeve ligjore që ka vetë kontrata. Domethënë, kontrata mund të prishet për shkaqe të përligjura”,- shpjegon eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.

 Zef Preçi, ekspert ekonomie

Sipas dokumentit, koncesionari detyrohej që brenda 18 muajve nga nënshkrimi i kontratës të paraqiste projektin zbatues, si dhe të pajisej me lejet dhe licencat e nevojshme për realizimin e kontratës. Në një përgjigje me shkrim, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, i thanë “EkoSkaner” se kompania “3 POWER SHALA” nuk ka paraqitur asnjë aplikim pranë këtyre institucioneve, për t’u pajisur me lejet përkatëse, që janë të domosdoshme për zbatimin e projektit.

Shkeljet e detyrimit kontraktual janë konstatuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, qysh në Raportin e Monitorimit të 3-mujorit të parë të vitit 2020, ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i tha “EkoSkaner” se i ka protokolluar në shtator të vitit 2021 apo më shumë se 1 vit e gjysmë më pas.

Arsyet e këtyre vonesave mbeten të paqarta, por nëse do të ishin ndjekur hapat ligjore, sipas kontratës, tashmë koncesioni duhet të ishte revokuar, ndërsa pasojat financiare për buxhetin e shtetit do të ishin “zero”.

Gjithashtu, MIE nuk dha përgjigje se përse nuk janë marrë veprime të prishjesh së njëanshme të kontratës, përsa kohë rezulton se bashkimi i përkohshëm i operatorëve është në shkelje të disa prej dispozitave të kontratës koncesionare, sikurse është sigurimi i financimit, shkelja e afteve për pajisjen e me leje, licenca dhe autorizime apo rezulton se është në paaftësi paguese për zbatimin e saj.

“Nëse një kontratë ka shkaqe të përligjura për t’u prishur, por nuk veprojnë institucionet është e kuptueshme që në këtë rast mungon vullneti politik. Vetë mungesa e vendimmarrjeve mund të konsiderohet si rast i dyshuar për interesa të ngushta personale, korruptive, politike, elektorale. Pra, ka një bashkësi interesash që asnjë prej tyre nuk i konribuojnë mbrojtjes së interesave publike”,-thotë Preçi.

“Çfarëdolloj vendimmarrje që tejkalon ciklin e biznesit, që merret për kompani të krijuara posaçërisht për të marrë një kontratë koncesionare publike, përllogarit kompanitë që nuk kanë as kapacitete teknike të ekspertizës dhe as kapacitetet financiare, janë qartësisht të dyshueshme për kontrata korruptive, që lenë peng taksat që do të mblidhen në periudhat që vijnë dhe njëkohësisht kompromentojnë dhe qëllimet e vetë ndërmarrjes së këtyre koncesioneve”, – shton ai.

MIE i tha “EkoSkaner” se në janar të këtij viti i ka kërkuar koncesionarit të rregullojë shkeljet brenda 90 ditësh, sipas parashikimeve kontraktuale. “Nëse me kalimin e këtij afati, shoqëria koncesionare nuk plotëson detyrimet e saj, MIE në cilësinë e autoritetit kontraktor, i lind e drejta të procedojë me zgjidhjen e njëanshme të kontratës”, – thuhet në shkresë.

Deri në këtë publikim, ky dikaster nuk u përgjigj nëse ka nisur procedurat për revokimin e kontratës apo jo.

Preçi flet për disa lloje përgjegjësish, që vijnë si pasojë e shkeljeve të procedurave ligjore nga ana e institucioneve.

“Përgjegjësia është shumë dimensionale, ka përgjegjësi politike, që ndëshkohet me votë dhe keqqeverisja ndëshkohet me votë, por kur kjo papërgjegjshmëri politike shndërrohet në kosto për taksapaguesit, pra çon në përkeqësimin e efektivitetit të burimeve në dispozicion, çon në krijim favoresh apo ndërmarrjesh akte ligjore apo kontratash me emra firmash të veçanta, pra favorizuese klienteliste, dertyrimisht që përgjegjësia i kalon caqet e përgjegjësisë politike dhe shndërrohet në përgjegjësi institucionale”, – thotë eksperti.

“Është për të ardhur keq që jetojmë në një kohë kur denoncimet vijnë nga të gjitha anët, por institucionet nuk veprojnë dhe në radhë të parë kjo është përgjegjësi e intitucioneve të drjetësisë’,-shton ai.

PASOJAT NË MJEDIS E TURIZËM

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve Shqiptare, në krye të fshatit Theth dhe ka një gjatësi prej 37 km. Ngjyra e kaltër dhe uji i kristaltë janë karakteristikë e lumit, që shpesh herë është konsideruar edhe si Tajlanda e Shqipërisë.

Bukuritë natyrore të zonës tërheqin çdo vit mijëra turistë, jo vetëm vendas, por edhe të huaj.  Sipas Zak Topuzit, kryetar i Shoqatës së Hotelierëve të Shqipërisë, interesi i turistëve është shumë i madh, aq sa mund të flitet mbi mundësinë e një kufizimi të numrit të tyre, me qëllim ruajtjen e zonës. “Sot flitet për zona të tëra në botë që mbrohen nga kontigjenti i madh i turistëve. Këtu nuk bëhet fjalë për Barcelonën apo vende të tjerë të botës, por edhe zona të cilat numri i madh i turistëve i çon drejt degradimit. Madje ne do të kërkonim nga ministria që të kthehet në një zonë të mbrojtur dhe të kufizohet numri i njerëzve që do të lëvizin këtu”, – shprehetTopuzi.

Zak Topuzi – Ekspert i çështjeve të turizmit, Shoqata e Hotelierëve të Shqipërisë

Ekspertët e mjedisit thonë se dëmi që sjell ndërtimi i hidrocentraleve në mjedis është i madh.

“Faza e ndërtimit është faza edhe më shkatërruese përsa i përket elementëve të mjedisit. Ndikimet që shfaqen janë absolitusht në e cilësinë e ujit. Turbullia e ujit është një nga elementët kryesorë që vihet re, që pastaj shkakton një efekt zinxhir tek ulja e e oksigjenimit, mosdepërtimi i rrezeve që nuk ndikon më jetën biotike, jetën e bimëve ose të algave që janë baza e zinxhirit ushqimor dhe pastaj kjo krijon një efekt te i gjithë zinxhiri, deri tek niveli më i lartë që janë peshqit. Ndërhyrja në shpatet e lumenjve, duke i thelluar ata për qëllime të vendosjes së infrastrukturës inxhinierike, që mund të jenë tubat, kanalet, tunelet, etj. kanë efektin e vet sepse nuk lejojnë kalimin harmonik mes 2 ekosistemeve: atij ujor dhe atij breglumor”,-thotë eksperti i mjedisit, Olsi Nika.

“Sigurisht, gjatë ndërtimit ajo që vihet re më së shumti është edhe mosrespektimi i atyre që thuhen në lejet e mjedisit, pra kemi një zhvendosje të gjithë habitatit breglumor, që jo vetëm i jep formë peizazhit, por është shumë i rëndësishëm sepse strehon në faza të ndryshme të ciklit të tyre jetësor, larvat e insekteve apo vetë insektet, siç strehon edhe lloje të ndryshme të peshqve”, – shton ai.

Olsi Nika – Ekspert mjedisi, organizata EcoAlbania

Por, sipas ekspertit dëmet janë të mëdha edhe kur këto vepra hidroenergjetike nisin operimin, ndonëse gjatë kësaj faze duket sikur hidorcentralet janë miqësorë me mjedisin.

“Vendoja e një dige krijon bllokim permanent në rrugët e migrimit të peshqve dhe shpendëve. Kur kemi parasysh hidrocentralet, nuk është vetëm një digë dhe një gjenerator, por gjurma ekologjie është edhe më e madhe sepse të ndërtosh një HEC duhet të ndërtosh rrugë aksesi, që përgjithësisht ecin paralel me lumin dhe me shtigjet e kalimit të gjitarëve të mëdhenj. Nga përvoja jonë kjo ka qenë shumë e dukshme, që do të thotë ti ndryshon rrugët që gjitarët përdorin për të gjetur prenë apo gjahun e tyre siç është edhe rruga për të gjetur partnerin për t’u riprodhuar. Gjatë fazës së operimit këto shtigje prishen, nuk rikthehen më, do kohë dhe investim për adresim të tyre”, – thotë Nika.

“Tjetër element që nuk del gjëkundi te VNM-të që ne kemi lexuar është pjesa e linjave të transmetimit, gjurma ekologjike që ato kanë, rrezatimi, fushat elektromagnetike që krijojnë, që janë gjithashtu të dëmshme. Po ashtu, ulja e sasisë së ujit  për shkak të hidrocentraleve, që përgjithësisht funksionojnë me skema të devijimit të një sasie të konsiderueshme të ujit te HEC-et e vegjël, siç është edhe rasti i përmbytjes në mënyrë permanente të habitateve të caktuara te HEC-et e mëdhenj”,-shton ai, duke theksuar se një HEC funksionon në mënyrë të tillë, duke dëmuar në mënyrë përfundimtare, të pakthyeshme ekuilibrat e vendosur në sistemet ujore  të ujërave të ëmbël.

Sipas Topuzit, dëmtimi i lumit të Shalës do të ishte i papranueshëm.

“Janë pak lumenjë në botë dhe në Evropë, që janë të virgjër dhe janë në gjëndje të bëjnë këtë lloj produkti.  Është një luftë e madhe që bëhet qoftë për Valbonën apo dhe për lumin e Shalës apo Vjosës, për të cilat janë shqetësuar edhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe mendoj se për ne është  e papranueshme që të ndërtohen hidrocentrale, ndërkohë që ai është kthyer në një nga atraksionet e rëndësishme të Shqipërisë”, – thotë Topuzi.

“Elementi më i rëndësishëm është që një turist kërkon të shikojë atë për të cilën ai ka paguar dhe ta dëmtosh atë zonë ndërkohë që është reklamuar në shumë site dhe vazhdon të konsumohet si produkt është e papranueshme për ne që merremi me turizmin”, – shton ai.

Por, sipas Nikës, tashmë ka një sërë të dhënash që tregojnë pasojat që sjellin në mjedis këto vepra energjetike.

“Ne si ekspertë, por edhe pjesë të organizatave të shoqërisë civile jemi munduar t’i listojmë këto ndikime të pritshme rreth një dekadë më parë në disa prej hidrocentraleve, që u ndërtuan për fat të keq në atë kohë dhe ne jemi dëshmitarë që koha na ka dhënë të drejtë, pasi ato lloj ndikimesh që ne i mendonim si të pritshme janë shfaqur. Ku me një intesitet  edhe më të lartë nga pritshmëritë tona, ku me një intesitet më të ulët, por që janë të shfaqur”, – thotë eksperti.

“Këto lloj ndikimesh janë të pritshme të adresohen në dokumenta të caktuara, që quhen Vlerësimi të Ndikimit në Mjedis, që për fat të keq në Shqipëri nuk janë në nivelin që kërkon ligji”, – shton ai.

Dëmet në mjedis janë vetëm njëra anë  e medaljes, pasi të konsiderueshme janë edhe humbjet ekonomike.

“Në rastin konkret janë të pakrahasueshme të ardhurat që sjell turizmi, pasi shqipria është vendi i dytë në Evropë për nga të ardhurat që siguron nga turizmi. Pra vendin e parë e ka Mali i Zi me 33% të PBB, ndërsa Shqipëria siguron 22% të PBB nga turizmi. Pa i hyrë kostove dhe pa bërë një llogaritje, turizmi duhet të jetë në vend të pare, pasi Shqipëria mund të prodhojë vetëm turizëm dhe bujqësi. Të gjitha industritë e tjera janë industri në minorancë dhe sigurisht HEC-et, do të ndikojnë negativisht në këto dy industri të rëndësishme”, – thotë Topuzi.

MERRNI MASA!

Në datën 26 janar të këtij viti, qeveria vendosi shpalljen e luginës së lumit të Shalës, “Park Natyror”, që është shkalla IV e mbrojtjes, sipas legjislacionit shqiptar. Por, ekspertët thonë se ndërmarrja e këtij hapi nuk garanton mbrojtjen e lumit.

“Problemi këtu qëndron që për t’i vënë kapak një problematike shumë të madhe, marrin një vendim që e shpallin zonë të mbrojtur dhe lere se do mbrohet. Nuk mbrohet ashtu! Është e njëjta gjë me guroret e Krujës”, – thotë Nika. “Patjetër ka një mungesë koordinimi. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në këtë rast nuk duhet ta quajë problemin të zgjidhur vetëm duke e shpallur zonë të mbrojtur Shalën apo pjesë të një zone më të madhe që është Parku i Alpeve. Jo! MTM duhet të insistojë në debatin e tryezës qeveritare për të zmbrapsur projekte që dëmtojnë këtë zonë siç është dhe ndërtimi i hidrocentraleve  dhe jo të japë dritën jeshile sepse kjo i bie se s’po ia prishim asnjërit dhe po ia prishim natyrës”, – shton ai.

Në të njëjtën linjë është edhe Topuzi.

“Sigurisht që ne merremi me turizmin nuk do ta pranonim këtë lloj zgjidhje. Nga qeveria ka një gjë të rëndësishme, duhet të vendosë çfarë do bëjë me lumin Shalë dhe zonën përrreth: Do ta bëjë turizëm apo do të prodhojë energji. Që këtu ndahet koncepti pasi çdo detyrim mund ta paguajë qoftë edhe në kushte të vështira pra si me thënë në kontratat të cilat kanë detyrime ligjore të rëndësishme. Ne mendojmë se Shqipëria duhet të bëjë turizëm dhe ajo zonë duhet të kthehet një një zonë turistike”, -thotë eksperti.

“Sot nuk flitet më për sezon turistik I cili lidhet më plazhet. Bota e trajton turizmin si një industri apo si një mënyrë jetese 365 ditë.  Pra kombinimi I turizmit të detit rërës me turizmin e  malit aventurës janë elementët bazë që sjellin në gjithë llojet e turistëve të cilet zhvillojnë atë turizëm për të cilin kanë paguar. Elementi më i rëndësishëm është që një turist kërkon të shikojë atë për të cilën ai ka paguar dhe ta dëmtosh atë zonë ndërkohë që është reklamuar në shumë sajte dhe vazhdon të konsumohet si product është e papranueshme për ne që merremi me turizmin”, – shton ai.

Ndër vite qeveritë kanë firmosur një numër të konsiderueshëm kontratash, që parashikojnë ndërtimin e hidrocentraleve. Aktualisht, nuk ekziston një regjistër specifik që të tregojnë numrin real të tyre, por përfaqërsisht numri I tyre shkon në mbi 550. Nisur edhe nga transferimi edhe i shumë shërbimeve të tjera, te kompanitë private, Zef Preçi thotë se ekzison një pikëpyetje e madhe, nëse duhet të vazhdojë apo jo koncesionimi i shërbimeve publike si dhe të analizohet koncesionet e dhëna deri më tani.

“Nëse vijon ky lloj agresioni mbi gjithçka publike do të duhet të mos çuditemi që dhe zgjedhjet politike e humbasin kuptimin sepse zgjedhjet politike përse bëhen? Për të identifikuar ato prioritete zhvillimore që shtresa të ndryshme shoqërore kanë në një moment të dhënë dhe qeveria është menaxhere e përkohshme për aq kohë sa ka mandatin e afateve të përbashkëta dhe nuk është pronare”,-  thotë eksperti.  “Pronar ishte, është dhe do të mbetet sovrani, pavarësisht nga tipi I regjimit apo shkallla e demokratizimit të tij. Kështu që, në këto kushte duhet hequr dorë nga kjo epidemi dhe duhen monitoruar me shumë kujdes kudo ku shteti shqiptar ka firmosur dhe mban përgjegjësi“, – përfundon ai.