Krimet mjedisore mbeten të pandëshkuara

Video hulumtuese
Djegia e pyllit të Pishë Poros është rasti më flagrant. Pamjet e siguruara nga “EkoSkaner”, tregojnë se zjarrvënia ka qenë e organizuar me të paktën 8 vatra të ndezura në të njëjtën kohë.

Vetëm një numër i vogël i procedimeve penale për krime mjedisore finalizohen me dënime, ndërkohë që ekspertët flasin për një zinxhir arsyesh që nga mbivendosja e kompetencave mes institucioneve përgjegjëse, mungesa e kapaciteteve institucionale e deri te parashikimet ligjore, që lenë hapësira të gjera në drejtim të vlerësimit të dëmit. Ata shtojnë se pandëshkueshmëria e krimeve me pasoja të rënda në mjedis po favorizon rritjen e këtyre veprave, ndërsa kërkojnë ndërmarrjen e një sërë masash, në mënyrë që ato të parandalohen apo ndëshkohen.

Djegia e pyllit të Pishë Poros është rasti më flagrant. Kjo duke qenë se autoritetet kanë pohuar se zjarri u shkaktua nga dora e njeriut, ndërkohë që pamjet e siguruara nga “EkoSkaner”, tregojnë se zjarrvënia ka qenë e organizuar me të paktën 8 vatra të ndezura në të njëjtën kohë.  Edhe gjurmët pas shuarjes së flakëve tregojnë se autorët kanë përdorur grumbuj dërrasash, për të nxitur nisjen e zjarrit. Por, teksa dëmi mjedisor dhe ekonomik i shkaktuar është kolosal, sot nuk ka asnjë person përgjegjës për masakrën e shkaktuar.