INVESTIGIMI / Shkeljet në tenderë “ndotin” monitorimin e ajrit

Investigime
Të paktën 3 nga 4 tenderët e zhvilluar midis viteve 2020 -2023 nga MTM dhe AKM kanë shkelje, duke iu shtuar problemeve të shumta që ka sistemi ekzistues i monitorimit. 9 stacionet e vetme të monitorimit të ajrit i janë dhuruar shtetit shqiptar midis viteve 2008 – 2011. Vetë qeveria nuk ka bërë asnjë investim në këtë drejtim.

Nga Ola Mitre

Në mesin e verës të vitit 2020, Agjencia Kombëtare e Mjedisit nisi kërkimin e një kompanie që do të mirëmbante stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit urban. Në tenderin e hapur mori pjesë vetëm një operator ekonomik, që u shpall edhe fitues i kontratës me një ofertë sa 99.4% e fondit limit në dispozicion. Në një auditim të këtij tenderi, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti se kriteret e hartuara binin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Si rezultat është kufizuar mundësia potenciale e pjesëmarrjes të operatorëve ekonomikë me kapacitete të ulta dhe të mesme prodhimi dhe tregtie, duke kufizuar konkurrencën, si dhe duke shkaktuar një trajtim të pabarabartë dhe diskriminues për operatorët ekonomikë”, – konstatoi KLSH.

“Çdo lloj procesi që devijon nga parashikimi ligjor, i cili nënkupton konkurrencën dhe konkurrenca presupozon që është një proces që prodhon një produkt optimal nga pikëpamja cilësore, me një çmim të arsyeshëm, ky është thelbi i konkurrencës dhe fakti që ne devijojmë nga kuptimi i konkurrencës do të thotë që edhe produkti që prodhojmë nuk është në standardet e kërkuara”, – thotë eksperti i financave publike, Prof. Selami Xhepa.

“Së dyti çmimi me të cilin ne e fitojmë këtë shërbim apo produkt kuptohet që është një çmim i abuzuar dhe përgjithësisht, sikurse e kemi parë arrin në 99% të vlerës me të cilin shpallet një tender”, – shton ai.

Prof. Selami Xhepa, ekspert i financave publike

Por, teksa Shqipëria vuan nga një sistem i dobët për monitorimin e cilësisë së ajrit, të dhënat e përpunuara nga “EkoSkaner” tregojnë se të paktën edhe 2 nga 3 tenderët e tjerë të zhvilluar midis viteve 2020 – 2023 nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për mirëmbajtjen e atyre pak stacioneve ekzistues, kanë shkelje.

Praktika për vendosjen e kritereve në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, u ndoq edhe në vitin 2021, në tenderin e zhvilluar nga AKM për mirëmbajtjen e pajisjeve të instaluara në stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit urban. Kontrata e nënshkruar pas procedurës tenderuese, u gjet në shkelje nga KLSH edhe në fazën e zbatimit.
Paralelisht, edhe mallrat dhe shërbimet e kontratës me vlerë mbi 37 mln lekë, për riparimin dhe rivënien në punë të stacioneve të monitorimit të ajrit u morën në dorëzim nga Ministria e Mjedisit pa asnjë verifikim.

“Nga komisioni është mbajtur një procesverbal për të gjitha stacionet e monitorimit, të cilat ndodhen në vende të ndryshme. Si rrjedhojë procesverbalet nuk janë mbajtur mbi verifikimin fizik në vend të këtyre stacioneve”, – konstatoi Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“Nga komisioni i marrjes në dorëzim nuk është argumentuar nëse pajisjet e sjella nga operatori ekonomik për secilin stacion janë në përputhje me ato të ofertuara. Marrja në dorëzim e shërbimit është bazuar vetëm në raportin teknik të paraqitur nga operatori ekonomik, veprim në kundërshtim me rregulloret në fuqi”, – shtohet më tej.

“Duke mos e parë procesin e prokurimit publik, si një proces me integritetin e duhur ku çdo hallkë e sistemit duhet të funksionojë sipas parashikimeve ligjore, pra që nënkupton gjithë zinxhirin e institucioneve, të proceseve dhe procedurave që përfshihen që nga shpallja e procesit të prokurimit deri te marrja në dorëzim e një vepre do të thotë që çalon i gjithë zinxhiri i procesit të prokurimeve, që nga hallka nisëse, deri në hallkën finale të saj”, – thotë Prof. Xhepa.

Në periudhën 4 – vjeçare për mirëmbajtjen e stacioneve të monitorimit të ajrit vlera e 4 kontratave të lidhura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit arrin në 58.1 mln lekë. Rreth 510 mijë euro, të ndara në 3 kontrata, i ka fituar e njëjta kompani.

“Nuk është serioze që në çështje kritike siç është edhe rasti, që ka të bëjë me matjen dhe monitorimin e cilësisë së ajrit, nuk ka dhe aktorë të tjerë të përfshirë”, – thotë Prof. Xhepa.

“Kjo mendoj se nuk ka të bëjë me faktin se nuk ka institucione që kanë si shqetësim themelor çështjet e mjedisit, por me faktin që këto janë procese që pasi krijohet një marrëdhënie e brendshme midis entit prokurues dhe një përfituesi, kjo vazhdon të mbetet marrëdhënie afatgjatë, duke mos krijuar edhe mundësinë për përfshirjen e aktorëve të tjerë në treg”, – shton ai.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga emisioni “EkoSkaner” mbi shkeljet e konstatuara, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit tha se “në tenderë kanë dalë fitues, të cilët kanë përmbushur të gjitha pikat e Dokumenteve Standarde të Tenderit”.

“Bashkëpunimi me operatorët ekonomikë ka qenë reciprok, duke iu përmbajtur kushteve të kontratës”, – thuhej ndër të tjera në përgjigjen e AKM-së.

Monitorim, me vetëm 9 stacione!

Shkeljet në tenderët për mirëmbajtjen e stacioneve iu shtohen problemeve të shumta që ka sistemi ekzistues i monitorimit.

“Programi i monitorimit të cilësisë së ajrit është reduktuar në 9 stacione, nga të cilët 4 janë në Tiranë dhe 5 të tjerët janë në qendra kryesore të Shkodrës, Korçës, Elbasan. Pra janë në qendra urbane që janë vërtet problematike dhe duhet të monitorohen, por që nuk japin atë impaktin që duhet. Kjo pasi, ne themi që ajri nuk ka kufij, që do të thotë se ndotja nëse ndodh diku rreth nesh ne e kemi impaktin, ndërkohë që nuk kemi sistemin e organizuar, që ky sinjal i ndotjes të vijë te ne dhe të japë alarmin ashtu siç duhet”, – thotë ekspertja e mjedisi pranë INCA, Emirjeta Adhami.

Emirjeta Adhami, eksperte mjedisi, INCA

“Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka disa pika monitorimi, por mendoj që nuk janë të sakta, reale dhe të qarta për qytetarët. Ata duhet të hartojnë plane veprimi për matjen e cilësisë së ajrit, në mënyrë që edhe një qytetar i thjeshtë t’i kuptojë sesi është situata”, – thotë Albana Joxhe, nga organizata “Milieukontakt”.

Albana Joxhe, organizata “Milieukontakt”

9 stacionet e vetme të monitorimit të ajrit i janë dhuruar shtetit shqiptar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe përmes dy projekteve të Bashkimit Evropian midis viteve 2008 – 2011. Vetë qeveria nuk ka bërë asnjë investim në këtë drejtim.

Në përpjekje për të siguruar fonde të huaja, në projektet e hartuar Ministria e Mjedisit ka përcaktuar numrin e nevojshëm të stacioneve që duhet të ngrihen për një monitorim efektiv, duke nxjerrë në pah se situata aktuale është larg nevojave.

“Në total kanë qenë 60, duke menduar stacione për monitorimin e ajrit, monitorimin në zona urbane dhe rurale, por edhe stacione të integruara. Pra ka qenë një kompleks sistemi që duhet të monitorinte në çdo pikë të Shqipërisë, duke dhënë në këtë mënyrë jo vetëm situatën, por edhe duke dhënë sinjale alarmi në rastet e ndotjeve që mund të vinin nga burime të momentit apo burime që mund të ishin të paplanifikuara në monitorim”, – thotë Adhami.

“Mund të jenë të identifikuar në hartë se ku duhet të ndodhen stacionet, por sot ndodhemi para faktit që vetëm 9 stacione kryejnë këtë monitorim”, – shton ajo.

Mungesa e monitorimit efektiv sjell një sërë pasojash, duke nisur nga mungesa e informimit, deri te marrja e masave për reduktimin e ndotjes aty ku paraqet probleme.

“Një mangësi që kanë institucionet respektive është që nuk i bëjnë publike të dhënat në mënyrë që edhe qytetarët apo edhe organizata pse jo, duke parë këto të dhëna të lobojnë apo të informojnë dhe ndërgjegjësojnë qytetarët”, – thotë Joxhe.

“Së pari sjell një vlerësim jo real të situatës aktuale, që do të thotë ne nuk e dimë sa është vërtet kjo ndotje dhe sa e kemi diferencën nga ato që quhen nivele limite dhe mbi bazën e këtyre do të ngrihej edhe ai modeli i mënyrës së marrjes së masave për ta reduktuar apo minimizuar impaktin e këtyre elementeve ndotës. Kjo do të thotë se nëse unë e di se çfarë kam ndotje, nga më vjen dhe kush është burimi, jam shumë koshiente për të ngritur planin e veprimit kundrejt atij burimi. Por, nëse unë nuk e di se kush është burimi dhe sa është sasia e emetimeve unë nuk mund të marr masa!”, – thotë Adhami.

Raportet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin për rreth 3646 vdekje të parakohshme për shkak të nivelit të PM2.5, 325 vdekje të parakohshme nga niveli i Dyoksidit të Azotit (NO2) dhe 313 vdekje të parakohshme për shkak të nivelit të Ozonit (O3) në atmosferë. Por, mungesa e monitorimeve rigoroze ka bërë që sot të mos kemi një vlerësim dhe lidhje të saktë mes ndotjes së ajrit dhe sëmundshmërisë të popullatës.

“Ka një sërë studimesh që tregojnë risqet nga ndotja e ajrit. Mund të themi këtu sëmundje të ndryshme në mushkëri. Shohim tani që alergjitë apo problemet respiratore janë shtuar shumë te fëmijët, por ndërkohë ne nuk kemi asnjë databazë me të dhëna të sakta, as nga INSTAT, as nga polikilinat apo qendrat shëndetësore sesa nga këto sëmundje vijnë nga ndotja e ajrit”, – thotë Joxhe.

“Në shëndetin publik ajo që është e rëndësishme është nëse burimi i ndotjes është i vazhdueshëm dhe çfarë impakti ka te shëndeti. Ajo që është e rëndësishme është që nëse unë nuk e vlerësoj që ky burim është i vazhdueshëm dhe ka impakt tek unë është gjithmonë me pikëpytej edhe vlerësimi i shëndetit të popullatës”, – thotë Adhami.

“Megjithatë, mund të thuhet që vetë drejtoritë rajonale të shëndetit parësor janë indikatori i parë që të tregojnë sesa është impakti i këtyre burimeve të ndotjes së ajrit tek popullata sepse një rritje e numrit të personave të cilët kanë probleme kardiovaskulae, në pjesën e mushkërive apo sëmundjet fatale siç janë kanceri, janë ato të cilat mund të reflektojnë nëse ky lloj trendi është në rritje për shkak të ndotjes së ajrit apo ka një tjetër burim që i nxit dhe i mban permanent në këto shifra”, – shton ajo.

Ndotja, tej normave të lejuara!

Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis 2023, që përgatitet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit bazuar në matjet nga 9 stacionet ekzistues, niveli i ndotjes nga grimcat PM2.5 dhe Dyoksidi i Azotit është brenda normave të lejuara, ndërsa për grimcat PM10 u raportuan tejkalime vetëm në një nga stacionet e Tiranës dhe në stacionin e Korçës, për muajt janar, shkurt dhe dhjetor. Këto raportime janë larg të dhënave, që vijnë nga monitorimi alternativ i disa organizatave mjedisore, përmes mbështetjes nga fonde suedeze.

“Në Tiranë, janë hasur nivele jashtëzakonisht shumë të larta. Mund të përmend këtu PM2.5 dhe PM10, që siç e dimë janë grimca që çlirohen në mjedis dhe faktorët janë trafiku shumë i rënduar në qytet dhe sektori i ndërtimit. Standardi i BE-së për PM2.5 është 25 mg/m3, ndërkohë që ne na ka dalë 800 mg/m3. Ndërkohë PM10, nga 40 mg/m3 ka shkuar diku te 200 mg/m3”, – thotë Joxhe.

Monitorimi i kryer nga organizatat u shtri në 5 bashki të vendit: Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër dhe Korçë.

“Janë matur 4 ndotës: PM 10, PM2.5, NO2 dhe CO2. Në total janë realizuar 1000 pika monitoruese, me anë të pajisjes Aeroqual. Është një pajisje e lëvizshme, manuale, por kemi realizuar gjithashtu matje me një pajisje që quhet IQAir e cila është statike. Është vendosur në disa zona të 5 bashkive të vendit dhe bën matje 24 orë në 24, ku qytetarët mund të futen në çdo kohë dhe të shikojë situatën në qytetin e tyre”, – bën me dije Joxhe.

Teksa të dhënat që sjellin organizatat janë shqetësuese, mosveprimi i qeverisë për ngritjen e një sistemi efikas për monitorimin e cilësisë së ajrit, u kritikua edhe në progresraportin e fundit të Komisionit Europian.

“Nevojiten më shumë përpjekje për të përafruar me acquis të BE-së për cilësinë e ajrit, duke zgjeruar dhe përmirësuar sistemin e monitorimit të ajrit, i cili aktualisht ka vetëm shtatë stacione automatike në mbarë vendin, jo-funksionale për shkak të ndarjes së pamjaftueshme të fondeve për mirëmbajtjen e tyre”, – thuhej në raport.

“Zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Cilësisë së ajrit 2014 është ende në pritje”, – shtohej më tej.

“Normalisht, financimi është thembra e Akilit e gjithë procesit të monitorimit sepse në gjithë projektet që janë bërë nga ministria është thënë se cilat janë fondet operacionale që i duhen ministrisë apo AKM-së për ta zbatuar sa më korrektësisht procesin e monitorimit dhe gjithmonë është hasur me mungesë të fondeve”, – shprehet Adhami.

“Kjo mungesë fondesh sjell limitimin e numrit të stacioneve, numrit të parametrave që monitorihen dhe pastaj mbi bazën e këtij limitimi del edhe informacioni apo raportimi i situatës i cunguar”, – shton ajo.

Ndërkohë, prof. Selami Xhepa, teksa iu referohet edhe shkeljeve të konstatuara në tenderë, flet për 2 probleme që lidhen me përdorimin e fondeve.

“E para nuk kemi shumë para’ për të ndërmarrë investime të rëndësishme, që mund të ndryshojnë në mënyrë cilësore standardin në një fushë të caktuar, në rastin konkret të rritjes së cilësisë ajrit dhe cilësisë së jetës nëpër qytete, që janë me probleme të ndotjes”, – thotë ai.

“Problemi i dytë, akoma më serioz është që edhe ato pak fonde që janë në dispozicion nuk përdoren në mënyrë efektive që të realizojnë qoftë edhe në mënyrë pjesore atë objektivin më të përgjithshëm që ka një politikë e caktuar publike, në rastin konkret të përmirësimit të cilësisë së ajrit apo aspekteve të tjera mjedisore. Kjo sigurisht që lidhet drejtpërdrejt me qeverisjen ekonomike”, – shton më tej profesori.

Në këto kushte, ekspertët kërkojnë marrjen e masave për ngritjen e një sistemi efektiv të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe minimizimin e burimeve të ndotjes.

“Rekomandimi kryesore është t’i jepet më shumë vëmendje AKM-së, jo vetëm në sensin që ajo është zbatuesja kryesore e programit të monitorimit, por duhet fuqizuar në pikëpamje edhe të stafeve të specializuar, por edhe të pajisjeve dhe të pikave të monitorimit sepse sa më shumë informacion të ketë aq më shumë e aftë të vlerësojë situatën dhe më pas të rekomandojë masat për ta zvoglëuar apo minimizuar impaktin e ndotësve”, – thotë Adhami.

“Çfarë ne rekomandojmë është fare e thjeshtë: E para të minimizohet trafiku, transporti, gjelbërimi urban duhet të shtohet, informimi dhe ndërgjegjësimi i komunitetit gjithashtu. Është e nevojshme ngirtja e një sistemi që të jetë i qartë dhe i përditshëm për qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm”, – përfundon Joxhe.