INVESTIGIMI / Fondi pyjor po jepet për centrale fotovoltaike

Investigime

Nga Ola Mitre

Në mesin e korrikut 2022 Bashkia Elbasan njoftoi në Agjencinë e Prokurimit Publik se ofronte për dhënie me qira 35 ha tokë nga fondi pyjor, në funksion të ndërtimit të centraleve për prodhimin e energjisë nga dielli. Një muaj më pas u shpallën kompanitë fituese, që për 9 vjet do të merrnin me qira ngastrat për vendosjen e paneleve fotovoltaike e që gjithsesi do të kishin të drejtë të rinovonin kontratat. Realizimi i kësaj procedure shënoi zanafillën e një serie njoftimesh të tjera nga shumë bashki të vendit, që brenda harkut kohor të 1 viti kanë vënë në funksion të centraleve fotovoltaike qindra hektarë pyje e kullota. Të dhënat e përpunuara nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se janë të paktën 900 ha nga fondi pyjor dhe kullosor, për të cilat janë shpallur fituesit apo janë lidhur kontratat e qirasë për ndërtimin e këtyre impianteve, duke shkelur legjislacionin në fuqi dhe strategjitë e miratuara për aktivitetet që lejohen të zhvillohen brenda këtyre sipërfaqeve. Ekspertët e mjedisit dhe pushtetit vendor kritikojnë dhënien në masë me qira, për shkak të dëmeve që do i shkaktohen pyjeve e kullotave, ndërsa shtojnë se këto politika, po dëmtojnë edhe zhvillimin e energjisë diellore në vendin tonë, që cilësohet si miqësore me mjedisin nëse pozicionohet brenda territoreve të lejuara. Ata kërkojnë ndërprerjen e dhënies me qira të fondit pyjor në vend, si dhe ndërhyrjen e institucioneve qendrore, ndonëse këto sipërfaqe janë në administrim nga Njësitë e Qeverisjes Vendore.

DHËNIE MASIVE ME QIRA

Sipas ligjit “Për pyjet dhe shërbimin pyjor” qeverisja e fondit pyjor kombëtar mbështetet në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, të përfshira në strategjinë e zhvillimit të sektorit të pyjeve e kullotave, në programin kombëtar dhe në planet afatgjata të veprimit. I njëjti dokument përcakton se pjesë të fondit e tokave pyjore mund të jepen në përdorim për punë kërkimore e studimore, për mbarështim të florës dhe faunës së egër, për gjueti, për qëllime pushimi, argëtimi, shëndetësore, për veprimtari turistike, etj., por në asnjë rast nuk përmenden centralet diellore. Në të njëjtën linjë është edhë ligji “Për fondin kullosor”.

Por, në kundërshtim me këto përcaktime, bashkitë e Elbasanit, Kolonjës, Vaut të Dejës, Poliçanit, Matit apo Devollit tashmë kanë finalizuar procedurat e dhënies me qira në funksion të centraleve fotovoltaike. Sipërfaqja më e madhe është dhënë nga Bashkia Kolonjë, me rreth 340 ha, e ndjekur nga Bashkia Elbasan, me 221 ha dhe Bashkia Poliçan, me rreth 213 ha. Pas tyre vjen ajo e Vaut të Dejës, me rreth 68 ha, Devolli, me rreth 48 ha dhe Bashkia e Matit, me 2.55 ha.

Këto procedura bien në kundërshtim edhe me “Dokumentin e Politikave për Pyjet në Shqipëri – 2030”, që ka përcaktuar politikat që duhet të ndiqen për mirëadministimin e pyjeve deri në vitin 2030, duke qenë se ndërtimi i centraleve fotovoltaike nuk përmendet në asnjë pjesë të dokumentit.

“Kjo është një qasje e gabuar pasi dihet që zemra e biodiversitetit të vendit është pikërisht tek pyjet, është tek kullotat alpine, subalpine apo dhe kullota të lartësive të ulta, që përdoren për blegtorinë”, – thotë eksperti i mjedisit nga PPNEA, Aleksandër Trajçe.

“Është në interes së natyrës së vendit dhe ruajtjes së biodiversitetit që këto ekosisteme të ruhen të paalteruara qoftë edhë nga forma e zhvillimit që mund të duket miqësore me mjedisin. Në thelb energjia e diellit është miqësore me mjedisin kur zhvillohet në vendin e duhur, me strategjinë dhe me teknikat e duhura”, – shton ai Trajçe.

Aleksandër Trajçe, Ekspert mjedisi, PPNEA

Edhe sipas, Enkelejda Kucajt, nga Instituti i Gjeoshkencave në Universitetin Politeknik të Tiranës “ndërtimi i paneleve fotovoltaike është një nevojë kryesisht mbështetur në direktivat e BE, por një faktor shumë i rëndësishëm për mjedisin për ndërtimin e këtyre teknologjive është përcaktimi i terrenit pra pozicioni ku do të ngrihen këto panele fotovoltaike”. “Përveç terrenit janë edhe habitatet, pra vlerësimi i peizazhit të zonës apo resurset natyrore në vend dhe përqark vendit ku ku do të ngrihen këto panele. Sigurisht për të përcaktuar këta faktorë duhet bërë një vlerësim i mirëfilltë ekonomik. Pse jo të shoqërohet me një analizë kosto përfitim për të parë nëse është e leverdishme që këto impinate të ndërtohen dhe a ka një kosto që i shlyen impaktet në mjedis”, – thotë Kucaj.

Prof.As. Dr. Enkelejda Kucaj, Eksperte Mjedisi, Instituti i Gjeoshkencave ne UPT

Legjislacioni në fuqi kërkon nga strukturat përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki të mbajnë në konsideratë një sërë kriteresh, gjatë vlerësimit për dhënien në përdorim të fondit pyjor e kullosor. Ndër të tjera, ata duhet të mbajnë në konsideratë se projektet e veprimtaritë që do të ushtrohen, duhet të sjellin përmirësime të dukshme në mbarështimin e florës dhe faunës që ndodhen në këto sipërfaqe dhe të mos cenojnë vlerat dhe funksionet natyrore e biologjike. Po ashtu, këto projekte duhet të jenë në përputhje me Planin e Përgjithshëm Vendor apo planin e detajuar vendor për zonën, në 10 vitet e ardhshme.

“Shqetësimi që unë kam është i tillë që sot, njësitë e qeverisjes vendore kanë miratuar Planet e Përgjithshme Vendore në Këshillin e Rregullimit të Territorit, por aty është shumë vështirë të gjesh se cili është vizioni i bashkive, sesa nga këto asete që janë pyje apo kullota, u lejohet apo duan ta transformojnë për parqe diellore. Kjo pasi, nëse do vazhdojnë me këtë trend ne do të kemi probleme nesër sepse sipërfaqja e gjelbër do mbulohet më këto parqe fotovoltaike”, – thotë eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali.

Agron Haxhimali, Ekspert i pushtetit vendor

Ky risk, sipas Haxhimalit është edhe më i lartë për shkak të moskoordinimit të politikave mes bashkive.

“Sot njësitë e qeverisjes vendore, kanë defektin shumë të madh të mos veprimit, të mos bashkërendimit edhe pse ligji nr.139/2015 përcakton fare qartë që ato mund të bashkëpunojnë me bashki të tjera brenda një rajoni, për të pasur këtë qasjen akumulative. Të gjitha bashkitë e qarkut mund të kenë një zonë të përbashkët për të ndërtuar parqe të tilla dhe jo çdo bashki detyrimisht duhet të ketë zona të tilla. Është një qasje shumë e mirë, rajonalizimi dhe koordinimi për një bashkëpunim ndërbashkiak më të mire”, – thotë ai.

DËMET NË MJEDIS

Sipas inventarit të fundit të realizuar në vitin 2021, pyjet dhe kullotat zënë 65% të sipërfaqes totale të vendit, ku 46% janë pyje dhe 19%, kullota. Por, sipas dokumentit të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve, pavarësisht se pyjet zënë 46% të sipërfaqes kombëtare, gjendja e tyre vlerësohet si jo e mirë dhe ka nevojë të ngutshme për mbrojtje nga aktivitetet e paligjshme, për investime në pyllëzime, përmirësime pyjore apo dhe sistemime malore.

“Instalimi i paneleve fotovoltaikë kërkon hapësira tokësore të mëdha. Normalisht ke një ndryshim të regjimit të dritës në territor, pra nëse në një sipërfaqe të caktuar ti ke një veshje bimore, që varet nga energjia e diellit në një regjim të caktuar, ai regjim ndryshon sepse do të kemi hije për një kohë shumë më të gjatë dhe kuptohet që kjo vjen me impaktet dhe pasojat për biodiversitetin në atë territor. Natyrisht nëse kemi alternim edhe të sipërfaqes pyjore impakti është edhe më i drejtpërdrejtë sepse kërkohet që të priten pemtë, drurët apo shkurret. Pra impaktet janë shumë të mëdha nëse këto lloj projektesh zbatohen në terriotre ku natyra është e zhvilluar dhe ekosistemet janë në gjendje natyrore”, – thotë Trajçe.

Në të njëjtën linjë është edhe Kucaj.

“Kur ngrihet një impiant i tillë jemi të vetëdijshëm që do të ndryshojë përdorimi i tokës në atë zonë. Përveçse ndryshon të gjithë dinamikën e sistemit natyror ka efekte ngative edhe gjatë ndërtimit, por edhe gjatë funksionimit të tij. Pra, janë një sërë hallkash, qoftë në ndotjen e ajrit, në ndotjen e ujit, në degradimin e tokës, por edhe në prishjen e florës dhe faunës apo krijimin e mbetjeve. Sigurisht kanë efekte sociale – biologjike dhe fizike të tokës”, – thotë ekspertja e mjedisit.

Në dokumentin e Inventarit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave në Shqipëri thuhet se pyjet përbëjnë një nga 3 ekosistemet më të mëdha të depozitimit të karbonit. Nga llogaritjet, rezulton se sasia e karbonit, e depozituar në pyjet në Shqipëri është 100.9 milion ton. 80% e kësaj sasie depozitohet në tokat pyjore, ndërsa 20% në biomasën pyjore.

“Padyshim, ne vlerat e pyllit i dimë. Ne dimë edhe vlerat ekonomike, por duhet t’i mëshojmë përfitimeve mjedisore që ne mund të kemi nga pyjet. Pyjet janë magazinues shumë të mirë dhe thithin dioksidin e karbonit, ku për 1 ton dru ai thith rreth 1.25 ton të CO₂. Megjithatë, kur ne bëjmë zhveshjen e pyllit, që të krijojmë terren të përshtatshëm për ndërtimin e paneleve diellore, në këto zona ku pjerësia është e lartë, sigurisht mungesa e vegjetacionit bën të mundur zhvillimin dhe evoluimin e erozionit. Një tjetër rëndësi e pyllit është edhe magazinimi i ujit. Ai bën shumë mirë balancimin e tabelës ujore dhe lagështisë në tokë, për të shmangur kështu rrëshqitjet apo përmbytjet”, – shpjegon Kucaj.

Ekspertët e mjedisit kritikojnë çdo rast të dhënies me qira të fondit pyjor e kullosor, duke përfshirë edhe sipërfaqet e zhveshura, si: Shkëmbinjtë, dunat e ranishtet, që ndodhen në sipërfaqen pyjore dhe pranë tyre.

“Në diskurin e përditshëm, një tokë me fryt quhet kur ti ke benefit bujqësor, ndërsa një tokë pa fryt është kur ti nuk e ke këtë interes. Në fakt nuk është kaq e thjeshtë sepse edhe ajo tokë që mund të quhet pa përdorim apo tokë djerrë, ka një funksion të madh për një mori gjallesash. Ka një biodiversitet shumë të larmishëm”, – thotë Trajçe.

“Ekosistemet barishtore kanë një biodiversitet të jashtëzakoshëm qoftë nga pikpamja e llojeve bimore, por edhe lloje të tjera që e shfrytëzojnë atë ekosistem që e shfrytëzojnë për të folezuar, për t’u ushqyer, për t’u çiftuar. Pra ka një mori llojesh të biodiversitetit të cilën edhe atë që ne nuk e shohim me sy apo në pamje të parë na duket sikur nuk vlen për asgjë, për mijëra lloje të tjera gjallesash mund të ketë një përdorim të jashtëzakonshëm”, – shton më tej ai.

TË NDRYSHOHET “KURS”!

Dhënia me qira e fondit pyjor e kullosor përkon me interesin në rritje nga ana e investitorëve për ndërtimin e paneleve fotvoltaike, ndërkohë që kjo teknologji konsiderohet si miqësore me mjedisin nëse zgjidhen terren e duhur.

“Janë disa kategori energjish që kur vjen puna në impaktet globale që kanë në impaktin e ndotjes direkte apo emetimeve të karbonit janë shumë më miqësore dhe energjia diellore hyn tek këto energji. Shihet si një energji që mund të jetë pjesë e një strategjie të reduktimit të emetimit të karbonit dhe në thelb mund të jetë edhe shpëtimtare ndaj efekteve negative që prodhimi i energjisë mund të ketë në resurset natyrore”, – thotë Trajçe.

“Por ka dhe nje mënyrë strategjike sesi duhet zhvilluar kjo gjë dhe ka një vend dhe një kohë për gjithçka dhe vendi është shumë i rëndësishëm”, – shton ai.

Sipas ekspertëve, ne vendin tonë ka mjaft territore ku mund të ndërtohen centrale diellore, pa shkaktuar dëme në mjedis.

“Ne kemi toka ku mund të ndërtojmë, që janë të përshtatshme për kushtet që këto panele fotovoltaike kërkojnë. Tokat në pjesën bregdetare të vendit janë toka me kapacitet të ulët prodhues dhe niveli i kripshmërisë në këto toka është i lartë. Kemi edhe toka të cilat kanë aftësi të kufizuara, janë ato toka të lëna djerë ndër vite, ndaj ne duhet të shrytëzojmë këto terrene të cilat sigurisht nuk duhen lënë pas dore, për t’iu dhënë një përdorim dytësor dhe pse jo për të vendosur këto panele fotovoltaike”, -thotë ekspertja e mjedisit, Kucaj.

Ndërkohë Trajçe shpreh keqardhje që “fillesat e energjisë diellore në vend po kryhen në mënyrë të mbrapshtë dhe potenciali i një energjie që mund të ishte shumë më pozitive, që mund të ishte pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit, po rëndohet me këto vendime të gabuara sidomos në aspektin e vendndodhjes se ku po zhvillohen”.

“Ne kemi me dhjetra apo qindra vende ku mund të zhvillohen projekte të tilla që nuk kanë impakte në natyrë ose të jenë minimale. Shqipëria nga trashëgimia e sistemit të kaluar ka shumë zona ish-industriale, të cilat janë edhe të ndotura në shumë raste, të cilat janë braktisur, sipërfaqe fabrikash kombinatesh që tashmë nuk punojnë më dhe të gjitha këto janë teritore ku mund të ndodhë një zhvillim me energjinë diellore, – thotë ai.

Edhe sipas Haxhimalit, “bashkitë duhet të jenë më të ndërgjegjshme, më të përgjegjshme që të kenë një kontroll të plotë mbi këto territore dhe në këtë kontekst, ajo që është e mirë për njësitë e qeverisjes vendore duhet të jenë ato që duhet të ndërtojnë hartat se ku mund të ndërtohen parqet fotovoltaike”.

“Ka toka të kafta apo kategori të ndryshme tokash pa frut që mund të ndërtohen parqe fotovoltaike shumë mirë. Atëherë ti ndërtoje këtë hartë dhe përcaktoju palëve të interesuara të ndërtojnë aty”, -thotë eksperti i pushtetit vendor.

Pronësia dhe administrimi i pyjeve dhe kullotave iu transferua bashkive pas reformës administrativo – territoriale, të vitit 2014. Gjithsesi, sipas legjislacionin në fuqi, qeveria së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, kanë një sërë detyrimesh e ndër të tjera duhet të parandalojnë, zbulojnë dhe luftojnë dëmtimin, pushtimin, shpërdorimin, tjetërsimin, shkretimin dhe degradimin e pyjeve e të tokës pyjore, si dhe cenimin nga ndërhyrjet e pakontrolluara në fondin pyjor dhe në mjedisin natyror.

“Natyrisht që bashkitë kanë kompetenca shumë më të shtuara që nga reforma teritoriale në mënyrën e administrimit në territorin të tyre, por fakti që të jepet më shumë kompetencë për administrimit e territorit nuk duhet të kthehet në një mjet për abuzimin e territorit. Përkundrazi duhet ta shtojë përgjegjësinë ndaj institucioneve lokale që atë territor që kanë, për mirëqënien e banorëve që jetojnë atje, ta administrojnë në mënyrë sa më të shëndetshme dhe me sa më shumë vlera për banorët e asaj bashkie”, – argumenton Trajçe.

“Në këtë aspekt, instucionet qendrore mund dhe duhet të kenë një rol kontrolli shumë më të shtuar, për të parë edhe në aspektin e impakteve kumulative që këto projekte mund të sjellin sepse mund të thuhet që dy projekte në një bashki, apo një në një tjetër mund të mos duket ndonjë gjë e madhe, por kur bëhen 61 bashki bashkë impakti mund të jetë i jashtëzakonshëm”, shton më tej ai.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëatre e Pyjeve nuk iu përgjigjën një kërkese për koment nga emisioni “EkoSkaner” sesi e konsiderojnë faktin që brenda fondit pyjor dhe kullosor po lejohet të zhvillohen këto lloj projektesh dhe nëse bashkitë kanë kërkuar paraprakisht një openion nga ana e tyre.

Ndërkohë që, ekspertët kërkojnë ndalimin, duke mbajtur parasysh pasojat për të ardhme.

“Natyrisht ka mekanizma ,pasi këto projekte duhet të kalojnë një proces certifikimi dhe lejesh që varen nga intitucionet qendrore dhe ky është edhe roli që këto institucione duhet të kenë për të parë se ku duhet të zhvillohen këto projekte, ku janë në të mirë të komunitetit, ku nuk shkaktojnë dëm për natyrën dhe vetëm atëhere të lejojnë me mekanizmat e tyre, që të zhvillohen apo jo në territoret e bashkive”, – thotë Trajce.

Haxhimali i bën apel qeverisë dhe njësive të qeverisjes vendore, që kanë kërkesa të tilla “të ulen urgjentisht me Këshillin Bashkiak, të konsultohen me komunitetet e tyre për të përcaktuar sa për qind nga kjo sipërfaqe nuk dëmton sipërfaqen e gjelbër, për të cilën investohet për thithjen e CO₂, dhe është e pranueshme për të ndërtuar parqe të tilla”.

Ndërsa sipas Kucjat, “Duhet t’i japim vendit padyshim një zhvillim ekonomik, por nuk duhet lënë asnjëherë mënjanë efektet që shkaktojnë në mjedis”.

“Ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për atë çka ne bëjmë, duke pasur parasysh pasojat që ne mund të kemi në ditën e nesërme”,- përfundon ajo.