Integriteti, në hije të energjisë së gjelbër. Pyjet dhe kullotat në rrezik!

Ngjarje
Rritja e investimeve në energjinë diellore po shoqërohet me një valë shqetësimesh për integritetin institucional dhe mungesën e transparencës në dhënien e fondit pyjor dhe kullosor për ndërtimin e parqeve fotovoltaike.

Rritja e investimeve në energjinë diellore po shoqërohet me një valë shqetësimesh për integritetin institucional dhe mungesën e transparencës në dhënien e tokave publike për ndërtimin e parqeve fotovoltaike. Një raport i fundit i All Green Centre, i përgatitur në kuadër të nismës të nismës “Monitorimi për Qëndrueshmëri”, pjesë e projektit “Shoqëria Civile kundër Korrupsionit”, i zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me mbështetje nga Bashkimi Evropian, ngre alarmin se proceset e dhënies me qira të fondit pyjor dhe kullosor në bashkitë Devoll dhe Kolonjë kanë ndodhur në një klimë të ulët gare dhe me boshllëqe ligjore që krijojnë terren për abuzim.

Raporti “Integriteti mjedisor në përdorimin e tokës – Monitorimi i vendimeve dhe vlerësimi i ndikimeve në mjedis nga kthimi i fondit pyjor e kullosor në centrale fotovoltaike”, i hartuar nga ekspertët Prof. Assoc. Klodian Muço dhe MSc. Kristi Bashmili, tregon se gjatë periudhës 2022–2024 janë vërejtur anomali të përsëritura në procedurat e ankandeve, përfshirë mungesën e konkurrencës, raste të fituesve të njëjtë në ankande të ndryshme, përdorimi i mekanizmit “anullim e rihapje procedure”, si dhe mungesë të dokumenteve të planifikimit territorial.

“Mbi 90% e procedurave kanë pasur vetëm një operator ekonomik pjesëmarrës, ose kanë prodhuar fitues të përsëritur në më shumë se një ankand, duke kufizuar ndjeshëm konkurrencën e lirë dhe rritur rrezikun për favorizim”, – thuhet ndër të tjera në raportin e monitorimit.

Këto gjetje, sipas autorëve, vënë në pikëpyetje integritetin e vendimmarrjes vendore dhe rrezikojnë të tjetërsojnë sipërfaqe me rëndësi ekologjike në dobi të interesave private.

“Në shumë raste, vendimmarrja është shoqëruar me procedura të nxituara, pa garë të mirëfilltë dhe me pjesëmarrje të kufizuar të komunitetit. Kjo krijon një klimë të favorshme për ndikime politike dhe klientelizëm”, – thuhet në raport.

Sipas analizës, bashkitë nuk kanë respektuar plotësisht legjislacionin në fuqi dhe parimet e planifikimit të qëndrueshëm të territorit.

“Para ndryshimit të ligjit “Për fondin kullosor” në dhjetor 2024, dhënia e kullotave për qëllime industriale (si ndërtimi i centraleve fotovoltaike) nuk lejohej. Edhe ligji “Për pyjet” nuk parashikon dhe nuk lejon përdorimin e fondit pyjor për zhvillime të këtij karakteri, duke e kufizuar atë në funksione ekologjike, mbrojtëse dhe prodhuese që nuk e shmangin tokën nga destinacioni natyror. Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë e procedurave të zhvilluara gjatë 2022–2024”, – theksohet në dokument.

Po ashtu, mungesa e dokumenteve strategjike, si planet e menaxhimit të pyjeve dhe kullotave, ka bërë që vendime të rëndësishme për tokën publike të merren në mënyrë fragmentare dhe pa vlerësime të plota të ndikimit mjedisor apo socio-ekonomik.

Tendenca vjetore e sipërfaqeve të dhëna me qira për parqe fotovoltaike në Kolonjë dhe Devoll, sipas analizës së All Green Centre

“Sipërfaqet e dhëna me qira shënojnë rritje të fortë nga viti në vit (25 ha në 2022; 364.14 ha në 2023; 530.66 ha në 2024), duke sinjalizuar një trend të vrullshëm që nuk mbështetet në instrumente planifikuese apo vlerësime të nevojshme paraprake”, – thuhet në raportin e All Green.

Prof. Muço thekson se kjo situatë rrezikon të dëmtojë besimin e qytetarëve në institucionet vendore. “Kur qytetarët perceptojnë se vendimet për tokën publike merren pa transparencë dhe në favor të pak vetëve, besimi në qeverisjen lokale bie ndjeshëm. Në këtë mënyrë, korrupsioni nuk është thjesht çështje financiare, por një kërcënim për vetë demokracinë vendore”, – shprehet ai.

Në raport përmendet edhe renditja e Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2025, ku vendi u rendit në vendin e 80-të nga 180 shtete, me vetëm 44 pikë nga 100 të mundshme. Ky tregues, sipas autorëve, pasqyron nivelin e ulët të llogaridhënies dhe dobësinë e mekanizmave të kontrollit institucional.

Në përfundim, raporti kërkon që qeverisja vendore dhe institucionet përgjegjëse të rishikojnë qasjen ndaj administrimit të tokës publike, duke garantuar transparencë dhe monitorim publik.

“Integriteti në menaxhimin e tokës nuk është vetëm abuzim ekonomik, është një akt që dëmton integritetin e shtetit, natyrën dhe të ardhmen e komuniteteve”, – përmbyll eksperti Muço.

Dokumenti apelon për një riformatim të qasjes ndaj energjisë së rinovueshme, në mënyrë që zhvillimi i saj të mos mbetet peng i vendimmarrjeve të diskutueshme, por të ndërtohet mbi transparencë, konkurrencë dhe përgjegjësi publike.