Teksa prej 1 viti kishte shpallur gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, qeveria miratoi një Akt Normativ që synonte kursimin e energjisë nga institucionet shtetërore. Dokumenti i miratuar në datën 5 tetor 2022, detyronte këta klientë të reduktonin konsumin e energjisë elektrike të godinave të tyre, në masën 15%, krahasuar me muajin përkatës të një viti më parë. Qeveria argumentoi se Akti ishte në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Energjisë dhe Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën. Ndërkohë që, për të arritur reduktimin e konsumit, ndër të tjera ndalohej përdorimi i ajrit të kondicionuar në temperaturë më të ulët se 27 gradë gjatë verës dhe më të lartë se 21 gradë gjatë dimrit.
Në fakt, kursimi i energjisë është një nga masat për zbutjen e ndryshimeve klimatike, pasi ndihmon në uljen e shkarkimeve, si dhe mbron burimet energjetike në vend, pasi çon në reduktimin e nevojës për shfytëzimin e këtyre burimeve, siç janë lumenjtë apo tokat që mund të zihen nga panelet fotovoltaike apo eolike.
Por, të dhënat e përpunuara nga “EkoSkaner” tregojnë se detyrimi për të konsumuar 15% më pak energji elektrike nuk u arrit, ndërsa në shumë muaj u konsumua edhe më tepër se i njëjti muaj i një viti më parë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, gjatë vitit 2023 kur edhe detyrimi për kursimin e energjisë ishte në fuqi, institucioneve shtetërore iu shit 148,609 mWh energji apo vetëm 8.5% më pak se viti 2022, kur kjo vlerë u regjistrua në 162,146 mWh. Po ashtu, të njëjtat të dhëna tregojnë se nga shtatori në dhjetor 2023, konsumi jo vetëm që nuk u ul, por në godinat publike u harxhua më tepër energji, se në të njëjtët muaj të një viti më parë.
Klientët buxhetorë që kishin detyrimin për të kursyer energjinë në godinat publike ishin institucionet e qeverisjes qendrore, institucionet e varësisë, institucionet vendore, shoqëritë dhe ndërmarrjet publike. Akti Normativ parashikonte dhe vendosjen e masave administrative në masën 50 mijë lekë në rast të mosarritjes së përsëritur në dy muaj e masës së kursimit të energjisë. Gjoba do të vendosej për titullarin e institucionit, administratorin e shoqërisë apo ndërmarrjes, që kishte përgjegjësi administrimi pronën përkatëse.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si institucioni përgjegjës për zbatimin e Akti Normativ, asnjëherë nuk njoftoi publikisht marrja e masave administrative për ndonjë drejtues. Ndërkohë që, me përfundimin e gjendjes së emergjencës së furnizimit me energji elektrike në datën 31 dhejtor 2023, edhe detyrimet që lindnin nga ky Akt nuk janë më në fuqi.