INVESTIGIMI/ Institucionet “fshehin” ndotjen nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës

Investigime

Nga Ola Mitre

Institucionet shtetërore iu lënë “dorë të lirë” bizneseve të pajisur me leje mjedisi për të kryer vetëmonitorime, ndonëse verifikimi i rezultateve është detyrim ligjor. Të dhënat tregojnë se verifikimet mungojnë edhe në zonat ku mundësia e ndotjes është tejet e lartë, sikurse është Patos – Marinza, ku ushtrohet aktiviteti i nxjerrjes së naftës. Ndërkohë që, monitorime alternative të kryera përmes laboratorëve të certifikuar nxjerrin në pah ndotjen tej normave të lejuara, të shkaktuar nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës. Ekspertët akuzojnë autoritetet si përgjegjëse për situatën, pasi kanë detyrimin ligjor të kryejnë monitorime, sidomos në zona ku risku i ndotjes në mjedis është i lartë. Ata shtojnë se moszbatimi i ligjit në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, po shkakton pasoja serioze në shëndetin e qytetarëve si dhe dëme ekonomike në drejtim të moszbatimit të parimit “ndotësi paguan”. Paralelisht, raportimi mbi çështjet mjedisore prej datës 14 qershor do të jetë detyrim për Shqipërinë, si anëtare e Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI), çka do të thotë se mospërmbushja e tyre rrezikon përjashtimin nga ky organizëm, duke lënë pasoja edhe në drejtim të plotësimit të kushteve për antëarësim në Bashkimin Evropian.

DETYRIMET PËR VERIFIKIME

Sipas legjislacionit në fuqi çdo subjekt i pajisur me leje A dhe B ka detyrimin që të kryejë vetëmonitorime të shkarkimeve në tokë, ujë dhe ajër, ndërsa rezultatet duhet të dorëzohen pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në përputhje me legjislacionin dhe me kushtet e përfshira në lejen përkatëse mjedisore. Po ashtu, ligji detyron autoritetet të kryejnë verifikimin dhe vlerësimin e çdo raporti të paraqitur nga operatori i veprimtarisë.

Por ndryshe nga këto përcaktime, për vlerësimin e ndotjes së shkaktuar nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës në fushën më të madhe naftëmbajtëse të Patos – Marinzës, Agjencia Kombëtare e Mjedisit iu referohet vetëm të dhënave të dorëzuara nga kompania Bankers Petroleum, që operon në këtë zonë sipas Marrëveshjes Hidrokarbure. Një kërkese për të vënë në dispozicion të dhënat mbi nivelin e ndotjes mjedisore nga organizata “EcoPartners”, AKM iu përgjigj duke vënë në dispozicion raportet e vetëmonitorimit, të gjeneruar nga operatori privat e që tregojnë parametra brenda normave të lejuara. “Duke marrë parasysh raportet e vetëmonitorimit, del që situata është në rregull. Pra, industritë nxjerrëse i zbatojnë parimet kryesore, teknologjinë e duhur dhe raportojnë për të dhënat të cilat janë brenda limteve që ka vendosur legjislacioni shqiptar dhe jo vetëm, sepse këto janë kompani internacionale dhe shkojnë më tutje se kaq. Pra kanë dhe përgjegjësi edhe globale, jo vetëm lokale”, – thotë Entela Pinguli, nga organizata“EcoPartners për Zhvillim të Qëndrueshëm”.

Entela Pinguli, Drejtore, organizata “EcoPartners për Zhvillim të Qëndrueshëm”

Por, Raporti i Vlerësimit Mjedisor të zonës Patos & Roskovec, i kryer nga kjo organizatë tregon që mjedisi dhe komunitetet që banojnë aty, janë të ndikuar në mënyrë direkte nga industria nxjerrëse dhe problemet e shkaktuara prej saj. Sipas raportit, efektet e ndotjes nga nafta në zonën Patos-Marinzë, shtrihen në një zonë rreth 23 000 ha.

“Ne bëmë monitorim të tokës, ujit dhe ajrit dhe dolën që përmbajtja e metaleve të rënda të të kadiumit, të bakrit, të plumbit, të azotit është e lartë, duke i kaluar disa herë standardet e vendit pra sipas VKM-së që vendos këto standarde që nga viti 2014, që ka përcaktuar normat e cilësisë së mjedisit, të ajrit, të ujërave sipërfaqësore, gjithashtu edhe të Aneksit 5 të Direktivës kuadër të BE që Shqipëria ka nënshkruar”, – thotë Pinguli.

Të dhënat laboratorike të matjeve në tre hotspote të përzgjedhura treguan për përmbajtje të lartë të metaleve të rënda në tokë, sikurse është kadiumi, bakri, plumbi, nikeli, etj., duke kaluar deri disa herë standardet kombëtare dhe ato të BE-së. Po ashtu, ujrat e analizuara kanë përmbajtje të lartë dhe shumë të lartë të metaleve të rënda, si: zink, nikel, krom, bakër, etj. duke rezultuar disa herë më të larta se norma e lejuar prej 7.2 mg/l. “Vlerat e parametrave të pH, NKO, NBO5, H2S tregojnë se, nafta ka shkaktuar ndryshime të kushteve të sistemeve ujore, duke ndikuar në vazhdimësi jetën e biotës në zonën në presionin e ndotjes”, – thuhet ndër të tjera në raport. Ndërkohë që, cilësia e ajrit është e ndikuar dhe përkeqësuar nga përmbajtja e oksideve të azotit (NOx) dhe nga oksidet e squfurit SOx, avujt e acidit sulfurik dhe thërmija pluhuri që qëndrojnë në ajër.

Por, përballë të dhënave kontadiktore midis operatorit privat dhe këtij monitorimi, institucionet shtetërore nuk kanë një vlerësim të kryer prej tyre, për të gjykuar mbi situatën reale të ndotjes.

Mungesa e veprimeve konkrete për të parandaluar ndotjen u konstatua edhe nga një monitorim i kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në periudhën tetor 2022 – shkurt 2023 në Njësinë Administrative Patos – Marinzë. Pas një sërë korrespondenash me disa institucione rajonale në Fier, si: Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Agjencia Rajonale e Mjedisit por dhe Bashkia Patos, KSHH vëreu nivele të dobëta reagimi dhe mungesë bashkëpunimi midis këtyre institucioneve, që në mënyrë të koordinuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të parandaluar ndotjen dhe për të sanksionuar ndotësit. “Në mënyrë të veçantë vihet re një klimë e mungesës së iniciativës në inspektimet ex officio që krijon një klimë të mungesës së llogaridhënies dhe përgjegjësisë ndaj operatorëve që ushtrojnë veprimtari në fushën e hidrokarbureve në këtë njësi administrative”, – bëri me dije KSHH.

Sipas ekspertit të mjedisit, Rodion Gjoka kjo situatë është e papranueshme.

“Agjencia Kombëtare e Mjedisit është në një situatë që të them të drejtën, nuk e di nëse në histori ka kapur ndonjëherë pikun më të ulët të saj përsa i takon gjurmimit të ndotjes dhe raportimit të monitorimeve që kryen. Kjo për vet faktin se ne kemi një Plan Kombëtar të Monitorimit Mjedisor që miratohet çdo vit, plan kombëtar që normalisht shoqërohet dhe me një buxhet përkatës”, – thotë Gjoka.

“Po marrim për referencë ajrin. Citohen në këtë plan kombëtar që janë 121 stacione në të gjithë Shqipërinë. Patosi është një nga këto qytete që duhet monitoruar dhe është në listën e stacioneve që duhet monitoruar. Dhe ndërkohë që thjesht citohen 121 stacione, nuk as aparate për të mbuluar këto stacione, nuk ka as të dhëna prej 7 vitesh që janë kryer matje në këto stacione. Pra, të gjithë kapacitetet për të ushtruar dhe për të zbatuar këtë plan mungojnë. Ndërkohë i gjithë kuadri ligjor, strategjia, plan veprimi, planet për menaxhimin e cilësisë së ajrit janë në vend dhe nuk zbatohen nga ana tjetër. E njëjta gjë vlen dhe për monitorimin e cilësisë së tokës, e njëjta vlen dhe për monitorimin e cilësisë së ujërave”, – shton eksperti.

Rodion Gjoka, ekspert mjedisi

Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga emisioni “EkoSkaner” mbi këtë çështje dhe nëse planifikon të kryejë monitorime në të ardhmen.

Ndërkohë që, Klodiana Marika nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e justifikoi mungesën e verifikimit të vetëmonitorimeve që kryen nga operatorët, me mungesën e fondeve.

 

Klodiana Marika, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

“Në bazë të legjislacionit të monitorimit subjeketet kanë për detyrë të kryejnë procesine vetëmonitorimit dhe të dhënat t’i dorëzojnë pranë AKM në bazë të krahasimit apo standardit të normave që janë të vendosura. Në qoftë se do të kishte fonde do të bëhej verifikimi i të gjithë raporteve të vetëmonitorimit, për të gjitha subjekette të cilat marrin lejen e mjedisit dhe këtu qëndron çështja”, – tha Marika.

“Megjithatë edhe këto kompani që bëjnë vetëmonitorim,në qoftë se gënjejnë kanë përgjegjësi ligjore dhe nëse në një moment X analizohet që ata kanë gënjyer, ata mbajnë përgjegjësi ligjore dhe penalizohen, jo vetëm si kundravajtje administrative, por edhe si kundravajte penale për mashtrim të të dhënave”, – shtoi ajo, duke theksuar se monitorimi bëhet në nivel kombëtar, e jo me hotspote.

“E vërteta është që ne nuk duhet të mbetemi vetëm me vetëmonitorimin dhe kjo është shumë e qartë sepse ka një konflikt interesi të hapur në këtë mes. Pra, vetmonitorimi lë për të dyshuar që ato të dhëna, ato detaje janë të vërteta. Në rastin e Patos – Marinzës, ne kemi vrojtuar dhe me sy të lirë që papastërtia është gjithandej, sin ë ujë, si në ajër, si në tokë”, – thotë Pinguli.

Në të njëjtën linjë është edhe Gjoka, i cili kriton ashpër mungesën e verifikimit të vetëmonitorimeve.

“Ky është një process, i cili ligjërisht është konceptuar për t’i ardhur në ndihmë monitorimeve dhe inspektimeve që kryen Agjencia Kombëtare e Mjedisit, por jo për t’i zëvendësuar ato. Këtu ka një subjekt fiktiviteti, pra një subjekt pavërtetësie shumë të lartë, sepse të gjitha raportet e vetëmonitorimit në të gjithë Republikën e Shqipërisë citojnë që të gjitha subjektet, emetojnë dhe shkarkojnë brenda normave të lejuara në lejen e tyre mjedisore, gjë që nuk përputhet me realitetin. Për të ardhur keq dhe për të konsoliduar shkeljen është AKM-ja, e cila i pranon këto vetëmonitorime dhe ndonjëherë i referon që industria në fjalë është në sinkroni me shkarkimet”, – thotë Gjoka.

“E konsideroj në aspektin administrativ shkelje ligjore dhe moszbatim të ligjit. Në aspektin personal, unë do ta quaja dhe neglizhencë e cila shkon në vepër penale përsa i takon lirshmërisë me të cilën kjo lloj industrie, por jo vetëm, e trajtojnë mjedisin”, – shton ai.

PROBLEMET NË MJEDIS E SHËNDET!

Sipas Raportit të Vlerësimit Mjedisor të zonës Patos & Roskovec, të realizuar nga “EcoPartners”, ndotja e ajrit nga dyoksidi i azotit, komponimet organike të paqëndrueshme dhe gazra të tjerë toksikë, krijojnë efektet negative mbi shëndetin e njerëzve dhe receptorë të tjerë. “Smogu fotokimik, është një dukuri tjetër e ndotjes se ajrit që shfaqet në zonën e ndotur Patos-Marinëz, në praninë e gazeve toksike ne ajër”, -vlerëson raporti.

“Metalet e rënda janë një nga komponentët më agresivë përkundrejt shëndetit të njëriut. Ndotja qoftë kjo në ujë, tokë, ushqime pasi kalon në zinxhirin ushqimor transmetohet edhe tek njerëzit apo te komuniteti i zonës i cili është dhe i ekspozuar. Efektet janë nga më të gjithanshmet. Mund të jenë psikike, mund të jenë shëndetësore sikundër mund të jenë dhe sociale”, – thotë Gjoka.

“Janë vënë re sipas studimeve që janë kryer, që problemet shëndetësore të komunitetit ekzistues sipas pyetësorëve të drejtpërdrejtë të janë më të larta sesa në zonat e tjera që nuk janë subjekt i industrisë së naftës”, -shton ai.

Paralelisht me problemet që shkaktohen në shëndet, sipas Raportit të Vlerësimit Mjedisor të zonës Patos & Roskovec rezulton se mostrat e tokës kanë përqëndrim të metaleve të rënda, më të lartë se standardet e rekomanduara nga BE-ja, duke ndikuar në uljen e produktivitetit të tokës dhe kufizuar përdorimin e ujit për nevojat e njerëzve, teksa pjelloria aktuale e këtyre tokave, ka ardhur gjithmonë e në rënie.

“Ne së pari konsumojmë biosferën ku jetojmë pra ajrin, ujin, tokën dhe nënproduktet bujqësore që marrim nga tokat tona. Kështu e gjithë ajo ndotje, i gjithë ai presion mbi mjedisin kthehet mbi shëndetin publik. Tani përsa kohë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Instituti i Shëndeti Publik, nuk e vënë ujin në zjarr që së pari ta gjurmojnë ndotjen, së dyti të bëjnë një lidhje akademike dhe shkencore ndërmjet ndotjes dhe shëndetit publik, këto të dhëna mbeten nul. Por ndërkohë fakti tregon që ka një korelacion me shtimin në raport me incidencën që kanë problemet shëndetësore, sidomos në zonat e ndotura të Shqipërisë”, -thotë Gjoka.

Por, në mungesë të monitorimeve dhe të dhënave nga insitucionet shtetërore, edhe parimi “ndotësi paguan”, që është një detyrim ligjor e që do të ngarkonte operatorët privatë me përgjegjësi, nuk mund të zbatohet.

“Dihet burimi në këtë rast që janë industria e naftës në zonë, por nuk gjurmohet. Shkencërisht nuk mund të lidhim ndotësin me shkaktarin e problemit dhe në momentin që nuk kemi këtë lloj lidhje, nuk bëjmë dot as ndjekje të këtij procesi për të marrë masa për të reduktuar ndotjen, sikundër për të kërkuar zbatimin e principit të gjithanshëm që duhet të paguajë, qoftë për rehabilitimin mjedisor, qoftë për rehabilitimin shëndetësor të komunitetit të impaktuar nga kjo ndotje”, – thotë Gjoka.

“Shqipëria pavarësisht se e ka futur si pjesë të legjislacionit shqiptar nuk arrin ta zbatojë dot, për arsye se të kesh një parim që të zbatohet duhet të kesh monitorim. Pra, duke mos patur monitorim të mjedisit, ti nuk mund ta përcaktosh se kush është ndotësi kryesor dhe ta bësh këtë ndotës fajtor për të bërë pastaj më pas hapin tjetër, rehabilitimin mjedisor, i cili është ai që nuk ndodh”,-thotë Pinguli.

“Faktikisht dhe fatkeqësisht në Shqipëri, bie zilja vetëm kur ka alarm, kështu që s’ka sesi të zbatohet parimi ndotësi paguan në momentin që nuk akuzon dot ndotësin”, -shton ajo.

Përballë këtyre problemeve, Shqipëria rrezikon edhe penalitete ndërkombëtare nga mungesa e transparencës në të dhëna. Anila Hajnaj, antare e Grupit Ndërinstitucional të Nismës Për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, ku vendi ynë bën pjesë prej vitit 2009, thotë se raportimi mbi çështjet sociale, mjedisore dhe klimatike për aktivitetin e nxjerrjes së naftës tashmë do të jetë detyrim, bazuar në standardet e reja të vendosura.

Anila Hajnaj, Antare, Grupi Ndërinstitucional i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI)

“Kjo është shumë e rëndësishme sepse vendet do të jenë të detyruara që në raportin e EITI-t të raportojnë dhe çështje të tilla. Sigurisht shteti duhet të ketë më shumë kujdes, tashti ka një detyrim nëse do themi sepse ne jemi anëtarë të EITI-t dhe ne duhet të përpiqemi që t’i kryejmë detyrat tona sa më mirë, kështu që ndoshta do të ketë kontroll më të madh. Bordi i EITI-t duhet të ketë më shumë kujdes kur përgatitet raporti dhe nëse të gjitha këto detyrimet nuk plotësohen, atëhere ne na largojnë nga EITI”, – shpjegon Hajnaj.

“Përjashtimi nga EITI është një çështje jo e mirë për vendin tonë, duke qenë që ne kemi qenë të dytët në Europë që jemi bërë pjesë e transparencës për industrinë nxjerrëse dhe meqenëse është çështje e transparencës, ndoshta kjo mund të ndikojë negativisht për çështjet e MSA-së. Kjo sepse nesër nëse aspirojmë të hyjmë në Europë, atëherë është negative për vendin tonë që një nga pjesët e transparencës që është shumë e rëndësishme industria nxjerrëse ne nuk e kemi marrë në konsideratë, ose detyrën nuk e kemi kryer si duhet. Sigurisht është hap i madh pas dalja nga EITI”, – shton ajo.

TË MERREN MASA!

Ekspertët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve, duke kërkuar zbatimin e ligjit dhe gjetjet e burimeve financiare të nevojshme.

Në Shqipëri sado që të përpiqesh të heqësh shtresat e problemeve që lidhen me mjedisin, gjithmonë dalin shtresa me probleme të reja, dhe në këtë kontekst unë nuk do doja të merresha me problem specifik, por do doja të bëja në apel që Ministria e Mjedisit dhe Angjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të kërkojnë për më shumë buxhet. Buxheti sjell dhe mundësinë për të kapacituar njerëz, për të afruar kompetentë, sikundër dhe për të marrë kapacitetet teknike, pajisje etj. etj, që i shërbejnë zbatimit të ligjit. Kështu që në këtë kontekst unë doja thjesht që ai kuadër ligjor që ne kemi për ujin, ajrin dhe tokëpër biodiversitetin të respektohet”, -thotë Gjoka.

“Një rekomandim i fundit është që shteti, sidomos tani, që do të jetë kërkesë e veçantë që të jetë në raportet e EITI-t për të gjitha vendet, megjithëse ne si Shqipëri e kemi përfshirë pjesërisht, është shumë e rëndësishme që shteti të kryejë detyrat siç duhet, të bëj monitorimin siç duhet sepse dhe ligjet janë ashtu siç duhet”, – thotë Hajnaj.

Apeli kryesor është fondi mjedisor në Shqipëri. Në momentin që Shqipëria do të dojë të aderojë në BE, që thotë që gjithmonë është gati por që ka shumë punë për të bërë, sidomos në çështje mjedisore, dhe ku BE-ja është shumë strikte, të gjitha vendet e Europës kanë një fond mjedisor, dhe ky fond mjedisor nuk është i vogël, dhe është pikërisht për këto raste”, – thotë Pinguli. “Është për rastet së pari për t’i dhënë prioritet mjedisit që është i rëndësishëm dhe e dyta e punës për t’i treguar që kujdesesh për banorët e këtij vendi që meritojnë ajër të pastër, ujë të pastër dhe tokë të pastër. Kështu që ky fondi mjedisor do jetë shumë i rëndësishëm, sepse në fund të fundit nuk do kemi më justifikime të faktit që janë kostot shumë të larta dhe s’kemi mundësi financiare që t’i investojmë në drejtim të monitorimit mjedisor, por fondi do të kujdeset për këtë pjesë dhe jo vetëm, por edhe për rehabilitimin mjedisor”, – përfundon ajo.