Ndryshimet klimatike po japin efekte negative në pyjet shqiptare, duke sjellë dëme të mëdha në këto sipërfaqe”. Profesori në Fakultetin e Shkencave Pyjore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Fatmir Laçej thotë për “EkoSkaner” se përveç rritjes së rrezikut nga zjarret, si pasojë e rritjes së temperaturave, kjo situatë vjen edhe për shkak të rritjes së aktivitetit të insekteve apo sëmundjeve të ndryshme, në zona që nuk ishin hasur më herët. Këto risqe të shtuara vijnë në kohën kur pyjet në vendin tonë po vuajnë rënien e ndjeshme të volumit pyjor. Sipas inventarit të fundit, Shqipëria zotëron një volum pyjor në këmbë prej 57.7 mln m³, nga 73.5 mln m³, që kishte në vitin 2004. Sipas inventarit të fundit, Shqipëria zotëron një volum pyjor në këmbë prej 57.7 mln m³, nga 73.5 mln m³, që kishte në vitin 2004.
Profesor, cilat janë efektet e ndryshimeve klimatike në sipërfaqen pyjore të vendit tonë?
Në sektorin e pyjeve efektet e ndryshimeve klimatike janë ndjerë në fushën e mbrojtjes dhe pikërisht tek aktiviteti i insekteve apo tek zjarret në pyje. Përsa i përket zjarreve e kemi të qartë që duke u rritur temperaturat edhe zonat që dikur kanë qenë më të freskëta, më lart nga niveli i detit tani kanë temperatura më të larta dhe kanë një mundësi më të madhe për t’u përfshirë nga zjarret. Po kështu, edhe insektet si përshembull procesionarja e pishës dikur kapte një nivel të caktuar, tani është ngjitur më lart, e ka rritur aktivitetin e saj. Pra, janë ngjitur insektet më lart, duke prekur më tepër drurët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me skolitet e pishës. Përshembull në Voskopojë janë ngjitur më lart, duke rritur aktivitetin e tyre, kanë zmadhuar zonat e prekjes. Më shumë halorët i kanë vuajtur këto fenomene. Po kështu, tek bredhi kemi fenomenin e tharrjes së majave të bredhit, si rezultat i ndryshimeve klimatike, por edhe insektet dhe sëmundjet kanë bërë punën e tyre në këtë rast. E njëjta situatë vihet re edhe tek dushqet ku hasim tharrjen e majave të tyre. Ndryshimet klimatike edhe këtu kanë shkaktuar një lloj stresi, që gërshetuar me aktivitetin e insekteve dhe sëmundjet kanë sjellë pasoja në bimësi në pyjore.
Çfarë shkakton kjo situatë në fondin pyjor të vendit tonë?
Kjo ndikon në uljen e rritjes vjetore të këtyre drurëve, prish pamjen në aspektin estetik, duke shkuar deri në tharrjen e plotë.
A ka të dhëna mbi dëmet konkrete?
Çdo vit bashkitë evidentojnë sipërfaqen e dëmtuar nga procesionarja. Procesionarja është dëmtues që është monitoruar më shumë, ndërsa sa i takon dëmtuesve të tjerë ka mangësi. Duhet të monitorohen edhe dëmtuesit e tjerë, qoftë edhe përmes vrojtuesve që bashkitë kanë në terren, vendosjes së kurtheve për kapjen dhe monitorimin. Janë disa metoda më të avancuara për të mësuar edhe gjendjen reale të prezencës së insekteve.
Rritja e rrezikut nga zjarret është një nga pasojat e ndryshimeve klimatike. Si e shihni situatën, a jemi të përgatitur?
Ky rrezik është rritur, ndaj unë jam i parimit që zjarret vendosen nga njeriu sepse që të marrin pyjet vetë zjarr është mundësia 1% për të mos thënë më pak. Risku më i madh është në zonat ku ka vullkane, pra jo në vendin tonë pasi këtu edhe në rastet e rrufeve ato janë të shoqëruara me shi, ndaj nëse ndizet një dru shuhet nga shiu. Pra Shqipëria rrezikun më të madh e ka nga aktiviteti njerëzor, ndaj veç punës ndërgjegjësuese duhet edhe forcimi i ligjit. Individët që ndezin zjarre mendojnë se mund të kontrollojnë përhapjen e tyre, por eksperienca na ka treguar që veç pyjeve janë dëmtuar edhe banesa, janë humbur edhe jetë njerëzish ndaj duhet ligji të veprojë dhe shkaktarët e zjarreve të vuajnë dënimin.
A është Shqipëria mjaftueshëm vigjilente ndaj këtyre fenomeneve? A janë marrë masat e nevojshme sipas jush?
Masa janë marrë, por jo në shkallën e nevojshme. I takon bashkive, drejtorive pyjore pranë bashkive të bëjnë më shumë monitorime në drejtim të mbrojtjes së pyjeve. Të monitorojnë dhe në rastet kur kanë problematikë të theksuar, të mendohet dhe ndërhyrja me masa luftimi qoftë ato mekanike, qoftë biologjike.
Cili është rekomandimi juaj në drejtim të politikave që duhet të ndërmerren për të zbutur këto efekte?
Mesa di unë janë bërë studime në këtë fushë, por duhen bërë edhe më tepër. Pyjet nuk mund t’i shohim vetëm si një sipërfaqe të gjelbër që i vjelim të mirën, por duhet edhe të kujdesemi për to!