INVESTIGIMI / Guroret e paligjshme shkatërrojnë zonat e mbrojtura

Investigime

Nga Ola Mitre

Një duzinë me gurore të paligjshme ushtrojnë aktivitetin brenda zonave të mbrojtura, duke shkaktuar dëme të pakthyeshme në mjedis dhe pasoja në shëndetin e popullatës përreth. Vëzhgimet në terren dhe të dhënat e përpunuara nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se kompanitë nxjerrin mineralet, të pashqetësuara nga institucionet përgjegjëse, ndonëse ky aktivitet klasifikohet si një nga më shkatërruesit për mjedisin.

Biznesi i paligjshëm i nxjerrjes së gurit vazhdon edhe në Malin e Tomorrit dhe Krastë – Verjon në Krujë, 2 zona që u përfshinë me bujë në hartat e zonave të mbrojtura në vitin 2019. Paradoksalisht, edhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore pranon se janë miratuar disa leje brenda zonave të mbrojtura, që vijojnë të rinovohen. Ekspertët argumentojnë se pasojat në mjedis dhe shëndet nga ushtrimi i këtij aktiviteti të paligjshëm janë të mëdha, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të tyre.

AKTIVITET I PALIGJSHËM!

Ligji “Për zonat e mbrojtura” saktëson se brenda zonës së mbrojtjes, por edhe në ato që njihen si zona buferike, aktivitetet njerëzore mund të jenë shumë minimale, duke përjashtuar në mënyrë kategorike aktivitete të tilla intensive si guroret.

“Aktivitetet minerare janë ndër aktivitetet që kanë ndikimin më të rëndë në mjedis. Shpeshherë kryejnë dëme në peizazh dhe në burimet natyrore që janë të parikuperueshme, ose duan një kohë jashtëzakonisht të gjatë që mjedisi të fitojë sërish ato parametra cilësorë që kishte”, – thotë Ornela Shoshi, eksperte mjedisi.

“Në rastin e zonave të mbrojtura kjo situatë është akoma më e rëndë. Ligjislacioni për zonat e mbrojtura përcakton saktë se çfarë kriteresh apo specifikash natyrore duhet të ketë një ekosistem, i caktuar për tu shpallur zonë e mbrojtur dhe një gurore është një aktivitet që i cenon më shumë këto kritere”, – shton ajo.

Ornela Shoshi, eksperte mjedisi

Por, në kundërshtim me përcaktimet ligjore dhe konventat e nënshkruara, autoritetet shqiptare vijojnë të japin leje brenda zonave të mbrojtura apo t’i rinovojnë ato, pas përfundimit.

Vetë Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) bën me dije se brenda zonave të mbrojtura zhvillojnë aktivitetin me licencë 5 gurore, që shfrytëzojnë prej dekadash një sipërfaqe prej 15.8 hektarësh. Katër prej këtyre guroreve ndodhen në qytetin e Pogradecit dhe një në Kukës. Një leje 25-vjeçare në ish-minierën e vjetër të Pogradecit iu dha kompanisë Alarup në vitin 2020, vetëm pak kohë pas shpalljes së Malit të Tomorrit dhe Krastë – Verjon zona të mbrojtura, si një mënyrë për t’i mbrojtur nga guroret. Sipas AKBN miniera ka një sipërfaqe prej 9.1 hektarësh, duke e bërë guroren më të madhe brenda një zone të mbrojtur, teksa subjekti gëzon të drejtën e rinovimin edhe për 10 vite të tjerë.

“Në 99% të rasteve të zonave të mbrojtura apo nënzonave të tyre këto aktivitete nuk lejohen të zhvillohen, dhe përderisa specifikohet qartë që në ligj, atëherë në momentin që një zonë e mbrojtur shpallet, kjo leje edhe pse është dhënë nga AKBN apo ka edhe leje mjedisi, revokohet dhe në asnjë mënyrë nuk do të duhet të rinovohet”, – shpjegon Shoshi.

“Zonat e mbrojtura njëherë e mirë duhet kuptuar që nuk janë zona për të zhvilluar aktivitete ekonomike industriale. Ne si shqiptarë akoma nuk po e kuptojmë c’do të thotë të ndërtosh brenda një zone të mbrojtur. Zona e mbrojtur është pikërisht që të mos ndërtosh aktivitete industriale brenda tyre. kemi territore të tjera jashtë zonave të mbrojtura ku ne mund të zhvillojmë aktivitetet tona social-ekonomike, industriale, por nuk mundet kurrsesi që t’i përdorim zonat e mbrojtura me qëllimin që t’i shtrydhim dhe ato për interesa ekonomike”, – thotë Ferdinand Bego, profesor pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Ferdinand Bego, profesor pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës

Mbetet e paqartë sesi një gurore mund të marrë dritën jeshile për të zhvilluar aktivitetin brenda një sipërfaqeje që ka statusin “Peizazh Ujor dhe tokësor i Mbrojtur”edhe trashëgimi botërore e UNESCO, duke gëzuar mbrojtje strikte.

AKBN shfajësohet se është institucion i varësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe se para marrjes së lejes minerare, subjekti duhet të pajiset me leje mjedisore. Ndërkohë që, Agjencia e Zonave të Mbrojtura justifikohet se ka dhënë pëlqimin për këtë leje, pasi sipërfaqja ndodhet në zonën e zhvillimit të qëndrueshëm të peizazhit, ka bimësi të degraduar dhe se subjekti do të bëjë rehabilitimin.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk iu përgjigj një kërkese për koment, se përse lejon aktivitetin minerar brenda zonave që gëzojnë status mbrojtjeje.

Për avokaten Suela Alla, manovra të tilla që çojnë në dhënien e lejeve brenda zonës së mbrojtur janë të  papranueshme.

“Aktiviteti i guroreve është i papranueshëm me të gjitha parimet e mbrojtjes mjedisore, për shkak se kanë një aktivitet shumë intensiv. Aktiviteti i tyre çon në dëme shumë të mëdha dhe të pariparueshme të biodiversitetit, të natyrës dhe të mjedisit në tërësi”, – thotë Alla.

Suela Alla, Avokate, Habitat -Environmental and Law Consulting

Ferdinand Bego, profesor pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, e shikon lojën që po bëhet me mjedisin në vendin tonë dhe me zonat e mbrojtura në veçanti, si një e e keqe që vjen nga ligjvënësit.

“Duket sikur një zonë nëse nuk e shfrytëzojmë për turizëm apo industri nuk ka vlerë. Për fat të keq, ky është mentaliteti në kokat e ligjvënësve dhe ligjzbatuesve të cilët thonë ‘ç’të keqe ka kjo natyra se dhe kjo mund të bëhet, edhe një aeroport në zonë të mbrojtur mund të ecë, edhe një park kombëtar me një gurore apo dy gurore, edhe një zonë e mbrojtur me një minierë mund të shkojë!’. Këto lloj kombinimesh janë qesharake” – shprehet profesori.

Gjithsesi, 5 subjektet minerare të deklaruara nga AKBN nuk janë të vetmit që ushtrojnë aktivitet brenda zonave të ndaluara.

Ky dikaster mohon që në Peizazhin e Mbrojtur të Krastë – Verjonit të ketë leje aktive minerare, por Bashkia Krujë dëshmon të kundërtën. Në një përgjigje me shkrim për emisionin”EkoSkaner”, thuhet se brenda territorit të kësaj bashkie ushtrojnë aktivitetin 22 subjekte që merren me nxjerrjen e mineraleve, 4 prej të cilëve me venddodhje në Krastë.

Kjo zonë u shpall Peizazh i Mbrojtur në vitin 2019, pas një aksioni, që u finalizua me mbylljen e 13 guroreve. Por mbrojtja me ligj nuk e ka shpëtuar nga shfrytëzimi. “EkoSkaner” e vizitoi këtë zonë gjatë muajit maj të këtij viti, vetëm pak ditë pas një aksioni të radhës të policies, teksa pamjet dëshmojnë se makineritë nuk janë larguar nga pikat e guroreve, megjithëse prej 4 vitesh tashmë ato bëjnë pjesë në zonën e mbrojtur.

“Ka pasur disa akisone, ka patur fushata inspektimi tepër intensive, por në momentin që ato kanë ndaluar sërish gjendemi në të njëjtën situate, pas gjashtë muajsh apo një viti. Edhe ato leje që mund të jenë revokuar gjatë një fushate kontrolli apo inspektimi, rrinë në qetësi 6 muaj dhe më pas rifillojnë shfrytëzimin ilegal të burimeve natyrore”, -thotë Shoshi.

Situata është e njëjtë edhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit.

I shpallur për herë të parë park kombëtar në vitin 1994 dhe pjesë e e rrjetit Emerald, rreth 27 mijë hektarë të malit të shenjtë të Tomorrit gëzojnë mbrojtje të kategorisë së dytë. Pas viteve 90-të kjo zonë u kthye në parajsën e bizneseve të guroreve, duke e shfrytëzuar në mënyrë barbare. Por, në vitin 2019 ish – ministri i mjedisit Blendi Klosi i hapi rrugë zgjerimit të kufijve të zonës së mbrojtur në malin e Tomorit, duke përfshirë në të edhe këtë zonë të dëmtuar.

Ndoënëse lejet u revokuan, 4 vite më pas, pamjet e siguruara nga “EkoSkaner” dëshmojë se aktiviteti i guroreve në këtë zonë nuk është ndalur, duke u zhvilluar në mënyrë të paligjshme. Aktvitieti minerar nuk mungon as te “Rasat e Novajt’, fare pranë “gjurmës së Abaz Aliut” një vend peligrinazhi, jo vetëm për në turistët e huaj, por edhe për mijëra besimtarë bektashinj shqiptarë e që u fut në hartën e zonave të mbrojtura në vitin 2019.

E pasur me pllaka mermeri të një cilësie shumë të mirë, automjetet e rënda gërmojnë pa vështirësi, teksa gjatë gjithë rrugës shkembehesh me kamionë të ngarkuar me mermer.

“Në rastet konkrete kur ne shikojmë paligjshmëri dhe akoma më kqe, kur ata vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme duhet që institucionet përkatëse, të jenë shumë më koherentë me veprimet e tyre. Pra këto hapa të ndërmarrë të mos mbeten në letër, por të jenë edhe më konkretë në terren”, – shprehet avokatja Alla.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtes së Territorit, një strukturë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme që ka kompetcencë kontrollin e këtyre aktiviteteve të paligjshme, nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga emisioni “EkoSkaner” mbi këtë situatë apo nëse parashikon të ndërmarrë aksione konkrete në të ardhmen.

Vendimi për shpalljen e zonës Park Kombëtar u prit me kundërshtime të forta nga bizeset e kësaj zonë që kishin marrë leje për ushtrimin e aktiviteti, i cilë tashmë ishte i jashtëligjshëm.

Për juristen Eva Alla, mjedisi duhet të prevalojë mbi lejet e dhëna, ndaj thotë se revokimi i lejeve në ato raste, kur zonat futen brenda perimetrit të zonës së mbrojtur, është hapi i duhur.

“Veprimtaritë ekonomike duhet të shkojnë paralelisht me parimet e mbrojtjes së natyrës. Për sa kohë që kemi marrjen e një leje mjedisore përpara shpalljes së saj zonë e mbrojtur, duhet që parimet të mos bien ndesh me njëra tjetrën, por edhe mbrojtja e natyrës të shkojë paralelisht me të drejtën ekonomike që këto subjekte kanë”, -thotë Alla.

“Revokimi i një leje mjedisore, në rastet kur ajo është marrë, duke i përmbushur të gjitha rregullat, patjetër që krijon dëe, por krahasimisht më dëmin mjedisor dhe shumë më të madh sesa ekonomik, ka kompnesime por janë shumë më në favor të mjedisit dhe shoqërisë në tërësi”, -shton ajo.

Madje ajo shkon më tej, kur thotë se krahasuar me rëndësinë që ka mjedisi, ligji mund të ketë edhe efekt prapaveprues.

 “Është e vërtetë që ligji nuk mund të ketë fuqi prapavepruese, por rast pas rasti do të duhet të shikohen elementët esenciale sesa ndikon ky aktivitet, i cili sjell dëme të parikuperiushme. Në momentin që kemi dëm shumë më të madh sesa një veprimtari ekonomike të një operatori atëhere duhet të kemi interesin publik, përpara atij privat. Në këtë sens ligji duhet të ketë fuqi prapavepruese”, – thotë avokatja.

DËMET NË MJEDIS E SHËNDET

Guroret shfrytëzojnë sipërfaqen për dekada të tëra, ndaj edhe ndikimi është në shumë drejtime. Për të kuptuar sesa e gjërë është rrezja e veprimit të një guroreje ekspertët marrin si shembull Krujën.

“Shpesh pluhurat që ngrihen nga aktiviteti i guroreve, për shkak të drejtimeve të ndryshme të erës, përhapen në një rreze jashtëzakonisht të largët. Fjala vjen guroret e dikurshme të Krujës, ndikonin fuqimisht edhe në jetën e qyteteve dhe banorëve të Tiranës, jo më të Krujës më pas. Për të kuptuar që guroret janë vërtet operacione shumë të vështira dhe me efekte të forta në cilësinë e jetës”, – thotë prof. Bego.

Si pasojë e resë së pluhurit që mbulon të gjithë bimësinë, gjithçka përreth vdes. Ato nuk përdoren nga insektete që janë klasa e parë e ushqyesve të të gjithë kafshëve të tjera, duke dëmtuar kështu rëndë të gjithë zinxhirin ushqimor.

“Vegjetacioni bimor i mbuluar me pluhurin e guroreve nuk përdoret nga insektet. Insektet janë biomasa më e madhe që ka planeti jonë mbi të cilën ushqehen të gjithë kafshët e tjera që janë mbi to, që do të thotë, shpendët, lakuriqët e natës, amfibët, reptilët. Të gjithë këto që mbi të cilën jetojnë, janë të detyruar të spostohen, të largohen nga aktiviteti i guroreve. Nuk është thjesht dhe vetëm efekti i zhurmës që mban larg jetën, por është efekti i shkatërrimit të mjedisit natyror që nuk krijon mundësi dhe vendbanim për jetën e egër në këto gurore”, – shpjegon profesori i Shkencave të Natyrës.

Paralelisht, për profesorin e Shkencave të Natyrës, shqetësues është fakti se gurorja në Malin e Tomorrit është e vendosur mbi një nga basenet ujore më të rëndësishme të zonës, atij të Bogovës që furnizon me ujë Poliçanin dhe Beratin. Për shkak të natyrës shkatërruese të punës në një gurore dhe formacionit gëlqeror që ka zona, e gjithë ndotja precipiton, duke kontaminuar cilësinë e ujrave të pijshëm..

“Mjafton të shkosh në Bogovë sa herë që bie shi, për të kuptuar ndryshimin e ngjyrës së burimeve të Bogovës, për të kuptuar efektin e drejtpërdrejtë me sy të lirë ka përdorimi i guroreve aktuale ende në atë mal”, – thotë prof. Bego.

“Edhe pse ligji nuk e lejon të zhvillohet, njerëzit vazhdojnë punën e tyre në mënyrë ilegale dhe të pashqetësuar sepse të gjithë në njëfarë mënyre janë pjesë të një përfitimi afatshkurtër, nga ky lloj biznesi që zhvillohet në zonë, dhe që me sa duket njerëzit bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh”, -shton ai.

AMULLIA ME PROCEDURAT 

Ornela Shoshi, eksperte e mjedisit, thotë se “thembra e Akilit” qëndron tek mënyra absurde se si bëhet shpallja e zonave konkuruese dhe mungesa e planeve minerare.

 “Shpeshherë ndodh që pasi është shpallur zona konkurruese, hyjnë disa subjekte në konkurrim, shpallet fituesi dhe vetëm në atë moment nis procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Ndërkohë që kjo procedurë duhet të jetë nga hallkat e para që pa e shpallur këtë zonë minerare”, – thotë Shoshi.

“Një mangësi tjetër e madhe është që për planet minerare 3 – vjeçare nuk kryhet Vlerësimi Strategjik Mjedisor, i cili që në fazën e parë të ideimit apo programimit të zonave minerare që do të miratohen për shfrytëzim për tre vitet e ardhshme, bën një vlerësim të ndikimeve kumulative dhe sesi ato do të ndikojnë me aktivitete të ndryshme përreth”, – shton ajo.

Shoshi sugjeron se për planet minerare duhet domosdoshmërisht procedura e vlerësimit strategjik mjedisor, në mnëyrë që t’i paraprijë procedurave për shpalljen e zonave konkuruese minerare

“Procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe opinioni i ministrisë përgjegjësisë dhe AKM-së merret në fund të procedurës, në momentin që janë lidhur kontratat koncensionare, kur janë shpallur zonat zonat minerare, kur është bërë konkurimi dhe Ministria e Mjedisit është e pafuqishme për të refuzuar një projekt të tillë”, – thotë ekspertja e mjedisit.

“Duhet patjetër që institucionet shtetërore të zhvillojnë një “roadmap” që institucionet shtetërore, sesi do të jepen këto leje dhe ministria përgjegjëse e mjedisit të përfshihet që në momentin e parë dhe procedura eVNM-së dhe akoma më tepër për planet, procedura e vlerësimit strategjik mjedisor të bëhet që në fazën e hershme”, – shton ajo.

Dëmët e shumta ndaj mjedisit, sipas ekspertëve kërkojnë edhe një reagim të fortë nga institucionet dhe forcim të zbatimit të kodit penal.

“Duhet të fillojë sa më parë forcimi i zbatimit të Kodit Penal, i cili parashikon përcaktime të qarta sa i përket krimeve mjedisore. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të zbatojnë me forcë përcaktimet në këtë kod dhe parimet e krimit mjedisor. Duhet të ketë bashkëpunim të ngushtë mes inspektorateve, Agjencisë Kombëtarë të Mjedisit, IKMT-së dhe gjithë institucioneve që kanë në varësi kontrollues apo monitorues”, – rekomandon Shoshi.

Të ndodhur përballë një presioni të madh mbi mjedisin, ekspertët kërkojnë të mos amendohen ligjet vetëm për përfitime të bizneseve. Ata japin alarmin se po dëmtojmë në mënyrë të pakthyeshme pasuri natyrore mbi të cilat mund të bazohet zhvillimi i brezave të ardhshëm.

Të gjitha këto lypsen të kuptohen nga ata që marrin vendime, ata që japin leje dhe ata që bëjnë ligje, në mënyrë që të mos amendohen ligjet vetëm e vetëm për të krijuar xhepa ku një interes biznesi mund të përfitojë pikërisht nga ky amendim ligji ”, – thotë prof. Bego.

“Kjo na bën neve që të mos jemi seriozë. Nga ana tjetër bën që të mos marrim përgjegjësitë që duhet të marrim për brezat e ardhshëm që duan të jetojnë në Shqipëri dhe në një Shqipëri me një mjedis të shëndetshëm, me një natyrë më të mirë, me një kapital natyror që mund të mbajë zhvillimin e brezave që vijnë”, – përfundon ai.