Gratë kanë më pak akses në kredi, sfida për financimin e gjelbër

Lajme, Ngjarje
Gratë sipërmarrëse kanë më pak akses në kredi, duke kufizuar mundësitë e tyre për të investuar në energji të rinovueshme, bujqësi të qëndrueshme dhe teknologji të gjelbra. Mungesa e kolateralit mbetet një nga pengesat kryesore, ndërsa kërkohet zhvillimi i produkteve financiare të posaçme për bizneset e drejtuara nga gratë.

Nga Ola Mitre

Aksesi më i kufizuar në kredi mund të pengojë gratë sipërmarrëse të përfitojnë nga financimet që po orientohen drejt tranzicionit të gjelbër. Një raport i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) mbi financimin e gjelbër me perspektivë gjinore në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor evidenton një sërë pengesash në sigurimin e kapitalit nga bizneset e drejtuara nga gratë.

Sipas raportit, një nga problemet kryesore lidhet me mungesën e pronës dhe, për rrjedhojë, të kolateralit të nevojshëm për sigurimin e kredive. Gratë përbëjnë vetëm një pjesë të regjistrimeve formale të pronësisë mbi tokën në rajon, çka kufizon mundësinë e përdorimit të saj për të siguruar financim.

Kjo pengesë merr një dimension tjetër në kushtet kur bizneset duhet të investojnë për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike apo për të reduktuar ndikimin e tyre në mjedis. Raporti evidenton se pa instrumente financiare të përshtatura, bizneset e drejtuara nga gratë kanë më pak mundësi të sigurojnë burimet e nevojshme për teknologji të energjisë së rinovueshme, praktika bujqësore të përshtatura ndaj klimës apo kalimin drejt aktiviteteve me emetime më të ulëta.

Më pak kredi bankare

Të dhënat specifike për Shqipërinë tregojnë gjithashtu diferenca në mënyrën e financimit të bizneseve të drejtuara nga gratë dhe burrat.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, bizneset e drejtuara nga gratë në Shqipëri financojnë vetëm 13% të kapitalit të tyre përmes kredive bankare, kundrejt 20% për bizneset e drejtuara nga burrat.

Në të kundërt, bizneset e grave mbështeten më shumë te kapitali i tyre. Ai përbën rreth 48% të kapitalit total, kundrejt 40% te bizneset e drejtuara nga burrat. Sipas Bankës Botërore, kjo bën që pronaret gra të mbështeten më shumë edhe te forma të tjera financimi, përfshirë huatë nga familjarët dhe miqtë.

Këto të dhëna janë veçanërisht të rëndësishme në kontekstin e financimit të gjelbër. RCC vëren se ndërmarrjet e drejtuara nga gratë mund të kontribuojnë në sektorë si energjia e rinovueshme, bujqësia rezistente ndaj klimës dhe teknologjitë e gjelbra, por aktualisht mbeten të nënpërfaqësuara dhe marrin mbështetje dhe investime të kufizuara.

Mikrokredi të gjelbra dhe linja të dedikuara

Për të ngushtuar këtë hendek, raporti i RCC propozon zhvillimin e instrumenteve financiare të përshtatura për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të drejtuara nga gratë. Mes tyre përfshihen mikrokreditë e gjelbra, sigurimet klimatike dhe linjat e kreditimit me perspektivë gjinore.

Një pjesë e këtyre instrumenteve financiare po aplikohen tashmë në Shqipëri, ndonëse jo domosdoshmërisht të lidhura vetëm me investimet e gjelbra.

Në gusht 2025, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim miratoi një financim deri në 1 mln euro për ProCredit Bank Albania, që do të përdoret për kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të drejtuara nga gratë. Financimi është pjesë e fazës së dytë të programit “Western Balkans Women in Business” dhe synon pikërisht rritjen e aksesit të këtyre bizneseve në financim dhe shërbime këshilluese.

Programi i EBRD funksionon përmes linjave të kreditimit për bankat partnere, të cilat më pas financojnë bizneset e drejtuara nga gratë. Krahas financimit, mekanizmi parashikon edhe ndarje të riskut dhe asistencë teknike për institucionet financiare, me qëllim përshtatjen e produkteve të tyre me nevojat e këtyre bizneseve. Shqipëria është një nga vendet ku programi është aktiv.

Megjithatë, sipas RCC problemi nuk kufizohet te disponueshmëria e kapitalit. Institucionet financiare në Ballkanin Perëndimor kanë kapacitete të kufizuara për zhvillimin e modeleve të financimit që marrin parasysh njëkohësisht aspektin gjinor dhe atë klimatik. Raporti evidenton gjithashtu mungesën e të dhënave financiare të ndara sipas gjinisë, çka vështirëson matjen e progresit.

Ndër propozimet për të adresuar këto probleme janë kredi të lidhura me objektiva që lidhen me gjininë, produkte financiare për investime të qëndrueshme dhe përdorimi më i gjerë i financimit digjital. RCC sugjeron gjithashtu që institucionet financiare të zhvillojnë produkte si “hua të lidhura më qëndrueshmërinë”, obligacione të gjelbra dhe mikrosigurime të përshtatura për bizneset e drejtuara nga gratë.

 

Ky material është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Facilitetit SMS – projekti Small Media Support in Western Balkans – i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.