“Bëni politika për eficiencë energjie”, “Eficiencë energjie, baraz investim për brezat” apo “Vepro tani për klimën”. Këto janë disa nga sloganet e shpalosur nga nxënësit e shkollave të mesme në 5 qytete të vendit, për t’i kërkuar politibërësve zbatimin e detyrimeve ligjore dhe ndërmarrjen e politikave konkrete në drejtim të eficiencës të energjisë.
Me banderolat në duar, nga oborret e shkollave ku ata mësojnë, të rinjtë kërkuan të tërhiqnin vëmendjen e institucioneve qendrore apo vendore, duke marrë në konsideratë se politikat në drejtim të kursimit të energjisë, janë thelbësore në kuadër të luftës kundër ndryshimeve klimatike.
Fushata “Një slogan për eficiencën” u realizua në kuadër të projektit “Rini eficiente”, që zbatohet nga organizata mjedisore All Green Centre, me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Drejtorja Ekzekutive e qendrës, Ola Mitre thotë se një nga qëllimet e realizimit të saj ishte angazhimi i të rinjve përmes instrumenteve konkrete të aktivizimit, për të ndikuar në vendimmarrjen e institucioneve qendrore dhe vendore për përmirësimin e gjendjes në mjedis.
“Fushata u shtri në 5 qytete e më konkretisht në shkollat “Arben Broci”, në Tiranë, “Bajram Curri”, në Durrës, “Vasil Kamami” në Elbasan, “Kolë Idromeno”, në Shkodër dhe “Mustafa Qemal Ataturk” në Vlorë”, – bën me dije Mitre.
“Përpara se të rinjtë të shpalosnin sloganet me mesazhet konkrete, ne ndërmorëm një cikël trajnimesh pranë këtyre shkollave, ku vajzat dhe djemtë që mësojnë pranë tyre, u njohën në detaje sesi aplikimi i masave të eficiencës së energjisë, që nga termoizolimi e deri te pajisjet apo ndriçimi me llamba LED, sjellin përfitime mjedisore, ekonomike dhe shëndetësore”, – shton ajo, duke theksuar se moduli i trajnimit, i hartuar nga ekspertë të eficiencës së energjisë dhe mjedisit, u miratua paraprakisht nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Paralelisht, gjatë trajnimeve nxënësit u njohën edhe me rezultatet paraprake të auditimit energjetik të godinës ku ata mësojnë, që gjithashtu u ndërmor nga All Green Centre.
“Auditimi energjetik i shkollave është shumë i rëndësishëm, veçanërisht për ndërtesat që kanë rreth 50 vite ndërtim dhe tregojnë gjendje të degraduar, sikurse ishin këto institucone arsimore ku ne shtrimë fushatën tonë. Shumë shpejt ne do të publikojmë edhe raportin final, ku do jepet një vlerësim i detajuar i gjendjes së tanishme të 5 shkollave. Objektivi i studimit është të japë disa rekomandime për përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe cilësisë së tyre, duke përfshirë identifikimin e masave të nevojshme për të përmirësuar performancën e energjisë dhe përmirësimin e kushteve për mësim dhe punë”, – thotë Mitre.
Shpërndarja gjeografike e godinave në 5 pesë qytete të Shqipërisë nuk është e rastësishme.
“Kjo përzgjedhje është bërë për të analizuar ndryshimet në kërkesat dhe nevojat e ndërtesave në funksion të klimës dhe lokalizimit të tyre. Sipas draftraportit të përgatitur nga ekspertët tanë, Shkodra, si qytet në veri të Shqipërisë, përballet me një klimë të ftohtë, e cila ndikon thellë në nevojat për ngrohje dhe izolim termik të godinave. Elbasani dhe Tirana, qytete të vendosura në zonën qendrore të Shqipërisë, përballen me një klime më të qetë dhe më të afërt me temperaturat mesatare. Në anën tjetër, Durrësi dhe Vlora, qytete bregdetare në Ultësirën Perëndimore, karakterizohen nga klimë më e ngrohtë”, – bën me dije drejtorja e All Green Centre.
“Pozicioni gjeografik dhe klima e çdo qyteti kanë një ndikim të thellë në projektimin dhe zhvillimin e godinave, duke kërkuar qasje dhe kujdes të veçantë në përshtatjen e tyre me mjedisin dhe nevojat lokale”, – shton ajo, duke cituar draft raportin, që është drejt finalizimit.
Në Shqipëri, shumica e shkollave janë ndërtime të vjetra, të papërshtatshme dhe me probleme termoizolimi. Kjo situatë ka shumë pasoja negative, duke përfshirë këtu mungesën e sistemeve të ngrohjes apo ftohjes dhe ventilimit funksional.
“Publikimi do të përfshijë diagrama, grafikë dhe fotografi të shkollave të realizuara gjatë matjeve për realizimin e auditimeve energjetike, që tregojnë gjendjen e tyre aktuale dhe nevojat për rikonceptim për të përmirësuar cilësinë e tyre”, – bën me dije Mitre.
Kjo punë studimore do të jetë një burim i rëndësishëm informacioni për autoritetet vendimmarrëse, pasi integron parimet e rikonceptimit të ndërtimeve ekzistuese dhe propozon përfitime të mundshme që mund të aplikohen në të ardhmen.
“Studimi i kryer do iu vendoset në dispozicion bashkive respektive, por edhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si institucionet përgjegjëse për investime në institucionet arsimore”, – bën me dije Mitre.
“Auditimet nxjerrin në pah nevojën e theksuar për ndërhyrje, ndaj gjej rastin të theksoj rëndësinë e kryerjes së investimeve të qëndrueshme, duke shpenzuar me eficiencë paratë publike”, – përfundon ajo.