Forumi Rajonal në Korçë “ndez” debatin për integritetin mjedisor, 920 hektarë pyje e kullota të dhëna me qira për energjinë diellore

Lajme, Ngjarje
Forumi Rajonal “Integriteti mjedisor në përdorimin e tokës – Sfidat e qeverisjes vendore në luftën kundër korrupsionit”, mblodhi në një tryezë të përbashkët përfaqësues të bashkive, pushtetit vendor, akademisë, ekspertëve dhe medias.

Në një kohë kur energjia diellore po përhapet me shpejtësi në juglindje të vendit, ndërsa fondet pyjore dhe kullosore po transformohen në hapësira industriale, Korça u bë qendra e një diskutimi të hapur mbi integritetin, transparencën dhe besimin e qytetarëve tek vendimmarrja lokale. Forumi rajonal “Integriteti mjedisor në përdorimin e tokës – Sfidat e qeverisjes vendore në luftën kundër korrupsionit”, organizuar nga All Green Centre dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian, mblodhi në një tryezë të përbashkët përfaqësues të bashkive, pushtetit vendor, akademisë, ekspertëve dhe komunitetit.

Diskutimet u nxitën nga gjetjet e raportit monitorues të projektit “Monitorimi për Qëndrueshmëri”, i cili ka analizuar të gjitha procedurat e dhënies me qira të fondit pyjor dhe kullosor në bashkitë Devoll dhe Kolonjë për periudhën 2022–2024. Sipas raportit dhe fjalës së hapjes së Drejtores Ekzekutive të All Green Centre, Ola Mitre, në vetëm dy vjet janë dhënë 920 hektarë tokë publike, duke shënuar një rritje të jashtëzakonshme të interesit privat për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në zonat pyjore e kullosore të qarkut.

Rritje e fortë e presionit mbi tokën publike

Në fjalën e saj, Mitre theksoi se ky trend i ri kërkon vëmendje të posaçme ndaj mënyrës se si merren vendimet. Ajo theksoi se në shumë raste procedurat e ankandeve kanë qenë të shoqëruara me mungesë konkurrence, anullime e rishpallje dhe përsëritje të të njëjtëve fitues.
“Për periudhën 2022–2024 janë dhënë 920 hektarë tokë publike nga fondi pyjor dhe kullosor për zhvillime energjetike, me një rritje prej 46% nga viti 2023, në 2024”, – tha ajo, duke shtuar se këto të dhëna “ngrejnë pyetje të rëndësishme mbi transparencën, konkurrencën dhe përputhshmërinë me planet e zhvillimit vendor.

Ajo nënvizoi se raporti nuk synon të frenojë energjinë e pastër, por të garantojë që tranzicioni i gjelbër të mos cenojë ekosistemet e as të anashkalojë interesin e komuniteteve lokale.

Diskutime të forta në sallë

Prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole, në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e organizimit dhe nënvizoi se zhvillimi i energjisë diellore duhet të shkojë paralel me standardet e larta të integritetit institucional. Jole, reagoi edhe në rrjetet sociale pas forumit, duke theksuar se “institucionet publike kanë detyrimin për të siguruar procese transparente, ligjore, me përfshirjen aktive të komunitetit në vendimmarrje e me normativa që respektojnë ekuilibrat e duhur të ekosistemeve tona natyrore”.

Ndërkaq, gjatë diskutimit të hapur, u ngritën shqetësime për mungesën e informacionit publik, mungesën e planeve të përditësuara të menaxhimit të pyjeve dhe kullotave, si dhe vendimmarrjen e shpejtë pa analizë kumulative të ndikimeve mjedisore.

Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erjon Isai pranoi se dhëniet me qira janë bërë “pas interesit të shprehur nga bizneset”, duke nënkuptuar se procedurat nuk kanë nisur nga planifikimi vendor, por si përgjigje ndaj kërkesave të investitorëve. Ky pranim u konsiderua nga të pranishmit si sinjal i parë i nevojës për rishikim të thelluar të procedurave të përdorura në vitet e fundit.

Nga ana tjetër, përfaqësues të këshillave bashkiakë nga Pogradeci dhe Korça nënvizuan se, komunitetet e fshatrave të prekura nuk janë konsultuar në mënyrë efektive, ndërsa profesorë nga Universiteti i Korçës shprehën nevojën për përfshirjen e tyre në kërkime e monitorim, për vendime të bazuar në shkencë.

Zëri i ekspertëve: integriteti mjedisor dhe rreziku i korrupsionit

Ekspertët që prezantuan raportin dhanë një tablo të detajuar të rreziqeve dhe sfidave. Prof. Assoc. Klodian Muço, ekspert i politikave antikorrupsion, theksoi se disa prej procedurave kanë treguar “anomalitë tipike të rrezikut për manipulim”, si përsëritja e fituesve në ankande të ndryshme, ankande të anulluara pa shpjegime publike dhe dokumentacion jo të plotë.
Sipas tij, modeli i vendimmarrjes së deritanishme rrezikon jo vetëm interesin publik, por edhe besimin e qytetarëve tek institucionet vendore.

Nga ana tjetër, eksperti i mjedisit, Kristi Bashmili, solli në vëmendje ndikimet mjedisore të shtrirjes së paneleve në fondin pyjor dhe kullosor. Ai theksoi se fragmentimi i habitateve, tkurrja e kullotave dhe presioni mbi biodiversitetin janë tashmë të dukshme në disa zona të Kolonjës dhe Devollit, dëshmi e nevojës për një planifikim më të kujdesshëm dhe më të integruar territorial.

Rekomandime për rishikimin e kontratave dhe auditim institucional

Në forum u sollën edhe rekomandimet kryesore të raportit, të cilat synojnë krijimin e një modeli më transparent dhe më të drejtë të përdorimit të tokës publike.

Siç theksohet në raport, “të gjitha kontratat e qirasë për ndërtimin e parqeve fotovoltaike gjatë periudhës 2022–2024 duhet të rishikohen në tërësi, pasi ligji ‘Për fondin kullosor’ nuk e lejonte përdorimin industrial deri në ndryshimet ligjore të vitit 2024, ndërsa ligji ‘Për pyjet’ ende nuk e parashikon këtë lloj zhvillimi”. Po ashtu, raporti rekomandon një auditim të thelluar institucional që të shqyrtojë dokumentacionin administrativ, procesverbalet e ankandeve, arsyetimet e skualifikimeve, transparencën financiare dhe përputhjen me legjislacionin për pyjet dhe kullotat, duke nxjerrë edhe përgjegjësi institucionale dhe individuale.

Në mbyllje, Drejtoresha Ekzekutive e All Green Centre theksoi se forumi nuk është fundi, por fillimi i një dialogu më të gjerë rajonal.

“Forcimi i transparencës dhe përfshirja qytetare janë kushtet themelore për të ndërtuar një model të drejtë dhe të gjelbër qeverisjeje vendore”, – deklaroi Mitre, duke shprehur bindjen se debati i nisur në këtë forum do të vazhdojë me hapa konkretë, për të mbrojtur si integritetin mjedisor, ashtu edhe besimin e qytetarëve në institucionet vendore.