FORUM / “Zvërneci”, edhe një resort “i gjelbër” cenon zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë

Ngjarje
Mes protestave qytetare dhe garancive të qeverisë se projekti në Zvërnec do të respektojë standardet mjedisore, profesorë dhe ekspertë të biologjisë, planifikimit territorial dhe menaxhimit të mjedisit japin vlerësimin e tyre mbi ndërtimet e planifikuara në Pishë Poro - Nartë.

Nga Ola Mitre

Ndërtimi i një resorti turistik në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë nxiti valën e gjerë të protestave qytetare, ndërsa qeveria vijon të mbrojë projektin me argumentin se ai do të respektojë standardet më të larta mjedisore dhe do të garantojë ruajtjen e vlerave natyrore të zonës.

Por a mjaftojnë parametrat mjedisorë për të mbrojtur Nartën, apo vetë natyra e projektit bie ndesh me statusin e zonës së mbrojtur?

Në këtë forum të EkoSkaner.al, profesorët dhe ekspertët e fushave të biologjisë, planifikimit territorial dhe menaxhimit mjedisor Mihallaq Qirjo, Aleko Miho, Fiona Imami, Ferdinand Bego dhe Kristi Bashmili, ndajnë vlerësimet e tyre mbi kufijtë e lejueshëm të ndërhyrjeve në zonat me vlera të larta natyrore dhe pasojat që mund të sjellin zhvillimet turistike intensive në Pishë Poro – Nartë.

Ndonëse nga këndvështrime të ndryshme profesionale, ekspertët bien dakord se vlerat natyrore, peizazhore dhe biodiversiteti i kësaj zone përbëjnë një pasuri me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa debati nuk lidhet vetëm me cilësinë mjedisore të një projekti të caktuar, por edhe me modelin e zhvillimit që po ndiqet për zonat e mbrojtura në Shqipëri.

Prof. Asoc. Mihallaq Qirjo, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, UT dhe REC Albania

Investime të tilla nuk duhen kryer në Zvërnec dhe zona të mbrojtura! Zhvillimi ex-novo (i ri) i resorteve turistike në shkallë të gjerë në përgjithësi nuk është në përputhje me objektivat e Kategorisë V të IUCN. Ndërsa Kategoria V lejon ndërveprimin njerëzor dhe aktivitetin e qëndrueshëm ekonomik, shkalla dhe natyra artificiale e resorteve masive, zakonisht bien ndesh me kërkesat thelbësore të ruajtjes.

Zonat e Kategorisë V të IUCN janë peizazhe të mbrojtura/peizazhe detare. Ato përcaktohen nga ndërveprimi afatgjatë dhe harmonik midis njerëzve dhe natyrës. Objektivi kryesor është të ruajë integritetin e këtij ndërveprimi tradicional, të ruajë karakterin e veçantë të peizazhit dhe të mbështesë jetesën e komunitetit lokal.

Resortet e mëdha janë zakonisht të papajtueshme për disa arsye. E para është shkatërrimi i karakterit tradicional. Zonat e kategorisë V ekzistojnë për të mbrojtur mjediset historike, të krijuara nga njeriu dhe modelet tradicionale të përdorimit të tokës. Zhvillimet masive të resorteve ex novo shpesh prezantojnë stile arkitekturore jo tradicionale vendase, urbanizim dhe magnitudë ndryshimi që shkatërrojnë karakterin tradicional të peizazhit.

Tjetër arsye është humbja e integritetit ekologjik: Zhvillimi nuk duhet të komprometojë vlerat natyrore ose kulturore të vendit. Resortet e mëdha zakonisht kërkojnë rrafshim dhe tjetersim të mbuleses natyrore te tokës në shkallë të gjerë, konsum të lartë të ujit, gjenerim të madh mbetjesh dhe fragmentim të habitatit. I treti është rregulli i objektivit parësor: Sipas udhëzimeve të IUCN, ruajtja e natyrës duhet të jetë objektivi kryesor i menaxhimit. Nëse ka një konflikt midis ruajtjes dhe zhvillimit komercial, ruajtja duhet të ketë përparësi.

Në vend të resorteve të mëdha dhe të pavarura, zonat e Kategorisë V nxisin turizmin e qëndrueshëm, në shkallë të vogël dhe të udhëhequr nga komuniteti. Modelet e pajtueshme të turizmit përfshijnë ekoturizmin (turizmi në shkallë të vogël, me ndikim të ulët i fokusuar në vlerësimin e natyrës dhe trashëgimisë lokale), agroturizmin (nisma që lejojnë turistët të qëndrojnë në ferma pune ose prona tradicionale, duke mbështetur bujqësinë lokale) dhe ripërdorimi adaptiv (restaurimi dhe shndërrimi i ndërtesave ekzistuese historike ose tradicionale në akomodim në shkallë të vogël. P.sh., shtrat dhe mëngjes, ekoshtëpiza) në vend të ndërtesave ex novo).

Prof. Aleko Miho, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, UT

E gjithë hapësira Pishë Poro – Nartë, prej vitit 2004, e riparë nga VKM 694/2022, është shpallur Peizazh i Mbrojtur (Kategoria V, sipas IUCN dhe ligjit shqiptar). Por vlerat natyrore janë shumë herë më tepër; ato sëbashku plotësojnë kërkesat e një Parku Kombëtar, apo me vlera ndërkombëtare të një zone Ramsar. Kjo zonë renditet si e rëndësishme për shpendët (IBA, Important Bird Area) nga BirdLife International, e klasifikuar si shumë e kërcënuar. Zona është gjithashtu ndër më të rëndësishmet për llojet bimore (IPA, Important Plant Area; kodi A35). Laguna e Nartës është kandidate për Rrjetin Emerald nën Konventën e Bernës; kandidate për rrjetin e habitateve të BE, EUROPA 2000; etj.

Kjo sepse hapësira Pishë Poro – Nartë dallohet për biodiversitet të pasur dhe të veçantë, në të cilën gjenden të ruajtura në gjendje të mirë dhe të shtrira gjerësisht mbi 35 habitate të mbrojtura nga direktivat e habitateve të BE, dhe EUNIS, ku 8 prej tyre janë në përparësi për mbrojtje. Rreth 40% e hapësirës janë habitate ujore, laguna dhe këneta, me përparësi në Direktivën e Habitateve (kodi 1150); këto habitate ujore dallohen nga prodhimtari e lartë, ku algat dhe makrofitet ujore kanë kontributin kryesor (disa prej tyre të rralla).

Gjithë hapësira e strehon afërsisht rreth 2,529 specie (1,350 bimë, 70 kërpudha dhe 1,109 kafshë). . . Vendi që u rrethua në zonën e Zvërnecit, përveçse është pjesë e Peizazhit të Mbrojtur, prek direkt 3 Monumente Natyre: 1) Kodrat molasike të Zvërnecit, 2) Lagunën Limopuo fshehur mes këtyre kodrave, dhe 3) Dunat Nartës/Akërnisë më të ruajturat në gjithë Mesdheun (të treja të Kategorisë III të mbrojtjes; VKM 303/2019). Por investimi nuk mund të mos prekë edhe zonën kënetore të Nartës dhe Akërnisë dhe gjithë vijën e veçantë bregdetare të kësaj zone, brezin e dunave që dallohen si nga ana gjeologjike dhe biodiversiteti. Madje ndikimi mund të shtrihet edhe në vetë mirëfunksionimin e regjimit ujor dhe biodiversitetin e lumit të Vjosës që është në unitet ekologjik dhe hidrodinamik me gjithë këtë zonë. Pa folur për ndikimin e drejtpërdrejtë që ka me Parkun Detar të Sazan – Karaburunit, një tjetër zonë elitare e mbrojtur dhe e vetme në vend si e tillë.

Për këtë, nuk mundet që gjithë kjo hapësirë me vlerë mbarëkombëtare, dhe ndërkombëtare, ligjërisht e mbrojtur, të jepet për zhvillim projektesh të përmasave të mëdha. Asnjëherë nuk është vonë për vendimmarrjen, politikën, institucionet, investitorët të gjykojnë dhe veprojnë në zbatim të ligjit në favor të mbrojtjes dhe jo vetëm të pushtimit me ndërtime të asaj që ka mbetur!

Mendimi i ekspertëve vendas dhe të huaj është që Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro – Nartë të përfshihet në Parkun Kombëtar ekzistues të Lumit të Egër të Vjosës (kategoria II). Kjo është theksuar qartë në Përmbledhjen për këtë zonë (https://fshn.edu.al/Info/delta-vjose ), të botuar prej nesh dhe dërguar kohë më parë Kryeministrit dhe gjithë personave të tjerë të rëndësishëm në vendimmarrje dhe politikëbërje në vend. Këshilla jonë është që gjithë gjurma Pishë Poro – Nartë të lihet e lirë, e paprekur nga turizmi masiv dhe të përdoret me mençuri për projekte të mbështetur te natyra, te ekoturizmi, te turizmi familjar etj.  Lexo këtu materialin e plotë

Fiona Imami, eksperte e Qeverisjes Territoriale – CoPLAN

Debati publik mbi Zvërnecin, Sazanin, Rrjollin dhe zonat e tjera të mbrojtura bregdetare po zhvillohet sot rreth një premise që paraqitet shpesh si e vetëkuptueshme: se një resort me parametra të lartë mjedisorë mund të bashkëjetojë me një zonë të mbrojtur dhe se zhvillimi turistik nuk është domosdoshmërisht në kundërshtim me mbrojtjen e natyrës.  Padyshim kjo është një çështje për diskutim. Megjithatë, nga perspektiva e planifikimit/ zhvillimit territorial, ajo nuk përbën pikën e nisjes së debatit.

Mes viteve 2015–2017, Shqipëria ndërmori një nga proceset më ambicioze të planifikimit strategjik te territorit në nivel kombëtar, nën vizionin “Shqipëria 2030 – e Integruar, Konkurruese, Destinacion”, ku për herë të parë, planifikimi përkufizohet si një proces gjithëpërfshirës vendimmarrjeje i bazuar në informacion, dialog dhe konsultim me aktorët e interesit.

Një nga dokumentet kryesore të kësaj pakete ishte dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për Brezin Bregdetar (PINS Bregdeti), i hartuar përmes një procesi të gjatë bashkërendimi ndërinstitucional. Dokumenti parashikon një model zhvillimi të diferencuar mes zonash e nënzonash përgjatë bregdetit Shqiptar, ku zonat urbane, ato natyrore dhe ato bujqësore kishin role të ndryshme dhe komplementare.

Kjo qasje nuk ishte rastësore. Ajo ishte rezultat i një vizioni planifikimi që synonte të harmonizonte zhvillimin ekonomik me ruajtjen afatgjatë të kapitalit natyror dhe peizazhor të bregdetit shqiptar. Në këtë kuptim, dokumentet e planifikimit nuk promovonin një qasje të tipit “mos prek asgjë”, por as një model të bazuar në urbanizimin progresiv të territoreve natyrore. Përkundrazi, duke veçuar specifikisht disa zona si Zvërneci (N16), identifikohen si pjesë e sistemit natyror, me fokus në ekoturizëm, turizëm natyror dhe aktivitete rekreative me ndikim të ulët dhe promovim të vlerave ekologjike. Ndërkohë zhvillimet urbane dhe kapacitetet më intensive akomoduese orientohen kryesisht drejt qendrave ekzistuese urbane, si Vlora dhe Orikumi.

PINS thekson se zhvillimi intensiv nuk duhet dhe nuk mund të bëhet modeli dominues përgjatë brezit bregdetar, ndërsa zonat e lira natyrore dhe zonat e mbrojtura duhet të ruhen nga zhvillimet urbane dhe rurale.

Në paralel, po aq i rëndësishëm sa vetë vizioni ishte edhe procesi përmes të cilit ky vizion ndërtohet dhe zbatohet. Ligji nr. 107/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit” nuk e trajton zhvillimin si një proces të thjeshtë autorizimi projektesh/ lejesh, por kërkon që zhvillimet me ndikim të rëndësishëm territorial të mbështeten në dokumente planifikimi, të koordinohen ndërinstitucionalisht dhe të kalojnë përmes proceseve të informimit dhe përfshirjes së publikut dhe palëve të interesuara.

Për këtë arsye, problemi kryesor nuk është nëse një resort është “green” apo “eco”, apo cilësia mjedisore që pretendohet për projektin, por mënyra se si është marrë vendimi. Sepse asnjë standard teknik nuk mund të zëvendësojë transparencën, konsultimin publik dhe diskutimin e alternativave të zhvillimit.

Kjo çështje bëhet edhe më e rëndësishme në dritën e ndryshimeve ligjore të viteve të fundit. Nëse filozofia fillestare e ligjit për zonat e mbrojtura ishte e fokusuar kryesisht tek ruajtja dhe menaxhimi i vlerave natyrore, ndryshimet e vitit 2024 sjellin në qendër koncepte të reja si turizmi i ekselencës, veprimtaritë ekonomike turistike dhe infrastruktura mbështetëse brenda zonave të mbrojtura. Paralelisht, mekanizmat e investimeve strategjike kanë krijuar një model vendimmarrjeje totalisht të përqendruar në qendër, ku pesha e procedurave të përshpejtuara duket se tkurr çdo lloj parimi të proceseve demokratike dhe gjithëpërfshirëse të planifikimit dhe konsultimit.

Dhe këtu lind shqetësimi kryesor! Kur diskutimi reduktohet tek miratimi i vetëm një projekti konkret, rrezikohet që të anashkalohen pyetjet më të rëndësishme: a janë shqyrtuar alternativat e zhvillimit? A është ndërtuar një proces real konsultimi me komunitetet dhe aktorët lokalë? A janë harmonizuar objektivat e investimit me vizionin afatgjatë të territorit? Dhe a janë përmbushur të gjitha instrumentet e nevojshme të planifikimit dhe vlerësimit mjedisor që kërkon legjislacioni shqiptar për projekte të kësaj shkalle? Pa to, lihet hapsirë vetëm për krijimin e precedentit të rradhës. Zonat e mbrojtura nuk ruhen vetëm nga standardet teknike të ndërtimeve; ato ruhen nga institucionet dhe proceset që garantojnë se vendimet për to merren në interes afatgjatë të publikut.

Prandaj, pyetja nëse një resort me parametra mjedisorë “e shpëton” një zonë (të mbrojtur) nga harresa nuk është pyetja e duhur. Zonat e mbrojtura nuk janë krijuar sepse duhen shpëtuar nga mungesa e zhvillimit; ato janë krijuar për të ruajtur vlera natyrore që konsiderohen pasuri publike dhe kombëtare!

Ferdinand Bego, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, UT

Nje qeveri serioze dhe e përgjegjshme nuk do të ndryshonte ligjin e zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugën ndërtimeve intensive me beton në zonat e mbrojtura, mbi duna ranore (habitat prioritar i Direktivës së Habitateve të Bashkimit Evropian) dhe në rripin e ngushtë që ndan lagunën me detin. Për më shumë, ndërtimi i resortit turistik në këtë zonë sensitive ekologjike është i pasigurtë nga pikëpamja gjeoteknike përballë sfidave sizmike dhe rritjes së nivelit të detit. Sipas dy direktivave të BE-së, Direktivës së Shpëndëve dhe Direktivës së Habitateve), në dunat ranore dhe në një lagunë me rëndësi ndërkombëtare siç është Narta (IBA, zonë EMERALD dhe kandidate e Natyra 2000) një ndërtim i këtyre përmasave është i papranueshëm. Modelet e zhillimit të qëndrueshëm duhet të zbatohen jashtë zonave të mbrojtura!

Kristi Bashmili, ekspert i menaxhimit mjedisor dhe konservimit të natyrës

Zonat e mbrojtura në Shqipëri janë pasuri të pazëvendësueshme, të cilat nuk mund të tjetërsohen, nuk mund të urbanizohen masivisht, madje, duhet të kujdesemi në mënyrë aktive për t’i mbrojtur ato nga çdo lloj kërcënimi.

Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro – Nartë, pjesë e pandashme e grykëderdhjes së lumit Vjosa, është një nga më të rëndësishmet ndër zonat e mbrojtura, veçanërisht për shpendët, habitatet e rëndësishme sipas listës së habitateve të Natura 2000 dhe ato prioritare për Bashkimin Evropian.

Nisur nga rëndësia e zonës Pishë Poro-Nartë, ndjeshmëria ekologjike dhe vlerat e saj natyrore, zhvillimi i resorteve të mëdha dhe i zonave urbane me intensitet të lartë ndërtimi, siç paraqiten në propozimet që po qarkullojnë, mund të cilësohet shkatërrues për zonën. Si pasojë e një zhvillimi të tillë, mund të humbasim përgjithmonë një pasuri natyrore të jashtëzakonshme, siç është ky Peizazh i Mbrojtur, pjesë jetike e deltës së Parkut Kombëtar Lumi Vjosa.

Projekte të tilla të zhvillimit masiv të turizmit mund të diskutohen për t’u zhvilluar jashtë rrjetit të zonave të mbrojtura, atëherë, ndoshta, do t’i shërbenin më së miri vendit.

 

Ky material është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Facilitetit SMS – projekti Small Media Support in Western Balkans – i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.