Si mund të sigurojmë prodhim të qëndrueshëm ushqimor, në një kohë kur kushtet e kultivimit po ndryshojnë vazhdimisht? Kjo është një nga sfidat kryesore me të cilat përballen fermerët sot.
Reshjet gjithnjë e më të pakta, rritja e numrit të ditëve të nxehta dhe moti i paparashikueshëm po ushtrojnë presion mbi prodhimin bujqësor. Pemët frutore janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ngricave dhe temperaturave të larta gjatë fazave kritike të zhvillimit, kur kushtet e pafavorshme mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rendimentin e të korrave.
Me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, që këtë vit përcillet me sloganin “Sill risi sot. Ushqe të nesërmen” (Innovate today. Nourish tomorrow), vëmendja përqendrohet te roli që zgjidhjet praktike dhe teknologjia mund të luajnë përballë këtyre sfidave.
Përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, Qeveria Gjermane mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e kapaciteteve për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike, përfshirë sektorin e bujqësisë. Në Shqipëri, kjo mbështetje po merr formë konkrete në pemishtet e Korçës dhe Dibrës, ku fermerët po testojnë teknologji që i ndihmojnë të marrin vendime më të informuara dhe të përdorin më me efikasitet ujin dhe inputet bujqësore.
Të dhënat që ndihmojnë fermerët të veprojnë në kohë
Në disa pemishte janë instaluar stacione agrometeorologjike që matin drejtpërdrejt kushtet lokale të motit dhe transmetojnë të dhënat në një platformë dixhitale, të aksesueshme nga fermerët dhe këshilluesit bujqësorë përmes telefonit ose kompjuterit.

Përmes këtyre të dhënave, fermerët mund të monitorojnë temperaturën, të vlerësojnë rrezikun e ngricave dhe të ndjekin kushtet që favorizojnë zhvillimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve. Informacioni i ndihmon të identifikojnë në kohë rreziqet dhe të kuptojnë kur nevojitet ndërhyrja, ndërsa këshilluesit bujqësorë e plotësojnë atë me rekomandime praktike.
Kështu, në vend që të reagojnë pasi dëmtimet bëhen të dukshme në pemishte, fermerët mund të planifikojnë ndërhyrjet duke u mbështetur në informacionin e mbledhur pikërisht aty ku kultivojnë.
Për Fisnik Selimin, fermer nga fshati Dvoran, kjo teknologji ka një vlerë të drejtpërdrejtë në punën e përditshme.
“GIZ-i instaloi një aparaturë që na ndihmon shumë në identifikimin e sëmundjeve dhe në përcaktimin e datës së saktë kur duhet të spërkasim me pesticide. Ajo mat lagështinë e tokës dhe të njofton kur bima ka nevojë për ujë dhe duhet ujitur. Por më e rëndësishme është për sëmundjet, sepse nevojën për ujitje mund ta dallosh edhe me sy, kur sheh se toka është tharë shumë. Ndërsa një sëmundje nuk mund ta dallosh gjithmonë vetë. Kjo aparaturë është shumë moderne”, – shprehet Selimi.

Më pak humbje, përdorim më i mirë i burimeve
Përveç monitorimit të motit, fermerët po testojnë edhe sistemet e fertigimit, të cilat kombinojnë ujitjen me pika me plehërimin. Përmes të njëjtit sistem, uji dhe lëndët ushqyese të tretura shpërndahen drejtpërdrejt në zonën e rrënjëve, duke mundësuar menaxhimin e ujitjes dhe ushqimit të bimëve në mënyrë më të kontrolluar.
Kjo qasje u lejon fermerëve të përshtatin sasinë e ujit dhe të lëndëve ushqyese me nevojat e kulturës bujqësore.
Sistemet po testohen dhe vlerësohen si nga pikëpamja teknike, ashtu edhe nga ajo ekonomike. Qëllimi është të kuptohet se sa efektive janë në kushtet reale të fermave dhe nëse mund të përdoren më gjerësisht.

Për Fali Methasanin, një nga fermerët e përfshirë në demonstrimin në Dibër, rëndësi ka që kjo përvojë të mos mbetet vetëm në fermën e tij.
“Do të doja ta shihja këtë lloj sistemi edhe në ferma të tjera dhe do ta rekomandoja”, – thotë ai.
Përfitime për fermerët, konsumatorët dhe mjedisin
Rezultatet e këtyre ndërhyrjeve shkojnë përtej përdorimit të teknologjisë në një pemishte të vetme. Shkëmbimi i njohurive mes fermerëve, specialistëve, këshilluesve bujqësorë dhe studiuesve është një pjesë thelbësore e procesit, në mënyrë që përvojat e krijuara në terren të vlerësohen dhe të mund të zbatohen më gjerësisht në Ballkanin Perëndimor.

Sipas rezultateve të mbledhura pas sezonit të korrjes, përdorimi i të dhënave meteorologjike dhe këshillimit profesional mund t’i ndihmojë fermerët të reduktojnë me tre deri në katër ndërhyrje spërkatjet me pesticide, duke kursyer rreth 20% të kostove për inputet bujqësore. Ndërkohë, përmirësimi i praktikave të ujitjes dhe plehërimit mund të ulë përdorimin e inputeve deri në 30%, duke kursyer njëkohësisht ujë.
Këto përvoja tregojnë se përshtatja me ndryshimet klimatike nuk kërkon vetëm investime në teknologji, por edhe njohuri, këshillim dhe vendime të bazuara në të dhëna.
Në fund të fundit, Dita Botërore e Ushqimit është një kujtesë se e ardhmja e ushqimit varet edhe nga kushtet në të cilat prodhohet dhe nga njerëzit që e prodhojnë atë. Në Korçë dhe Dibër, inovacioni po merr një formë konkrete: informacion që i ndihmon fermerët të kuptojnë më mirë çfarë ndodh në pemishtet e tyre, teknologji që mbështet përdorimin më të saktë të burimeve dhe njohuri që mund të ndahen nga një fermë te tjetra.
Sepse të ushqesh të nesërmen do të thotë të investosh që sot në një bujqësi më të përgatitur për sfidat e së ardhmes.