
Nga Ola Mitre
Deri para dy vitesh, verërat e kuqe që prodhonte Enver Shehi rrallë e kalonin nivelin e 13% alkool. Sot, në kantinën e tij familjare në Farkë, ka nxjerrë verëra që arrijnë 15 % e më shumë, pa ndërhyrë për ta rritur këtë përqindje. Por nivelet më të larta të alkoolit po ia vështirësojnë ruajtjen e freskisë dhe ekuilibrin e verërave.
“Kjo ka ardhur nga temperaturat e larta. E kemi lënë natyralisht të shkojë”, – thotë ai.
Për Enverin, që e ka ngritur fermën në vitin 1998, vitet e fundit po kërkojnë më shumë vëmendje ndaj sheqerit, fermentimit dhe aciditetit, veçanërisht për verërat e bardha.
“Verërat e bardha, po kaluan 12,5 – 13%, iu humbet freskia”, – shpjegon ai.
Situata është e ngjashme edhe në kantinën “Vila Shehi” në Vorë, ku enologu Gazmend Shehi kultivon Sheshin e Bardhë dhe Sheshin e Zi krahas varieteteve të tjera, në një vresht familjar prej rreth një hektari. Edhe ai thotë se problemet janë bërë më të dukshme pas vitit 2022.
“Kur kemi ngrohtësi ose diell të tepërt, sheqeri rritet shumë dhe mund të prodhojmë verë me alkool deri në 16%. Kjo do thotë se nuk pëlqehet as nga konsumatori”, – shpjegon ai.
Valët e të nxehtit dhe thatësira e zgjatur po ndikojnë në cilësinë e verës dhe rendimentin e rrushit në Shqipëri, ndërsa tharja e hardhive dhe zëvendësimi i vreshtave të vjetra kërcënojnë një pasuri që nuk mund të zëvendësohet lehtë: biodiversitetin e varieteteve autoktone të rrushit. Për vreshtarët vendas, këto presione klimatike iu shtohen vështirësive ekzistuese ekonomike, rritjes së kostove të inputeve dhe mbështetjes së pamjaftueshme institucionale për përshtatjen. Në rrezik janë si mjetet e menjëhershme të jetesës së vreshtarëve, ashtu edhe diversiteti gjenetik që përbën bazën e identitetit dhe të potencialit të ardhshëm të verës shqiptare.
Gazmendi thotë se nxehtësia e zgjatur e than rrushin në hardhi përpara vjeljes.
“Në disa rajone të vreshtarisë, si në Vlorë dhe në Berat, është parë që bima ka humbur prodhimtarinë dhe produkti është tharë në degë. Gjithashtu, disa hardhi janë tharë komplet nga temperaturat e larta dhe të zgjatura”, – thotë ai.

Një identitet që rritet në vresht
Sheshi i Bardhë dhe Sheshi i Zi janë varietetet autoktone mbizotëruese të rrushit për verë në Shqipëri, me rrënjë të hershme në traditën e vreshtarisë të Shqipërisë së Mesme.
Lush Susaj, profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës me rreth katër dekada përvojë në vreshtari, e lidh kultivimin e tyre me një trashëgimi që i paraprin periudhës osmane.
Sipas studimit kombëtar të zonimit, ato përbëjnë 62.6% të sipërfaqes së vreshtave të destinuara për prodhimin e verës dhe rreth 89% të sipërfaqes së mbjellë me varietete autoktone rrushi për verë. Për Susajn, rëndësia e tyre shkon përtej prodhimit.
“Në rast se unë e njoh spanjollin nga kultivari i tyre Tempranillo, ne na njohin prej Sheshit të Zi e prej Sheshit të Bardhë si shqiptarë”, – thotë ai.
Megjithatë, dy varietetet përballen me zëvendësimin nga kultivarë të huaj. Magdalena Cara, profesore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, thotë se një pjesë e fermerëve i konsiderojnë këto alternativa më të qëndrueshme dhe më produktive, ndërsa disa prodhues orientohen drejt verërave sipas modeleve ndërkombëtare.
Ajo paralajmëron se zëvendësimi i vreshtave të vjetra pa i studiuar dhe pa ruajtur materialin e tyre bimor rrezikon humbjen e diversitetit gjenetik. Brenda Sheshit të Bardhë dhe Sheshit të Zi, biotipet dhe klonet ndryshojnë në zhvillim dhe prodhimtari. Disa mund të jenë më tolerante ndaj nxehtësisë, thatësirës ose sëmundjeve, duke ofruar mundësi për përshtatje.
“Çdo vresht autokton që çrrënjoset nënkupton humbjen e biotipeve dhe kloneve që janë përshtatur për shekuj me kushtet tona”, – shpjegon Cara.
Ruajtja e tyre ka edhe vlerë ekonomike. Një raport i brendshëm i universitetit, i siguruar nga EkoSkaner, e identifikon lidhjen e veçantë të verës me varietetin dhe territorin si një avantazh konkurrues për prodhuesit shqiptarë, të cilët e kanë të vështirë të konkurrojnë në vëllim dhe kosto. Kjo lidhje mbështet edhe enoturizmin.
Valë të të nxehtit më të shpeshta dhe më të gjata
Të dhënat meteorologjike pasqyrojnë presionet që përshkruajnë vreshtarët. Enkelejda Kucaj, profesore dhe kërkuese pranë Departamentit të Meteorologjisë në Institutin e Gjeoshkencave, thotë se një analizë e dhjetëvjeçarit të fundit tregon shtim të përgjithshëm të shpeshtësisë dhe kohëzgjatjes së valëve të të nxehtit pas vitit 2019.
“2–3 vitet e fundit dallohen për aktivitetin e lartë të valëve të të nxehtit në disa rajone të Shqipërisë”, – thotë ajo.
Sipas Kucajt, ultësira perëndimore dhe jugu i Shqipërisë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj temperaturave të larta dhe episodeve të zgjatura të nxehtësisë. Mungesa e reshjeve e rëndon presionin mbi bujqësinë.
“Temperaturat e larta ndikojnë në zhvillimin e kulturave bujqësore, duke rritur evapotranspirimin dhe kërkesën për ujitje. Kur temperaturat ekstreme shoqërohen me mungesë reshjesh, ndikimet bëhen më të theksuara për shkak të rritjes së stresit hidrik”, – thotë ajo.
Buletini i Institutit të Gjeoshkencave për qershorin 2024 tregon se presioni kishte filluar që në hyrje të verës. Temperatura mesatare në shkallë vendi ishte 4.3°C mbi normën e periudhës 1961–1990, ndërsa mesatarja e temperaturave maksimale ishte 5.8°C mbi të. Reshjet arrinin vetëm 36% të normës.
Buletinet për gushtin e viteve 2022–2024 dokumentojnë temperatura mbi normë gjatë tre muajve gusht radhazi. Temperaturat mesatare maksimale ishin 3.7°C mbi normë në vitin 2022 dhe 2.9°C mbi normë në vitin 2023, ndërsa në gusht 2024 devijimi arriti në 6.2°C, kundrejt periudhës 1961–1990. Për këtë të fundit, buletini përshkruan valë të të nxehtit që zgjatën disa ditë, me temperatura rreth 40–41°C në disa stacione meteorologjike.

Cara shpjegon se si këto kushte ndikojnë te vetë rrushi.
“Stresi nga nxehtësia dhe thatësira ul lidhjen e frutave dhe madhësinë e kokrrave. Sheqeri përqendrohet në kokrra më të vogla, ndërsa acidet, ngjyra dhe aromat bien. Rezultati janë verëra me më shumë alkool, aciditet të ulët dhe më pak freski”, – thotë ajo.
Vreshtaria po vyshket
Sipas vreshtarëve dhe ekspertëve, nxehtësia dhe thatësira dëmtojnë prodhimin, ndërsa rritja e kostove të inputeve, mungesa e fuqisë punëtore dhe të ardhurat e kufizuara e bëjnë më të vështirë mirëmbajtjen e vreshtave. Pas viteve të zgjerimit, të dhënat zyrtare kombëtare tregojnë një kthesë të fortë në sektorin e vreshtarisë shqiptare gjatë periudhës 2022–2025, kur sipërfaqja e përgjithshme e vreshtave u tkurr me rreth 15%, një humbje prej mbi 1 600 hektarësh.
Në të njëjtën periudhë, prodhimi i rrushit nga vreshtat ra me 15.3%. Rënia më e fortë u shënua në vitin 2023, ndërsa rikuperimi i pjesshëm në vitet pasuese nuk e riktheu prodhimin në nivelin e vitit 2022.
Kjo rënie nuk është ndier njësoj në të gjithë vendin. Humbjet janë përqendruar në Vlorë, Fier dhe Berat, tre prej qarqeve ku Sheshi i Bardhë dhe Sheshi i Zi kultivohen më gjerësisht. Në Vlorë, sipërfaqja e vreshtave ra me afro 30% dhe prodhimi me një të tretën, ndërsa në Berat prodhimi u pakësua me mbi 29%, pavarësisht një rënieje më të vogël të sipërfaqes. Këto shifra përfshijnë të gjitha varietetet e rrushit, pasi statistikat zyrtare vjetore nuk i veçojnë Sheshin e Bardhë dhe Sheshin e Zi.
Megjithatë, edhe në qarqet ku vreshtat duken të qëndrueshme në letër, prodhuesit përballen me presione të fshehura, që shifrat e sipërfaqes dhe të prodhimit nuk i pasqyrojnë. Ndryshimet e kushteve të motit dhe valët intensive të të nxehtit vazhdojnë të ndryshojnë përbërjen e rrushit dhe të vështirësojnë ruajtjen e ekuilibrit delikat që kërkon prodhimi tradicional i verës.
Një gjeografi e re për Sheshin
Ngrohja mund të ndryshojë zonat ku Sheshi i Bardhë dhe Sheshi i Zi gjejnë kushte të përshtatshme. Profesor Lush Susaj thotë se kushtet e favorshme për kultivim po zhvendosen drejt veriut dhe lartësive më të mëdha.
“Brezat fitoklimatikë po ndryshojnë dhe këtyre kushteve duhet t’u paraprish me njohuri”, – thotë ai.
Studimi kombëtar i zonimit, mbi të cilin mbështetet zonimi i miratuar në qershor 2026, ndërthur të dhëna klimatike të periudhës 2000–2024 me karakteristikat e tokës dhe të terrenit për të vlerësuar përshtatshmërinë për vreshtari. Ai evidenton territore të përshtatshme në qarqet veriore, përfshirë Lezhën dhe Shkodrën, por nuk dokumenton një zhvendosje të kultivimit drejt veriut në kohë.
“Në vreshtat e reja, zgjedhja e parcelave me lartësi më të madhe ose me ekspozim më pak të nxehtë, si dhe orientimi i rreshtave, mund ta ulin ndjeshëm rrezikun për dekadat në vijim”, – thotë Cara.
Susaj kërkon gjithashtu prova që kombinojnë varietetet autoktone me nënshartesa të ndryshme, të përshtatshme për tokat vendase.
“Ti në tokat e thata duhet të seleksionosh nënshartesa të qëndrueshme ndaj thatësisë”, – shpjegon ai.
Zhvendosja e kultivimit ngre edhe pikëpyetje për karakterin e verës.
“Tipiciteti i verës buron nga kloni dhe gjeografia e një zone, rajoni dhe vendi të caktuar, dhe këto janë elemente të papërsëritshme”, – thekson raporti i brendshëm i Universitetit Bujqësor të Tiranës, i siguruar nga EkoSkaner.
Për Susajn, ky diversitet ofron një tjetër rrugë përshtatjeje: përzgjedhjen e hardhive që zhvillohen më vonë.
“Ne duhet të synojmë ata që çelin sythat më vonë. Ne duhet të synojmë ata që lulëzojnë më vonë”, – thotë ai. “Shqipërisë nuk i prish punë dy javë vonesë e pjekjes”, – shton profesori.

Pa ekspertizë dhe para’ për t’u përshtatur
Kostot në rritje dhe humbjet nga nxehtësia e thatësira u lënë vreshtarëve më pak burime për të investuar në përshtatje.
“Vreshti kërkon punë intensive gjatë gjithë vitit, nga krasitja te mbrojtja fitosanitare dhe vjelja”, – thotë Cara. “Çmimi i blerjes së rrushit ka mbetur pothuajse i pandryshuar, ndërkohë që çmimet e të gjitha inputeve bujqësore, të naftës dhe të fuqisë punëtore janë rritur”, – shton ajo.
Mbrojtja e rrushit përmes hijezimit, ruajtjes së lagështisë së tokës dhe përcaktimit me kujdes të kohës së vjeljes kërkon njohuri teknike. Megjithatë, raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2026 vlerëson se reforma e sistemit të këshillimit bujqësor është ende në fazë të hershme dhe kapacitetet mbeten të ulëta.
Susaj e konsideron dobësimin e shërbimit agronomik një nga problemet kryesore. Ai kërkon që specialistët të punojnë pranë fermerëve, duke e lidhur trajnimin e pamjaftueshëm me praktika që e ekspozojnë rrushin ndaj djegieve nga dielli.
“Unë shoh pothuajse në të gjitha vreshtat e Shqipërisë, duke munguar trajnimi me specialistë të aftë për këtë punë, ndodh që u digjet cipa e kokrrës”, – thotë ai.
Boshllëqet në kërkim e vështirësojnë më tej përshtatjen. E pyetur për analiza mbi ndikimet e nxehtësisë dhe thatësirës te rrushi, veçanërisht te varietetet autoktone, Ministria e Bujqësisë e referoi EkoSkaner te studimet për përshtatjen me ndryshimet klimatike të Ministrisë së Mjedisit. Ajo nuk vuri në dispozicion ndonjë analizë të posaçme për dy varietetet. Cara thotë se mungojnë të dhëna shumëvjeçare që lidhin rendimentin dhe pjekjen e tyre me klimën.
Financimi nevojitet si për investimet në vreshta, ashtu edhe për shërbimet këshilluese, personelin e kualifikuar dhe monitorimin që i mbështesin ato. Në korrik 2025, Skema Kombëtare e Mbështetjes, e financuar nga buxheti publik, përfshiu mbështetjen për ujitjen me pika në vreshtat ekzistuese. Financimi mbulon 50% të vlerës së faturave, deri në 250 mijë lekë për hektar (rreth 2 500 euro) për sipërfaqe prej të paktën një hektari. Fermeri duhet të përballojë pjesën tjetër të kostos, ndërsa investimet në sipërfaqe më të vogla mbeten jashtë kësaj mase.
Në vitin 2026, skema shtoi një pagesë të përgjithshme për uljen e kostove të prodhimit, deri në 10 mijë lekë për hektar (rreth 100 euro) që përfshin edhe vreshtat. Përfitimi kushtëzohet nga një sipërfaqe totale aplikimi prej të paktën tre hektarësh.
Edhe qasja në fondet evropiane për investime është kufizuar. Pas një hetimi për keqpërdorimin e fondeve të IPARD II, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, rekomandoi masa për mbrojtjen e financimeve të ardhshme. Raporti i Komisionit Europian i nëntorit 2026 konfirmoi se IPARD III ende nuk kishte nisur, duke lënë të padisponueshëm një burim të rëndësishëm investimesh në bujqësi.
Ndërkohë, Enver Shehi thotë se aktiviteti familjar është ndërtuar me burimet e veta.
“Gjithë kjo punë është bërë me mundin, djersën tonë”, – thotë ai.
Duke theksuar se bujqësia ka nevojë për mbështetje, si në vendet e tjera, ai paralajmëron: “Pa suport, pa subvencionim, i ka ditët e numëruara”.
Ministria thotë se mbështet mbjelljen, ujitjen dhe transferimin e teknologjive, si dhe se 30% e financimit vjetor të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë i dedikohet vreshtave. Ajo përmend edhe koleksionet e varieteteve autoktone. Megjithatë, nuk vuri në dispozicion shumat e kërkuara për ruajtjen, kërkimin shkencor dhe përshtatjen klimatike gjatë viteve 2015–2025.
“Kërkimi shkencor ka nevojë për fonde të qëndrueshme, jo vetëm për projekte afatshkurtra, si dhe për vreshta eksperimentale ku të testohen klonet, nënshartesat dhe teknikat e reja në kushtet shqiptare”, – thekson Cara.
Trashëgimia përballë një klime të re
Një studim i Bankës Botërore i vitit 2013 parashikonte rënie të rendimentit të rrushit në Shqipëri në mungesë të përshtatjes. Plani Kombëtar i Përshtatjes 2026–2036 dhe studimi kombëtar i zonimit përcaktojnë masa për trajtimin e këtyre cenueshmërive, përfshirë modernizimin e ujitjes, monitorimin klimatik, mbrojtjen financiare dhe ruajtjen e varieteteve autoktone.
Gazmendi këmbëngul se prodhuesit duhet të qëndrojnë te varietetet vendase.
“Ne duhet të qëndrojmë në këto varietete lokale”, – thotë ai.
Në Farkë, Enveri vazhdon të prodhojë verë dhe të presë vizitorë në fermën familjare. Ai kërkon që politikat mbështetëse ta njohin veçmas vlerën e varieteteve autoktone.
“Vëmendja, fokusi të jetë te varietetet autoktone. Ne duhet të shpalosim atë çfarë kemi si Shqipëri, atë çfarë e bëjmë mirë, atë çfarë kemi eksperiencë”, – thotë ai.
Ndërsa për profesor Lush Susajn, ruajtja e tyre është çështje identiteti.
“Siç nuk duhet të humbim xhubletën e fustanellën, nuk duhet të humbasim as ata”, – thotë ai.
Ky shkrim u realizua me mbështetjen e Informed Earth dhe Earth Journalism Network, në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar Hot(ter) Spots mbi nxehtësinë dhe biodiversitetin në Ballkanin Perëndimor.
![]()