Bashkitë dështojnë në ligjin e eficiencës së energjisë

Video hulumtuese
Vetëm 4 bashki kanë miratuar Planet Vendore të Veprimit për Eficiencë të Energjisë, ndërkohë që 57 të tjera nuk e disponojnë ende dokumentin strategjik, duke shkelur legjislacionin në fuqi.

Ligji detyron çdo bashki të hartojë Planin Vendor të Veprimit për Eficiencë të Energjisë, me qëllim reduktimin e përdorimit të energjisë në nivel vendor, duke sjellë përmirësime të ndjeshme edhe në mjedis. Por, kur kanë kaluar 3 vite e gjysmë nga hyrja në fuqi, zbatimi i detyrimeve ligjore duket i largët.

Të dhënat e përpunuara nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se aktualisht vetëm 4 bashki kanë miratuar Planet Vendore të Veprimit për Eficiencë të Energjisë, ndërkohë që 57 të tjera nuk e disponojnë ende dokumentin strategjik me politikat dhe masat për kursimin e energjisë, mbi bazën e konsumit në nivel lokal.

Planet nuk janë miratuar as nga disa nga bashkitë më të mëdha në vend, duke nisur nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Fieri, etj., ndërkohë që disa prej Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, në përgjigjet e tyre me shkrim shfaqën mungesë njohurish mbi detyrimet ligjore që iu ngarkon ligji në fuqi.

Ekspertët kritikojnë mungesën e këtyre planeve, që janë pikënisja në drejtim të përmbushjes së objektivave kombëtare të vendosur në Planin e Integruar të Energjisë dhe Klimës, si dhe për arritjen e detyrimeve që ka vendi ynë në kuadër të Axhendës së Gjelbër dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ata shtojnë se pasojat e moszbatimit të ligjit më së shumti i vujanë qytetarët, pasi masat e eficiencës së energjisë lidhen drejtpërdrejt me shëndetin dhe mirëqenien e tyre, duke kërkuar hartimin e menjehërshëm e më pas zbatimin e masave të planifikuara.

Ndiqni hulumtimin e realizuar nga gazetarja Ola Mitre.