Axhenda e Gjelbër, 30 organizata kërkojnë konsultime për përditësimin e Planit të Veprimit

Lajme
30 organizata të shoqërisë civile, 6 prej të cilave nga Shqipëria, i kërkojnë Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe Komisionit Evropian, konsultime domethënëse mbi përditësimin e Planit të Veprimit për Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

30 organizata të shoqërisë civile, 6 prej të cilave nga Shqipëria, i kërkojnë Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Komisionit Evropian, konsultime domethënëse mbi përditësimin e Planit të Veprimit për Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, i planifikuar të zhvillohet këtë vit. Në propozimin me shkrim, organizatat shprehin rezerva mbi procesin e konsultimit, të ndjekur përpara miratimit nga liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e zhvilluar në Slloveni në tetor 2021, çka sipas tyre ka sjellë pasoja në përmbushjen e tij.

“Megjithëse Plani i Veprimit pretendon se ka pasur një ‘proces të gjerë konsultimi’ dhe se ai ishte ‘zhvilluar duke ndjekur një qasje nga poshtë-lart’, e cila ndër të tjera përfshinte organizatat e shoqërisë civile, kjo është larg nga e vërteta, të paktën në lidhje me OSHC – të mjedisore. Draft – Plani u nda me OSHC – të mjedisore vetëm dy javë përpara Samitit, duke parandaluar zhvillimin e çdo konsultimi kuptimplotë”, – thuhet ndër të tjera, në shkresën që mban datën 20 maj 2024.

“Kjo, përveç faktorëve të tjerë, ka ndikuar në cilësinë e dobët të Planit, i cili përmban shumë veprime, të përcaktuara keq dhe të vështira për t’u matur, vetëm me afate treguese dhe në disa raste nuk ka qartësi reale se kush është përgjegjës”, – shtohet më tej.

Ermelinda Mahmutaj, drejtore ekzektive e qendrës mjedisore “EDEN”, që është një nga organizatat firmëtare nga Shqipëria thotë për “EkoSkaner” se veprimet në kuadër të Axhendës së Gjelbër janë të pakta dhe duket se gjithçka mbetet në nivel deklaratash.

“Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një mekanizëm më shumë, që ndihmon rajonin tonë drejt rrugës së integrimit dhe zbatimit të Marrvëshjes së Gjelbër, që është paketa e BE-së për zhvillimin e qëndrueshëm dhe veprimin për klimën.  Megjithatë, duket se nga momenti i hartimit të Planit të Veprimit, Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor nuk është gjë tjetër veçse një jehonë”, – thotë Mahmutaj.

“Për të flitet në çdo takim kombëtar dhe rajonal, por asnjë veprim! Plani është shumë mbrapa afateve me realizimin e detyrave, ndërsa konsultimi publik është shumë larg strandardeve ligjore të secilit vend në rajon dhe sigurisht larg atyre të BE”, – shton ajo.

Përditësimet e Planit të Veprimit u ndërtuan që nga fillimi, deri në fund të 2024 dhe deri në fund të 2027. Përditësimi i këtij viti paraqet si rrjedhim një mundësi për të kompensuar kohën e humbur dhe për të prodhuar një Plan që është më i efektshëm dhe më i fokusuar, që përcakton përgjegjësi, hapa dhe afate të qarta dhe përcakton qartë sesi do të matet progresi, sipas OSHC-ve mjedisore.

Ndaj, në shkresën drejtuar RÇ dhe Komisionit Evropian organizatat kërkojnë një proces konsultimi me shumë faza, duke mbledhur fillimisht të dhëna para-draft sesi duhet ndryshuar Plani ekzistues i Veprimit dhe më pas konsultimi i dy drafteve të njëpasnjëshme të atij të përditësuar.

“Nëse Komisioni Evropian dhe RCC janë seriozë për Axhendën e Gjelbër dhe për promovimin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje në rajon, ata duhet të udhëheqin me shembull”, – thuhet ndër të tjera në kërkesën e organizatave.

Plani i Veprimit i Axhendës së Gjelbër, i miratuar në Slloveni në tetor 2021, përbëhet nga shtatë udhërrëfyes tematikë të grupuar nën pesë shtylla, me 58 veprime, së bashku me një përshkrim të strukturës qeverisëse të planifikuar për zbatimin dhe monitorimin e tij, si dhe treguesit e progresit për disa tema. Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor mbulon pesë fusha: klimën, energjinë dhe lëvizshmërinë; ekonominë qarkulluese; parandalimin e ndotjes; bujqësinë e qëndrueshme dhe prodhimin e ushqimit; dhe biodiversitetin. Ajo është një instrument për arritjen e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane në rajonin e Ballkanit, që zotohet të çojë në neutralitetin klimatik të Bashkimit Evropian deri në vitin 2050.